Shtesë » Historia
Fritz Radovani: Një monument nën dhé (IV)
E hene, 18.08.2008, 06:44 PM
Fritz Radovani de Angeliis
Një monument nën dhé
KULLA PA RRUGË
“Shqiptari asht mbreti i malëve!”
Prof. Dr. G. STRAD
Një ditë gushti në vitin 1975, tue ecë në një rrugë pylli në anën lindore të fshatit Razëm, më dukej se po fluturojsha mbi pyje, mbasi rruga kishte trajtën e një shkalle krejt afër majave të pemve të larta pranë meje. Kjo shkallë nuk ishte aq thik sa ajo e Thethit, por gurët ishin edhe këtu të lëmuet, ku nga patkojt e kalit, ku nga thundrat e tufave të bagëtive e ku nga opingat e malësorve. Rruga midis atyne pemëve po më joshte aq shumë, sa pa e kuptue më dukej sikur në atë tëposhte nuk po ecsha unë, por ngjitej rruga përpjetë dhe unë qëndroja në vend. Unë veç kundërmojsha natyrën e stolisun të asaj zone që sa mashumë tue vrojtue, aq mashumë kambët më shtyjshin nga e panjohtuna. Dikund, aty mbas rreth një orë e gjysëm kur po afrohej mesdita, takova të parin dhe të vetmin kalimtar që mbasi më përshëndeti si zakonisht përshëndesin të gjithë malësorët njohtë e pa njohtë, më pyeti: “Shok, po të shoh se nuk je i këtij vendi dhe, se, nuk e njeh këtë krah, mbasi nuk paske asnjë mjet mbrojtjeje me vedi, po due me të kallxue se këndej ka ujqë!”. Ashtusi isha në këmishë e pak i djersitun mbasi rruga kishte fillue me e ba të vetën, mu duk se nga frika, u freskova dhe në vend mora kthesën me gishta nga thembrat, tue falënderue fort e fort udhëtarin e panjohtun. Pra, u kthyem bashkë. Biseda lidhej me rastët e shumta të fatkeqsive të çobajve që edhe pse e njihnin mirë atë vend, në ato kullota ishin gjetë copa e grima e shpesh ishin njohtë vetëm prej zheleve ose opingave të shkyeme nga kopetë e ujqve. Malësori më printe, vetëm ai fliste mbasi unë pak nga lodhja, pak nga frymëmarrja e sëpërpjetës dhe pak nga habia e bukurisë vendit, që në ecje e kisha lanë mbas shpinës, ndigjojsha me vëmendje malësorin mbasi për mue ishte gjithshka interesante. Pak përpara se me ardhë në Razëm ai më tregoi se banonte në Vrith, një fshat aty afër. Emnin e kishte Zef. Kur po ndaheshim më tha: ”Po erdhe ndonjë ditë andej, më kërko se aty ku të ndalon makina më njohin dhe shihemi, të pres me qejfë te shtëpia!”. Dukej rreth 45 vjeç afërsisht, mbasi jeta e vështirë ua ka shtue moshën atyne njerëzve për kah pamja. Mbas 5-6 ditësh rastisi një makinë që shkonte ndër baxhat e Vrithit. Shoferi më zbriti tek vendi dhe me të vërtetë Zefin e gjeta si të më kishte pritë mue. Me vedi kisha një blok vizatimi. Prej Zefit kërkova me pa ndonjë pejsazh ku të mund të vizatojsha diçka tërheqëse. Atje sa ishte hapë një rrugë e re. Ajo të zbriste në Vuçë, edhe ky një fshat piktoresk si të gjitha fshatrat e atyne krahinave. Midis malëve pyjet e gështenjave e pishat dukeshin si me kenë në një gropë. Shihej atykëtu ndonjë pullaz që tregonte se ka njerëz që jetojnë aty. Ajo që më bani përshtypje në atë rrugë ishte vendosja e disa gurve të mëdhej mbi gur ma të vogjël. Gurët e mëdhej me format e tyne të sheshta më jepnin përshtypjen e tepsive të vendosuna mbi kokat e grave që ecin aq në ekuilibër, sa, çdo çast pret kur po i bie tepsia në tokë. Kushdo mund të mendojë për ata gurë se i ka vu dora e njeriut me krijue imazhin e skulpturave moderne, po kur afrohesh e sheh madhësinë e tyne rreth 5-6 metër katrorë sipërfaqja e një guri e vendosun mbi gurët 2-3 metër të lartë dhe pa një shenjë dalte në ta, aty nuk gjen asgja me mend si janë vu, mbasi edhe malët prej nga mund të jenë zbritë janë mjaft larg. Mandej, me çka janë sjellë aty? Zefi më shpjegoi se këta gurë janë kenë aty edhe kur kishte lindë ai para 40 e sa vitësh, por pleqtë tregojnë se ata kanë ardhë në rrokullisje me ortiqet dhe kanë zanë vend këtu, të penguem nga trungjet e mëdha të pemëve të pyllit që ishin kenë aty para se me u hapë rruga e re.
Mbasi ecëm rreth 20 minuta në krahun e majtë, në zbritje, jo ma larg se 10-15 metër prej rrugës së re maje një kodrës së ultë 6-7 metër mbi nivelin e rrugës ishin muret anësore të një kullës së vogël pa pullaz. Nga dritarët e hapuna shiheshin ndarje të mbrendshme, gjysëm të rrënueme. Nuk shihej asnjë shenjë se ajo shtëpi ka pasë lëvizje njerëzish mbasi nuk kishte asnjë rrugë sado të vogël, që lidhte shtëpinë me rrugën kryesore. Dera ishte përballë meje me një hajat të vogël, që zbriste me 4-5 kambë shkallë ndër ferra. Disa gurë të shkallës kishin rrëshqitë e ra.
Edhe ndër vendet boshe të atyne gurve kishin bijtë ferra. Nuk mund të afrohesha se gjithkah ishin kaçuba ferrash, madje, edhe mbrenda shtëpisë, që shiheshin nga jashtë. Nuk kishte shenjë jete as mbrenda as jashtë asaj kulle. As aty afër nuk kishte shtëpi tjetër. Ajo që më mbeti në krye dhe nuk më lente me u largue ishte dera kryesore e kryqëzueme me ferrkuqe, të vëndosuna për mos me hy asgja, ashtu edhe dritarët kishin ferra si dera kryqetërthuer. Pa e kuptue, unë kisha mbetë i shtangun në vend. Qëndrimi im aty i tërhoq vëmendjen Zefit, i cili më pyeti: “Pse po qëndron aty?” - Unë iu përgjigja: “ - Nuk kam pa ndonjë shtëpi kështu si kjo!” Zefi më tha: - “As mos të raftë me pa shtëpi si kjo!” Atëherë, Zefi më shpjegoi: - “Një natë, këtu në këtë shtëpi rreth vitit 1946, ia kishin mësye tre vetë njerëz të malit krejt të panjohtun, tue i thirrë të zotit të shtëpisë: “A pret miqë sonte?” Simbas zakonit, ai iu asht përgjigjë: “Hajdeni, mirëse ju ka prue Zoti!” dhe u ka hapë derën. Nata kishte qëllue e ftohtë si netët e dimnit në këto ana. Binte edhe borë që kur fillon nuk din me pushue një minut.
Edhe kur kanë hy mbrendë udhëtarët, i zoti i shtëpisë prap nuk ka njohtë asnjenin, megjithatë, si mbas zakonit tonë i ka shtue dru zjarmit, u ka shtrue me hangër me çka i kishte dhanë Zoti dhe i ka vue me fjetë. Kah drita kanë fillue me lehë qentë. Forcat e Ndjekjes u kishin ra në gjurmë mbasi gjatë natës kishin kontrollue disa shtëpi të largëta e, edhe pse nuk kishin gjetë njeri ndër ato shtëpi, kah drita kishin pushkatue katër vetë prej tyne që i kishin marrë me vedi gjatë kontrollit, tue u thanë: “Ju e dini nga kanë kalue të arratisunit por nuk na tregoni né!” Ata në të vërtetë nuk kanë dijtë gja, por këta i kanë vra me frigue fshatarët për me diftue mbasi këtë punë e banin shpesh dhe kanë vazhdue me kontrollue. Kur kanë mërrijtë këtu, i zoti i shtëpisë nuk i ka lanë Forcat e Ndjekjes me hy në shtëpinë e tij për me kontrollue. Ata kanë ngulë kambë me hy, por ai u asht përgjigjë: - “Nën Zotin, kjo punë nuk bahet! Njëherë kam lé, njëherë kam me vdekë!...” Dy drejtuesit e brigadave të Ndjekjes, Asllan Lici e Xhemal Selimi tue pasë frikë me hy mbrendë, kërkuan dorëzimin e të arratisunve. Ai, prap u asht përgjigjë: - “Nuk e ha bukën me marre, me dorëzue mikun,..... mos e thashtë Zoti me u ba kjo punë në shtëpinë teme!” Forcat e Ndjekjes kishin rrëthue anë e kand kullën dhe kanë kërkue me dalë robtë e shtëpisë jashtë, pleqtë me gra e fëmijë. Kanë dalë vetëm gratë me fëmijë, ndër to edhe një nuse me foshnje të vogël ngrykë.
Burrat kanë ndejë mbrendë me vazhdue qëndresën. Porsa gratë me fëmijë kanë zbritë nga shkalla u janë afrue Forcat e Ndjekjes, dhe Asllani e Xhemali me dorën e vet kanë vra fëmijët, mandej nanat e tyne. Aty asht ndezë lufta. Mbas disa orësh i fundit ndër burra ka djegë shtëpinë dhe në prak të derës, kur këta mendonin se ai po dorëzohet, ka vra një ushtar që i kishte kenë afrue e mbas tij edhe vedin. Kështu, kjo shtëpi asht shue përgjithmonë!. Prej asaj kohe kësaj kulle i asht vue ferra!...” Vazhduem rrugën. Zefi fliste me mue e unë i zhytun në mendime flitëshe me vedi: Po sa shtëpive si kjo u kanë vue ferrën komunistët?!. Ato ferra janë simboli i komunizmit që shuen fise të tana për me zhdukë bujarinë, me prishë besën dhe me turpnue burrëninë. Ajo kullë edhe sot tregon se si vdes malësori!
“KUSH MË NDALON MUE ME DERDHË GJAKUN! PËR TOKËN TEME?”
DED GJO’ LULI
“Vetmia asht martirizimi
shpirtnuer, që kalon çdo dhimbje e
varrë trupi. Dhimbja e Shpirtit nuk
përshkruhet!”
Ndër këta pak rreshta do të kujtoj ata shqiptarë që kujtojmë se njëditë vdiqën! Këta janë pikërisht ata Atdhetarë që e kishin kuptue me kohë e thanë me gojë, se, pa shqipe s’ka burra dhe pa burra s’ka Atdhé! Ata vdiqën vetëm para syve të atyne që i martirizuen, ata u kalbën në qelitë e Sigurimit për sëgjalli. Varrët e tyne kulluan vetëm gjak, gjak të pastër shqipesh që i thërriste dhe i bashkonte në një ideal e gjuhë të përbashkët. Për né, asht e vështirë me e kuptue martirizimin shpirtnuer të tyne mbasi na nuk kemi provue vetminë e tyne, dhimbjet e plagët e trupit tyne, zanin e mekun të tyne që përshpëriste thanjen e Mustafa Krujës: “Shqipni e andrrueme prej poetve, e dishrueme prej atdhetarëve, e këndueme prej rinisë”, por, realiteti kje vetëm mjerim, vuejtje e sakrificë! Me kohë Don Palë Shantoja paralajmëronte: “Mbasi Fuqitë e Mëdha kanë hjekë dorë nga drejtësia, Shqiptarët do të derdhin gjakun e vet shumë të Shenjtë!”. -E, ashtu u ba!
KOL NURI SHELDIJA, vjeç 45, nga Sheldija e Shkodrës, deklaron: “Jam arrestue kur asht kapë Don Lazër Shantoja, kam strehue Don Lazrin për 26-27 ditë, nuk e ka dijtë kush se Don Lazri asht tek unë, vetëm Lush Hila. Kam kenë 17 vjeç shërbëtor në shtëpi të Don Lazrit. Në ditën e vjetit të ri më ka ardhë në shtëpinë teme Don Lazër Shantoja, dhe e kam mbajtë në shtëpi deri atë ditë që erdhën dhe e zunë partizanët në shtëpi, dhe i kam dhanë bukë gjatë qëndrimit. Ai ato ditë ka pritë me u dorzue.”
(Oficeri pyetës: Lako Polona e Skënder Hysi, Proçes-verbali datë 27 janar 1945.)
Gjyqi zhvillohet me dt. 29-31 janar 1945, pra dy ditë mbas arrestimit, dhe trupi gjykues i përbamë prej: Kryetar, Esat Ndreu, antarë, Mustafa Iljazi dhe Hysni Lame, prokuror, Sotir Dodona, japin vendimin me datën 31 janar 1945: “Me vdekje, me pushkatim.” Kryetari i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, Esat Ndreu, njofton Kryesinë e Gjykatës Usht. në Tiranë, me datën 26 shkurt 1945 (nr. prot. 6/100): “I dënuari Kol Sheldija u ekzekutua në këtë qytet me datën 2 shkurt 1945”.
Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë në shkresën nr. 22, njofton Gjykatën Ushtarake të Shkodrës, se mori në shqyrtim aktet e të paditurit Kol Sheldija, i cili është dënuar me akt nr.14, dt. 31 janar 1945, dhe “vendosi dënimin me vdekje, me pushkatim”, Tiranë 28 shkurt 1945, Kryetari Gaqo Floqi d.v., antarë, F. Nosi d.v. dhe V. Zejneli d.v., prokuror Myftar Tare d.v.
26 ditë mbas pushkatimit të Kol Sheldisë, gjykata aprovon ekzekutimin e tij. Kol Nuri Sheldija u pushkatue vetëm pse i dha bukë Don Lazër Shantojës.
DON LAZËR SHANTOJA: (dosja nr. 174) vjeç 52, nga Shkodra, asht i biri i Kelit dhe i Luçes, ka krye shkollën e lartë teologjike për prift. Kur u kap nga forcat partizane Don Lazri iu tha atyne ndër sy: “As ma pak e as ma shumë, se ajo që kam dijtë me kohë, se, komunistët janë veç trathtarë!”
Në një faqe proçes-verbal shënohet: “Kur kam ikë, një natë kam fjetë tek Don Nikoll Gazulli, në Dedaj kam ndejë 22 ditë tek Mark Tom Prela, ndërsa Sheuqet Çelkupa ka ardhë në Shkodër dhe ka bisedue me Cuf Lohën me u dorzue, e të dy bashkë, më duket janë takue me Riza Danin. Sheuqeti, me anë të mbesës seme Siles, e shoqja e Zef Prenkës, në rrugën Marvukej, e kjo nëpërmjet të malësorit Lekë Lulashi nga Grizhja, më ka çue lajm të pres edhe një javë, se Sheuqeti kishte folë me Rizanë e Cuf Lohën. Riza Danin e Dan Hasanin i kam pasë miqë me kohë. Si korrier për shpurje e ardhje lajmesh nuk kam pasë kurrë. Kur po pritsha përgjigje nga mbesa e ime Silja, nuk dij sesi u zbulova nga forcat e Ndjekjës.
Miku ma i ngushtë i emi ka kenë Beqir Valteri.”(proçes- verbal dt. 31 janar 1945).
Akt-akuza e bame nga prokurori Jonuz Mersini, ka dt. 28, 29 janar 1945, ku shënohet një faqe e daktilografueme me të gjitha vëprimet e bame prej gjyqit e deri tek pushkatimi. Lexoni me kujdes këto pak rreshta:
- Ka ba marrëveshje për përmbysjen e Zogut në 1939, për me sjell Princin Savoja, që në vitin 1938 bashkë me M. Krujën.
- Ishte president i kulturës popullore në Institutin “Dante Aligheri”.
- Asht qenë inisiator i grupit indipendent.
- Në vitin 1940 ka mbajtë konferencë në Egjipt, me të mërguem kundër Aleatëve.
- Më 28 nandor 1939, ka mbajtë fjalim në Romë me rastin e dorëzimit të Flamurit, me titull: “Shqipnia në kuadër të Përandorisë romake”.
- Ka shkrue artikullin: “Luftën e fitojmë na!”.
- Ka shkue në Shën Naum, Strugë dhe Dibër e ka mbajtë fjalime.
- Ka shkue nga Jugosllavia në Zvicërr si emigrant në kohën e Zogut. Atje asht takue me M. Krujën, i ardhun nga Italia.
- Ka pasë lidhje me gjeneralin Fistun, Kol Ashikun, e armiqë të tjerë në mal. Mbas prokurorit u pyet i pandehuri dhe kërkoi pafajsinë, mbasi nuk ka bërë ndonjë faj.
Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim.”
Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: “Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje - me pushkatim”. Me datën 9 shkurt 1945, u mblodh komisioni për zbulimin e kriminelëve të Luftës për Tiranën... Shoku Jusuf Alibali, vjeç 24, nga Shkodra, deklaron si mbas akt-akuzës së sipërme.
Poshtë shënohet: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor: J.Alibali d.v. “Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945.”
DON NDRE ZADEJA: Kur do të pushkatohej i ndjeri Kolë Sheldija me datën 2 shkurt 1945, në fshatin Sheldi, u thirr bashkë me popull edhe prifti Don Ndre Zadeja, i cili, menjëherë mbas pushkatimit të Kolës, iu afrue, i bani Shartët e Fundit dhe porsa u ngrit në kambë, pau vedin me pranga ndër duer nga forcat e Ndjekjës. Don Mikel Koliqi atëherë i arrestuem, më tregonte në vitin 1993: “Si tash e kam ndër veshë të inçizuem zanin e të shkretit Don Ndre, kur po e torturonin,... ai asht torturue shumë dhe po u thonte atyne : “Mohni bre kështu, po a ban shqiptari në shqiptarin shka jeni tue ba ju në mue!?” Don Ndreu akuzohet se ka pasë dijeni për vendqëndrimin e Don Lazër Shantojës, Don Alfons Trackit, Kol Ashikut, Martin Sheldisë, Gjovalin Sheldisë, Ndoc Jakovës, Gjok Gjergjit (prej Lisnet) dhe Zef Augustinit (prej Lisnet), të tre të fundit “dëzertor” nga ushtria. Njëkohësisht ka mbajtë lidhje të ngushta me Don Injac Gjokën, i cili strehon dhe përcjellë ndër shpella “kriminela” të luftës. Don Ndreu mohon akuzën që i bahet por burrnisht pranon: “Mësova se punohët për shuemjen e Partisë Komuniste, të cilën si doktrine e urrej edhe unë.” (Dosja 667, deklarue më 7 shkurt 1945, Don Ndre Zadeja d.v.).
Gjykata Ushtarake e Shkodrës e përbame nga: kryetari Hamid Keçi, antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi, me datën 16 shkurt 1945 dha vëndimin: “Për të pandehurin Dom Ndre Zadeja, me vdekje, me pushkatim”. “I pandehuri kërkoi lehtësimin e dënimit.” Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, refuzon kërkesën. Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas murit të vorreve të Rëmajit, në Shkodër. Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, çka të baj ma shumë për ty?!”. Ndër pushkatimet e ditëve të para lejohej prifti. Në këtë rasë ishte aty Don Tomë Laca, i cili mbas pushkatimit e mori në krah Don Ndreun e vramë, (me leje të Sheuqet Peçit) dhe bashkë me xhakonin Mark Çuni dhe dy të tjerë, e kanë varrosë mbrenda vorreve të Rëmajit, aty ku asht edhe sot. Kur Don Toma shkoi në Argjipeshkvi aty nga ora 7.00, pau veladonin e lamë me gjakun e Don Ndreut prej supit ku e kishte mbështetë e deri në fund të kambëve dhe aty për aty i ka ra të fikët. Prej atij çasti ai ka pësue një sëmundje nervore nga e cila nuk asht shërue kurrma. (Si mbas tregimit të Don Mikel Koliqit, në vitin 1993).
Atë ditë, një afishe e madhe u vue ndër murët e Shkodrës: “PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS DHE ARMIQTË E POPULLIT:
1. Prenkë Cali
2. Dom Ndre Zadeja
3. Luigj Gjeto Kastrati
4. Ndok Nik Bardhoku
5. Ndrekë Loka
6. Arif Selim Hyseni
7. Dedë Lulash Smajli
8. Gjok Nikaj
9. Dul Bajrami
10. Mark Luc Gjoni
11. Tomë Lekë Daka
12. Maliq Bajrami
13. Gjok Nikoll Voci
14. Pjetër Dedë Gjedashi.
Ideali që i bashkonte këta burra ishte: “Rrnoftë Shqipnia!”
NDUE MIRASH PALI: vjeç 23, nga Shkodra, i biri i Mirashit dhe i Mrikës Gjelosh Vatës. Dosja nr.1108 hapet kështu: “ V.F.L.P.
Proçes- verbal
I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje, Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra. Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
Ndue Pali: Nuk më vjen keq, që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!
Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!
Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve! Të fala familjes.
Prokuror (Aranit Çela) d.v.”
Në proçes-verbalin e mbajtun në seksionin e mbrendshëm të Shkodrës nga komisioni hetues, i përbamë prej: Hetues, Koço Dilo, Nestan Ujaniku, Shefqet Dibra, Arif Gjyli dhe Haki Llazani, i arrestuemi Ndue Pali thotë: “Kam agjitue për Ballin Kombëtar. Me gjermanë kam kenë oficer i ndërlidhjes në batalionin “Vërmoshi”. Kam punue me krenët e Malësisë së Madhe (“Besë-Lidhja”), kam kenë mandej në dispozicion të Komandës Shkodër. Kam marrë pjesë në operacionin e Llesh Marashit e Hasan Isufit, nga Shllaku e deri në Vrakë. Në këtë operacion u arrestuen: Faik Dibra, Rifat Muja, Nedime Baku dhe një partizan Halil. Gjoni i Markagjonit më tha me shkue në Dukagjin, por unë nuk shkova, e din Riza Dani e Kol Prela... Faik Dibra ka kenë shoferi i makinës së Ndrec Prengës kur asht vra. Atëherë ishe i arratisun... Në listat e intërrnimëve në Prishtinë nuk kam ba pjesë, ato i ka ba policia me Hasan Isufin”. Në gjyq deponojnë kundër Ndue Palit: Vasil Kavaja, Selim Rama, Sadik Bekteshi, Beqir Ndou, Mark Prela, Arif Gjyli, Mark Uli etj. Trupi Gjykues përbahej prej: Kryetar, Mustafa Iljazi, antarë, Orest Papadhimitri dhe Pjetër Daragjati, prokuror Aranit Çela. Vendimi u dha më 14 korrik 1945.
Arkivi ruen edhe një letër që Ndue Pali i dërgon Riza Danit, me anë të së cilës Ndou kërkon prej Rizasë, mundësinë e ndërmjetësimit për me u dorzue.
Në dosje ruhët edhe mbrojtja që avokat Paulin Pali, i ka ba Ndout, tue kërkue: “Ju lutëm ndryshoni vëndimin e caktuem, në burgim të përjetshëm, i sigurt në ndjenjat e drejtësisë njerëzore të Gjykatës së Lartë. (më dt. 14 korrik 1945).
Mbrojtja e Paulinit ka titullin “Liri, Nderë e Burrni”, ku, ndër pesë faqe të daktilografueme, avokat Paulin Pali i len jurisprudencës shqiptare një thesar të vërtetë nga mendja e tij e ndritun. Me datën 15 gusht, aty nga ora 3.30 e mëngjezit, kur rojet e burgut të vjetër të Gestapos (pranë shtëpisë së Zef Shirokës), hapnin dryjt e dyerve me zhurmë e virrma për me hy xhelatët me marrë të dënuemit me vdekje për me i çue me i pushkatue, ata u gjetën para një të papritune, që as nëpër mend nuk i shkonte! Ndou dhe Cafi kishin mpreh bishtat e lugëve që hanin dhe i kishin kthye në thika. Xhelatët gjetën aty atë që lypnin me sjelljen e tyne barbare.
Heroizmi i Ndue Palit e Caf Metit mbeti i pashlyeshëm në kujtesën e popullit të Shkodrës! Akti heroik i vdekjës së tyne u kthye në një legjendë. Ata trandën
hekrat dhe murët e burgjeve komuniste në gjithë Shqipninë. Më 2 nandor të atij viti, si gjithmonë, kujtonim të vdekunit. Ishim ndër vorret e Rëmajit që atë ditë marrin një pamja madhështore dhe papritmas u hap fjala, se mbas murit të vorrëve janë rregullue disa vorre të njerëzve të pushkatuem. Si fëmijë kaluem mbas Pendës së Kirit kur, shka me pa?!... Një korte i vërtetë. Drejt me çinarin e dytë ishin pesë vorre të bamë me gurtë e Zallit të Kirit, të mbuluem me guraleca të vegjël, të bardhë si biluri. Tre prej tyne me kokë nga Penda ishin me Kryqa, ndërsa dy që hynin ndërmjet, me fëtyra përballë atyne të treve, kishin shenjën e Myslimanëve. Ndër të gjithë shenjat varëshin fotografi të mëdha (rreth 35x50 cm.). Ishin fëtyrat e atyne djelmve të pushkatuem në lule të rinisë. Te koka e secilit vorr ishte e ulun kacuk nana ose një i afërm i të vramit. Mbi gurët anësor të vorrit ishin të rreshtueme cigare, të cilat, dy a tre nga të afërmit ose miqë ua shpërndanin burrave që vinin aty. Kujtoj, se mbi vorrin e Ndue Palit e Kol Sokolit kishte edhe fruta tek fundi i vorrit. Ishte zakon i malëve. Në mes të Ndout e Kolës, me fëtyrë përballë, ishte Caf Meti. Emnat tjerë nuk i kujtoj. Nën fotografi kishte lule të bardha dhe të freskëta që na kujtonim se lagëshin nga lotët e atyne nanava me futa të zeza e degërmia të bardha, ato u merrnin erë atyne luleve, por, jo, jo tue kja loçkat e zemrës së tyne që ua kanë tha shpirtin për gjithë jetën. Asnjenës nuk i pashë pikë loti. Aty kuptova, se Heronjtë Nanat Shqiptare nuk i vajtojnë! Për pak minuta erdhën disa makina me ushtarë të mbrojtjës, filluan me vrritë si bishat e tërbueme në kohë bore. Kur filluen krizmat e automatikëve na ikëm me vrap.
Mbas asaj ngjarje nuk bahej fjalë ma për vorre të pushkatumëve. Aty ai vend u mbush me pleh e mbeturina, me kafshë të ngordhuna, me pisllëkun e pusave të zez të qytetit, që karrocat hillnin sipër me zhdukë çdo gjurmë. Aty-këtu filloi ndërtimi i ndonjë shtëpisë ku Sigurimi solli të besuemit e vet me qëndrue gjithënjë në roje. Megjithatë, kishte ndër kaçuba e ferra ndonjë qiri të ndezun e të futun mbrenda në një kuti teneqeje që mos të fikej, që derdhte lotët e tij në atë vend të bekuem.
Po, sot, pse asht ashtu ai vend ?!
Mos harroni, historia përsëritet!
PJETËR GEGË GURAKUQI: “Kriminel lufte dhe armik i popullit”. Pse asht i këtillë? -Pse ka lé në Shkodër... më 2 janar 1912. Mbas mësimeve të para në vendlindje, gjimnazin e ka krye në Beograd. Akademinë Ushtarake e ka përfundue në Romë, në vitin 1931. Mbas Akademisë ka ba një kurs specializimi për karabinjeri në Firencë, në Itali, dhe në vitin 1932 këthehët në Shqipni.
Emnohet në Komandën e Gjendërmarisë Shqiptare, për shkollat e Durrësit dhe të Burrelit. Mbas vitit 1939 ishte komandant i Rrethit të Jashtëm në Tiranë, deri para kapitullimit të Italisë. Katër muej para shkëputet mbasi vëren shthurjen e italianëve. Me ardhjen e Mahmut Golemit si Komandant i Përgjithshëm i gjendërmarisë me gjermanët, Pjetri emnohet në Berat dhe shumë shpejt vjen prap në shkollën e gjerndërmarisë në Tiranë. Aty qëndron me pune deri në fund të vitit 1944. Nga fundi i vitit 1944, merr një letër nga Komandanti i Brigadës së shtatë sulmuese me pseudonimin LISI, i cili kërkonte nga Pjetri, me shkue prap në Berat. I përgjigjet thirrjes dhe shkon atje deri në fund me Gani Jasharin, mbasi të tjerët arratisën ndër male me partizan. Pjetrit i thonë me qëndrue aty mbasi asht ma mirë për partizanët që u kapnin nga gjermanët dhe i sillnin aty. Në janar të vitit 1945, arrestohët si “kriminel lufte dhe armik i popullit” në Berat.
Para komisionit hetues të përbamë prej: Major Ruli, Bello, E. Beqari, Tepeleni e Beçolli, Pjetri deklaron: “Kam qenë vetëm një ushtar pa kurrfarë ideologjie. Kam krye detyrën tue i ardhë në ndihmë popullit, për mos me e lanë krejtësisht në dorë të okupatorit. Populli i Beratit nuk ka ngrejtur kurrë zërin kundër meje” Me datën 8 gusht 1945, Gjykata Ushtarake e Beratit, e përbame nga: Kryetar, Gjon Banushi, antarë, Teki Veleshnja dhe Neki Korita, prokuror kap.I. Misto Bllaci dhe sekretar Mihajl Borduni, akuzojnë Pjetër Gurakuqin, se ”ka qenë vegël e verbër e okupatorit të huaj, ka qenë komandant operacioni në Berat, më vonë komandant Qarku dhe se ka patur “karta bianka” kundër Lëvizjës Nac. Çlirimtare.” Pjetri nuk pranon se ka ekzekutue njeri mbasi nuk ka as fakte për té. Ka arrestue 200 vetë dhe i ka lirue prap. Qamile Libohova, asht torturue për imoralitet me ushtarët, ndërsa Irfan Ramadanin nuk e njeh fare.
Dëshmitarët Jan Ikonomi dhe Lik Petro Deçolli deklarojnë: “Kanë shkuar gratë tona për t’iu lutur Pjetrit, dhe ky na ka liruar”. (Dosja nr. 318).
Me datën 21 gusht 1945, Gjykata e Lartë Ushtarakë në Tiranë, shqyrton një raport bashkë me vëndimin e Gjykatës Ushtarakë të Beratit, ku shënohet: “...Si paraqitet Pjertri ? - Jo aq armik, sa në shkresa. Popullin i Beratit e ka ndihmuar si mbas deklaratave të bëra në gjyq. Flasin mirë për té......Vetëm, vendimin e Pjetrit me v d e k j e, populli nuk e priti kaq mirë, kurse për tre të tjerët populli është shumë i kënaqur. Mejtimi ynë: Pjëtrit t’i këthehet në burgim të përjetëshëm. Pse: Kur Pjetri ka vatur në Shkodër është lidhë me Operacionin e Komunës së Gashit, me Sheuqet Peçin e Tuk Jakovën, që mund të japin shpjegime për Pjetrin. Veprimët në gjendërmari i ka bërë për opurtunitet. Pjetri mund të bëhet edhe njeri i mirë dhe i vlefshëm. I pandehuri Skënder Plashniku, kriminel me famë. Spijun. Ceno e Hysen Shahin Elezi nga Plashari, janë kriminelë dhe armiqë të betuar.
Misto Bllaci d.v. “
Në dosjen e Pjetrit ka deklarata të mira edhe nga Sheuqet Peçi, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, se Pjetri nuk ka terrorizue popullin në zonat ku ka shërbye dhe se nuk ka pushkatue njeri kur ishte gjykatës. Nuk ka asnjë shënim nga ana e Tuk Jakovës, i cili, si dukët i ka dhanë “shpjegimet” me gojë tek kryekasapi. Zonja e Pjetrit, Luçia, ban një lutje nga qyteti i Shkodrës, ku ven në dukje se Pjetri asht 33 vjeç, ka tre fëmijë dhe se deklaratat e bame nga populli i Beratit duhet të prekin “zemrën e komandantit”
Cila ishte përgjigja?
“Komanda e Përgjithëshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare
Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë 3 shtator 1945 Nr. 08-134/I-Prot.
GJYKATËS USHTARAKE - Berat Gjegje e shkresës nr. 229, datë 19 gusht 1945: Aprovohet ndëshkimi me vdekje i të pandehurve:
1. Pjetër Gegë Gurakuqi nga Shkodra,
2. Hysen (Ceno) Shahin Elezi nga Plashnik,
3. Skënder Sadik Çaushaj nga Plashnik.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gani Jashar Shkurtës, i këthehet në burgim të
përjetëshëm.
V.F.L.P.
Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel (Enver Hoxha) d.v.”
Përgjigje me datën 1 tetor 1945: “Në orët e para të djeshme, u ekzekutuan të dënuarit e shënuar në radiogramin e sipërm. Vullneti i tyre i fundit qé: “RROFTË SHQIPËRIA” Kryetari i Gjykatës Ushtarake: Kap. I Bexhet Mema d.v.” “Komandanti” për të gjithë donte me ditë vullnetin e tij të fundit!!