Shtesë » Historia
At Zef Pllumi: Lin Biao në Shqipëri
E hene, 18.08.2008, 06:14 PM
Fragment nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''
At Zef Pllumi
LIN BIAO NE SHQIPERI
Nuk e mbaj mend në se Lin Biao kje personalisht ndonjiherë në Shqipni. Ai po, kryeministri Çuen Lai erdhi dy herësh; bile të parën herë pregatitja kje shumë qesharake. Në gazetën e Enver Hoxhës „Zëri i Popullit“ u botue disa kohë përpara se „për vitin e ri do kemi një sihariq për popullin shqiptar“.
Kjo fjala „sihariq“, sigurisht fjalë turke, ishte nxjerrë në pension ka herë e mot në gjuhën shqipe, që nga mbarimi i shekullit të kaluem ish zavendsue me fjalën „lajm“. Mirë por shkrimtarëve të Hoxhës iu duke se vetëm fjala „sihariq“ e shprehte ngjarjen e madhe, a po ndoshta u dukej, porsi nji „dacibao“ kineze. Pregatitja kje shumë e madhe: të gjitha anat e skorpatat e rrugëve automobilistike të Shqipnisë u mbollën me qepujka deri në Konispol. Populli nga ky „sihariq“ priste nji lajm të madh: flitej se në Shqipni ndoshta ishte zbulue nga shkencëtarët tanë socialistë një minierë Ari: mendohej se me ketë do t’i thohej hordhekut „lamtumirë njiherë e përgjithmonë“, se nuk do të kishte ma kurr as radha buke e as rradha qumështi, ato që fillojshin që nga ora dy e natës mendohej se ... e shka nuk shef n’andrra fukaraja i këputun ndër grahmat e fundit? ... Për vit të ri erdh Çun En Lai ose, si e thirri populli ynë Çuni i Lalës. Mandarini i vjetër kinez dukej se i njifte mirë kurthat e vogla e nuk ra as me nji kambë mbrendë, bile thonë se as i kqyri me sy qepujkat e mbjelluna. Aso kohe flitej edhe se udhëheqsat kryesorë të këtyne dy partive motra marksiste-leniniste do të diskutojshin së bashku dhe do të vendosshin mbi nji teori shumë të randësishme aktuale të marksizëm-leninizmit për trajtimin e popullsisë: në se për mbrojtjen e atdheut socialist do të ish ma e dobishme heqja e gjithë pasunive private, deri në atë gjendje që mos të kishte bukë për nesër, a por lirimin deri diku i nji pasunije private të arsyeshme. Në rastin e parë njeriut nuk do t’i dhimbej jeta për atdheun socialist, mbasi nuk kish shka me humbë, kurse në rastin tjetër ai do të luftonte për të mbrojtë mirëqenjen e vogël por të sigurt të jetës së vet. Në të vërtetë kështu flitej gojë më gojë, por kurgja nuk dihej se shka biseduen. Ma vonë u pa se u desht nji o dy ndërhymje tjera për të mujtë me shti në valle klanin familjar të Maocedunit për të sigurue kredinë e parë e të dytë kineze si edhe deklaratën e famshme bombastike shqiptaro-kineze se „Shqipëria socialiste ishte siguruar nga çdo mësymje që mund i vinte nga armiqët e jashtëm kapitalistë e revizionistë dhe sikur çdo koalicjon superfuqish të vehej kundra saj, mbrenda pak orëve do të zhdukeshin nga sipërfaqja e dheut“. Kjo ishte përmbledhja e nji deklarate të gjatë zyrtare maoceduno-enverjane që bante me qeshë nën mustak edhe opinjonin e mbrendshëm shqiptar. Megjithkëta Agjensia HSINHUA i vendosi aparatet e veta në Shqipni dhe zani kinezo-shqiptar u ndigjue i qartë dhe i fortë në të gjitheë Europën, tue propogandue „parrizin shqiptar“.
Nuk mund e saktësoj në se për fat të mirë ose për fat të keq të gjithë popujve që pësojnë rrezikun e zi, por ekziston nji ligj i pashkruem e i pashmangshëm në historinë e të gjitha tiranive, revolucjoneve e diktaturave asht „ligji i vetngranjes së kokave“. Kështu në nji ditë të 1966 në Pekin u duk nji nier i ri i quajtun Lin Biao, i cili vuni në lëvizje „Revolucjonin Kultural Kinez“ dhe me anë të këtij sulmoi autoritetet ma të nalta kineze si Liu Shau Çi atëherë President i Kinës e me të edhe të gjithë njerëzit e kulturës e artit të Kinës: të gjithë akuzoheshin si „komplotistë kundra Mao Ce Dunit. Në ket rasë u organizuen gjithë rrugaçët e idjotët e Kinës për me luftue e me zhdukë kulturën e lashtë kineze dhe në fronin e saj të nderuem të hypte idjotsia e poshtërsia, me anën e „Dacibaove“. U zhvillue nji luftë e madhe: nderi dhe poshtërsia u gjetën ballë për ballë po në atë fushë ku luftojshin për jetë e për vdekje Dija e Urtija kineze kundra injorancës dhe poshtërsisë. Këto të fundit u duk se korrën fitoren të udhëhequna nga shoku i armëve Li Biao. Në Tiranë, tirani komunist i Shqipnis, Enver Hoxha, ndiqte ngjarjen e madhe kineze; përveç informacjonit masiv kishte në dispozicjon informacjonet diplomatike prej marrëdhanjeve ma miqsore me Kinën. Mendohej se ky ishte çasti ma i përshtatshëm për me ba punët ma të zezat mbasi bota interesohej më shumë për Kinën e madhe se sa për Shqipninë e vogël, e cila do të ecte ndër gjurmët e Lin Biaos. Kështu me 6 shkurt 1967 në mbledhjen e përbashkët të disa organizatave të partisë në Tiranë Enver Hoxha mbajti fjalimin ma të çmendun „për zhdukjen e besimeve të kota fetare dhe zakoneve prapanike“ ku i ban thirrje rinisë që të hidhej në veprime rrugaçërije e vandalizmi të pashembullt dhe antiligjore: „pse ligjet tona do të na ndalojnë neve që të djegim në zjarr dhe t’i zhdukim ato nga faqja e dheut?“ (Të kqyret teksti i fjalimit të 6 shkurtit 1967, „Zëri i popullit“ nr.32 (5757), 7 shkurt 1967 e jo ribotimi i saj në veprën 35, të shifet edhe letra e Komitetit Qendror drejtues Komiteteve të Partisë mbi luftën kundër fesë paragjykimeve e zakoneve fetare 27 shkurt 1967 (vepra 35 fq. 103).
Gjithçka dukej se ishte pregatitë me kohë. Në nesre filluen me u dukë për gjith vend “fletë rrufetë” njëlloj si në Kinë, kundra njanit e kundra tjetrit. Por ajo që bani zhurmën ma të madhe kje veprimi vandal i rrugaçëve të organizue prej Komitetit të Partisë në Durrës, të cilët sulmuan e shkatrruen shenjtoren ortodokse në Shna Vlash: flamurin e barti shkolla “Naim Frashëri”. Në të gjithë Shqipninë filloi shembja e minareve të xhamive. U formue “shtabi i përgjithshëm për drejtimin e luftë kundër zakoneve mbrapanike të bestytnive fetare” me në krye Ramiz Alinë, i cili u gjet aso kohe në Shkodër bashkë me Haki Toskën gjoja për me ba muejin e punës fizike.
Me datën 15 shkurt dyert e kishave u gdhinë me fletë të mbushura me fletë-rrufe të vendosuna në atë mënyrë që dyerët mos të happen. Ishte dhe nji kërcnim aty që thonte se kushdo që t’i hiqte at, binte para përgjegjsisë, si dhe një shënim tjetër që ato mbeteshin aty derisa t’u kthehej përgjegja prej Imzot Ernesto Çobës, I cili asohere ishte autoriteti ma I naltë I Kishës Katolike në Shqipni. Kur shkova heret n’orën 5 të mëngjesit fletë rrufetë i gjeta të ngjituna aty për tre ditë, mbasi imzot Çoba nuk u përgjegj. Atë javë e kishem unë meshën e parë në orën 5 të mëngjesit. Më duhej çdo ditë me zhgulë njanën pjesë të asaj fletrrufeje që ishte vendosë mbi dy kapakët e derës. Me marifet un hiqshem vetëm njanën pjesë të asaj fletrrufeje që ishte vendosë mbi dy kapakët e derës. Me marifet un hiqshem vetëm njanën pjesë dhe i lejshëm zvarë. Nji ditë më kishin ruejt dhe m’u vait nji djal i ri:
- A e din që flet rrufeja nuk mund të hiqet pa iu dhanë përgjegja?
- Nuk jam tue e hjekë as tue e shkye, por mbasi liria e fesë asht e garantueme me kushtetutë, un vazhdoj me e hapë Kishën si çdo herë.
- Ban si të duesh deri të mbyllen Kishat, por ditët i keni të numrueme: pregatitu me punue si i gjithë populli.
Kur ktheva në Kuvend të Arrës së Madhe gjeta një numër personash kund 5-6 vetë që kishin hy ndër dhomat tona dhe po barshin të gjitha bibliotekat e vogla personale dhe po I grumbullojshin në atë të Kuvendit. Edhe në Arqipeshkvi muerëm vesh se kish hi nji grup tjetër. Un prej atyne njerzve njofta Izet Begoviqin, Vasil Llazarin e Sandër Gerën. Ky i fundit ishte me frigë të madhe dhe, kur e pveta tinzë se kush ishin ata, ai m’u përgjegj se nuk i njifte po kishin ardhë prej Tirane. Ndërsa Vasili më tha se ai që kryesonte ishte vëllai i Ramiz Alisë, i ardhun si drejtues i këtij komisioni që do të seleksiononte të gjithë librat e dorëshkrimet me vlerë për ruejtje.
Po atë ditë, ndër orët e para të mbasdites, në nji sallë të madhe në lagje, kishin thirrë Imzot Çobën e Dom Mark Hasin. Un shkova aty, por si i panjoftun, me ndigjue: kishem shumë dyshim në aftësitë e qëndresën burrnore të Çobës, megjithse e njifshem fenë e tij të forte. Disa oratorë partiakë kishin folë njani mbas tjetrit mbi domosdoshmërinë e zhdukjes së Kishave që ishin bazat materiale të fesë. Mandje kishin kritikue publikisht Imzot Çobën se ende nuk u ishte përgjegjë fletë-rrufeve që rinia kishte vu ndër dyer të kishave, në pjacë e gjithandej. I kërkuen llogari e përgjigje. Imzot Çoba u çue e foli qetë e qetë:
-Ndigjoni, - tha, - na nuk jemi njerz ilegalë. Kisha e liria e fesë janë të garantueme nga Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë; në bazë të Kushtetutës janë edhe ligjet mbi Komunitetet fetare. Përveç këtyne na kemi edhe nji Statut të Kishës Katolike të miratuem nga Shteti. Ligja asht shumë e kjartë, ata që duen me besue, e kanë lirinë e besimit si për Kishë ashtu Xhami; le të shkojnë ku të duen. Në bazë të Kushteturës dhe ligjeve liria e besimit asht e garantueme njilloj si ajo ateiste ose e mosbesimit: Gjithsejcili ka lirinë personale, beso ose mos beso: zgjidh e merr. E tash shka doni ju?
- Rinia kërkon çelsat e kishave, - bërtitën. – Dorzoji! Dorzoji çelsat e kishave!...
- Ndigjoni, - vazhdoi Çoba i qetë. – Ndigjoni se nuk bahet ajo që thoni ju. Rinia asht rini, por nuk asht i gjithë populli. Përveç ksajë un po shof se në ket sale pothuej nuk ka fare të rij katolikë e aq ma pak katolikë të moshave tjera ma të pjekuna e të plakuna, ndërsa Kisha asht për shërbesat fetare të popullit katolik: me ç’të drejtë i kërkoni ju çelsat e Kishave? Un nuk i dorzoj kurrë çelsat e Kishës askujt tjetër përveç Popullit katolik ose Pushtetit, i cili në mënyrë ligjore përfaqson popullin katolik. Shka kërkoni ju tjerët?
Mbas heshtjes gjatë fjalëve të tija u ndigjua nji za kërcnues:
- E pse atëherë ti nuk i përgjigjesh fletë-rrufesë?
- Nuk iu përgjigja fletë-rrufesë që mos të mbetet e shkrueme se në popull ka përçamje në pleq e të rij, në katolikë e myslimanë: se pot a jap ketë përgjegje, ju nesër më akuzoni si nji që shtjen përçamje, në nji kohë që un e dij mire se nuk ka pasë as nuk ka përçamje në ketë drejtim: gjithsejcili në punën e vet.
Atëherë u çue në kambë nji officer i Degës së Punëve të Mbrendëshme e foli qetsisht:
- Ndigjoni shokë, - tha, - un e përkrahi iniciativën e rinisë për zhdukjen e xhamive dhe të kishave, jo se ato shtien përçarje, por sepse ato janë qendra të edukimit antikomunist. Un banjo në një lagje ku të gjithë janë besimit katolik. Fëmijët e mij dashtë e padashtë jetojnë me fëmijët tjerë tëlagjes e luajnë aty në rrugë me ta. Ç’e do: here mbas here kalon në atë rrugë një frat i veshun me zhgun me litar: ai drejtohet aty te Kisha e fretenve për shërbesa fetare. Porsa hynë ai në rrugicë, fëmijtë e lënë lojën me njëri-tjetrin, turren e i puthin konopin e ai përkëdhel; fëmijët e përshëndesin të gjithë njëri pas tjetrit me një “Qoftë lëvdue Krishti!” e ai i përkëdhel e i bekon të gjithë pa përjashtim. Fëmijët e mij bëjnë si të gjithë fëmijët e tjerë të lagjes dhe në mbramje kur kthejnë fëmijët në shtëpi time më thonë: na ka bekuar frati kur i kemi puthë konopin e e kemi përshëndetur: qoftë lëvdue Krishti. – E si do të mundi unë atëherë t’I rris fëmijët e mij ashtu si i don Partia?
- Kjo është arsyeja kryesore që Partia na bën thirrje për zhdukjen e besimeve fetare.
Mbledhja u shpërnda mbasi nxuerën fjalën nga Imzot Çoba se do të jepte po atë ditë përgjegjen fletë-rrufesë.
Kur u kthye në Arqipeshkvi Imzoti shkroi ketë përgjegje lakonike për fletë-rrufenë:
“Kishat janë të Popullit Katolik, prandej nuk I dorzohen kurrkujë tjetër përveç popullit katolik ose pushtetit.
Për Kryesinë e Kishës Katolike: Imzot Ernest Çoba“
Asokohe si At Aleks Baqli, ashtu edhe un vetë, kishim dy burime të sigurta informacioni për mbledhjet e përnatëshme që bante “shtabi i rinisë për zhdukjen e zakoneve prapanike dhe besimeve të kota fetare”. Megjithese shokë e kolegë të ngushtë, ose ma mire me thane “si vëllazen të vërtetë”, na ia mbajshim secret njani-tjetrit burimin, por shqyrtojshim vetëm informacionin: ishte i saktë. Nga të dy burimet erdh se atë natë në Shtab u paraqit përgjegja lakonike e Imzot Çobës. Kryetari i Shtabit, Ramiz Alia, e lexoi me vëmendje të thellë atë dhe mandej e dorzoi tue thane “ua paska hedhë: duhet të tregoni më të kujdesshëm”.
Ndërkaq, mbasi ishin shembë përdhe të gjitha minaret e xhamijave të Shkodrës, filloi rrenimi i xhamisë së madhe në Parrucë, e cila paraqitej si nji perlë arkitektonike e qytetit të Shkodrës, megjithëse e përfundueme vonë. Minaret ishin beton armeje: u deshtën mjete të fuqishme moderne për t’i shkatrrue. Ato mjete i kishte në dorë vetëm “shteti”. Rinia duel bosh. Me mjetet shtetnore “Stalinec” u shembën minaret e xhamisë së madhe të Parrucës.
Ndër ato ditë lajmet plakeshin çdo orë. U zhvillue nji luftë e pagjak mendimesh, idealesh e veprimesh. Un mora pjesë edhe si nji fotoreporter historic. Përnji që mora vesh se po sulmohej Xhamija e Madhe e Parrucës u nisa për atje. Mbrrijta kur po shembej minarja e fundit. Kishem mbetë shtang para asaj pamje të hatashme. Dikush nga mbrapa m’i vuni duerët ndër supe dhe ndjeva zanin e tij:
- Po ti, Pater Zef, shka ban këtu?
Kur solla kryet pashë se ishte nji officer i Degës së Punëve të Mbrendëshme, i gjatë e truplidhun, fëtyrë e njoftun, por që nuk i dijshem emnin. Thojshin se ishte nga Krahina e Kukësit. Shoqnohej nga nji femen që i rrinte në krah të majtë dhe kurrë nuk e kuptova nëse e kishte motër apo grue. Ajo rrinte e heshtun. Oficerin e shifshem aq shpesh kur për çdo mëngjes ose mbasdite kalojshem i veshun me petkun françeskan, zhgun e litar, përshkojshem rrugicen e Degës Punëve të Mbrendshme për me shkue te Kisha e Fretënve në orar. Vërejshem se më kqyrte si me dashamirsi, pa inat.
- Pater, pse je i trishtuar? Kjo që po shembet nuk asht Kishë por Xhami!
- Ndigjo miku im: kur po shof se shka bahet me xhaminë më shkon mendja: e çë dhunë do të bahet me Kishën?...
- Un nuk jam nga Shkodra, po thonë se këtë xhami e ka ndërtuar Perandori fashist Viktor Emanueli III.
-Sigurisht që nji perandor ose mbret e ka ndërtue. A e din pse? Të gjitha veprat e mëdha e të bukura janë ndërtue prej Mbretenve, Perandoreve, Dukeve që synojshin me u ba perandorë, Kardinalë ose Papë.
Vetëm këta kanë punue vepra të pavdekshme gjatë shekujve. Ndërsa Presidentat e Kryeministrat kanë ndërtue kotece pulash, që kur ato të kokorisin, këta t’u marrin venë. Kjo asht me dy fjalë historia e njerzimit.
- Ah Pater, Pater, - më tha, - e dij se je brumosë me papë e me mbreten e nuk i shef punët e mëdha që po ban revolucjoni!
Kur un desha me iu përgjigjë, vuna re se fytyra e asajë femne që kishte për krahu, muer nji pamje të çuditëshme që mue ma ndali fjalën në gojë dhe në vend të përgjegjes që mendojshem më duel nga goja:
- Gjynah i madh që po e rrxoni, më duket se edhe në Romë ka nji xhami!
(Në të vërtetë un aso kohe nuk e dijshem se në Romë deri atëherë nuk kishte xhami, sepse kur arabët ia kishin kërkue lejen Musolinit, ai kishte dhanë përgjegjen e shkurtë: të drejtat njerzore e ndërshtetnore janë të barabarta e reciproke: e jap lejen për nji xhami në Romë kur të më jepet leja me ndërtue nji kishë në Mekë. Kështu aso kohe në Romë nuk kish xhami, megjithkëta ishin shumë tjera ndër metropole të Europës.)
N’e nesre vazhdoi gjithnji rrenimi i xhamisë. Zakonisht ndërmarrjet shtetnore – nuk jam i sigurtë nëse kishin directive nga nalt a jo – por zakonisht veprojshin në ketë mënyrë: po t’ishte puna për keq te Kisha dergojshin myslimanët ndërsa te Xhamia dergojshin katolikët. Ashtu edhe atë ditë për shembjen e xhamisë dërguen punëtorë katolikë, ku njani prej tyne u rrxue nga skelat dhe ra dekun në tokë. Prej gjithë popullit të Shkodrës besimtare u mbajt si nji mrekulli e Zotit. Ndërkaq vepra shkatrrimtare e parties jo vetëm nuk u ndal, por si për inat të Zotit e të kulturës vazhdoi ma me turr.
Mbasi përfunduen me xhamitë dhe minaret e tyne pritej sulmi kundra kishave katolike; aty mbështetej dyshimi i madh në se do të bajshin qindresë ata të pathyemë të sa shekujve. Në Arqipeshkvinë e Shkodrës u paraqitën këshilltarët popullorë të lagjeve, të cilët konsideroheshin „pushtet ligjor“, dhe me nji dekret në dorë, të lëshuem nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv Bilal Parruca, urdhnojshin marrjen në dorzim të Arqipeshkvisë, shpalljen „Monument Kulture“ të Kishës së Madhe, e që prandej kalonte në administrim shtetnor. Po atë ditë Këshillat e Pushtetit Popullor muerën në dorzim edhe çelsat e Kishës së Fretënve në Gjuhadol. Mbeti vetëm nji qendër për gjithë Katolicizmin. Kuvendi i Fretenve te Arra e Madhe me Kishën përbri të Zojës Rruzare. Kjo ndodhi në fillimin e marsit. Aty erdh Ipeshkvi, Imzot Çoba. Aty, vetëm aty zhvilloheshin gjatë gjithë ditës funksjone e shërbime fetare për krejt katolikë e Shqipnisë, përveç Delbënishtit, afër Laçit, ku Këshillet Popullore nuk kishin pranue.
Të gjithë e shifshim se kishte mbarue gjithshka.
Nuk e din kush se shka don me thane me e jetue vdekjen para se me vdekë! Tmerri ma i madh. Tashma i gjithë Kleri Katolik ish i mbledhun aty, jo me vullnet, por me dhunë. Të gjithë pritshim vetëm kasapin. Kurrkush nuk erdh me marrë në dorzim as arkivin, as inventarin. Ekzistonte vetëm nji urdhën: mbylle! Më jep çelsat! Nuk bahej kurrnji document zyrtar me shkrim.
Ata që kishin ardhë për Bibliotekën pothuej ishin në mbarimin e punës së tyne. E kam tregue ma nalt se kryetar i tyne ishte vllai i Ramiz Alisë. Por, si dukej, ishte nji tjetër i cili kishte ndoshta ma randësi se ai. Flitej se ishte nji instruktor i Komitetit Qendror të Partisë. Nji burrë aty kalue të tridhjetat. Nji ditë prej atyne ditëve të vështira ai më shikoi me kureshtje dhe më tha:
- Edhe ti je prift?...
- E si jo!
- Ti je tepër i ri!
- Jo dhe aq: i kam edhe un do vjet në shpinë.
- A e shifni se çë po ndodh me ju?
- Asht e kjartë!...
- Ç’mejton se do bëhet?
- Burg dhe vuejtje!
-Burg dhe vuejtje jo, se nuk keni bërë krime, ama kishat dhe koha juej mbaroi njiherë e përgjithnjë. Rinia po zhvillon luftën finale mbi dhe. Ti je akoma i ri. Ç’pret më? Pse nuk hidhesh n’anën tjetër të barrikadës?
- Në anën tjetër të barrikadës? A e kupton që un besoj!...
- Në të vërtetë beson? Me të mbushur mendje?
- E si mund dyshosh? Un sot jam 43 vjeç: jam i brumosun krejtsisht me fenë time. Prej ligështive personale mund baj shumë gabime, ndoshta tepër të mëdha para njerzve dhe Zotit, por jo kurr të lshoj fenë. Mos e mendo atë sikur t’ish nji këmishë e cila duhet ndrrue se u vjetrue ose u ba pa la. Jo kurr!
Ndërkaq na të dy ishim pështetun te dritarja e nji korridori. Poshtë ishte kopshti i Kuvendit Françeskan. Aty nji man i trashë, kushedi sa i vjetër:
- Shikoj, - i thashë, - e shef ti atë man aty poshtë?
- E si jo!
- A tam err mendja që ai përkulet?
- Jo kurrë.
- Pra si ai jam un, vetëm sopata e pret. Por nga rranja e tij do të dalin shumë filiza të rij. Kështu mendoj un.
- Krejtsisht gabim. Ju keni jetuar me idera dhe iluzione të turbullta e të shtrembëruara. Logjika materjaliste është e vetmja rrugë e drejtë, pasi përveç materjes nuk ekziston kurrgja tjetër. Materja, ajo, shfaqet ndër mënyra të ndryshme: edhe si ide edhe si ëndërr, por ligjët e materjes janë të palëvizshme.
Mue më erdh ndër buzë nji nënqeshje e lehtë, mbasi vuna re se me çfarë devocioni ai fliste për materjalizmin, ketë religjion të kurrgjasë, të cilit i kishin pështetë edhe aq shumë dogma, rregulla e ligje sa ka çdo fe e Zotit. Nuk mund u durova pa i thanë:
- Un nuk ia pritoj të bisedoj me nji filozofi të mirfilltë, pamvarësisht se kurrgja nuk nxieret, mbasi diskutimet siç e gjejnë ashtu e lanë gjendjen.
- Po është fare e qartë që materja ishte e para dhe që mbas pjekjes së trurit lindin idetë e jo si thua ti që ideja lind materjen. Ç’është kjo! Skolastikë e skaduar!
- Ndigjo, se un nuk mendoj të zhvillojmë bisedën si ata që kapen mes vedit në se e bani veja pulën apor pula venë! Un nuk jam materjalist, as ai idealist që gabimisht përcaktoni ju të rijtë: un jam realist, që pranoj ekzistenën e idesë dhe të materjes ose trupin dhe shpirtin, ku ideja ka parësinë. Asaj fjalës sate po i kundërshtoj me këtë pvetje: më trego ti mue në se kur don me ndërtue nji shtëpi: Shka ban përpara: planin e shtëpisë apor muret e saj? Me shka dij un, gjithmonë planet ose idetë janë ato që i paraprijnë gjithë zhvillimit shoqnor, ashtu edhe shkencave të ndryshme, të cilat mandej realizohen ose jo sambas mundësive dhe kushteve përcaktuese të materjes.
- Ti – më tha, - paske nji kuptim krejtsisht të gabuar për idetë e projektet shkencore. Mendja e njeriut përpunohet në një pjesë të trupit që thirret „truri“, pra del nga materja dhe nuk mund dalin nga realiteti i materjes e të trajtave të mundëshme të saj. Ne mejtojmë se shkencëtari bëri një shpikje, por ai në të vërtetë nuk bëri gjë tjetër, por zbuloi një ligj të materjes deri atëherë i panjoftun në njerzimin.
- Je i sigurt në këtë tezë?
- Krejt i sigurt, - m’u përgjegj.
- Po fantazia, simbas teje, shka asht?
-Kurgjë tjetër, por format nga më të ndryshmet të mundura të materjes: nga kjo linden të gjitha artet, të cilat na paraqesin botën e bukur, kënaqsi gjithmonë e materjes.
- Ndigjo, - i thashë, - te ajo teza mbi mendjen e idetë e njeriut do të kthehemi përsri ma vonë, por mos m’i moho. Vazhdo!
Ai ia nisi sikur të ishte tue më ba leksjonet aq të mërzitëshme të filozofisë. Pa ia da më përsëriste disa „silogjizma logjike“, të cilat un nuk i peshojshem fare në se janë të drejta, të rregullta apo të shtrembëta, por i thojshem: vazhdo! Atij i dukej se un po e pranoj gjithë filozofinë e bukur të tij. Foli shumë gjatë dhe me eufori. Ndërkaq fretent i kishin ra kumbonës për me hanger drekën. Un u përpiqëshem me i ra sa ma shkurt bisedimit dhe prapë m’u desht me ndërhy ndoshta sikur t’ishem me pak edukatë:
- Ndigjo zotni!
- Nuk jam zotni, por shok!
- Në kjoftë se e ndien vedin të ofenduem nga fjala „zotni“, atëherë duhet të kërkojmë nji tjetër ma reale, por sigurisht që „shok“ nuk shkon, prandej as un nuk e përsëris, sepse nuk asht e vërtetë. Të mirë ose të kqij mund thirremi „vllazen“; prandej ndigjo or „vlla“: kumbona ra për me hangër bukë fretent. Më duhet të shkoj, përndryshe mbetem pa gja, sepse na kemi rregulla me orar. Mos të vijë keq nëse bisedimeve që zhvilluem bashkë tash tri orë, duhet t’u bajmë nji maje ose t’ua lidhim kryet – në gjuhën filozofike i thonë „konkluzion“. Ta keshë parasysh se debatet filozofike kanë vazhdue me shekuj pa ndonji konkluzion të randësishëm.
Tashti un po nisem nga ajo teza jote materialiste që thotë se „truri përfton idetë dhe duke qenë truri materje – idetë nuk mund dalin jashtë materjes apo formave të mundëshme të sajë reale.“ Tue u bazue mbi ket teori materjaliste që ti e mbron me aq fanatizem, un të pves: Zoti, që thue ti se e u krijue nga truni i njeriut, a mund të jetë nji krijesë e bazueme në realitet? A mund krijojë mendja e njeriut nji gja që nuk ekziston? Këto t’i pves tue u bazue në tezat e filozofisë sate.
- I poshtër! I poshtër! Unë kam dëgjuar se Kleri Katolik është shumë i poshtër, por që t’arrijë deri këtu që të provojë ekzistencën e Zotit përmes doktrinës materjaliste, këtë s’e kisha dëgjuar as menduar kurrë!...Paskëni qenë me të vërtetë të poshtër!
- Shikjo mirë e ndigjo shka po të them: gjatë shekujsh po-hi e jo-hi kurr nuk e kanë përmbysë njani tjetrin: mbeten të barabartë, aty ku ishin; ndërsa shamjet e fymjet nuk i përmban kurrnji kod njerzor: janë arma e të mundunit, e atij që nuk ia del me anë të logjikës të pëqafojë fitoren: shamja e fyemja janë dhunë. Në logjikë nuk ka dhunë! Kur t’i thuesh dikjt: „i poshtër“ duhet të keshë në dorë fakte që provojnë poshtërsinë.
- Nesër do t’i jap të gjitha faktet.
Ndërsa un zbrita shkallët për me mbërrijtë në sofër ai u kthye në atë dhomën e bibliotekës ku punonte grupi i drejtuem prej vllaut të Ramiz Alisë.
N’e nesre aty përsri u takuen. Ai kishte nji pusullë (copë letre) në dorë ku kishte të shënueme pikat e poshtërsisë të Klerit Katolik. Ai filloi:
- Ndërsa i gjithë populli shqiptar vuante varfërinë më të tmerrshme dhe injorancën, përse Kishat tuaja ishin aq të mëdha, të bukura, me vepra artistike të barabarta me vendet e pasura?
- Na mendojmë që kjo asht nji meritë e madhe e jona dhe jo poshtërsi. Un mendoj se na jemi mjeshtrat e mdhaj të edukacjonit shpirtnor e kultural. Nji arkitekturë klasike e madhshtore nuk e përulë atë njerin e pashkollë, por e edukon atë me nji shije artistike edhe në kjoftë se nuk ka mjete me ndjekë shkollën.
- Ato ndërtime i kanë bërë të huajt.
- Arkitektat e inxhinierat duhet të jenë të huej, por sigurisht që puntorët ishin shqiptarë e kjo ishte nji metodë e bukur për t’u mësue mjeshtritë.
- Ama janë paguar nga fuqitë që synojshin okupacjonin e ksaj toke.
- Sigurisht që ato pare kanë ardhë nga jashtë por Kleri Katolik i Shqipnisë nuk i bani rrush e kumbulla ato, as nuk i hangri vetë, por ndërtoi vepra madhshtore për popullin e jo për vete.
- Sa merrni ju për një meshë: unë aty i kam regjistrat tuaj, dhe sa kohë shpenzoni për një meshë?
- Na marrim zakonisht 15-20 lekë, dhe çdo meshë përfundon në nji gjysë ore.
- Nuk u duket ju ky nji shfrytzim i madh që u bëni besimtarve tuaj? Ata punojnë gjithë ditën, djersitin 8 orë rrjesht dhe aq marrin sa ju në një gjysë ore! Të keni turp!
- Shifet kjartë se nuk kupton kurrgja nga jeta dhe detyrat e Klerit Katolik. Ti e mban sikur të ish nji puntor i thjeshtë minieret ose kooperative bujqsore që duhet të punojë së paku tetë orë: dhe ndër këto tetë orë ai mund thotë mesha sa të duen si fitim.
- Po ja regjistri!
- Lene regjistrin aty, se ti nuk e kupton fare! Shife mirë! Gjindet aty ndonji vërtetim se asht thanë ma shumë se nji meshë në ditë?
- Jo, sikur të ish punë fitimi e tregtije na do të kishim thanë nga 10 meshë në ditë. Ndërsa na thomi vetëm nji meshë e marrim 20 lekë. Prej këtyne 20 lekëve, 10 shpenzohen për nevojat personale e të Komunitetit, ndërsa tjerat shpenzohen për popullin. Na kemi pasë aq shkolla të mesme në Shqipni, sa ç’ka pasë Ministria e Arsimit. Kemi pasë aq kopshte fëmijsh, sa ç’kishte shteti. Shife kumbonaren: kishte nji sahat të cilën autoritetet shtetnore e hoqën nga këtu për ta vendosë në Gjirokastër. A asht mirë që të çveshet nji qytet për të veshë nji tjetër? – Shif kumbonaret e tjera, të gjitha me sahata. Shkodra i ka këto në sajë të Klerit Katolik, pra në sajë të atij 20-lekshit. Dhe nuk keni turp të flitni kështu?
- Ju jeni të pafamilje dhe kështu sakrificat mund i duroni më shumë se kurrkush tjetër.
Si i tha këto fjalë ai ktheu në strofullin e bibliotekës. Me kaq mbaroi edhe misjoni i tij.
Kuvendi i Arrës së Madhe tashma ishte vetëm rezidenca e fundit e Kishës Katolike. Ipeshkvi aty, të gjithë priftent e fretent aty. Kisha e vogël rrinte hapun ditë e natë gjithmonë me funksjone fetare e plot me popull, mbasi të gjithë katolikët e kishin kuptue se as ajo nuk do të vonotnte me u mbyllë. Ndërkaq edhe Komiteti Ekzekutiv dërgoi e na thirri me dy radhë: aty u interesuen për ne se kush kishte vllazën o nipa do të kthehej tek ata; të tjerët do të interesoheshin qysh tashti me gjetë vend ku të mundej. Shumë familje i pritën krahëhaptë meshtarët, por u gjetën edhe asosh që nuk pranuen, sepse nuk dojshin me hi ne kalemin e qeverisë porsi të „prekun“.
Ardhja e Ipeshkvit dhe e shumë meshtarëve tjerë që nuk kishin pështetje ndër njerëz të vet, teshat e tyne denga-denga të lidhuna nëpër korridore i dha Kuvendit tek Arra e Madhe pamjen e nji kampi të vogël internimi. Ai komisjoni shtetnor, me vllaun e Ramiz Alisë në krye, mbas nja dy-tri javësh muer çilsin e Bibliotekës dhe nuk u duk ma ndër ne.
Nji ditë Ipeshkvi çoi e më thirri në atë dhomën që i kishim lëshue në Kuvend; rreth tij ishin edhe tre meshtarë tjerë: At Mark Harapi, At Frano Kiri e At Augustin Ashiku.
- Më ka ardhë ky telegram, - tha, e ma dha në dorë. E lexova kadalë e me vëmendje ma shumë se nji herë. Kqyra ditën e shejet, se më dukej i pabesueshëm. Përmbajtja ishte afërsisht kjo:
Kryetarit të Kishës Katolike Imz. Ernest Çoba
Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë
Na, Kryesia e Komunitetit Mysliman të R.P.Shqipërisë, Kryesia e Kishës Ortodokse Autoqefale të R.P.Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botnore e Bektashianve, të mbledhur në Tiranë me dt. x (nji ditë në javën e parë të marsit), mbasi shqyrtuem bashkarisht ngjarjet e reja të këtyne ditve dhe zhvillimin e tyre vendosëm që të gjitha xhamijat, teqet, tyrbet, kishat e vendet tjera shejte, si edhe pasuritë e tyre t’ia dorëzojmë vullnetarisht rinisë, që ajo t’i vejë në punë e t’i shfrytzojë për të mirën e popullit shqiptar. E ftojmë edhe Kryesinë e Kishës Katolike të Shqipërisë të bashkohet me ne në këtë veprimtari patriotike për të mirën e popullit.
Ma poshtë ishin emnat e tre Kryetarve të feve.
Tue ia kthye Çobës telegramin i thashë:
- Për mue ky telegram asht krejt fals dhe kam dyshim se mos të jetë përpilue këtu në Postën e Shkodrës.
- Po edhe na kështu mendojmë, - m’u përgjegj At Frano Kiri, - por puna asht me e marrë vesh mirë se cili ka shkrue.
- Shka po të duhet me e dijtë: sigurisht që asht ba me shtymjen e Komitetit të Partisë prej atyne të rinisë.
- Nuk asht punë rinije kjo, po lene.
Atëherë foli Imzot Çoba.
- Na kemi mendue se ti ke mundësi me shkue në Tiranë dhe, mbasi i njef personalisht, të shkojsh ti vetë në Kryegjyshatë, se i ke dashamirë, mandej edhe te tjerët. Në kjoftë se ata nuk dijnë gja, vjen së vedit se ky telegram asht fals.
- Para nji jave ishem në Tiranë te Pater Marjani: edhe atje i kanë mbyllë të gjitha Xhamijat e Kishat: Tirana ishte mbushë plot me fletë-rrufe si Shkodra.
- Tanë puna asht me u sigurue në se janë a nuk janë Kryesitë ku ishin. Në kjoshin, shko e pveti si i dërguem prej meje. Qe, merre edhe telegramin, merre me vedi e tregojua.
Ditën e nesre u nisa për Tiranë. Fletë-rrufetë ziejshin nga të gjitha anët, rrugët, qoshet, pjacat si dhe stendat e mëdha të shpalljeve ishin mbushë me nga ma të ndryshmet, kundra ktij e atij, personale e kolektive. Çfarë marrinash që thoheshin ndër to as dreqi vetë nuk kish mundësi me i sajue! Kishte ndonji që të bante edhe me qeshë: për shembull ishte nji fletë fletroje e shkrueme keq:
“Filanes, shitëse buke në dyqanin nr.43. Dje un isha e para në radhën e bukës e ti nuk ma dhae mue së parës, por ia dhae filna burrit që vinte mbas meje. A kështu thotë drejtësia që na mson Partia! Përgjigju!
Filanja“
Mbasi i lexova shumë fletë-rrufe u nisa te Komuniteti Mysliman. Gjeta nji burrë që nuk e njifshem. E pveta në se u kishin thanë gja me dalë prej andej. M’u përgjegj se u kishin thanë që mbrenda javës do të dorëzojshin çelsat e shtëpisë.
- Po për këtë telegram din gja ti? Kam ardhë prej Shkodre për ketë punë. Ai e muer, e lexoi, tundi kryet e më tha:
- Kryetari i Komunitetit Mysliman asht Myftia i Lezhës, port ash nja dy muej qyshë se i ka dekë djali 20 vjeç nuk asht dukë ma këtu. Kush po i din këto punë në këtë kohë. Por nënkryetari, i cili dikur ishte profesor e u ba hoxhë, tani shif atje në pjacë se ka vu një deklaratë të madhe sa nji çarçaf ku i bjen mohit fesë e ka rrue mjekrën! Në kjoftë se e ka nënshkrue ai ketë telegram, se nënkryetari sigurisht që jo.
U nisa për rrugë e shkova ku banonte Kryesia e Kishës Autoqefale. Në mos kjosha gabim, më priti vetë Hirsia e tij Sofron Koroneshi, burrë shumë i plakun e gadi si i shushatun. I tregova se më kishte dërgue Imzot Çoba, i cili i bante shumë të fala dhe donte me dijtë nëse e keni nënshkrue ketë telegram? Shtrina dorën e ia dhashë. Ai nuk e muer. Un ia lexova.
- Mbledhjen e bëmë në Kryeministri, aty në zyrë të Reshatit, e pse nuk erdhi Hirsia e tij Çoba?
- Nuk ka marrë ftesë e dijeni; për ketë telegram ç’mund më thoni?
- Po, ja që e nënshkruam aty neve që të gjithë. Ia dorëzuam aty rinisë: e si mos t’ia dorëzonim asaj; ajo i mori vetë! Janë mbyllur të gjitha kishat, kemi mbetur vetëm neve këtu edhe për dy-tri ditë e do të dalim.
Mbasi i bana nji përshëndetje të thatë, dola. Aty dy-tre vetë që ndesha më kqyrën me çudi e me vrejtje. U nisa për në Sauk te Kryegjyshata. Në rrugë, pa hi mirë n’oborr të saj, u ndesha me atë që ishte kenë Sekretar i përgjithshëm në kohën e Baba Ahmet Dedejt. U përshëndetëm dhe, kur i kallxova se për shka kishem ardhë, më tha:
- Jam duke kthyer në shtëpi, sepse isha duke bërë dorëzimet, mbasi mbrenda dy-tri ditve e lëshojnë Kryegjyshatën të gjithë. Puna e këtij telegrami, - më tha, - nuk është për t’u çuditur. Nuk është më Kryegjysh Baba Ahmeti që kapej dhëmb për dhëmb me ta edhe për gjënë më të vockël: ky është tjatër, krejt tjatër dhe s’ka ndonjë çudi çdo gjë që është për të bërë. Po atje në Shkodër si shkojnë punët?
- Si në të gjithë Shqipninë, - iu përgjegja, - tashtu kemi vetëm nji Kishë por, siç shifet gjasa, jemi ndër ditët e mbrame.
Kur u damë, më ftoi në shtëpi; i thashë se më duhej me xanë autobusin e mbasdrekës. Atë mbramje ktheva.
Menjiherë u paraqita te Imzot Çoba, ishin aty edhe tre këshilltarët.
- Ktheve ma shpejt se Çezari prej ballit të luftës.
- Po, por ai ktheu me lajmin e fitores, ndërsa un me humbje. Nuk ka randësi në se telegrami asht i vërtetë a jo; puna asht se atje të gjithë janë dorzue. Edhe mandej ua tregova fill e për pe gjithshka bana, shka pashë e ndigjova. Më ndoqën me vëmendje të madhe.
- Shkado që të kenë vendosë tjerët, - tha Imzoti, - Kisha Katolike nuk ia dorëzon çilsat as rinisë, as kurrkuj tjetër përveç përfaqsuesave të Pushtetit, që na i merr kundra Kushtetutës dhe ligjës.
Të gjithë tjerët e përforcuen ketë vendim. Edhe un u kënaqa në shpirt, se deri n’ato ditë Imzot Çoba nuk gëzonte paraqitjen e burrave të fortë. Ndoshta po avitej vdekja.
---------------
DITET E FUNDIT T'ASAJ QE E QUEJTEM LIRI
Ndër ato ditë të zymta ndigjojshem radion dhe lexojshem gazetat pa ia da. Botojshin porsi akte heroike mbledhjet popullore ku mbas njaj fjalimi të gjatë kundra Zotit, Kishës e Klerit, mbas sa budalleqeve të thanuna varg e vistër, i kërkohej popullit të merrte pjesë në mënyrë revolucionare me u çue kundra Zotit, dhe niseshin me turr për me shembë kulm e themel Kishë, Xhami, Teqe, etj. Këto turma të çmenduna ndër ato ditë me „aksjon vullnetar“ dhunuen e thyen deri edhe të gjitha kryqat e varrezave!
Në ketë çmenduri të përgjithshme të këtij populli të përdhunuem për ma shumë se 22 vjet, rrijshem tue mendue me vedi, zemërplasun: si asht e mundun të çmendet krejt nji popull e mos të dalë kush që me i thanë: ndal! E pra, përveç njaj klike të vogël që i rrinte për rreth, kurrkush nuk përfitonte ndonji gja të dukshme. E atëherë, shka ishte kështu? Të gjithë ishin të dejun, të shastisun mbas këtij njeriu. Ai tiran u kishte marrë të gjithëve lirinë. I kishte zhburrnue ose, si i thonë sot, u kishte hjekë personalitetin njerzor. Ua kishte nxjerrë gratë prej shtratit për me i çue në zbor o ku të donte vetë. Ua kishte marrë fëminë e pasuninë. U kishte hjekë deri kafshatën e gojës e hjedhë në mizerjen ma të madhe që mund të mendohej. I kishte shkëputë jo vetëm nga kombi e gjithë bota, por edhe nga historia e vet e e mbarë njerzimit! I kishte rrethue në tel e nuk i lejonte me hi e as me dalë, vetmue prej gjithë botës! Nuk i lente me qeshë e as me kja. E atëherë shka ishin këta? Mund thirrej popull ky? Jo, nuk ishte popull, por nji tufë e paspjegueshme qeniesh të gjalla të pamend e pa vullnet. Ndërkohë që edhe më dukej se ato turma turreshin kundra qiellit sikur Zoti t’u kishte faj që i mbante nën thembren e randë t’atij tirani mizor. Por faji nuk ishte i Zotit, ishte i njerëzve që i shërbejshin tiranit dhe e kishin frigë, e ndigjojshin e e adhurojshin ma shumë se Zotin. Kurrgja nuk e përligj këtë veprim barbar, vandal, të turpshëm, të pashembullt në histori të njerzimit, përveç çmendurisë.
Sikur sejcili njeri të rrinte në pastrinë e shpirtit të vet e të ndigjonte ma shumë zanin e ndërgjegjes së vet humane, të asaj që thrret e brenë vazhdimisht për punët e liga, të ndigjohej ma shumë ajo se urdhni i tiranit, shka do të ndodhte atëherë? Kurrgja e keqe nuk do të ndodhte. Gjuetari me armë në dorë, kur hin në pyllë, kurrë nuk mund e vrasë lepurin ndër shkurre sikur mos të jenë zagarët që e ndjekin e ia dorëzojnë atij. Pa këta zagarë as Tirani nuk mund bante kurrgja: ai i vetëm, po nuk e ndigjoi kush, se nuk mund e vrasin krejt nji popull, ndërsa populli, tue iu nënshtrue urdhnit të Tiranit, vret vedin.
E shka un rrijshem tue përblue me mendjen time ndër ato caste kritike të këtij populli fatkeq! Si kishte për ta gjykue historia ketë brez? Shka kishin me thanë bijt tanë për ne, që i kemi mbushë faqet e historisë me tanë ata trima e asnji nuk duel me lëvizë vetëm nji gisht për të mbrojtë ndërgjegjen, lirinë, pasuninë, token, zakonet e traditën, historinë, nderin e familjes e as fenë? Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas, rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në kambë?
Turp i madh! Por ky turp asht edhe ma i madh kur turpin nuk e shef vetë. Ndejëm 450 vjet nënshtrue robnisë së turkut, tue ecë së prapthi e tue shtue vetëm rrenoja. Tash po shkatrrojshim na vetë me duert tona e jo të tjetërkujë, gjithë shka pat teprue nga ajo robin e gjatë, për ma tepër, tue u levdue sikur po bajshim punë të mira.
M’u duk sikur krejt toka jonë kje hapë aty para meje si nji krater gjigant, grykë vorri që me tërbim kërkonte të përpijë të gjithë ata që dojshin me i shpëtue skëterrës së tmerrshme, ku dreqent e njerzit përpiqeshin si e si të sjellin sa ma shumë vuejtje, fatkeqsi e mjerime shoqishojt dhe ku nuk kish tjetër por “vajë e kërcllim dhambësh”. Sytë, ndoshta edhe të mendjes, shifnin vetëm terr. I thashë vetes se duhej të shpëtoja. Po si të shpëtohej nga ferri që nuk kishte kurrnji rrugëdalje? Megjithkëta, vendosa shpëtimin ose vdekjen.
Nji za sikur më thonte që edhe vdekja në ketë rasë ishte shpëtim, por ajo ishte e fundit. E turbullt, mendja rrekej me gjetë rrugë tjera të pagjetuna: ato të parafundit.
Aty xente fill nji tjetër rrugë e gjatë.