Shtesë » Historia
Fritz Radovani: Një monument nën dhé (V)
E shtune, 23.08.2008, 02:50 PM
Fritz Radovani de Angeliis
Një monument nën dhé
YJET E KOMBIT
PJESA E II
Nuk shuhën me ujë ....
e, as nuk mbulohën me baltë!
Kur vuejtja dhe sakrifica e një njeriu mërrijnë me kalue edhe cakun e jetës e, kur këtë ai e ban për Fé, Atdhé e Përparim, atëherë, ai ka mërrijtë me ba atë që ndoshta nuk bajnë gjenerata të tana të një populli. Ata, atëherë, rreshtohën në Elterin e Atdhetarëve të atij Kombi! Nderimi dhe lavdia për tà asht e përjetshme, kur vendosja në këtë piedestal asht e meritueme dhe e pakundërshtueshme. Nëse, sot duam me pyetë, a e meriton apo jo atë nderim DON LAZËR SHANTOJA, unë po ju përgjigjem se kjo nuk më përket me e thanë unë, mbasi për mue asht ndër nderimet ma të mëdha të jetës seme, që me ligjëratën teme me përkujtue 50 vjetorin e pushkatimit të tij. E, ku të fillojmë? Tek lindja apo tek vrasja e këtij demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës shqiptare, që vdekja mizore prej katilëve komunistë, tue la me gjakun e tij tokën shqiptare e ngriti meshtarin katolik Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve që dhanë jetën për një Shqipni të lirë.
Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as nuk mbulohën me baltë. Ata qëndrojnë lart, fort lart e gjithmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të ardhshme për dashtni e sakrificë ndaj Atdheut.
Ai u pushkatue i çuem zvarrë (jo nga frika e vdekjës), porse nuk ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim, deri atë ditë që e hodhën tek gropa, vetëm se ishte meshtar i devoçëm, publicist i njoftun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vuajtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar. Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni. Turqit, jo vetëm na shndëruen, na përdhunuen e na poshtnuen, por kur e lypte rasa, përdorën ëdhe shpatën jo vetëm në fushat e betejës, në shtëpitë e katolikëve, por edhe në qelat e priftënve, madje, edhe i ngulnin ndër hunj, mbasi nuk kishin të ngimë me kokat e tyne, por mos të harrojmë se, ata, ishin turq, ishin edhe pushtues, prandej vepronin ashtu. Ndër ditët e para të këtij shekulli fituam lirinë....Një andërr! Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin XX aq sa ecet përpara në shkencë e teknikë, aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së njëriut, thotë një dijetarë.
Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa banë nazistët?
Çka do të thonte bota sot po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni, të bamë kundër atdhetarve, dijetarëve dhe klerit katolik?
Si do t’i përgjigjej historisë Jusuf Alibali kur hetonte Don Lazër Shantojën të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli mes ndytsinës e, nana e tij tek dera tue u thanë katilëve: “Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirësi... mos e leni kështu djalin!”
Po, sikur të xhiroheshin autorët e gjallë të krimeve: Aranit Çela, Fadil Paçrami, Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Xhemal Selimi, Toger Baba, Shyqyri Çoku, Dhimitër Shkodrani, Asllan Lici, Hysni Ndoja etj. që vetëm “zbatonin” ligjin? A mund të besonte kush në botë se këto bisha gjindën të lira në Evropë dhe kanë dalë nga një popull prej ma pak se një miljon njerëzish (atë kohë)?
Cili evropian beson se: Shkenctarët vetëm pse janë priftën i kanë mbytë për së gjalli në gropë gjirizi....
At Serafin Kodës i nxjerrë hetuesi gabzherrin me thonjë. Imzot Jul Bonatin e fusin në një manikomjo ku e shkyjnë të çmendunit. Papà Josif Papamihajlin e mbysin, tue e zhytë për së gjalli, në baltat e kampit të shfarosjës së Maliqit të Korçës. Papà Pandin e gjejnë në pyll tek një cung me kokë të këputun me spatë. At Frano Kirin e lidhin tri ditë fëtyrë për fëtyrë nën një të vdekun.
Don Mikel Beltojën në vitin 1974, para pushkatimit, Shyqyri Çoku me shokët e tij katilë e shkyejnë për gjymtyrësh vetëm se prifti thërriste: “Rrnoftë Krishti!”
Po, sa e sa të tjerë që këta mizorë i hodhën nga dritarët se, gjoja kanë vra vetën?! Të gjitha këto që rreshtova nuk krahasohën me atë që u ba mbi trupin e Shantojës, sëpse, ky, i mjeri u la me jetue si thotë populli: “Gjallë e për gazep”. Sigurimi i Shtëtit vëpronte kështu, se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste që instruktoheshin nga shovinistët sllavo-aziatikë. Torturat e mizoritë e tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje, që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë” edhe pse nuk kanë një pikë gjak shqiptari. Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye edhe pa jetë për tokë, mandej qetësohëj e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të presë së tij të pafaj.
Vetëm kështu shpjegohët ajo që u ba mbi Don Lazër Shantojën të parin e, mbas tij, mbi të gjithë klerin katolik shqiptar e të huej që ranë në duart e këtyne kriminelëve trathtarë. Çdo antikomunist për tà ishte atdhetar, prandej duhej zhdukë, ky asht “ideali” i çdo komunisti. Ky “ideal” ka shty komunistët me çvarrosë edhe eshtnat e atdhetarëve për me i tretë, tue fillue nga At Fishta, Don Ndre Mjeda, Xanoni dhe të gjithë klerikët e varrosun në Kathedrale, në Kishën Françeskane, ndër Jezuitë, në Kishën e Zojës tek Kalaja etj. Para vitëve1930 kur ende nuk kishte fillue me bijtë në Shqipni fara e keqe e bolshevizmit, ishte At Fishta, Shantoja e Don Kolec Prennushi që paralajmërojnë me shkrimet e tyne rrezikun që po vinte edhe këtu. Fara e keqe po binte e po rritëj shpejt e kudo! Don Lazri shkruante në gazetën “Ora e Maleve”(me siglën Y), nr. 48, viti 1924: “Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët”. Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë me vetvedin mbas 1940, ashtu si shumë të tjerë, ndoshta për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm mbasi na rreshtojmë faktet e vetëm ata të çliruem nga pasioni, do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven até përkrah penës ma të fortë të Jugut, të madhin Faik Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës. Për këtë na Gegët duhët të krenohemi! Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”. Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në gazetën “Drita”, dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof. Dr. Ernest Koliqin që shkruan: “Shumë herë kam pyetun pse komunistat janë sjellun kaq egërsisht, në një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944”.
Prof. Isak Ahmeti shkruan: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “letërsisë shqiptare me siguri do t’i këthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”.
E, tue lexue këta rreshta më epet me pyet edhe mue: Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën “Ora e Maleve”, në vitin 1924, me datën 28 nandor shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet të gjalla shoqnore që janë kombet”.
Pra, njëzet vjet ma parë Shantoja shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit” Mos ndoshta dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?! E, mbas njëzet vjetësh, nana e tij u lutet gjymtuesve: “Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirsi, mos e leni kështu djalin!”. Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet, di vetëm se një nanë shqiptare, nana e Don Lazër Shantojës, po! Ky asht komunizmi! Nanat shkodrane janë të gdhenuna nga gurët e Rozafës. Don Lazër Shantoja mbetët në Martirët e Krishtënimit model i masakrës së Sigurimit komunist antiatdhetar. Ja një parandjenjë e tij: “Sod kshtu t’shpërblen ty bota! Po mizore e padrejtë s’ sundon der n’ t’ sosun t’sotit! Koh’ ka për t’ ardh’, qi ty kjo tokë Arbnore Dikur tash ka për t’ njoftë, o njeri i Zotit !” Edhe unë besoj se po! 5 mars 1995.
PROFESOR FILIP NDOC FISHTA
“Uria asht ma e pashpirtë sesa hekuri!…”
“Kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”
Prof. Filip Fishta ishte i biri i Ndocit dhe i Çiles. Nana ishte bijë nga familia Shiroka. Filipi ka lé në Shkodër në vitin 1904. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të lartat i përfundoi në Beograd për gjuhësi. Ka kenë doktor i shkencave filologjike dhe profesor në universitetin e Sobonne-s në Francë. Qysh i ri bashkëpunon me Ndue Palucën, edhe ky figurë e “harrueme”. Ishte mik i Prof. Gaspër Ugashit, Karl Gurakuqit, Ernest Koliqit e në veçansi mik i etënve Justin Rrota, Donat Kurti dhe Bernardin Palaj. “E thërret Atdheu”, si shumë atdhetarë të tjerë që mbasi mbarojnë studimet jashtë vinë me dhanë ndihmesën e tyne modeste në Shqipninë e porsa rilindun. Në vitin 1933 emnohet në Elbasan, ndërsa në vitin 1934-35 vjen në Shkodër dhe në vitin 1938 asht në Tiranë, në Institutin “Nana Mbretneshë”, ku vazhdon me punue deri në mars të vitit 1944. Në mars, emnohët në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, deri në fillim të vitit 1945.
Me datën 19 janar 1945 arrestohët nga komunistët, i akuzuem si: “Kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”. Deri këtu asgja e jashtëzakonshme. Fillon hetimet para një komisioni hetimor të përbamë nga Frederik Nosi, Mynir Tirana dhe Andrea Jakobini. Cilësohet prej tyne si njeri që ka kontribue për ardhjen e fashizmit italian dhe, se, me artikujt e tij ka shpërnda idetë fashiste anë e kand vendit. Relacioni asht i shkurtë por me përmbajtje që i rrezikon kokën e profesorit. Prof. Filipi deklaron: “Nuk mund të cilësohem si gazetar, përveç disa artikujve teknik-shkencorë, p.sh. ”Historia e lindjes së shtypit”, etj. si letrar-artistik po, por jo politik. Nga gazeta “Mesagero”, kam përkthye artikuj nga jeta e familjës italiane dhe pushimet verore. Nuk kam pasë të baj me BRUFSHIN (Rinia Universitare Fashiste Shqiptare). De Angelis-in e kam njoftë se i kam dhanë mësim fëmijve të tij” (Dosja 7842).
Rreshti i fundit i deklaratës ishte i mjaftueshëm me provue lidhjet e ngushta të Filipit me fashizmin. Dëshira e italianëve me botue një revistë “Jeta Shqiptare” në Firencë, nën kujdesin e Prof. Filip Fishtës, që nuk u hap atje por në Tiranë ku ka shkrue prof. Kol Prela, Rebi Alikaj, Injac Ndoja etj. e rreshton Prof. Filip Fishtën në bankën e të akuzuemve, para Trupit Gjykues me datën 11 qershor 1945, për dënim si “kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”.
Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetar, nën/kol. Bilbil Klosi, antarë Argjir Lipivani dhe Gjylhani Shehu (oficera), prokuror Ismail Çaushi dhe sekretar Mustafa Zaja, i japin dënimin e “merituar”, 30 vjet burg me heqje lirie dhe konfiskim “pasurie”. Cila ishte “pasuria” e Profesorit? “Një raft me libra, një shtrat, një dyshek dhe dy batania. Një lagen, një tavolinë me dy karriga. Një sahat xhepi dhe një stilograf.” (simbas proçes-verbalit të ruejtun ne arkiv). Komisioni i shtetizimit të “pasurisë” shkoi tek shtëpia ku banonte me qera profesori me një kamion te madh, por nuk pat me çka me u mbushë, përveç policve që solli me vedi dhe i këthej prap në Sigurim. Ku bazohej akuza? Prof. Filip Fishta ka shkrue tek: “Tomori i vogël”, “Hylli i Dritës”, “Shkëndija”, “Shkolla Kombëtare”, “Balli i Rinisë”, “Drini” dhe “Fashizmi”.
Prokurori thekson: “Vetë juve Z. Kryetar, i patë artikujt e tij sa të ndyrë ishin!”
“Faji” i profesorit ishte se ai qysh i ri rreshtohej me Justin Rrotën, Eqrem Çabejn, Aleksandër Xhuvanin etj. ndonse vepra e Prof. Filip Fishtës u zhduk menjëherë mbasi vdiq. Prof. Androkli Kostallari e ndihmoi profesorin kur doli nga burgu, i premtoi se do të riabilitohej dhe se, do të i jepej e drejta e botimit të shkrimeve, por deri sot punimet e tija “prehën në paqë të pafund”, mbasi nuk i dihët ende “vorri”. Arsyeja që më ka shty me kujtue prof. Filip Fishtën nuk asht njohja personale, as vlera e tij si dijetar apo shkenctar, mbasi kjo asht detyrë e atyne që do të nxjerrin në dritë veprën e tij, ose që e kanë atë (në kjoftë se ndodhë ndonjëherë), por më ka shtangue guximi i madh i avokatit të tij, Z. Kol Dhimitri, i ruejtun në dosje. Një çudi e vërtetë! Kundërshtimi i akuzave, mënyra sesi ai nxjerr në pah vlerat letrare dhe shkencore dhe, ndoshta, edhe tue u vetsakrifikue për një atdhetar që si të gjithë të tjerët kërcnohej nga vdekja prej trathëtarëve të paditun dhe barbar, që mendonin dhe vepronin për gjithçka që shkatrron kulturën dhe shkencën, ose ma keq, kërkonin labirintët e shmangëjes nga rruga e qytetnimit evropian.
Avokati i nderuem në mbrojtjen e tij me datën 13 qershor 1945, thotë: “Filip Fishta ka kryer studimet e veta në Beograd, duke u diplomuar në fakultetin e Letërsisë, dhe ka vazhduar mësimet edhe në Sobonné të Francës për disa vite. Është një person me kulturë të lartë, gjë që e bën të besueshme se nuk mund të bëhet vegël e okupatorit në vendin e tij. Edukoi rininë shqiptare dhe këtë qëllim të tij, me krenari duhet të pohojmë se e ka arritur, sëpse, sa e sa breza që i drejtoi, e kujtojnë me mirënjohje e dashuri të sinqertë.
Por, nuk mund të akuzohen nëpunësit e asaj kohe, si vegla të okupatorit, sëpse ata nuk kanë pasë një qëllim të tillë, dhe nuk kanë bërë ndonjë veprim kundër popullit shqiptar, ashtu si edhe Filip Fishta, ka kryer vepra kundër shqiptarëve, duke pranuar një revistë kulturore dhe për më tepër shqiptare. Po të ishte me të vërtetë një vegël, sigurisht do të ngarkohej me ofice politike ose të paktën administrative të larta, mbasi ishte me kulturë dhe me zotësi të rrallë, pra, mospërfitimi nga italianët në kohën e pushtimit të tyre është prova më e gjallë se ky nuk ka qenë vegël e tyre. Profesori nuk ka propaganduar për fashizmin, por ka vënë në dispozicion të idealeve të Kombit tonë të gjitha fuqitë e veta, kur rraca e jonë shqiptare shuhësh nga shkrimtarë të paskrupull, si artikulli në “Rivista d’Albania”, kundër Cordignanos me 1941. Artikulli titullohet “Shqipnia jonë” Ka mbrojtë në programe mositalianizimin e shkollës sonë kombëtare.
Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tija të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia e jonë letrare.
Nga ana tjetër, si mund të bëhët vëgël informator një shkenctar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare. Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese vëprimet kombëtare.”
Avokat Kol Dhimitri d.v. Duhet me thanë “shyqyr” që nuk e mori vesht kush këtë mbrojtje, mbasi mund të këthehej vendimi edhe “me pushkatim”. Prof. Filip Fishtën e pata njohtë mbasi pat dalë prej burgut, mbasi atë kohë erdhi në Shkodër. Punonte në podrumet e Muzeut Popullor të qytetit. Ishte i thjeshtë dhe i veshun keq. Kur fliste e bante disi të veçantë shqiptimi i një “thëje” në maje të gjuhës. Na atëherë nuk mujshim me kuptue se kush mund të ishte ky burrë që me një leckë në dorë, fshinte pluhunin e kopertinave të librave që ishin të hullun për tokë. Ai i fshinte me kujdes dhe i sistemonte mbi një tavolinë. Ata ishin librat e sekuestruem në bibliotekat e Françeskanëve dhe të Jezuitve. Prof. Filipi dhe Prof. Izet Bebeziqi ishin ngarkue me atë punë aq të rëndomtë, vetëm me hangër një kafshatë bukë të thatë me emnin “pastrues”, pikërisht ata, që ndër ata libra kishin edhe artikujt e tyne. Librat e ndamë prej tyne, mandej zënin vend në “bibliotekat” përsonale të “Prof. Doktorave” Jup Kastrati me shokë, libra e materiale që i kanë edhe sot ndër shtëpitë e tyne. Duhet plotsue fraza, mbasi volumet e mangta i plotsuen me “Revolucionin Kultural” në vitin 1967, me bibliotekën e Argjipeshkvisë dhe të njerëzve që u arrestuen me atë rasë. Prof. Kol Alimhilli thonte: “Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa, hamajt e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.”