E merkure, 04.12.2024, 08:27 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (II)

E shtune, 23.08.2008, 02:40 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

II

Në mesin e muejit shtator u hapën shkollat. Klaset ishin të mbushuna plot. Takohemi njeni me tjetrin, mbas nji mdamjeje tremujore. Jemi gjimnazistë! Por jo të gjithë vazhdojmë studimet e mesme. Nji nga fqinjt e mi, shok klase, e ndërpreu shkollimin, sepse baba i tij, punëtor në nji duhantore, kishte nevojë për ndihmën e djalit dymbëdhjetë vjeçar. Fillimi i çdo vjeti shkolluer në nji klase të re, krijonte nji lloj pasigurie para vështirësive që më pritshin. Ma vonë u ambientojsha, e çdo ditë sillte besimin në aftësinë time. Fillonte jeta e rregullt, me shpjegimet e profesorit, detyrat e shtëpisë, leximet jashtëshkollore e përgatitja për provimet tremujore. Jetë studenti... Për klasën tonë, landa ma tërheqëse ishte letërsia shqipe. E lindun shekuj ma parë, por e zhvillueme vonë e në nji ambient të papërgatitun për te, ajo prodhoi shumë, sidomos në epikë, aty ku i bahej thirrje ndjesive luftarake të nji populli që i nevojitej qëndresa për mbijetesë. Lexojshim revista, artikuj gazetash, libra të përkthyem, botime të së kaluemes që ishin shumë të pakët, e shuejshim etjen që kishim me lexime fillestare në gjuhët e hueja. Pritshim krahëhapët çdo vepër origjinale, lexojshim me kureshtje çdo prodhim të ri, sidomos poezinë, dhe shenjtnojshim poetë e shkrimtarë. Ata ishin krenaria jonë!

*

1937. – Njizet e pesë vjet ma parë, ishte fitue pavarësia! Në nji qytet të vogël të atdheut tonë u ngrit flamuri kombëtar. Atdheu ynë u quejt i lirë. Oratoria e zjarrtë mbulonte cdo mbledhje publike, cdo shfaqje të përgatitun me qëllim festimi. Edhe në klasën tonë. Në oborrin e shkollës, profesori na vuni rresht. Përgatitemi për festë. Rrugët ishin të zbukurueme me lule e flamuj kuq-e-zi. Balkonet e disa shtëpive kishin lule e flamuj. Tabela e parrulla kishte kudo, si dhe zhurmë zanesh të naltë, tinguj muzikorë, thirrje entuziazmi. Pleqtë tregojshin kujtime. Të gjithë ishin veshë si për festë, sidomos malsorët me kostumet e tyne tradicionale. Policë në uniformë mbajshin rendin. Këndohej pa pushim dhe kur ndonjëni thërriste “Rroftë Shqipnia!”, mijra gojë përgjigjeshin njizani “Rroftë”. Nji atmosferë që nuk lente me mendue e bante për vete, na rrëmbeu, tue na lëkund si vala e detit. Nji flamur ishte i stolisun me ngjyra ari; ishte ai i shkollës së mesme femnore. Nji grue lutej me dalë në rresht të parë. Fëmijt shikojshin me habi. Herë mbas here, ata i ngrejshin mbi supe. Grumbullimi rritej e të gjithë përpiqeshin me pa diçka. Thërritshin me za të naltë, bajshin shenja me dorë e me shami. Mezi ndigjohej krisma e topave për festë. Tingujt e bandës muzikore të bashkisë, vijshin si të mbytun. Ishte nji kaos i vërtetë, por i mbështjellun në pëlhurën e madhe të nji gëzimi të plotë. Filloi ceremonia! Kangë patriotike, muzikë, thirrje e fjalime. Duartrokitje, thirrje e përsëri fjalime. Dukej sikur gjithkush dëshironte me tregue atë që ndiente. Ishte nji popull i tanë i prekun nga mallëngjimi, i dalldisun nga madhështia e përkujtimit, i etshëm me kremtue lirinë e fitueme shumë shtrenjt. Mbramjet përkujtimore në klube e salla kulture, darka për zyrtarët, kangë e valle vazhduen deri në orët e vona të natës. Ishte festa e madhe e nji populli të vogël, por të lirë! Gëzim përjashta, gëzim në shtëpi, gëzim në zemrat tona.

*

“Kryengritje! Kryengritje!” Gazetat e vendit shkruejnë se, katundarë të mashtruem nga disa persona që nuk e duen atdheun kishin sulmue forcat e rendit publik në përpjekjet e tyne me përmbysë rendin shtetnor e ligjor. Por qeveria, që kishte për zemër interesat e popullit, do të vepronte me energji, rendi do të sigurohej, e atdheu do të shpëtonte. Populli do të vazhdonte jetën e tij i lirë. Fajtorët do të kapeshin e do të ndëshkoheshin simbas ligjit në fuqi. Gazeta shpjegonte se ka pasë disa përleshje me kryengritësit, se ishte derdhë gjak, se kishte pasë viktima, e ata që kishin shpëtue të gjallë, gjindeshin në burg... “Çizmja e lustrueme e mundi edhe kësaj rradhë opingën fshatare”, ndigjova nga nxanësit e klasave të nalta. Ligji urdhnonte ngritjen e trekambëshit, e muret e trasha të burgjeve mesjetare do të strehojshin për vjet të gjate me radhë, fshatarët kokëfortë. Ata do të hidheshin në qeli të lagta e pa dritë, e nuk do të ishin ma në gjendje me trazue jetën e qetë të popullit...! Mbas shuemjes së kryengritjes, nuk pushuen diskutimet. Disa e aprovojshin; të tjere e përbuznin. Në çdo cast të lirë në mes të orëve të mësimit, kryengritja ishte thelbi i bisedimeve tona, dhe jepte mundësi me kalue në subjekte të tjera për diskutim. Na, klasët e ulta, ndigjojshim me vëmendje çdo fjalë e në veshët tonë tingëllojshin, për herë të parë, fjalë e shprehje që nuk i thonte mësuesi, as i gjejshim në libër. Ata të klasëve të nalta flitshin edhe me za të naltë, e paraqitshin pikëpamjet e tyne plot zjarr: skena mjerimi të nxjerruna nga jeta e vështirë e bujkut shqiptar. Tregojshin se si qëndronte gjendja në fshatet tona, pikturojshin me hollësi vorfninë e madhe të punëtorit, flitshin për lodhjen dërrmuese të bujkut të thyem nga e keqja, për gruen e tij të smurë, për fëmijt e tij pa shëndet, e për kasollen e tij të zhveshun. Mandej përshkruhej korrja e dobët, që bahej edhe ma e dobët prej taksave që paguheshin me detyrim e pjesa që i takonte pronarit, sepse toka nuk ishte e atij që e punonte. Disa e quejshin kryengritjen, akti guximtar i një katundarie që nuk duronte ma gjatë e që e revoltonte mjerimi, e lodhte vaji i fëmijve të uritun, e këpuste puna e randë dhe e pafryt, nji katundarie që mallkonte gjithkënd e gjithçka, pronarin, gjindarmin, shtetin... Të tjerë, nuk kënaqeshin me mallkim. Ata nuk u ndalshin në mes të rrugës ku i kishte prue mallkimi. Atyne u kishte ardhë shpirti te hunda, ata mallkojshin Zotin e të gjithë shenjtët, përbuzshin ligje e zakone, e të tërbuem nga mjerimi që i dërrmonte merrshin kurajon me sulmue cilindo që u dilte përpara, ku të munden e si të munden. Vuejtja i kishte ndrue në egërsina! Por “shoqnia e qytetnueme“, i kundërshtonte! Ajo i luftonte, i kapte, i dënonte, i burgoste. Në familjet e mbetuna bosh, e ku vetëm vorfnia ishte e plotë, gra pa burra e fëmijë pa prind, luftojshin çdo ditë me urinë që i kërcnonte, ndërsa në burgjet e errëta, baba e burri rebel mbushte zemrën me urrejtje e ndjesi armiqsore, që nuk premtojshin gja të mirë për të ardhmen. Kështu tregojshin studentët e klasave të nalta. Ka qenë pikërisht gjatë këtyne ditëve, të nji gjendjeje të ndeme, që unë pashë për të parën herë, nji faqe materiali propagandistik antiqeveritar. Në fillim, nuk kuptova. Por kur shoku më porositi ta mbajsha sekret e ta lexojsha vetëm në shtëpi, kuptova se ishte fjala për diçka krejt të re për mue. Për të parën herë kisha në duert e mia material që ndryshonte krejtesisht nga ai që mësojsha në klasë, lexojsha në shtyp, ose ndigjojsha në bisedime të haptë. Vetë përmbajtja këshillonte vëmendje e paralajmonte rrezik. Më dukej e pambarim ora e fundit e mësimit të asaj dite. Nga shpjegimi i profesorit kuptova shumë pak. Vëmendja ime ishte përqendrue në atë fletushkë që mbajsha të mshehun në çantën e librave. Ç’asht? Ç’thotë? Kujt i drejtohet? Pse nuk guxojmë ta mbajmë haptas e ta lexojmë lirisht në mesin tonë? Kumbona e shkollës tingëlloi. Mblodha shpejt librat e isha nga të parët që lashë klasën. U drejtova kah shtëpia. Në dhomën time të vogël, nxora me nxitim materialin që nuk më pritej me lexue. Ajo që lexova nuk ndryshonte nga ajo që ndigjojsha cdo ditë nga disa shokë: përshkrime të mjerimit e thirrje për revoltë. E vetmja gja që më tërhoqi vrejtjen, ishte nënshkrimi « Grupi i të rinjve komunistë » Atëherë kuptova çka përfaqësojshin ata që flitshin aq shpesh dhe me aq kambëngulje, dhe pse i gjithë ky grup kishte nji unitet pikëpamjesh. Kuptova se ishte fjala për diçka të orkestrueme mirë nga elementët jashtëshkollorë, e u zhgënjeva.

*

Pak ditë ma vonë, nji ngjarje e jashtëzakonshme tronditi gjithë shkollën. Nji grup nxanësish i klasave të nalta, ishin arrestue. Ishte hera e parë që shkolla jonë ballafaqohej me nji ngjarje të këtillë. Kur në mëngjes u grumulluem në oborrin e shkollës, ndigjova nga të tjerët emnat e mjaft të arrestuemve. Shumica ishin nga ata të rij, që pak ditë ma parë, flitshin me entuziazëm për kryengritjen. Nuk kuptojsha mirë ngjarjen dhe rrjedhimet e saj ma vonë. Megjithatë, nji frikë e madhe më kapi kur në grumbullin e studentëve, u përzien edhe policë me uniformë. Era e autoritetit qeveritar ndihej tashti e fortë, e krahu i atyne që kapin qytetarët për zverku, nuk ishte larg. Për të parën herë, shihshim kërcënimin drejtpërdrejt nga njerëz, që deri dje nuk na frikësojshin. Arrestimi i shokëve, prania e policëve e atmosfera e frikës që u krijue, shkaktuen nji gjendje të vështirë në shkollë. Askush nuk fliste ma si përpara, askush nuk diskutonte, e për bisedimet me karakter thjesht shkolluer, flitej me za të ulët... Kur efekti i arrestimeve ishte pakësue, fillova të ndigjoj për të arrestuemit. Çdonjeni tregonte atë që kishte ndigjue nga të tjerët. Vetëm kur hetimet morën fund, kuptuem se do të delshin para gjyqit. Ma vonë, u tha se ishin dënue e se do të vuejshin dënimin, në nji burg larg qytetit tonë. Nuk dijsha gja për dënimin e tyne, as mora vesht cila ishte akuza e ngritun. Por ajo që flitej mbas dënimit, ishte me të vërtetë mjaft tronditëse. Të indoktrinuem nga elementë të degjeneruem, nji grup të rijsh, entuziastë nga lexime e fjalime që nxitshin urrejtje për rendin ekzistues, ishin lëshue pa mendue në krahët e nji jete të shthurun. Ngjarje të pabesueshme tregoheshin si të vërteta dhe se degjenerimi moral, ishte ba rregull i sjelljes së tyne në shoqni. Nji indoktrinim i smurë kishte zhvillue prirje kriminele, tek disa prej tyne. I paaftë me gjetë të vërtetën, u lëndova randë si viktimë e zhgënjimit të parë, me përmasa të mëdha e të pakontrollueshme. Fillova me marrë qëndrime cinike. Padyshim që humba pafajninë e moshës sime të re dhe nuk e gjeta përsëri. Po hyjsha, para kohe, në moshën e pjekundisë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora