Kulturë
Poezi rumune nga Ioana L?pu?neanu
E marte, 16.08.2016, 06:06 PM
Ioana L?pu?neanu
(În umbra iubirii / Në hijen e dashurisë.
Përktheu Baki Ymeri, Amanda Edit, Bukuresht 2016)
MOS MË HARRO!
Në shaminë me flutra
Ta vizatova fytyrën,
Një qenje që vetëm
N’ëndrrat e mia e pashë.
“Syri i palloit” shikonte me kujdes
Drejt shpirtit të mplakur
Nga gjithë ato pritje.
“Bishti i dallëndyshes”
Këngëtonte fushës së gëzuar.
Dhe “Limonishtja” degdisej n’horizont
Thuajse donte ta kapë muzgëtimin.
Flutra e kaltërt
E pagëzuara „Mos më harro”
Koncertonte në polen
Duke dashur të intensifikojë ngjyrën.
Ngjyra e kaltërt e syve
Që më pat shikuar më parë
Për të më thënë “Mirëmbetsh”
I mbylla ngadalë qepallat.
Nga syri yt i Kaltërt
Rrjedhte loti i një gjerdani
Me shprehjen “Mos më harro”
TË KËRKOJ
Nëpër shi vrapoj, të kërkoj,
Era fërshëllen nëpër shtigje
M’janë lagur gërshetat mbi supe
Dhe velloja nga fytyra më bie.
Të trishtë e kam faqen e të lagët
Dhe shpirti po më duket i shkretë
Të kërkoj, shiu duket i vdekshëm
Por... ku je? Ku u degdise?
Shikoj nga qielli, shoh mes yjeve
Një fytyrë që shëmbëllen me tënden
Pastaj po vërej dy sy të kaltërt
Dhe thuase e dëgjoj dhe zërin tënd.
Zbret ngadalë e ma bën me dije
Se ëndrra ende s’mbaroi
Se do vijnë dy sytë bojëqielli
Që shpesh i pata kërkuar...
MË JEPNI NJË SHKRETËTIRË!
Më jepni një shkretëtirë ta ftoj shpirtin,
Kurse nga jehona të mugullojë fija e barit.
Më jepni një çik shkretëtirë t’i ftoj pemët
Kurse nga jehona të flatrojë zogu i gjembit.
Më jepni një çik shkretëtirë të ftoj pas jetës
Kurse nga jehona të dalë fija e ujit -
Prehje për shpirtërat e etshme për dashuri.
Më jepni një çik shkretëtirë të ftoj pas teje
Kurse nga jehona të dalë engjëlli pa flatra
Që ka braktisur dheun para se të lindish ti.
Më jepni një çik shkretëtirë të dremis,
Të hesht, të mos ftoj pas asgjëje të jetë qetësi.
Dua ta dëgjoj vetëveten që i kam ftuar të gjitha
Dhe nga të gjitha vetëm shpirti m’u përgjigj.
DASHURIA E LINDUR NUK PERËNDOI
Ta humba gjurmën e hapave
Ngase nuk ta dija fillimin.
Në shpirt më fërshëllen era,
Kurse ti lindje nga loti i fijes së kullosës.
Ta shkela dheun nën shputë,
Me mendimin se do mbetja n’shpirtin tënd,
Nga zemra jote e butë shtëpi të bëj,
Nga sytë tu dritare me pamje, tejmatanë teje.
Nga buzët tua fontana me ujë përmallimi,
Nga krahët tu degë që përqafojnë qiellin,
Duke kyçur n’trup fshehtësin’e dashurisë së lindur n’perëndim,
Kur stërkuqet qielli, shenjë se Zoti i qorton të shenjtit.
Do të të shtroja n’imazhe, do të të shpërlaja me erëtima
Prej borsiloku e manxurana që të pastrohesh n’fshehtësi,
Dhe nga krejt universi vetëm ti të jesh imi.
Pronare përmbi ndjenja e mendime që heshtin,
Të hapëroj nën shputën tënde, shteg drejt zemrës të bëj.
KONTURET E DASHURISË
Të njoha në shtigjet e destinit,
Kur zemra të qante me lule qershie,
Sytë tu të kaltërt zhyteshin në lotë,
Buzëqeshjen e kishe të thatë nga gjith’ato pritje.
Dora e dridhshme, që e shtrive drejt meje
Kishte formë libri. Mes gishtërinjve mbante shkrimin.
Fletët i ishin të zverdhuara, shkruanin... pritje,
Kurse ti e lute universin, mos ta përngutë kohën.
I stoliese me shikime konturet e dashurisë.
Kishe formë qarku ku bashkohen destinet.
Shëmbëllenin me shkretëtirën ku riten trëndafilat
E me atë kohën që... don të thotë... e nesërme.
Të nesërmen, u paraqita n’kohën e muzgut,
Në fletët e librit tënd u mbëltuan fjalë
Dhe krahët e çiltërta përfshinë universin...
-Mbetu tani me mua, është lutja ime e madhe!
KAM SHIJE PREJ LOTI
Kam shije loti që kullon në faqen e dhimbjes,
Jetët e qara, të mplakura nga kohërat,
Me zemër të raskapitur, nga malli për ty,
E qaj kohën që kishte kuptimin e të Djeshmes.
Kam shije loti kur po ta vajtoj ikjen,
Më përkujtohet mirë koha e parë,
Në dorë kishe një buqetë, me një lule të kaltërt,
Tashmë një dashuri e humbur, e shtrydhur nën këmbë.
Loti im ka shijen tënde,
Dhe lulja e kaltërt – ngjyra e syve tu,
E kundrova dikurë, me mua ishte qielli,
Dhe s’e preka dheun me dashurinë e saj.
U zbraz universi pas shkuarjes sate,
E retë me shiun e tyre shpërlanë kujtimet,
Kam shije prej loti, me mendimin te ti,
Po të vije tani, do të të thoja të mbetesh.
UNË ME TY!
Në hijen e zemrës sime u ndale dhe zbavitesh,
Për të qetësuar shpirtin e bluar nga mosharresa,
Përse po m’sjell mjegulla, kur e din se të dua,
Hedh fjalë plumbi në pika shiu, të vlagëta e ftohta.
Bashkëshkrihesh në qenjen time të lodhur nga pritjet,
Me mendimin se do mbetesh një përjetësi,
Derisa hyjnitë duke ma pritur shpirtin,
Do të përpiqen të të njohin ty…
Një tërësi unitare gjendet në imazhe,
Unë me ty, qenje të pakuptuara,
Unë me ty, në hullinjtë e shikimit,
Unë me ty, hidhërimi i ëmbël i universit.
Unë me ty, përfytyrime përrallash,
Duke mbajtur një dashuri në fllad frezash,
Unë, përzjerje mes hyjnores e tokësores,
Ti, Ndjenjë e prangosur në iluzione.
Unë me ty, me duar të kryqëzuara,
Destine të humbura në kohë e hapsirë,
E rigjejmë tani hijne e dashurisë,
Unë-e sotmja pa ty, Ti-e djeshme pa mua.
NË KOHËN E FËMIJËRISË
E zbathur në kohën e fëmijërisë
Dheu m’i puthte shputat
Me gërsheta bukurie rendja livadheve,
Isha unë, engjëlli dhe fëmija.
Në mëngjeset me diellin e lartë
E shuaja etjen me kokrrat e vesës
Përqafoja qershitë e lulëzuara
Pastaj, e përshëndesja diellin me dorë.
Një tril i lahurisë,
E këndellte nytyrën e hijshme,
Flatronin në varg mollëzatr e kuqe,
Dhe zogjtë e panumërt, në tufa.
E zbathur rendja kah porta e dashurisë,
Një puthje e shtrydha nën thembër,
I mbatha shputat me fijet e kullosës
Dhe zemrën me dashurinë e parë.
SIMFONIA E PRANVERËS
Në simfoninë e pranverës
Lotët i vërshojnë faqet,
Me përfytyrime pyjeve po rend
Një dru të na jetë altari.
Është një lojë e dashurisë
T’i lidha sytë me shami,
Në labirinthin e shtigjeve, e fshehur,
Do të duhej të më kërkosh.
Më gjej e më shtrëngo në krahëror,
Të duhemi marrëzisht në trilin e qyqes,
Edhe po qe se drurët do gjëmojnë
Nën degët e blerimit të proshkët.
Kënga e burimit të qetë
Do vijë me përqafime të zjarrta,
Dhe zogjtë me harpë duke kënduar
Duke i dhënë kolorit dashurisë sonë.
Pregaditnie karrocën me lule
Destine të bashkuara më dysh,
Do të gëzohen mysafirët n’agime
Me ngjyrat e simfonive të pranverës.
MENDIM
Merrmë n’mendimin tënd për prehje,
Një Tempull i mbrojtur nga Zoti,
Zhvishma trupin dhe merre me vete frymën,
Shikomë thellë, por mos mu bën pronar.
Lërma fluturimin e lirë drejt qiellit të ngritet,
Mos m’i freno flatrat, mos ma fajëso destinin,
Jeta ësht’e shkretë, do ta dëbosh stuhinë,
Misionar i botës do të bëhesh truall...
Vlastari i quajtur shpirt buloi në mendim
Përzjerje dashurie në shtretërit e Parajsës
Një mendim e një shpirt mbaheshin për dore,
Në galaksitë stelare të formuara gjatë majit.
Nëse do më pranoje në mendimin tënd,
Do mbetja në galaksinë e quajtur Dashuri,
S’do shikoja ndonjëherë poshtë kah dheu,
Do lartësohesha në qiej me yllin që më përket.
Me flakadanë të ndezur luciferët presin
Të zgjedhin mendimin në Tempullin e prehur,
Shpirti të flatrojë pa flatra të lodhura,
Erëra t’përgjumura, jetë t’bashkuara përtej mendimit.
BARDH E ZI
U çveshëm nga trupi
Për të dëgjuar shpirtërat,
Ishte aq qetë në brendinë tonë
Saqë dëgjoja jehonën e universit…
Ishim ne, larg botës së shthurrur,
Në eter… vallëzonim me vërtitje
Shkelnim me këmbë nëpër qiell
Rrafshonim dheun me duart e zbrazta.
U vërtitëm shumë herë,
Dhe patëm njohur aq botëra
Të mveshura në dashuri… I kish marrë era.
Por, mes të bardhës e të zezës, jetojmë në tokë.
Gjenden shumë ngjyra n’univers,
Njëra është toka, tjetra është qielli,
Shpirti endet mes dy botëve
Jeta noton n’eter mes të bardhës e të zezës.
Mes të bardhës e të zezës u lind dashuria,
Dhe shpirti u ul në univers
Por kush e di vallë? Cili është misteri?
Përse dashuria dhemb dhe syri vajton?
BIOBIBLIOGRAFI
Ioana L?pu?neanu u lind më 6 shtator 1964, në komunën Leshu, rrethi Bistrica-Nësëud. Ka absolvuar Fakultetin e Shkencave dhe Arteve „Gheorghe Cristea” në Bukuresht. Me profesion është inspektore në administratë. Debutoi me poezi në antologjinë Napoca-Nova që del në Kluzh-Napoka. Bashkëpunon me një serë revistash letrare dhe është anëtare e Klubit Letrar ASTRA Nësëud. Anëtare e Shoqatës së Lokaliteteve dhe Zonave Historike e të Artit të Rumanisë me seli në Tërgovishte. Mesazh për lexuesit: “Duhej të jetoj në shumicë që të kuptoj se sa e bukur është vetmia. Duhej të njoh shkretëtirën që të kuptoj se sa e blertë është kullosa. Duhej të njoh zhgënjimin që të përjetoj intenzitetin e dashurisë. Duhej të njoh vetëveten për të kuptuar se nga krejt nga ato që kam pranuar dikurë me ardhjen time në këtë botë, vetëm shpirti mirret parasysh. Dhe meqë të gjitha këto më janë të njohura, nuk më mbetet tjetër veçse të jem mike me Zotin...”