E merkure, 04.12.2024, 09:37 AM (GMT)

Kulturë

Rexhep Shahu: Antologjia e poetëve kuksianë

E diele, 14.08.2016, 03:42 PM


ANTOLOGJIA E POETËVE KUKSIANË DHE POETJA LILJANA KRISTULI

NGA REXHEP SHAHU

Një antologji poetike është gjithmonë e për gjithkënd një ngjarje, sado nota zvogëluese, zmadhuese, nënvleftësuese a mbivlerësuese t’i vihen asaj, sado qortime a lavdërime t’i bëhen.

Një antologji poetike, është një histori, është një kor poetësh që këndojnë një simfoni. Pas njëqind vjetësh, ta zëmë, kjo antologji do të jetë, do të flasë, kur ne do të na i kenë sosë edhe kockat krimbat e mizat e dheut.

Vlera e parë e Antologjisë së poetëve kuksianë është se ajo antologji tashmë është, ekziston, hyri në kujtesën kombëtare, hyri në biblioteka ku ruhet pavdeksia, hyri qoftë edhe si një fjalë e vetme në faqet e historisë, si një lajm, u bë e pashmangshme, s’mund t’i ikë asaj asnjë studiues apo historian letërsie nesër, mot apo tjetër mot. Është pra realitet i gëzueshëm, fantastik.

Të bëhesh mik i një njeriu dhe të fitosh mirënjohjen e një individi është vlerë, por të fitosh mirënjohjen e 68 njerzve që shkruajnë poezi, derdhin vargje dhe sejcili i beson vetes së tij e punës së tij krijuese, është vlerë e shtuar. Nderohesh nga shumë pena se ke nderuar shumë pena. Nderohesh nga nderuesit e adhuruesit e atyre që janë ulë bashkë në sofrën Antologji e poetëve kuksianë, sofër e shtruar nga Liljana Kristuli, doktoresha e njohur, poetja e shkrimtarja e njohur.

Me ndihmën financiare për botimin e librit “Antologji e poetëve kuksianë”, mjekja poete, shkrimtare, humaniste, Liljana Kristuli i jep vetes një dimension shtesë, u zgjat dorën miqve e kolegëve, i ul bashkë në një sofër, të moçëm e të rij, përfaqësues me zë epokash; merr salutim nga hyjnori Pjetër Bogdani që gjithmonë është në krye të vendit si poeti i parë i letërsisë shqipe, për të cilin ne gjithmonë do të kemi nevojë të na e krijojë rrezullimin, e, ai, ashtu gdhendur në malin e kujtesës të na salutojë; ajo merr tundje dore nga poeti i varur nga diktatura komuniste Havzi Nela, i fundit njeri i varur nga komunizmi në Perandorinë e Lindjes Komuniste, merr tundje dore nga Tahir Kolgjini antikomunist pa leje që nuk i erdhi turp nga emri i tij as pati frikë e nuk e futi kurrë kryet në rërë të bëhej anonim, edhe pse ishte i dënuar nga shteti komunist edhe me moslejim për t’u kthyer në Shqipëri; merr tundje dore nga poetë rrace dhe dashnorë vargjesh, nga 68 emra që ne si shtëpi botuese, Klubi i Poezisë, i bëmë bashkë si njerëz që ecin me qiri të ndezur në duar në udhën e tyre për t’i bërë dritë të nesërmes.

Antologjia e poetëve kuksianë ka vlerë se ajo bëri bashkë shumë pena, shumë individë, përsonalitete. Të njohur e të panjohur mes tyre, sot janë bashkë dhe besoj ndjehen mirë që janë aty bashkë, që udhëtojnë bashkë, kur në rrethana të tjera jashtë kësaj Antologjie do të ishte e pamundur të njihen e bëhen bashkë. Antologjia pra e ka këtë vlerë bashkuese. Antologjia bëri bashkë të rinj e të vjetër, të gjallë e të vdekur, bëri bashkë autorë të shekullit të 16 e të shekullit të 21. Aty është Pjetër Bogdani më i madhi i të mëdhejve, më i dituri i më të diturve, dhe më i riu apo e reja gjimnaziste që ka nisë të shkruajë vargjet e para, aty është politikani i njohur, shkencëtari i njohur, ambasadori i Shqipërisë në Paris, aty është gazetari që i ka dhënë emër rajonit të Kukësit, poeti i njohur në shkallë vendi e më gjërë dhe ai që sapo ka nisë udhën e njohjes, aty është është i burgosuri politik, i arratisuri nga burgjet e diktaturës komuniste, emigranti politik dhe ekonomik që atdheu nuk i bën vend, nuk i ofron ngrohtësi, aty është Havzi Nela, për hatër të të cilit bëmë gjithë përpjekjet që kjo antologji të delte nga shtypi me 10 gusht, datë në të cilën e kanë varë në litar Havzi Nelën në vitin 1988.

Në bisedat e para kur më tha, bëje Antologjinë e Kukësit se do e financoj shtypjen, Lili  Kristuli vetëm një pyetje më ka bërë : A do të jetë në antologji Havzi Nela, poeti i varur? Po, i kam thënë. Bëje shpejt këtë antologji Rexhep, sa më shpejt, ishin fjalët e saj.

Kur më tha t’ia botoja librin “Unë dhe Dializa”, libër me foto iliustruese me ngjyra dhe t’i vija çmim sa më të lirë, me qëllim që libri të shpërndahej tek çdo i sëmurë me veshka, qoftë edhe falas, m’u shtua respekti e nderimi për këtë grua, këtë mjeke që merret gjithë kohën në spital në Itali me të sëmurët me veshka, këtë zonjë, këtë nënë, këtë poete, këtë shkrimtare që jeton edhe për të ndihmuar të tjerët dhe këtë ndihmë e konsideron jetë, jetesë, të jetosh, mënyrë të jetuari.

Liljana Kristuli u lind në Vlorë, jetoi mes Korçës e Tiranës, u diplomua mjeke, u emërua në Tropojë ku ndërtoi jetën, rriti dy fëmijët e saj, u specializua në Tiranë ku punoi pak vite, dhe që nga viti 1993 jeton e punon mjeke në Itali. Ajo ka të botuara këto libra : “Pemë e Gjethe”, poezi, “Mes për mes Europës”, tregime, “Gra të harruara”, tregime, “Unë dhe Dializa”, manual mjeksor, “Heshtja nuk është zgjidhje”.

Libri i parë i saj me poezi “Pemë e Gjethe” është një libër elegant, me poezi të ndjera, i lehtë në dukje por i thellë me mesazhe, i këndshëm në lexim por që të krijon e ndez përfytyrime. Autorja ka ditë të shkrijë melodinë e ngrohtësinë e serenatave mes të cilave është rritur dhe jehonën e këngëve e vajeve epike. Në këtë libër gjen drithërima, gjen lapën e gjethit tek e merr përroi, gjen zhurmën e Valbonës e vajet e saj që s’i kompozon dot as zoti, ndjen vajin therës të  Ajkunës që thinj lisat e kohën, ndjen dhimbjen e maleve të zhveshura e mallin e tyre për drurë e lisa. Poezitë e tregimet që ka shkruar Liljana Kristuli, nuk janë shkrime për t’u dukë grua mode dhe për të mbushë me art apo aristokraci kohën që shumë e çojnë dëm, nuk janë shkrime apo poezi për të aplikuar tek pavdeksia, te historia, nuk janë shkrime për të vrarë vetminë e kotësinë siç e vrasin shumë telenoveliste dhe që u duhen këputë duart kur të nisin të shkruajnë. Jo. Liljana Kristuli mezi gjen kohën që të shkruajë pasi është e mbytur nga angazhimet intelektuale, është mjaft e dobishme dhe nuk ka kotësi për të vrarë në jetën e vet. Ajo pa pretenduar asgjë, ka mundur të rindërtojë në letërsi histori të diktaturës që ne t’i njohim e të mos shkojmë dëm si qorri për shkop, ka krijuar përsonazhe aq bindës sa unë kam kërkuar të gjenden dosjet e këtyre përsonazheve e ajo më ka thënë se janë të krijuar dhe nuk ka individë për dosje.

Poetja e tregimtarja Liljana Kristuli nuk konkuron me askënd, as nuk ia hyn asaj gare. Ajo ndjehet mirë në përmbushje të vetes, asaj i mjafton vetja dhe nuk ka asnjë arsye apo nevojë për salutime mediokrish. Me poezitë e tregimet e saj, i ka hije të jetë pak fodulle dhe arrogante para turmave që kërrejnë pa pushim poezi dashurie pa dashuri, histori dashurie pa dashuri.

Librat me tregime të Liljana Kristulit janë nga ato libra që rrëfejnë fatin tonë në kohën e deformimeve të mëdha, në kohën e krijimit të njeriut të ri, në kohën kur haheshin parime e vriteshin shpirtra e jete njerzore, në kohën kur urrejtja shitej për dashuri e dashuria jetonte në varre.

Në emër të 68 autorëve të përfshirë në Antologjinë e poetëve kuksianë, të gjallë e të vdekur, të derdhur në shumë vende e shtete të botës, në shumë vite, dekada e shekuj, të mbledhur bashkë brenda kapakëve të një libri luksoz, i përcjell falenderimet më të përzemërta doktoreshës, poetës, shkrimtares Liljana Kristuli për botimin e kësaj Antologjie.

Sikur vetëm pak gra të tilla, pak intelektualë e humanistë të tillë të bënin si Liljana Kristuli, patjetër që më pak brengë, më pak trishtim e më shumë shpresë e besim do të kishin njerzit tek ky atdhe. E të mendosh se Liljana Kristuli nuk është biznesmene, është thjeshtë mjeke.

Faleminderit doktoreshë Lili!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora