Kulturë
Bashkim Saliasi: Promete i kauzës shqiptare
E enjte, 11.08.2016, 06:34 PM
Bashkim Saliasi, Avdyl Bucpapaj, Ibrahim Hajdarmataj, Viron Kona, Sokol Demaku, Sadulla Zendeli-Daja, Murat Gecaj, Petrit Xhaja - Durrës 2013
Promete` i kauzës shqiptare
Nga Bashkim Saliasi
Ishte viti 2013. Miku im Viron Kona më bëri me dije se në mbrëmje në ora 7.00 kishte organizuar një takim me disa krijues. Në takim do të kemi miq të letrave nga Suedia. Janë emigrantë shqiptarë, që punojnë e jetojnë prej shumë vitesh në Suedi.
-Mendoj që të jesh dhe ti, si thua?
-Me kënaqësi, - iu përgjigja ftesës së mikut Viron Kona.
Te hotel “Livia” të parin takova Sokol Demakun, të cilin e njihja që para një viti.
-Eja se do të prezantoj me Sadulla Zendeli-Dajën, më tha Sokoli.
Në një tavolinë afër dritares shoh një burrë me trup mesatar, i cili kur pa që ne po i drejtoheshim u ngrit në këmbë dhe më përqafoi.
Pak çaste më pas, ishim përfshirë në bisedë. Daja fliste ngadalë dhe me zë të ulët, duke shpjeguar me një buzagaz të lehtë se emrin e ka Sadulla Zendeli, por të gjithë më thërresin Daja. Aty mësova se Daja është nga Sërmnova e Gostivarit dhe se jeton prej afro 50 vjetësh në Suedi. Nga goja e tij dëgjova se si kishte emigruar në vjeshtën e vitit 1966, i detyruar nga regjimi serbo-sllavo i asaj kohe dhe se prej shumë vitesh kishte arritur të integrohej me jetën dhe kulturën e vendit skandinav.
Takimi dhe biseda qe mbresëlënëse dhe, për një moment mbetëm vetëm, sepse Sokoli doli të priste dhe të përshëndetej me miqtë shqiptarë të ftuar në atë takim. Pas pak erdhi Prof. Murat Gecaj dhe biseda rrodhi disi më fjollë, pasi që të dy miqtë njiheshin që më parë.
Nuk kaloi shumë kohë dhe në lokalin e hotel “Livia” u shtrua një tavolinë, ku të gjithë krijuesit përshëndetën ardhjen e miqve nga Suedia dhe në mënyrë të veçantë përgëzuan Dajën për punën kolosale që ai kishte bërë për hartimin e fjalorëve suedisht-shqip dhe shqip-suedisht.
I pajisur me një kulturë të gjerë akademike dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, Sadulla Zendeli-Daja jo vetëm që kishte botuar shumë vepra letrare në prozë e poezi në gjuhen shqipe dhe suedeze, por kishte hartuar veçanërisht disa fjalorë suedisht-shqip dhe shqip-suedisht për nxënësit e shkollave dhe emigrantët.
Së fundi ai kishte hartuar fjalorin me 35 mijë fjalë në bashkëpunim me profesor të UT Tiranës dhe të Prishtinës.
-“Mërgimi në Suedi bëri që të shkëputem nga mentaliteti ballkanik, të integrohem në shoqëri suedeze me një demokraci të lartë, me një përvojë të sprovuar”. Sa domethënëse janë këto fjalë të thëna nga një nga një njeri vizionar, që asnjë herë nuk e harroj vendlindjen, por u integrua në shoqërinë suedeze mbi bazën e shkollimit dhe kurrë nuk rreshti së ndihmuari bashkatdhetarët që emigruan në Suedi, sidomos gjatë dhe pas Luftës së Kosovës...
Nga takimi, mësova se Daja ka marrë pjesë thuajse në të gjitha panairet e librit të zhvilluara në Tiranë dhe, asnjë herë nuk është kursyer, qoftë në blerjen e librave për pasurimin e bibliotekës së tij, por edhe sa herë ka ardhur në Tiranë të gjithë shokëve dhe miqve u ka dhuruar libra.
Pata rastin që, me Dajën të takohemi dhe tre herë të tjera, si në Durrës dhe në Tiranë, madje të qëndroj edhe disa çaste vetëm me të. Mbaj mend se gjatë këtyre takimeve ai më tregoj:
-Ndihem i lumtur kur vijë në Shqipëri dhe shikoj që janë bërë goxha ndryshime, por tani ardhmëria jonë është në Evropë.
I dhurova Dajës dy botimet e mia “Dobrusha 170-2010” dhe novelën “Katër krisma të mallkuara”. Menjëherë sytë i shkuan te ballina e njërit nga librat dhe po studionte me kujdes figurat e qenve vendosur në të. I qeshën sytë dhe nisi të më tregonte për qenin e tij Tigrin, i cili e kishte nxjerrë nga një situatë e vështirë kur një ditë kishte shkuar në një park dhe kishte humbur rrugën...
Gjatë vitit 2015 u takuam përsëri në ambientet e hotel “Livias” në Tiranë, ku Daja shtroj një drekë për nderin e miqve shqiptarë dhe ku u përurua edhe libri:“Ju dua më shumë se veten!”, libër ky që, shkrimtari ynë Viron Kona, ia ka kushtuar Sadulla Zendeli-Dajës dhe veprës së tij me rastin e 80-vjetorit të lindjes.
Ishte një pasdite e paharruar, e këndshme, me fjalë dhe urime të përzemërta, me poezi dhe batuta, me shprehje që buronin miqësi dhe dashuri mes të gjithë të pranishmëve.
Aty u nxita të shkruaj fjalë urimi zemre dhe vargje poetik për Dajën, të cilat i lexova. I pëlqyen, i ndritën sytë dhe më falënderoj e përqafoj. Këto vargje u botuan në fjalën e lirë dhe revistën “Dituria”.
Zgalemi
Një zgalem zemër luan,
Që nuk pyet për pleqëri,
Kalon det dhe oqean,
Shpesh të viziton moj Shqipëri.
M`u tek “Livia” ka shtëpinë,
Aty pushon zgalemi ynë,
Mbledh miq e shoqërinë,
Bisedojnë për atdhetarinë.
Lajmi
Lajmi shpejt u shpërnda,
E shpërtheu si stuhia,
Mu tek “Livia” ka qëndruar,
Zgalemi nga Suedia.
Ky zgalem nga Suedia,
Sot ka zbritur në Tiranë,
Krenare ndihet shoqëria,
E respekton si baba.
Ruani gjuhën, porositë,
Zërin shqipes ngrini lartë,
Mos harroni hienat,
Na kafshojnë për bela.
Të bashkuar ju qëndroni,
Thotë Daja triumfator,
Se shqiponjat në këtë tokë,
Jetën bashkë e kanë jetuar.
Fjalë e tij, fjalë sheqeri,
Ëmbëlsi në zemrën tonë.
Jetë të gjatë i urojmë,
Përherë ta kemi në mes tonë.
Daja
Fjalë e tij fuçi baroti,
Që ndez zjarr ndër shqiptarë,
I pamposhturi Sadulla,
Promete` ndër atdhetarë.
Daja
Luani nga mali, zbriti
Të pushojë në Tiranë.
M`u te “Livia” u “parkua”,
Me miqtë të bëj kuvend.
Vijnë miqtë një nga një,
Krye-mikun e qarkojnë,
Jetë të gjatë, penë të pashtershme!
Një nga një e urojnë.
Fjalë pak, punë shumë,
Me shqiponjat kuvendon,
I dëgjon i udhëzon,
Zëri shqipes triumfon
Miku im
Sadulla Zendeli-Daja
S’di çfarë t’u them, jam i gëzuar,
Zor se dalin fjalët për t’u treguar.
Telefonatë e Vironit nga mësimi më ndërpreu,
Je i ftuar Bashkim, Daja nesër vjen.
Mësimin vazhdova, e rashë në mendime,
Sa shpejtë m’u zbardhën disa kujtime.
Si është njeriu, Perëndia vetëm e di,
Mikun që ke në zemër, të ngjall krenari.
Në mendje bisedat me Dajën më erdhën,
Kujtimet u zgjuan, fjalët filluan të rrjedhin.
Mendimet e mia u kthjelluan,
Për Dajën fillova disa rreshta të shkruaj.
Rrebeshet e jetës nuk të lëkundën,
Mes vështirësish nga oqeani dole,
S’të penguan gjembaçët në jetë kalërove,
Njohe Suedinë, të fshehtat e jetës mësove.
Në rrugët e jetës u kalite dhe
asnjë herë nuk u ndale,
Ju shmange gjarpërinjve dhe akrepave pa shpirt.
Nga zemra të urojë të rroshë sa malet,
Në mes nesh të kemi çdo ditë…
Urime nga unë, dhe shumë vite të tjerë,
Mbi supin tënd le të kalërojnë.
Shëndet, gëzime paç ngaherë.
o shqiptarë mendjehollë.
Ndihem i lumtur që, sa herë Daja vjen në Shqipëri, miku im Viron Kona na organizon dhe na mundëson që të takohemi, të qëndrojmë e të bashkëbisedojmë me këtë njeri të ditur e atdhetar të shquar.
Jetë të gjatë dhe shëndet të plotë Dajë!