E shtune, 25.01.2025, 05:59 AM (GMT)

Kulturë

Albert Habazaj: Heronjtë e Kaçanikut

E diele, 07.08.2016, 07:42 AM


Albert R. HABAZAJ

 

KËNGË PËR KUJTIM MICIN

 

Këngë homazhi për viganin e thesareve të shpirtit popullor

 

Elegji

 

- Këngë moj, ç’ t’u bë Kujtimi?

Profesori yt me firmë,

Folkorin kapi trishtimi,

Pikëlloi polifoninë.

 

Dragoi i Këngës Labe,

Kujtim Mici i Tërbaçit,

Përpara Çikës në valle

Gurrës i gjeti ilaçin.

 

Burrat e lartë të Këngës

I përkasin Paharrimit,

Me lotët e nxeht’ të zëmrës

Kujtoj Ëngjëjt e Kujtimit…

 

…Rruzuj kristali më shkasin

Kur marr udhën drejt Kujtimit,

Janë lotë që dinë të flasin,

Janë lule pikëllimi…

 

RAPSODI TRIMËRORE PËR HERONJTË E KAÇANIKUT

 

Dëshmorëve të Lirisë së Kosovës: Agim Bajrami, Besnik Begunca, Xheladin Kurtaj me trima

 

Çdo ditë jave, muaj’, viti,

Çdo dit’ të jetës që kemi,

Me dhembje e plagë shpirti

Tek dëshmorët tanë vemi.

 

Dhe jo vetëm çdo dhjetë gusht,

Jo vetëm për t’i kujtuar,

Shkojmë e mblidhemi një grusht,

Na vjen turp për t’i takuar…

 

Kemi gabuar me ta,

Me ata që u bënë fli,

Ëndrrabukurit sa s’ka,

Sakrificat për liri.

 

Apo jo, komandant Zefi,

Agim Bajrami i qeshur,

Ti s’e dhe jetën nga qejfi,

Re dëshmor për të mos vdekur.

 

Se të deshi Nënë Kosova

Ty, Besnikun, Xheladinin,

Po kaq shpejt nuk e mendova

Gjethet e lavdisë të binin…

 

S’ bien gjethet e lavdisë,

Le të zvarriten zuzarët,

Si bishtok’ të neverisë,

Ju për ne jeni krenarët.

 

O Agim Bajram me trimat

E Ushtrisë Çlirimtare,

Me kërrab’ zut’ vetëtimat

Për Kosovën legjendare.

 

Rroba ngrin e shkrin në trup,

Ju - përleshje me rrufetë,

Një cifël u zë në sup,

Klithma qielli derdhën retë.

 

Dimër të mos kish’ Kosova

U bëtë legjendë lirie,

Fluturim për shqipet tona

Përmbi kreshta shqiptarie.

 

Ngrohtësi qe ideali

Historia përsëritet,

Kur lindin shqiponja mali

Perandoria tronditet:

 

Legjenda Idriz Seferi

Mbi osmanë bëri kërdi,

Ti, Agim Bajram si dreri -

Mbi barbarin serb të zi.

 

Fryma jote në tri jetë,

O yll i bukur i botës!

Njërën e gëzove vetë

Dhe dy ja fale Kosovës!...

 

Vetëm 36 vite

Bëre komandant Agimi,

Sot ndriçon me rreze drite

Në monument përjetësimi.

 

Komandant Zefi, lavdia

Të ka marr’ në krah’ të saj,

Përcjell trimin pavdekësia

Stafetë nderi skaj më skaj.

Eshtër e Adem Jasharit,

Ti i mposhte mbret e krajle,

Dhe për fisin e shqiptarit

Mbete spaletë morale.

 

Nga Kosova, Çamëria,

Shfaqesh ëndërr e lirisë,

Nga Dibra, Plava, Gucia -

Majave të historisë,

 

Nga Kaçaniku në Vlorë

Nderi yt i larë me diell,

O trim i zgjedhur me dorë,

Emri yt flamur në qiell.

 

Faleminderit profesoreshë Migena Arllatit për kujtesën historike që më zgjoi për të të thurur dy vargje shpirti Dëshmorëve të Kombit që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës më 10 gusht 1998.

Nderim për Ju, Heronj të Shqiptarisë, me përulje të thellë dhe vëllazëri kombëtare!

Nga Vlora, Albert Rezhep Habazaj,

03. 08. 2016, ora 10: 10’

 

HIMNI I TËRBAÇIT

 

Marr frymë Tërbaçi

të ngrohtë, të ëmbël,

një mëllë kulaçi,

një rreze për ëndërr.

 

Lavdia merr qiell

mirësisë tënde.

o Tërbaç, me diell

i mbush këto vende.

 

Ne - trojet spërkatur

me dritë dashurie,

o Tërbaç i dashur,

o vëlla me yje!

 

Foleja e Shpresës,

buza e besimit,

o gurra e besës,

o drita e Trimit.

 

TERBAÇ, … "Eagle's Nest!" ...

 

Anthem of TERBACI !

 

(…by Albert HABAZAJ)

...

I breathe the air of Terbac,

The warm and sweet,

A piece of bread

In the ray of a dream

Glory is heaven

Your kindness,

O Terbac, with sun

You fill these places,

In the sprinkled lands

With the light of love,

Terbac! Oh dear,

You are a brother with stars!

The Nest of Hope,

The lip of faith,

O fountain of faith,

O light of the Brave 

 

DINJITETI *

 

Qëndrimit fisnik të birit të Dukatit

dhe nipit të Tërbaçit, shkrimtarit të

mrekullueshëm Skënder Hasko

 

Kujt Ravena iu bë djep

Për energjin’ diellore?

Çfar’ i mori prap’ia jep

Nëpër vezullime Vlore.

 

Me aromën e Dukatit,

Me frymën e Perëndisë,

Dole nga bërtham’ e fatit

Nga rrënja e mirësisë.

 

O Skënder, lastar me rrënjë

I Sheme Hasko Gjongjinit,

Qesh me lot e qan me këngë,

Merr fuqi në maj’ të Rimit.

 

Udhëtim i gjat’ ndër vite

Ndryshon pamjen e fytyrës,

Ti, Skënder je gurrë drite,

Ti je drëja yn’ i lyrës.

 

Vetëm thinjat e mustaqet

Nuk t’i blen dot asnjë mbret.

Dhe Shania (bëft’ drit’) kënaqet

Që ti kullon dinjitet.

 

Dhe një herë mirënjohje e respekt

edhe në emër të shoqërisë Kulturore

Atdhetare “Tërbaçi”

 

*) Botuar për herë të parë në gazetën “Dukati”, organ i shoqatës Atdhetare - Kulturore “Dukati’, periodike, viti X i botimit - Nr. 3/64, maj 2012, f. 6.

[Në atë kohë autori i kësaj vjershe kryente dhe detyrën shoqërore të Kryetarit të Shoqërisë Kulturore - Atdhetare “Tërbaçi”].

Vjersha i kushtohet qëndrimit burrëror që shkrimtari dhe publicisti i njohur Skënder Hasko (2 mars 1936 - 4 shkurt 2013) mbajti në përcjelljen e bashkëshortes Shane Sali Hasko (Balili), 22 shtator 1943 - 8 janar 2012, 06:55’ . Më iku gjysma ime, - më thoshte shpesh autori, (pasi i iku Shania takoheshim shpesh në Vlorë dhe në Orikum) - do shkoj tek ajo të bëhem i plotë, siç kam qenë me të një gjysmë shekulli, që nga marsi 1963... Largimi i saj nga jeta qe fakt dhe fat i zi për njeriun e letrave që, ndërkohë, kur ishte vetëm, pa praninë e fëmijëve, rrethanave familjare, shoqërore dhe miqësore, e përjetonte hidhur, me emocione të fuqishme mallëngjimi të papërmbajtur, saqë, ende pa mbushur viti i Shanos, të mërkurën e datës 06 shkurt 2013, ora 12.30’, arkivoli me trupin e shkrimtarit të shquar për fëmijë preku tokën që e lindi në Dukat të Vlorës, ku u përcoll me nderime dhe me fjalën e lamtumirës të shkruar vetë para vdekjes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora