E merkure, 12.05.2021, 03:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Abdulla Mehmeti: Tasin Voka - Si braktisen trojet

E merkure, 03.08.2016, 07:19 PM


FJALË RASTI NË PËRURIMIN E LIBRIT ,,SI BRAKTISEN TROJET” TË AUTORIT TASIN VOKA

Nga Abdulla Mehmeti

Të nderuar pjesëmarrës dhe mysafirë! I nderuari veprimtar,  zotëri Faridin Tafallari, me pjesëtarët e familjes nga Prizreni! Të respektuar miq dhe familjarë të autorit! Bashkëveprimtarë të autorit, studiues, shkrimtarë dhe poetë!

Autori i librit që e përurojmë sot, Tasin Voka u lind në Shipkovicë të Tetovës, më 24 korrik të vitit 1950. Në vendlindje e kreu shkollën fillore, ku për mësues e pati Shaban Rushanin, njërin nga pishtarët e parë të arsimit shqip të pasluftës së Dytë Botërore në këto anë. Më vonë e kreu privatisht dhe shkollën e mesme profesionale të bujqësisë, me ndërprerje për shkak të përndjekjeve nga UDB-ja famëkeqe, ku diplomoi pas shthurjes së federatës gjakatare jugosllave, me fillimin e proceseve demokratike dhe hapjen e pluralizmit, në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar.

Tasin Vokën, që në moshë të re rrethanat e jetës e detyruan t’u rreket punëve të ndryshme për mbajtjen e familjes, ndërsa disa vite të jetë së tij i kaloi në kurbet, më tepër për shkak të përndjekjeve politike se sa për nevoja ekonomike.

Gjatë kohës së qëndrimit në kurbet iu dha rasti të njihet me shumë veprimtarë të shquar të lëvizjes politike dhe atdhetare të kohës, dhe iu përkushtua leximit të librave, jo si pasion, por si nevojë e njohjes së realitetit të hidhur të popullit shqiptar. Ndikim të madh në jetën e Tasin Vokës, gjatë viteve sa ishte në kurbet dhe më vonë, pati lidhja e tij me shokun e idealeve dhe mikun e ngushtë të jetës, veprimtarin e shquar nga Prizreni, Faredin Tafallari, të cilin kemi kënaqësinë që sot ta kemi mes nesh, përkrah sivëllait të tij, Tasin Voka.

Tasin Voka, qysh në moshë të re u lidh me intelektualë dhe veprimtarë të shquar të këtyre anëve, i frymëzuar nga mësuesi i tij Shaban Rushani dhe bashkëveprimtarët, Baki Ymeri, Rafi Halili dhe të tjerë, me të cilët lidhet edhe formimi i celulave të para të lëvizjes politike për liri dhe të drejta kombëtare të shqiptarëve në këtë krah të atdheut, të mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit amë.

Nuk ishte vetëm ndikimi i shokëve të tij, studentë në Universitetin e Prishtinës në atë kohë dhe më vonë veprimtarë të shquar të lëvizjes politike e kulturore, as këshillat dashamirëse të mësuesit të tij të parë, apo ndikimi nga librat e shumtë të cilët i lexoi me pasion Tasin Voka, por ishte tradita familjare e tij, ajo që e brumosi këtë veprimtar me ide të pastra dhe vullnet të pathyeshëm për të qenë përherë kryengritës, kërkues i paepur i rrugëve dhe mundësive për sigurimin e lirive dhe të drejtave kombëtare. Ishte oda e madhe dhe bujare e burrave të familjes Voka, ku Tasini si i ri i kishte dëgjuar fjalët Atdhe dhe Liri.

Në këtë odë, ku mblidheshin burrat fisnikë dhe të urtë, nga trungu i familjes së Rexhep Vokës, si Sulejman Voka, Qemal Voka, Tasim Voka (gjyshi i autorit të librit), Qahil Voka, Hisen Voka, Ajvaz Voka, Hisni Voka, Qamil Voka, Uzahir Voka, Beqir Voka, Shaqir Voka, Muharem Voka, Nazif Voka, Halit Voka dhe të tjerë, një pjesë e të cilëve kishin kaluar shumë vite të jetës së tyre në mërgim, si në Bukuresht e Konstancë të Rumanisë, në Sofje, Varna dhe Filibe (qyteti i sotëm Plovdiv) të Bullgarisë, Stamboll, Misir dhe qendra të tjera, ku kishin rënë në kontakt me udhëheqës të shquar të Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare. Atje kishin mësuar edhe shkrim e lexim, dhe vazhdonin në këtë odë burrash të sillnin libra, gazeta, letra dhe korrespondenca të ndryshme, të cilat uleshin këmbëkryq rreth oxhakut dhe i lexonin e komentonin, për të vazhduar pastaj me biseda të rënda burrash deri në orët e mëngjesit.

Nga kjo traditë e familjes, Tasin Voka e trashëgoi bujarinë dhe mikpritjen. Në vitet e para të hapjes së proceseve demokratike, konaku i Tasin Vokës përherë ka qenë i hapur për ndeja, takime dhe debate të rëndësishme për shumë çështje politike, kulturore dhe arsimore, të cilat janë ndërmarrë nga inteligjencia e Shipkovicës dhe më gjerë. Në konakun e Tasin Vokës kanë qëndruar me dhjetëra veprimtarë të shquar të lëvizjes më të re politike dhe kulturore të shqiptarëve. Me ditë dhe net të tëra na ka prit e përcjellë Tasin Voka dhe familja e tij bujare, ne të Shipkovicës dhe shumë shkrimtarë, artistë dhe veprimtarë të tjerë, nga Tirana, Prishtina, Prizreni dhe nga të gjitha viset shqiptare, si Dhimitër Xhuvani, Moikom Zeqo, Adriatik Kallulli, Jorgo Bllaci, Ndoc Gjetja dhe sa e sa të veprimtarë të tjerë, krerë të partive politike në Maqedoni, ish të burgosur dhe të përndjekur politik nga Kosova dhe viset tjera, të cilët kanë zhvilluar debate të shumta për gjendjen e kombit dhe të kulturës shqiptare, pas hapjes së proceseve të reja demokratike në viset shqiptare.

Nga kjo traditë edhe buron përkushtimi për t’u marrë me shkrime i Tasin Vokës, i cili deri më sot i ka dhënë letërsisë dhe kulturës shqiptare tri vepra: novelën me titull ,,Mos më lini vetëm”, librin me kujtime ,,Trojet e përbuzura” dhe librin që e përurojmë sot, me titull ,,Si braktisen trojet”. Në fund, në emrin tim dhe në emrin e të gjithë pjesëmarrësve në këtë manifestim, Tasin Vokës i urojmë shëndet të mirë dhe shumë suksese të reja në veprimtarinë e tij krijuese në të ardhmen.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora