Kulturë
Xhevahir Cirongu: Zeqir Lushaj publiçist e poet,- gurët e vendlindjes i flasin dhe i këndojnë
E enjte, 28.07.2016, 08:57 PM
Zeqir Lushaj publiçist e poet,- gurët e vendlindjes i ‘’ flasin dhe i këndojnë ” në galerinë e shpirtit ... !
Esse nga Xhevahir Cirongu
Gjatë rrugëtimit tonë të jetës, herët apo von takajmë njerëz të ndryshëm me të cilët edhe bashkojmë mendimet , por edhe lidhim miqësi mbas një njohje të afërt apo në distanca të lergëta qofshin ato. Kur ndjenjat burojnë nga shpirti e fjala del e pastër (në të folme apo e shkruar) , ska se si të ndodhë ndryshe: ajo jep kristale dashurie njerëzore! Miqësia e njohja ecin në rrugën e ndjenjave duke valëzuar si dallgët e detit brenda shpirtit me bardhësinë e borës e diellrojnë se rezet e diellit përgjat këtij rrugëtimi të njohjes. Sa bukur gërshetohen në një të vetme : instikti i ndjenjave , njohja rastësore, respeki njerëzor, mendimi i pastër, ajo frymë që mbart oksigjen dhe aromë lulesh dashuri njerëzore prej njerzve që mbjellin vetëm dashurinë njer?zore te njerëzit e tjerë! E ku ka më bukur se kështu o njerëz!? Prandaj jemi edhe qënje njerëzore, që të mbjellim në kopshtin e dashurisë njerëzore në mbarë globin tonë farën e dashurisë e respektin ndaj njëri – tjetrit, te të gjithë rracat njerëzore.
Unë eci e s’ndalem para dashurisë jetdhënse, sepse aty gjej “mbretëreshën” që ne e quajmë Jetë!
Para disa ditësh më merr në telefon një mik i letrave, Bajram Gashi nga Shën Vlashi i Durrësit, mësuesi fjalëpak e punëshumë i cili ka sjellë para lexuesve një libër me vlera për historikun e shkollës të këtij fshati. Për vlerat e librit kam shkruar më parë, e s’dua të ndalem aty këtë radhë, por ai libër u bë shkak i njohjes me këtë autor. Pikërisht, në datën 27 korrik 2016 takohem pas asaj telefonate në lulishten qëndrore të qytetit, aty te posta qëndrore me mikun Bajram. Aty në lokal pimë kafe e diskutuam gjatë e gjerë për letërsinë, por në veçanti për krijuesin publiçistin e poetin nga fshat Gri të Tropojës. Bisedat kishin vlag patriotizmi, por edhe ngjyra poetike, sepse vargu i shkruar i poetit Zeqir Lushaj të ngacmon shpirtin e të jep gjallëri si lastarët e një lisi shekullor ku rrënjët i janë ngulur thellë në tokën Arbërore e si shkul dot asnjë stuhi apo tërmet. Bajrami i kishte lexuar të 6 librat e dhuruara nga miku e shoku u vjetër Zeqir Lushaj; kujtonte vitet e shkollës kur ishte student bashkë me Zeqirin e shokët e shoqet në ato vite tashmë të largëta, loton e malli lexohej lehtë në sytë e tij, por dhe shprehja e dashurisë njerëzore për njerzit, e në veçanti për mikun tonë të përbashktë Tropojan Zeqir Lushaj.
– Ja, këto janë librat e tua, - më thotë Bajrami. Ti ka dërguar Zeqir Lushaj....!
-Si? Zeqiri!? – dhe nga çanta nxorri librat e paketuara me mbishkrimin “ Për Xhevahir Cirongu”.
Në këto çaste ndjeva një gëzim të veçant që s’mundet ta përshkruaja dot me fjalë, sakaq falnderoj mikun në tavilonë e përcjell fjalën kuptimplote shqipe: Të Falnderoj mik i letrave, Zeqir Lushaj, njeriun zemërbardh e shpirtgjerin që në shpirt i vlon zjarri i dashurisë njerëzore për njerëzit e atdheun!
Ajo ditë korriku do mbetet si një ditë e veçantë për mua, sepse dhurata e dërguara posaçërisht në emrin tim nga poeti Zeqir Lushaj (6 libra ), janë si thesare të çmuara ku takohem çdo ditë me fjalën e vargun poetik të një stili të veçant të këtij autori. Me Këtë njeri aq fisnik e bujar, burrin e mençur të alpeve e të bjeshkëve shqiptare, jam njohur nëpërmjet shkrimeve të shkruara prej tij si dje ashtu edhe sot në shtypin e shkruar e atë elektronik. Të them të vërtetën, kur mora librat e i preka me duar, i shfletova me radhë e lexoja vargjet e vargun e shkruar prej tij, mu dukën sikur prekja gjithë trojet e atdheut tonë të shtrenjtë Shqipërinë! Në librin me shkrime publiçistike “Zbehje e heroizmit” autori jep figura të gjalla e i lartëson edhe një herë me portretizimet që u bën heronjëve të atdhut,njerzëve të dijes e të kulturës, Isa Boletini, Nikë Pjetër Ndreka, Qibra Sokoli, Met Hasa, Ram Sadria, Inajete Dumi,Kastriot Muço, Ismet Sali Bruçaj,Ilia Kici Dashi, Fatime Sokoli, Dervish Shaqa etj. Reportazhet , portretet, esset, ditare shënimesh, skica jetësor , plotësojnë më së miri këtë libër të shkruar në kohë të ndryshme, por që flasin shumë edhe sot, brezave që do vijnë nesër. Në mbyllje të librit jo më kot ai shkruan “ Të panjohur, por miq!” , sepse edhe unë që po shkruaj këto pak rreshta në këtë esse, fizikisht se kam takuar Zeqirin, por me fjalëmendim e tani kur preka librat e shkruara prej tij që më erdhën dhuratë,u takuam dhe u përqafuam si miq të vjetër që s’e ndal asnjë stuhi atë respekt njerëzor. Te libri “Sportit i mbetem borxh” mbyllet me një frazë filozofike ku thuhet: “Emri i mirë Kujtohet”. Po miku im, të mirët e kësaj bote kanë vetëm një emërues të përbashkët: Pavdekësi!
Në librat e shkruara me poezi, autori Zeqir Lushaj di të rroki artistikisht tematikat e ndryshme, të cilat janë të shumëllojshme e vargu vjen natyrshëm për te lexuesi, si një gjerdan thurur me mall e dashuri njerëzore, me stil e varg të shoqëruar me ngjyrime, epitete e metafora që të fton në limanin e fushës të poezisë për ta lexuar. Vargu i lexuar të mbetet në memorje e s’e ndan dot nga ajo hapsirë yjesh alpine të bjeshkëve të Valbonës, nga gjithë gjeografia e tokës shqiptare; duke filluar nga Çamëria, Gjirokastra, Kaçanik e Prekaz, Shkodër e Tomorr, Shkëlzen e Çajup, Mitrovicë e Plavë, Tiranë e Prishtinë, Vlorë, Durrës, Dibër, etj. Poeti Zeqir Lushaj është i kudondodhur, i cili rrok me mall e dashuri edhe temën e emigracionit, për të cilën ai e ka vuajtur edhe vet mbi shpatullat e tij atje larg atdheut në Amerikë, por mendjen e shpirtin e ka lidhur përjetësisht me vendlindje e tij Grinë atje në alpet tona, me atdheun që e lindi, Shqipërinë. Në vëllimin me titull” Si n’kurbet , vëlla!’’ e sintetizon bukur dhimbjen e dashurinë për vendlindje te poezia aq domethënse që të bëhet ilaç shërimi për plagën e kurbetit. Dhe më konkretisht poeti Zeqir Lushaj shkruan vargjet...
...!
“Heeej, mor Ti,
Që kur për rrugën e kurbetit,
Asgjë nuk po kursen!
Do ta kuptosh, se,
Era Njeri,
Vetëm në shtëpi Tande, të vjen! “.
Në vëllimin “Piedistali” poezitë kumbojnë si ujrat e Valbonës e nuk ndalen kurrë me mesazhet që na jepen aty. Më konkretisht:
Prekaz
..!
Që Kosova të mos shuhet,
Të mos thyhet,
...Në asnjë tallaz,
Zoti, me fuqinë e Tij fali,
(Në mes të Drenicës),
Një Prekaz.
Kurse te vëllimi me titull “ Rrokada...(politike) vjeshërimet jepen disi ndryshe, aty ka drithërima, autori bën thirrje deri aty saqë mos e fyeni shpirtin tim, thotë ai në mbylljen fundore të këtij vëllimi me poezi.
Ndërsa te vëllimi “Duhama e Valbonës” autori shpalos gjithë qënien e tij si një oaz i vërtet ku mbretëron e bukura Jetë! Pikërisht, aty në këto poezi është vet autori që na thotë hapur se si vendlindja s’ka asnjë në botë! Të gjitha ëndrrat lindin e vdesin atje ku kemi lindur, prandaj shtrati jonë i përjetshëm është vendlindja! Në poezinë me titull” Unë them se...” autori Zeqir Lushaj na jep edhe këto vargje...
........
“Atë fllad – bjeshke plot oksigjen,
Mësuesi u detyrua ta braktisë,
Unë them se...
Në thembër të malit – Shkëlzen,
Rishtas jeta përsëri do të nisë.”
...Dhe në mbyllje të kësaj esseje, po po japim frymën e oksigjenuar poetike që shëron çdo plagë të shpirtit e jep shpresjete te lexuesi e për të gjithë ne vargjet:
..............................
...Dritën,
...Dritën e shpirtit,
E paçim me vete!
Faleminderit, mik publiçist e poet atdhetar, Zeqir Lushaj për dhuratën e çmuar që më fale, për poezinë e shkrimet që na solle në këto 6 vëllime të reja , por edhe shtypshkronjën “Kristalina –KH’” për atë përkujdesje cilësore që ka treguar në botimet e librave.
Poezia e shkrimet na njohën, na bënë miq! E ku ka më bukur i nderuar lexues!? Poetit i urojmë shëndet e suksese në krijmtarinë artistike letrare e atë publiçistike, që e cila të lundrojë pa u ndalur në oqeanin shpirtëror të këtij njeriu shpirtbardhë e atdhetar.
Ballinat e librave të autorit Zeqir Lushaj.
Foto: Xh. Cirongu