E diele, 06.10.2024, 04:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Hysen Grajçevci: Poetesha e pjalmit të vargut

E diele, 24.07.2016, 01:28 PM


Poetesha e pjalmit të vargut

Ditë më parë Poetja Vjollca Ajasllari-Koni publikoi vëllimin e tretë të saj me poezi të titulluar “ Ti, Qindvjetësh",do doja të ndaj recensionin e ketij vëllimi poetik me lexuesit e : "Zemrës Shqiptare"

“POEZIA nuk është mendim i vënë në vargje, por është ndjenjë e derdhur në varg” ( Lasgush Poradeci )

Nga Hysen Grajçevci

Pas dy vëllimeve të botuara, më 2013 “BIO” dhe më 2014 “POSEIDON, KY MALLI IM”, tani kemi në dorë botimin e vëllimit të tretë, të titulluar “TI, QINDVJETËSH“ botim ky, ku janë të përfshira gjithsej njëqind (102) poezi, në të cilat poetja Vjollca Ajasllari – Koni derdhë nektarin e mbledhur për të na e bërë dhuratë freskie. Poezia e znj.Ajasllari-Koni është poezi lirike, ku fjalën e gjetur ia atribuon vargut dhe duket sikur për moto ka mendimin e lirikut tonë të madh Lasgush Poradecit, e cila këtë mendim përpiqet, në vazhdimësi, ta jetësojë në vargjet e veta. Poezia e Vjollcës është poezi organike, e cila në vete përmban brumin natyral, të thjeshtën, të bukurën, burimoren, nga ku lindi, u rrit dhe u zhvillua, bashkë me të, në hapërimin jetësor e në përjetimin ndjenjor. Poezinë e kësaj autoreje e karakterizon nocioni filozofik si formë e mendimit, ku pasqyrohen tiparet më thelbësore të dukurive dhe të realitetit objektiv. Por nuk mungon as nocioni logjik – letrar i të bukurës, i derdhur në varg për të fuqizuar strukturën e shtrirjes së poezisë, karshi rrafshit poetik të kërkuar. Prandaj kemi të bëjmë me gjetjen e temave brenda të cilave zhvillohet metafora dhe fjalori figurativ me shumëllojshmërinë e ngjyrimit poetik e letrar. Fuqia e fjalës në të gjitha poezitë e këtij vëllimi është porosi e zhvilluar në ecje, e cila vjen si një vrullimë vullkanike për t`iu mveshur vargut. Autorja e këtij vëllimit  vazhdon në rrugëtimin e saj poetik për të gjetur dhe për ta pajisur shprehjen me të bukurën, qenësinë dhe veçantinë e fjalës si element estetik e letrar, përkatësisht estetikën e fjalës, të cilën e shohim, para së gjithash, në karakterin dhe aktin receptiv dhe në ndërlidhjen e së vërtetës me të vërtetën estetike.

Poeteja Ajasllari – Koni pati fatin e mirë, dhuratë nga natyra, të thithë të njëjtin ajër, të marrë ngrohtësinë e të njëjtave rreze dielli, të pijë ujë nga të njëjtat kroje ku shoi etjen dhe u ushqye poeti rebel i asaj treve, Xhevahir Spahiu, i cili me punën dhe magjinë e artit të tij krijues la gjurmë të ndritshme në letërsinë shqipe. Ky korife, la gjurmë edhe te autorja e këtij vëllimi e cila  përpiqet ta ketë model për shëmbëlltyrë në udhëtimin e saj letrar. Si shembull moral e njerëzor, si bashkëvendës dhe si njeri i vlerave Vjollca gjatë punës së saj krijuese e letrare, disa herë i kthehet penës së tij, portretit të tij. Në poezinë, me të cilën fillon vëllimi, “ Një poezi për Ty”, ajo shprehet:

“Ti duhet  të më mbash mend. Poet,

Jemi nga i njëjti brumë, i njëjti vend,

Heshtjen natës ia thyej me gërvishtje lapsi,

Zgjuar rri,

Duke vijëzuar siluetën tënde në poezi.”

Dhe vazhdon me krahasimet figurative, letrare e poetike, që në letërsi njihen si figura stilistike (simbolika letrare). Figurat e tilla janë veçori, të cilat shërbejnë për të ndriçuar më mirë anën e shprehur dhe për t`i dhënë gjallëri e përqendrim aspektit figurativ:

“ Deri sa ti je maja e Tomorit,

Ku madhështinë mban kurorë,

Dua të jem shtizë flamuri

Mbi bedena kalash, me pishtar në dorë.”

Ndërsa te poezia, “Një varg për Ty – Poet”, e prekur thellë nga sëmundja e poetit, siç shprehet vetë për “Poetin e ëndrrave të saj”, në një çast përmallimi shkruan:

“ I trisht  më vjen vargu kur shkruaj për Ty!

Më djeg loti, dhembje kam në zemër,

Nga Tomori një shkëndijë,

Vjen e ndalet mbi tëndin emër!’’

-Tek të gjitha poezitë, studiuesi, por edhe lexuesi i rregullt, vë re lirizmin e vargjeve, të cilat bartin me vete ndjesinë e lartë estetike dhe brishtësinë, duke tërhequr, kështu, përqendrimin e vëmendjes për ta lexuar vëllimin me një frymë. E lindur dhe e rritur në një mjedis magjepsës, autorja di të marrë dhe përafrojë tablotë e saj, për t`i sjellë, më pas, të gdhendura e të kristalizuara si imazhe të pikturuara e me ngjyrime të natyralizuar të të gjitha stinëve, di t`i kompozojë motivet në partiturat e vargëzimit, di ta intonojë frymëzimin me notat e butësisë shijuese, që rrëmbejnë botën shpirtërore. Ndjesitë e dashurisë për të bukurën, emocioni shpërthyes poetik dhe malli për vendin e shndërrojnë në puhizë të lehtë për të kapërcyer detet e malet, e shndërrojnë në kanarinë, ku nuk lë degë ulliri e bliri, nuk lë degë pishe e shteg ograje, nuk lë burim kroi e lule kopshti pa i dhuruar fjalën e ëmbël, ngrohtësinë dhe freskinë e vargut, nuk lë pa i marrë nektarin luleve të natyrës, freskinë puhisë ledhatuese, valës a pikë vesës të bukurën për ta mbëltuar brenda vargëzimit, për ta sajuar efektin përjetues e për ta  nxitur ndjeshmërinë ndaj vlerës, ndaj konstruktit artistik që ofron.

Poezia “Unë shkruaj vargje” pasqyron vargun;

Këndoj për fushën, lulet, bagëtinë,

Pishat gjelbëroshe, lisat e gjatë,

---------------------------------------

Fati i hidhur, që jo rrallëherë ka goditur popullin tonë, dukuria e shpërnguljes, të mërguarit larg vatrës e goditi edhe poeten, e shtyu  atë në kërkim të një jete më të mirë, në një ringjallje të shpresës së re, në një tjetërsim shpirtëror, ku megjithatë, do vazhdojë përçuarja i ndjesive të ngulitura, tani në një formë të kultivuar, në një strukturë të ndërtuar, brenda së cilës do ravijëzohet jeta e ndërlikuar e derdhur në një realitet letrar. Aspektet shoqërore shpërfaqen të përvijuara në këtë strukturë me vërtetësinë e përjetimit dhe ndijimit; dhembshuria, dashuria për atdheun, malli e mallëngjimi shkrihen në këtë përshkrim me formën, stilin, semantikën, intonacionin dhe ritmin e brendshëm të vargut. Në njëkohësi më këto reflektime vjen poezia “ Aromë Shqipërie “, e cila mundëson përshtatjen e shpërfaqjes së emocionit në itinerarin e shtrirjes së motivit:

“ Jam një cope jetë Shqipërie,

Rrënjët kam lënë atje…

----------------------------------“

- Vargjet e znj.Ajasllari-Koni kaherë kanë bashkuar kufijtë natyrorë të Shqipërisë. Duke jetuar jashtë atdheut e duke qenë e pranishme nëveprimtaritë letrare të organizuara nga komuniteti shqiptar në mërgim, ajo me fjalën e saj artistike është bërë pjesë e pandashme e tyre dhe, për më tepër, ka depërtuar kudo ku jetojnë e punojnë ata; në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e në gjithë diasporën. Me buzën shkrumb, shpirtin e pikëlluar, syrin e njomur nga loti dhe zemrën djegur nga malli, poetja nuk ndalet, por si identifikim i vetvetes dhe kombit që përfaqëson shpreh atë traditë të shkëlqyer që e bënë të ndihet përjetë krenare. Ndarja nga Atdheu, humbja e babait në moshë të parakohshme, largimi nga nëna dhe rrethi familjar te Vjollca përjetohen me dhembje të thellë. Është vargu ai që shoqëron dhe i mundëson poetes të shpërfaq emocionin e ndjenjës, në njërën nga poezitë kushtuar nënës  të titulluar:

“Të ngremë dolli” Këtu midis të tjerash ajo: shprehet;

--------------------------“

Nuk i trembem kohës,

Që mua më plakë,

Për ditët e tua që ikin,

Zemra më  kullon gjak.

E bindur në misionin që e karakterizon, ajo ngrihet si në mitizim dhe bënë paralelizmin e tokës së prehjes atërore që i është shenjtëruar dhe shndërruar në të vetmen prehje dhe paqe të amshuar për bijtë dhe brezat që kalojnë:

“ Betohem me fjalën time në sy,

Se frymën e fundit tek Ti do e lë.”

---------------------------- “

Atje kam shpirtin, atje gjej qetësinë,

Atje ku për herë të parë qava,

Emrin tënd thashë,

Atje kam ca eshtra që prehen e rrinë,

Bijë më thërrasin,

Unë kënaqem me ta kur flas!

Janë këto vargje refleksionesh shpirtërore, apo një rrëfim me fillim të pafund?! Me imagjinatën e pasur, ndjesitë emotive, me frymëzimin dhe natyrshmërinë krijuese që e karakterizon shprehja, ndjenja, dëshira, idetë e largpamësia për një art sa krijues po kaq edhe të brumosur e ngjeshur me tërësinë e fjalës në  poezinë shqiptare. Vjollca Ajasllari – Koni është pjesë e këtij kreativiteti nga vëllimi në vëllim, duke përformuar me individualitetin krijues një origjinalitet artistik dhe ligjërim poetik. Aktualiteti ynë letrar përfaqësohet edhe me denjësinë e vijimësisë së traditës dhe bashkëkohores që bartë emrin e Znj.Vjollca Ajasllari – Koni, e cila hapëron suksesshëm drejt së nesërmes sonë letrare.

Hysen Grajçevci

Qershor 2016

Prishtinë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora