Kulturë
Përparim Hysi: Kusure, o Laska i zi!
E merkure, 20.07.2016, 05:35 PM
Kusure, o Laska i zi !
Tregim
Nga Përparim Hysi
Aty mesviteve '70-të, ferma jonë, një nga më të mëdhatë në vend, kish nevojë për fuqi punëtore. Dhe, pikërisht atëherë, erdhën nga një fshat i Beratit një komunitet i tërë me ciganë. Këta, siç duket, kishin rënë në ujdi me një komunitet të tillë që qenë bërë si vendali. Ndodhi si me thirrjen e lashtë të gjakut. Erdhën dhe, pikërisht atëherë, ne vumë re se sa solidarë qenë këta me njëri-tjetrin. Pothuaj u bënë një me "vendësit" e këtushëm dhe, po atje, veçan fshatit ngritën dhe shtëpitë. Ciganët e komunitetit tonë, kishin kohë që i ishin shtruar punës dhe, sado që ishin muzikantë të lindur, rronin përmjet punës dhe muzikën apo sazet i kishin si thelë përmbi bisht apo si shtesë mbi rrogat që merrnin nga puna në fermë. Këta, të ardhurit nga Berati, ishin edhe më të ngulur me punë, se askush prej tyre, sado që ishin mbi dhjetra familje, nuk pamë që t'i binin ndonjë vegle muzikore.
* * *
Edhe Laska ishte një prej atyre, të ardhurve rishtas në fshat. Nëse po tregoj për të, kjo ndodh se ky, ndryshe nga të tjerët, binte në sy si kali balash. Sado që vetëm gruan kishte ( kishin kohë martuar, po fëmijë nuk kishin), ky, Laska, qe pak si krahëthyer. Nuk kishte 15 ditësh që mos trokiste nëpër dyer për të kërkuar lekë hua apo çfarëdosend që mund t'i falje. Tek im atë, sikur kish gjetur bahçenë e beut. Sa kalonin 5-6 ditë nga rroga, do ta shihje të trokiste dhe kërkonte para hua. Im atë aq ishte familjarizuar me këtë "marrjehua", sa e linte xhaketën pas derës në korridor dhe, kur Laska sillte huanë, babai i thoshte:- Laska, futi aty në xhep të palltos. Këtë punë e bënte gjithmonë babai dhe Laska qe i ndershëm: i merrte dhe kurrë nuk shkonte në shtëpinë e tij, pa kthyer borxhin, për çdo 15-ditësh. Mirëpo një ditë prej ditësh, kur Laska trokiti në derë dhe babai i tregoi pallton varur, ndodhi dhe çudia:
-Hazis (kështu quhej im atë, i ndjerë), po nuk qenkan lekët në xhep.
-Po nuk i ke sjell si zakonisht, o Laskë,- ia ktheu im atë.
Qëllova atë çast unë aty dhe tek e pashë Laskën që, sikur kish bërë turp, po ikte me duarbosh, nxora dyqind e pesëdhjetë lekë dhe ia dhashë. M'u dhimbs shumë dhe, sado që qe i zi në fytyrë, pashë t'i ndriçonte fytyra si nga një gëzim i veçantë.
* * *
Laskës të rinjtë i thërrisnin Raxhi. Ndonjë edhe ca më i drjetpërdrejtë: Raxh Kapur! Se në portret qe afër e gjatë, me artistin e madh indian, Raxh Kapurin. I mungonin si portret, riga e mustaqeve dhe, veç tyre, nuk kishte një shapkë made in Raxh Kapuri. Por, sado me këto mungesa, ai duket, në të ri të tij, i kishte parë filmat e Raxhit dhe të rinjtë, meqë e dinin këtë "sekret", e bënin që ashtu si dinte ai, t'ia thoshte "Meraxhusta e çopani.... dhe kush dreqin e di se si e vazhdonte më tej... Këtë "punë" Raxhi,siç i thërrsinin të rinjtë, e bënte me qejf dhe, kënaqej, edhe kur e darovisnin me ndonjë lekë dhe, kur nuk kishin lekë, me ndonjë copë bukë me djathë apo gjësend tjetër.
Po kur të rinjtë e thërrisni Raxhi, pse unë e thërres me emrin e tij, Laska, dhe shtoj më tutje atë atributin: i zi. I zi jo pse ishte i zi, se as kam patur dhe as kam paragjykime për ngjyrën e lëkurës. Por ky epiteti i "zi" i shkon për fatin e tij në jetë. Dhe kështu e "pagëzoi" plaka Qeriba që, po të vinte një paranomë ajo, mezalla s'e shpëtoje për tërë jetën. Kështu ndodhi dhe me Laskën.
Ishte i uritur dhe, tek kalonte pranë një bahçeje me bostan, i lëshoi zemra dhe, pasi kapërceu gardhin, u fut dhe këputi një kokërr. As që kish nevojë për thikë. E ndau në gjysëm bostanin dhe po e kollofiste. As që e pandehte që i zoti i bostanit e kish ndjekur me sy "hajdutin". E zuri me bostan në gojë dhe pesë shkopinj e numëronte një. I binte vetëm nga njëri krah dhe Laska ( epo faji jo vetëm të mundë, por edhe t'i pretë fuqitë),ashtu, i mundur dhe i turpëruar njëherësh, i kthehet të zotit të bostanit:
-Biem dhe nga shpatulla tjetër, të keqen, se ma bëre këtë shpatull vrimë!!!
Kur dëgjoi kështu, i zoti i bostanit u thye shpirtërisht, ndaj e lëshoi. E lëshoi ai, po Laska zuri dhe po tregonte para brigadës seç i kish ndodhur. Ndërsa të rinjtë u gajasën, plaka Qeriba ia pat:- Kusure paske, o Laska i zi! Por dhe plaka Qeriba, këtë i "zi" e kishte me kuptimin: i mjeri ti apo fatkeqi ti. Dhe mbeti kjo nofkë e plakës Qeriba dhe aq"ngjiti" sa kushdo që pësonte ndonjë prapësi, sado e vogël të ishte, njerëzit ,si të kurdisur nga "sahati" i plakës Qeriba ia prisnin:- Kusure, o Laska i zi!
* * *
Laska i zi qe fare-fare i padjallëzuar. Kish atë pafajësinë e një fëmije. Edhe në komunikim me njerëzit ishte përjashtim dhe, kush nuk e njihte mirë,e merrte o për njeri që nuk mbushte mirë, o për të humbur apo barbon. Epo fukarallëku dhe të humbet. Kur e takoje, çuditërisht edhe të pyesste,edhe përgjgijej po vet, si:- Qysh je? Kjo "qysh je" e Laskës së zi, pasohej po nga ai:- Mirë faleminderit. Më tej, nuk e ngiste muhabetin dhe ikte në punë të tij. Kur vinte kërkonte diçka, fliste vetëm së pari, mandej, sa rrëfehej me trup aty ,pas derës, dhe kënaqej me atë qi i jepje. Qe aq i ndershëm, sa, po të vinte re, se iks derë nuk "hapej", më nuk trokiste atje.
Kurrë nuk mbaj mend që të trokiste nëpër dyer të sektorit apo dhe këshillit të fshatit. Duket që zyrat e trëmbnin dhe e kish më mirë të kafshonte gjuhën, se sa të kish punë me zyra.
* * *
Por një mbrëmje çudia ndodhi. Kishim nja një javë që kishim votuar dhe për këshillin popullor. Për ta bërë edhe ca më shumë demokratik këtë këshill, së fundi, si për herë të parë, futëm në listë edhe një nga komuniteti cigan. Ndodhi që ky "këshilltari" i ri na qe bërë me krah dhe nuk mbahej. Kapërdisej atje në komunitet dhe, thuaj ti, kish zënë qiellin me dorë. Veç kësaj, kapërdisjes, na paskësh marrë mendjen nëpër këmbë dhe, si kungulli, kish lëshuar lastar e na kish marrë gardhin. Ne, si kryesi fronti ( epo nga fronti bëheshin dhe listat), e kishim vënë që të qe më afër halleve të komunitetit. Por qemë gabuar në zgjedhjen tonë. Këtë gjë e morëm vesh veç nga Laska i zi. U çuditëm që, tek qemë gati të mbyllnim një mbledhje kryesie, kur u pa tek dera Laska i zi.
-Qysh jeni? Mirë faleminderit,- tha dhe, pastaj, e kyçi gojën. Unë që ia dija huqin,e pyeta:- Laska, përse je munduar deri këtu?
- Po mirë të keqen,- tha si me gjyç,- atë Avninë e zgjodhët në këshillë për ne apo për gruan time?
Kur tha kështu, ne u prekëm të tërë dhe e ftuam që të na tregonte se ç'kish ndodhur. Dhe filloi të tregojë:- Kur vajta në shtëpi e gjeta Avninë me gruan time.
-Çfarë bën?- i thashë. - Pusho,- më bërtiti. Nuk e ke marrë vesh që jam në këshillë ti? Iku,- tha si me gjyç,- por mua më duket e keqe kjo punë. U alarmuan nga fjala e tij dhe unë vrapova tek telefoni. Kërkova të plotfuqishmin që, pas gjysëm ore, jo vetëm mbrriti aty dhe, pasi plotësoi një proces-verbal nga pohimi I Laskës, shkoi dhe i vuri hekurat atij të"këshillit". Të nesërmen, ne si front, i hoqëm imunitetin atij"këshilltari" maskara. Por sidoqoftë, sado që m'u dhimbs ky fatkeq, paranomi i plakës Qeriba mbeti:- Kusure, o Laska i zi!...