E enjte, 29.07.2021, 09:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Habazaj: Balada popullore shqiptare

E merkure, 13.07.2016, 08:17 PM


BALADA POPULLORE SHQIPTARE SIPAS FOLKLORISTIT QEMAL HAXHIHASANI

Nga MSc. Albert Habazaj, bibliograf, studiues i etnologjisë dhe folkorit

Biblioteka Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

bertbiblioteka@gmail.com

albert_abazi_tr@yahoo.com

Abstrakt

Qëllimi i këtij artikulli është, që nga opusi i punës kërkimore - shkencore të njërit prej figurave të shquara të etnologjisë dhe folkoristikës shqiptare, studiuesit të përmasave ballkanike dhe europiane Qemal Haxhihasani, të ravijëzojmë sadopak kontributin e tij në studimin dhe botimin e baladës popullore shqiptare. Pasioni i madh për krijimtarinë popullore, puna e palodhur e këmbëngulëse si kërkues shkencor, studiues serioz dhe njohës i thellë e i shumanshëm i folkorit shqiptar, sidomos në fushat më të ngushta për t’u futur në thellësi të eposit heroik, këngëve historike dhe baladave, e ngrenë Qemal Haxhihasanin, atje ku e meriton, në piedestalin e shkencës së folkoristikës shqiptare, së bashku me prof. Zihni Sakon dhe Anton Çettën. Haxhihasani ishte njeri i madh, por s’dukej. Në laboratorin e tij për mbledhjen, studimin dhe përgatitjen për botim të baladave popullore shqiptare, bie në sy prirja e dyanëshme për një folklorist me përvojë: këndvështrimi në aspektin historik dhe shikimi në aspektin artistik, duke parë shkencërisht raportin krahasimtar midis këtyre dy rrafsheve. Puna e tij nga mbledhja deri tek botimi i baladave në një libër më vete dëshmon hartimin me kompetencë, dashuri dhe me një elegancë shprehjeje, që vërteton edhe për merita gjuhësore dhe stilistike, duke na lënë si trashëgim një prodhim folkorik origjinal, të pastër, të bukur, të mirë e të dobishëm me baladat shqiptare në formën e poezisë popullore, të cilat rrok edhe ky punim.

Fjalë çelës: folkori shqiptar, folkoristika, balada popullore shqiptare, Qemal Haxhihasani.

1. Hyrje

Së pari, mendojmë të shprehim dy fjalë për baladat popullore, sipas këndvështrimit tonë. Ndoshta është e nevojshme të sqarojmë, se në klasifikimin e përgjithshëm të folkorit letrar shqiptar, “proza dhe poezia popullore shqiptare (e pashkëputur nga muzika dhe vallja) janë parë si dy fusha të veçanta të krijimtarisë shpirtërore [jomateriale] artistike kolektive…”[1]. Sipas këtij klasifikimi, baladat popullore bëjnë pjesë në zhanrin e poezisë popullore, në nëndarjen e gjinisë epiko-lirike, krahas 3 nëndarjeve të tjera: poezisë epike, lirike dhe asaj liriko-epike. Disa studiues, kur trajtojnë klasifikimin shkencor të baladave, në rrafshin e skedimit të tyre, gjykojnë se ato i përkasin krijimeve folkorike kushtuar vdekjes (mortës). Më konkretisht, kur bëhet një skedë klasifikuese e baladave, ato renditen në nëndarjen e këngëve epiko-elegjiake, se në to mbizotëron natyra epiko-lirike. Duke e vijuar zbërthimin më tej, në klasifikimin hierakik vertikal, baladat nuk i bashkëngjiten nëngrupit të vajeve (vajtimeve), po i përkasin nëngrupit të dytë të këngëve të përvajshme (të përzishme), krahas këngëve të kurbetit e të nizamëve dhe kanë karakter tregimtar. Sipas Fjalorit të Gjuhës shqipe, balada është “vjershë lirike popullore ose me frymë popullore për ngjarje legjendare a heroike: baladë për Skënderbeun; balada e murimit[2]. Fjala baladë herët ka shprehur kuptimin e krijimeve që kërceheshin në valle. Mendohet se balada ka lindur në Mesjetë.         Më vonë, humbi, nuk u aplikua ky variant të kënduari duke kërcyer. Si regjistrim i parë i baladave njihet ai i bërë në Angli në shek. XIII. Baladat e kanë atdheun në Skoci dhe në vendet skandinave. Dëshminë e parë për baladën në popullin shqiptar e sjell historiani e humanisti Marin Barleti (~1460-1512/13), kryesisht me motivin e sakrificës, por regjistrimi i parë i baladës shqiptare daton më 1737 me Dorëshkrimin e Kieutit dhe vijon me Kamardën, Mitkon, Jubanin, De Radën e rilindas të tjerë. Duke u mbështetur në literaturën shkencore të fushës, në punimet e pararendësve dhe sidomos në studimet e Q. Haxhihasani, prof. Bardhosh Gaçe bën këtë përcaktim “Baladat janë krijime të hershme të trashëgimisë popullore shqiptare … që janë thirrur me emra të ndryshëm si: “këngë të moçme”, “këngë të dhimbshme”, “këngë pleqërishte”, “këngë të përmallshme”, siç i quante edhe Nikoll Keta e Gavril Dara, pasi janë rrëfime popullore në vargje dhe kanë të bëjnë me jetën moralo-zakonore të popullit, duke trajtuar tema të dhimbshme”[3].

Arbëreshët e morën me vete Baladën e Kostandinit e të Doruntinës, e modifikuan, e kërcenin dhe 50-60 vetë në formë gjarpëruese, sipas traditës së të parëve. Baladat janë krijime të ndërmjetme, ku kemi peshë epike dhe lirike (varet animi). Baladat kanë fund tragjik, i cili bën një “katarsis” shpirtëror, edukon me idenë e pastrimit moral, realizon fisnikërim në kuptimin e ndryshimit pozitiv të situatës që është krijuar pa dashje. Balada ka funksion utilitar. Fundi i pakëndshëm në balada mendohej se bënte efekt për fisnikërimin e ndjenjave njerëzore, që të mos ndodhnin më pas gjëra të rënda. Sipas Q. Haxhihasanit, njihen dy lloj baladash: balada legjendare dhe balada realiste. Në relievin e këtyre lloj krijimesh, ku zotëron tema familjare, dalin në pah të ngritura e të ulura shpirtërore me ngjyra midis lirikes, epikes dhe dramatikes. Në to, pothuaj, nuk njihet koncepti i hapësirës. Në baladat legjendare operon e jashtëzakonshmja me fantastiken, ndërsa në baladat realiste operon e jashtëzakonshmja me gjasën e mundësinë (edhe sipas Haxhihasanit “Balada e Tanës me fyell”, ndër më të mirënjohurat, ku ka gjasa të ndodhë, nëpërmjet notave të fyellit njoftohet që do të ndodhë diçka. Kryesisht në botën malësore të Labërisë, arealit baritor të saj, por edhe gjetkë, funksionon kodifikimi dhe çkodifikimi i “avazit” të fyellit, me mozaikun e pasur të notave muzikore që fluturon mjeshtërisht nga gishtat e bareshës apo bariut, si të ishin specialistë të shifrës dhe deshifrimit të Alfabetit Mors, “avaz” që kuptohet kollaj nga të zotët e stanit, të “konakut”, nga banorët e fisit, mëhallës apo fshatit, ku ka ndodhur diçkaja e duhen marrë masa për të dalë nga rreziku. Po ashtu, “Balada e Rexhës”, duke pasur një temë specifike por prekëse është përgjithësuar për shkak të dhimbjes që i shkakton dëgjuesit apo lexuesit: “Çou Rexho, çou djalo…, dhëndrri- kali e gjuan, e vret (apo pela a pelat).

2. Qemal Haxhihasani, strukturalisti i baladave popullore

Qemal Haxhihasani (16 shkurt 1916 - 1 shkurt 1992) na ka dhënë një ndihmesë të çmuar për përgatitjen dhe botimin e baladadave, sidomos për strukturimin e tyre në punën me skedat sipas zërave (jo thjeshtë në aspektin e lehtësisë së veprimit por, patjetër, kualitetit të veprimtarisë kërkimore gjatë ekspeditave në terren dhe studimit në “laborator”).

Sipas shkencës së bibliotekonomisë, përgatitësi ka pothuaj të njëjtën përgjegjësi e rëndësi që ka vetë autori, pastaj vjen përkthyesi, më tej redaktori, recensenti në vijim, korrektori e me radhë stafi realizues i materialit libër për botim. Haxhihasani, duke e patur shumë të qartë që baladat popullore (sikurse folkori në tërësi) nuk kanë redaktor, se s’mund të pranojnë, pasi shket në foklorizëm, u përkushtua si ai me një ndershmëri profesionale shembullore, saqë, qysh në gjallje e cilësonin ekspert i letërsisë popullore shqiptare (në Sektorin e Prozës e të Poezisë Popullore), eksplorues, gjurmues, hulumtues i pasionuar i terrenit, udhëheqës i ditur dhe i palodhur i fushës që rrokte studimtaria e tij. Dha kontribut të çmuar edhe si historian i folkloristikës shqiptare. Është vlerësuar për vitalitetin model si shembull i përkryer i punëtorit të jashtëzakonshëm. Është gur themeli e gur qosheli për ndërtimin e korpusit të folkorit tonë sipas gjinive. Ai ka bërë degëzimin e baladave në dy ndarje kryesore: balada legjendare dhe balada realiste. Dukshëm vihet re logjika e shkencëtarit për studime në rrafsh krahasues, për shprehje të rrjedhshme dhe komunikuese edhe në trajtesat për Zef Jubanin (Ndokilia) (1818 [1820]-1880) e Thimi Mitkon (1820-1890), dy fillimtarët e folkoristikës shqiptare. Ndër kërkimet folkorike të Jubanit, Haxhihasani ka qëmtuar edhe për baladat popullore (Rilindasi shkodran qe i pari folklorist i shek. XIX dhe që mblodhi e regjistroi edhe njësi folkorike baladeske, i përgati për botim, por lumi Kir ia rrëmbeu vëllimin në vërshimin rrëmimtar të 13 janarit 1866 për Shkodër Loken…). E megjithatë Jubani la. Haxhihasani, me kumtesat e artikujt për kontributin e Jubanit në folkoristikën shqiptare, ka vënë në dukje rolin e tij të veçantë si me materialet folkorike që mblodhi, ashtu edhe me mendimet që formuloi rreth vlerës së folkorit dhe baladës, sidomos për edukimin moral të tyre apo për studimin e Jubanit “Kundrime mbi gjendjen morale dhe mbi kulturën intelektuale të popullit shqiptar” (shih: Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare, Trieste, 1871).

Skedat dhe dorëshkrimet e pabotuara, (që ndodhen në Arkivin e Folkorit Letrar të QSA, Tiranë, në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit si dhe në Institutin e Gjuhësisë), janë thesar i paçmuar, që ai na la. Për gjysmë shekulli kërkime në terren, ai mblodhi perlat e gurrës popullore edhe në lëmin e baladave. Ato margaritarë epiko-lirikë të popullit të tij, i përgatiti dhe i botoi në vëllimin “Balada popullore shqiptare[4], një libër i ndërtuar mbi bazën e kritereve të mirëfillta shkencore, formatuar sipas standarteve akademike, pajisur me shënime, me një aparat të pasur bibliografik, me fjalorth, indeks të personazheve dhe toponimeve në tekst, me shënime në fund të çdo njësie folkorike të botuar, me burimet e lëndës: të botuara dhe të pabotuara, me 18 ilustrime personazheve, të figurave mitologjike, vendeve të ngjarjeve, ndodhive, mjeteve, etj., realizuar nga piktori Gazmend Leka. Libri “Balada popullore shqiptare”, përgatitur nga Haxhihasani u botua në vitin 1982, ka 183 faqe, në të cilin ai ka bërë dhe parathënien e librit.

Në tekst janë përfshirë 60 balada, të cilat përgatitësi në kreun e parë ka përfshirë 15 njësi, që i përkasin degëzimit me emërtimin balada legjendare dhe nëntitullin “I ra mjegulla Bunës”. Baladat: “Jam e bij’ e hënës”, “Zërat dhe hijet e natës”, “Kostandini e Garentina”, “Kostandini i vogël” dhe “Olimpia dhe Vllastari” e kanë burimin ndër arbëreshët e Italisë; “I ra mjegulla Bunës” është mbledhur në Shkodër, “Tre vëllezër kaha Lluri” ka shënimin: Rokë-Llur, qytet i vogël në Çamërinë e Jugut, ndërmjet Prevezës dhe Filipiadhës (Greqi), “Kënga e Dhoqinës”, [pa vend regjistrimi], “Kënga e Ymer Agos” nga Nivani-Gjirokastër, “More Gjino, trim’ i mirë” vjen nga Labova e Madhe - Tepelenë, “Gjon Pretika” është mbledhur në Mirditë, “Met ni nan’ me di jetima”, Gojan-Mirditë; “E motra e Agës Hasan Ag’ bahet qyqe”, vjen nga Thethi-Shkodër dhe kryebalada legjendare: “Trim mbi trima njaj Gjergj Elez Alia” vjen nga Veriu me 188 vargje.

Kreu i dytë ka degëzimin e baladave realiste me nëntitullin “Mbeçë more shokë mbeçë”, ku përfshihen 40 balada, sipas kësaj nënndarjeje:

a. Balada realiste historike 5 njësi dhe përkatësisht: “Milo Shini dhe Ali Begu”, “E bukura, i varfëri dhe kali”, “Dedë Skura”, “Pal Golemi” [të katra të mbledhura ndër Arbëreshët e Italisë] dhe “Petro Kapedani” mbledhur në Pogradec;

b. Balada realiste-Marrëdhënie familjare me 13 njësi folkorike, nga të cilat “Trimi që vdes” [Arbëreshët e Italisë], e mirënjohura “Mbeçë more shokë mbeçë [Dhëmblan-Tepelenë], “Ç’po këndon nji zog i zi”[Veri], “Ndër dy male me dëborë” [Jug], “Fluturon një zog i zi” [Muriqan-Shkodër], “Ç’u këput nji buz’ prej malit” [Shkodër], “Krisi pushka bregut Drinit” [pvr], “Vjen një lum i turbull-o” [Këlcyrë-Përmet], “Na i erdh një letër trimit” [Arbëreshët e Italisë], “Djali dolli derënë” [Çamëri], “Ka p’e nisim grigjen sot?” [Shestan-Krajë], “Vriten e priten dy male” [Krajë], si dhe “Jan’ dy motra pa vëlla” [Shestan-Krajë];

c. Balada realiste dashurie me 17 njësi, nga të cilat, baladën “Tanë, Tan’ e zeza Tanë”, ndër më të mirënjohurat në krahinënë e madhe etnografike të Toskërisë e më gjerë, përgatitësi e ka sjellë me variantin e mbledhur në Mallakastër. “Kajka e çobaneshës” është mbledhur në Karaçevë e Epërme-Kosovë, “Goditja e nerënxës” [Arbëreshët e Italisë], “Mori drandofillja e bardhë” dhe “Ndër dega të ftonit t’butë”[Shkodër],  Ndër gropat e Shkodër-asë” [Obot-Shkodër], “Mori mollkuqeja mollë” [Shestan-Krajë], “U zu djali n’ rrog’ me ‘i vashë” [Ljarje-Shestan], balada e gjatë me 202 vargje “Ashike Imeri e Begzadja e Bardhë” [Rrilë-Lezhë], “Mrikalem shoqeja jonë” [Ftijan-Krajë], “O Rumije bjeshk’ e naltë” [Shestan-Krajë], “Larg ma livdojshin nji vashë”[ Oblikë- Shkodër], “Erdh ania nga mezi detit” [Arbëreshët e Italisë],  N’drras’ të vekit kush po kan?” [Llukë e Epërme-Gjakovë], “Do të dal moj nënë, do të dal nga malet” dhe “Shokë, bimëni jongarë” [Jug] dhe “Dolla në buzë t’avllisë” [Çorraj-Sarandë];

ç. Balada realiste të ndryshme me 5 njësi, nga të cilat “Qerime, çup’ e parritur” ka vend regjistrimi Beratin, “Shkapërceva dy tri male” [Shkodër], “Zënia e krushqëve” me 147 vargje në Kamenicë-Kosovë, “Blegërin delja në mal” [Krajë], si dhe e veçanta “Çou Rexh’ se ka dal’drita” me 44 vargje është mbledhur në Shkodër;

Kreu i tretë titullohet “Balada të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të Ndërtimit Socialist” dhe ka nëntitullin “Kur më merr malli për tyjë”, ku përfshihen 5 balada dhe përkatësisht “Rrëzë malit në një zallë” [Pogradec], “Dit’ e dit’ me radhë” [Gorë-Korçë], “Llesh Palit” [Zejmen-Lezhë, 1956], “Të përcollën nënë’ e nuse” [Sheper-Gjirokastër] dhe “Kur më merr malli për tyjë” [Dukat, Vlorë].

Edhe pse me kulturë perëndimore (i arsimuar në Itali, njohës i disa gjuhëve të huaja, nuk u lejua të merrte pjesë në asnjë ekspeditë kërkimore matanë Shqipërisë zyrtare rrethuar me shqiptarë e jo më në Europë, ku e kërkonin edhe si ekspert të baladave.

 

Me botimin e këtyre baladave, përgatitësi u ka selitur brezave krenarinë kombëtare të shpirtit të pasur të krijimtarisë popullore përgjatë shekujve, se, edhe sipas tij, që kur bota është zënë edhe shqiptari këtu ka qenë, në trojet e tij. Qemal Haxhihasani ishte një Gjolekë i Folkoristikës shqiptare. Zenel Gjon Leka (Gjoleka, 1806-1852), për një çerek shekulli luftime, ka qenë një kryekapedan i kryengritjeve popullore antiosmane të Shqipërisë së Jugut … Më l852, kur malazezët sulmuan Shkodrën nga veriu dhe nga jugu i liqenit të saj, Gjolekën e shohim duke nxituar drejt Veriperëndimit të Shqipërisë në krye të mijëra labërve të armatosur për mbrojtjen e trojeve shqiptare që rrezikoheshin nga shovenët malazezë. Zhvilloi luftime të ashpra, por vritet në pabesi në një kurth në shkallën e Kerstiqit afër Podgoricës. Atje edhe u varros nga bashkëluftëtarët e tij, afër kullës së Oso Kukës, ku gjendet ende varri i tij. Në hartën folkorike të Shqipërisë Mbijugore, në krahinën e Labërisë ka mbi një shekull e gjysmë, afro dy, që është kënduar, dëgjuar e (kur u futën në përdorim aparatet regjistruese) regjistruar edhe kjo njësi foklorike: “U trete, Gjolek’, u trete,/ po sos u trete për vete,/ po për gjithë vilajete…/ - Pse lëfton, a derëzì?! - As për mua, as për tì,/ po për gjithë Shqipëri…”. Kjo këngë i kushtohet bëmave heroike të njërit nga bijtë e shpatës shqiptare, njërit nga kryetrimat e kryengritjeve popullore kundër perandorisë së rëndë e të vjetër osmane, kapedan Zenel Gjonlekës (Gjolekës me këngë e me histori). Në një trajtë tjetër, vështruar në kontekst, kjo këngë i rri mirë e bukur profilit të profesorit të madh, të paharruarit Qemal Haxhihasani, që është një Gjolekë i etnologjisë, kapedan i folkorit shqiptar, zot i baladës popullore shqiptare, sikurse në vijim Sadri Fetiu (1942 - ) në Kosovë. Haxhihasani dhe Fetiu janë marrë veçanërisht me studimin e poetikës së baladës popullore shqiptare, janë ndër nismëtarët e studimeve krahasimtare për baladën shqiptare Brenda traditës ballkanike dhe për praninë e saj në letërsinë e shkruar. Në botimet e nivelit akademik, në trajtimin e zërit balada shkruhet: “Midis botimeve më të rëndësishme janë vëllimet e përgatitura nga A. Çetta me titull “Balada e legjenda” (Prishtinë, 1974) dhe nga Q. Haxhihasani me titull “Balada popullore shqiptare” (Tiranë, 1982)”[5]

2. Studimet e Haxhihasanit për baladën popullore shqiptare

Në vëllimin me balada popullore shqiptare, përgatitur nga Qemal Haxhihasani ndihet, pa u dukur, dora e mjeshtrit. Në këtë vëllim përgatitësi na ka paraqitur një tufë prej 60 baladash karakteristike të folkorit tonë. Në zgjedhjen e tyre është pasur kujdes të përfshihen balada të ndryshme: balada legjendare, që bëjnë fjalë për rite, doke (zakone), ngjarje të hershme sikurse janë ato me elemente mitologjike, për sakrificën njerëzore, vëllanë e vdekur, rinjohjen; balada për ngjarje e personazhe historikë; balada me karakter erotiko-dashuror, baritor, etj. Vihet re se përgatitësi ka pasur kujdes gjithashtu të ketë gjeografi krijimi në këtë përmbledhje me balada popullore, duke u përfaqësuar trevat e ndryshme të truallit kombëtar, brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë, dhe ato të arbëreshëve të Italisë. Ndër të tjera, në parathënien e librit, studiuesi trajton interesin që tregohet ndaj këtij lloj krijimi specifik popullor: “Balada si lloj i veçantë poetik, ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e folkoristëve, të shkrimtarëve dhe të kritikës letrare, - shkruan ai. - Tekste baladash kanë qenë botuar në përmbledhjet tona të mëparshme, ndonëse, shpesh herë, pa ndonjë emërtim të veçantë”[6]. Nga Haxhihasani marrim informacion se, mbas Çlirimit në Shqipëri janë zhvilluar kërkime për të zgjeruar rrethin e temave dhe të motërzimeve të tyre, janë botuar në vëllime të ndryshme tekste baladash. Dhe përmend, sipas rendit kronologjik, dy nga botimet e Institutit të Shkencave “Këngë popullore lirike”, Tiranë, 1955 dhe “Këngë popullore legjendare”, 1965; të Institutit të Folkorit (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit) “Këngë popullore (me nota), Tiranë, 1964 dhe “Festivali folkorik kombëtar nr.3”, Tiranë, 1975; të Institutit Albanologjik të Prishtinës, “Balada dhe legjenda” përgatitur nga Anton Çetta, Prishtinë, 1974 dhe botimin e revistës “Kultura Popullore”, nr. 2, 1980. Përveç regjistrimeve të tij gjatë ekspeditave në terren, ka gjurmuar dhe në botimet me autorë si “Poezia popullore arbëreshe” nga Zijaudin Kodra, Tiranë, 1954, “Kënga e popullit” e Dhimitër S. Shuteriqit, Tiranë, 1955; “Këndon fusha dhe malsia” nga Dedë Ndue Lazri, Tiranë, 1967. Ai ka shfrytëzuar dhe materialete pabotuara të Arkivit të Institutit të Kulturës Popullore (sot IAKSA) nga Filip Spiru, nga Jorgo Panajoti “Këngë popullore të rrethit të Korçës” dhe nga Tomorr Starova “Këngë popullore të rrethit të Pogradecit”. Megjithatë ende nuk ishte përballuar në shkallën e duhur rrethi i problemeve të shumta që paraqeste kjo traditë e rëndësishme artistike, që nga pasura e saj me përcaktimin e qartë të specifikës përkatëse, problemet e gjenezës, të zhvillimit historik, të përmbajtjes, funksionimit shoqëror, strukturës artistike, karakterit kombëtar dhe sidomos afrive të baladave tona me ato të popujve të tjerë, fushë për të cilën studiuesi Q. Haxhihasani, për kohën, ka rol të dorës së parë, falë dhe faktit që ai qe polyglot, njohës i shkëlqyer i kulturës në tërësi dhe hollësisht i baladave popullore ballkanike, mesdhetare, europiane e më gjerë. Balada ka veçoritë e veta karaktersitike në përmbajtje dhe në mjetet e shprehjes. Por, sipas tij, këto veçori nuk janë konceptuar në çdo kohë dhe në çdo vend në mënyrë të njëjtë. Ai bën këtë spjegim: “Në fillim balada kuptohej si një këngë që shoqërohej me valle (këndej edhe origjina e emrit të saj, nga ballare= vallëzoj). Në poezinë popullore të vendeve nordike balada konceptohej si një këngë që bënte fjalë për ngjarje me karakter historik legjendar. Me një vështrim të afërt janë përdorur edhe emërtimet balada kalorësiake, balada heroike”[7] etj. Nga historia e baladës dimë se zhvillim të veçantë balada mori në periudhën e romantizmit. Në letërsinë shkencore të disa vendeve, kuptimi i baladës është zgjeruar, duke përfshirë me këtë emër pothuaj çdo lloj kënge me karakter tregimtar (balada legjendare, rituale, kundër shtypjes e shfrytëzimit feudal, balada kaçakësh, etj. Emërtime të kësaj natyre janë përdorur ndonjëherë edhe për tema të veçanta të folkorit shqiptar. Është quajtur nga ndonjë studiues p.sh. Kënga e Luftës së Kosovës (1389) si baladë e vjetër shqiptare, janë quajtur balada Këngët e kreshnikëve, ndonjë këngë me subjekt nga historia.

Duke hulumtuar në përcaktimin e specifikës së baladës, Haxhihasani bën një zbërthim më të gjerë për këtë krijim popullor epiko-lirik në vargje me karakter tregimtar, ku vend të veçantë zë elementi i jashtëzakonshëm. Ai sqaron se balada kuptohet si një këngë që bën fjalë për ngjarje të jashtëzakonshme me karakter dramatik, të cilat zhvillohen me elemente mallëngjyesee dhe me një perspektivë tragjike. Paraqitja e ngjarjeve të tilla ka futur në strukturën e baladës karakterin tregues, karakterin epik. Por zhvillimi i ngjarjeve në baladë karakterizohet edhe nga një shtjellim emocional lirik, që tërheq vëmendjen e dëgjuesve, lidhur me çastet dramatike të aksionit. Nga tërësia e këtyre veçorive të përmbajtjes dhe e mjeteve specifike shprehëse të saj balada dallohet si një krijim në të cilin lozin rol të dy aspektet - si ai epik, ashtu edhe ai lirik, si një krijim me karakter epiko-lirik ose liriko-epik sipas shkallës së së zotërimit të njerit ose tjetrit aspekt. Veçori tjetër e qenësishme e baladës, që kushtëzohet nga mbarimi shpesh herë tragjik i ngjarjeve, sipas Haxhihasanit, është karakteri i saj elegjiak. E rrit efektin emocional të baladës edhe interpretimi muzikor, që realizohet nëpërmjet jonesh, zakonisht mallëngjenjëse, prekëse, elegjiake, të cilat përputhen në mënyrë organike me karakterin dramatik të tekstit.

“Në strukturën poetike-stilistike të baladës, - shkruan studiuesi - hyjnë skema e formula që janë  përpunuar nëpërmjet një përvoje artistike tradicionale”[8] dhe shtjellon më tej idenë se subjekti i baladës zhvillohet me një paraqitje lapidare të ngjarjeve, me elemente përshkruese që venë në reliev çastet kulmore të tyre. Ndihmon në këtë paraqitje forma e dialogut, që shpesh herë përbën një mjet themelor të skrukturës së baladës. Ndihmojnë gjithashtu disa formulësime specifike si p.sh. shoqërimi i tekstit me refrene ritmike; disa figura, epitete etj., që dallohen nga një forcë përgjithësuese artistike me vlera të mëdha.

Shprehje artistike e aspiratave të popullit për t’u çliruar nga forcat e errëta, zgjedha e pushtuesve të huaj dhe shfrytëzuesve vendorë, balada, sado me rrugë të tërthorta dhe me nota të theksuara elegjiake, mishëron ndjenja dhe aspirat të mëdha popullore. Ajo ka ndikuar në forcimin e dashurisë për vendin, për familjen, ka mbajtur optimizmin popullor, qëndresën e paepur ndaj forcave regresive që bëhen shkak për fatkeqësi e vuajtje te njerëzit.

Baladën tonë, veç temave me karakter legjendar, e kanë frymëzuar rrethanat historike të popullit tonë: mbetja e luftëtarëve nëpër fushat e betejës si në këngët e dhembshme arbëreshe të Pal Golemit, Nik Petës, Dedë Skurës; pritjet plot ankth për kthimin e luftëtarëve si te Duall e bukura në derë; mbetja e heroit larg vendit, në shkretëtirat e Arabisë, si te kënga monumentale Mbeçë more shokë mbeçë. E kanë frymëzuar baladën tonë ngjarje të dhimbshme familjare, si balada e Rexhos, e Selman Likës, etj. Baladën tonë e ka frymëzuar ajo botë e brendshme e pastër dhe e fuqishme e të rinjve, e cila, në kundërshtim me barrikadat e normave të moralit patriakal, ka thënë fjalën e saj në krijime të përsosura artistike, sikurse tregojnë baladat tona të dashurisë, të rrëmbimit, të vajtimit të të dashurve etj.

Haxhihasani është i mendimit se baladat, me përmbajtjen, ndërtimin artistik, pasurinë e motiveve dhe të elementëve kulturore që sjellin, paraqesin një interes të veçantë për folkoristikën shqiptare. Në to rrjedh bota psikologjike e popullit tonë, vetitë morale, doket e zakonet tona, shprehen me nota të qarta elemente të jetës dhe të kulturës sonë kombëtare. Kështu ndodh në baladën e Dhoqinës, në atë të kthimit të Ago Ymerit etj., spikat forca e jashtëzakonshme me të cilën jeton në traditat tona mbajtja e besës. Te baladat e rinjohjes motër e vëlla, sado larg që e nxjerrin rrethanat e jetës heroin, ai do të kthehet një ditë sërish në gjirin e vendit dhe të familjes së tij. Në figurat e Ago Ymerit, të Kostandinit dhe të Halil Garrisë shfaqen veti që janë karakteristike të popullit tonë si mbajtja e fjalës së dhënë, nderimi dhe mirënjohja ndaj mikut; në dialogun e vjehrrës me nuset, te balada e murimit, ndjehet jeta jonë e brendshme familjare, ashtu siç shprehet dashuria e ngrohtë midis vëllait dhe motrës te kënga e Gjergj Elez Alisë, te Halil Garria etj. Elemente të tilla të mjedisit dhe të botëkuptimit shqiptar gjenden pothuaj në të gjitha baladat tona.

Duke trajtuar motive me karakter universal, siç janë p.sh. dashuria midis burrit e gruas, motrës e vëllait, zakonit të flijimit nëpër kështjella e ura, rënien e trimit në vise të largëta, baladat kanë gjetur një përhapje të gjerë mbarëshqiptare. Këngët e murimit, të Ago Ymerit, të rinjohjes motër e vëlla rrojnë ende, kanë jetë aktive ndër krahinat shqiptare me variante. Sipas folkoristit Q. Haxhihasani, kjo tregon se temat e tyre janë jehonë problemesh të përgjithshme, që kanë shqetësuar krejt popullin. Në ndonjërën prej tyre, si në baladën e rënies së trimit larg vendit, përgjithësohen ndjenja të mëdha të lindura në kushte të përbashkëta historike; në ndonjë tjetër, si p.sh. te balada për Rexhon, sado që trajtohet një ngjarje e veçuar ose tepër e rrallë, përgjithësohet një ndjenjë e dhimbshme. Tema të tilla të rrëmbejnë me qëndrimin që mbahet ndaj kësaj apo asaj dukurie, me tipizimin e saj si një ndjenjë e gjerë kolektive; prandaj, pavarësisht nga burimi i ngjarjeve, nga mënyra e trajtimit artistik, ose mënyra e të kënduarit, ato bëhen të përgjithshme.

2.1. Baladat e arbëreshëve të Italisë sipas folkoristit shqiptar

Një çështje më vete në kërkimin shkencor dhe studimtarinë e Haxhihasanit përbëjnë baladat që jetojnë gjerësisht edhe tek arbëreshët e Italisë, të cilët, duke u larguar nga vendlindja në rrethana të caktuara historike, edhe pse humbën atdheun, morën me vete thesarin e trashëgimisë së tyre artistiko-kulturore. Kjo trashëgimi e çmuar, veç të tjerash, shërben për ne si një dëshmi e rëndësishme e ekzistencës së shumë temave të baladave tona që në shek. XV. Haxhihasani ka mendimin se, duke u bazuar në folkorin arbëresh, që u krijua me siguri para mërgimit, ne mund të themi se këto tema baladash, që qarkullojnë edhe në vise të tjera të Ballkanit, kanë qenë kënduar në vatrat shqiptare, të paktën pesë shekuj më parë e më shumë. Ekzistenca e baladave arbëreshe na ndihmon të plotësojmë kuadrin tematik të baladave shqiptare me subjekte që kanë humbur në truallin e atdheut, në kushtet e krijuara nga pushtimi otoman. Pikërsht për këtë arsye janë përfshirë në vëllimin “Balada popullore shqiptare” edhe një numër përkatësisht i madh me këngë nga arbëreshët e Italisë, të cilat i sipërcituam. Veç kësaj, ato na ndihmojnë të rindërtojmë ndonjë tip të hershëm për ato variante që te ne kanë pësuar ndryshime të rëndësishme. Kështu Kostandini i vogël është bërë Ago Ymeri, Kostandini e Garentina - Halil Garria a Hyseni e Fata, etj. Prandaj për ndonjë temë të njohur të këtyre baladave përgatitësi ka vënë në libër edhe variantet arbëreshe për të parë e krahasuar shkallëzimin e këtyre ndryshimeve.

Kushtet e copëtimit feudal kanë ndikuar që temat e baladave, me gjithë karakterin e tyre universal, të lokalizohen shpesh herë në objekte të caktuar historike, duke paraqitur mjedise zakonore (dokesore) të kësaj ose asaj krahine. Kështu p.sh. motivi i murimit lokalizohet në kala e ura të caktuara të krahinave të ndryshme të vendit tonë; balada e flijimit të vëllait të vdekur në Jug krijon një efekt të veçantë psikologjik me heronjtë e saj Kostandinin e Dhoqinën; ndërsa në Veri me mjedisin epik dhe me ngjarjet që shtjellohen rreth Halil Garrisë e së motrës etj. Kjo ka ndihmuar në krijimin e një numri të gjerë motërzimesh me karaktersitika pjesërisht të veçanta, motërzime që kanë shtuar larminë e motiveve, kanë zgjeruar pasurinë e këtyre këngëve.

Shtegtimi nëpër shekuj në rrugën gojore u ka sjellë baladave ndryshime të rëndësishme në ndërtimin e tyre artistik. Gjatë këtij udhëtimi ato janë përzier me elemente të reja, që lidhen me çaste historike të caktuara, kanë fituar shtresime elementesh të reja social-kulturore. Kënga e Ago Ymerit, që mendohet se ka në bazë të motivit të saj, sipas disa studiuesve, kthimin e Odisesë, te arbëreshët e Italisë ruan një shtrat mesjetar. Ky mjedis, në kushtet e pushtimit osman, pësoi ndryshime. Heroi i këngës, kudo në truallin shqiptar u bë personazh islamik (i islamizuar) - Aga Imeri a Ymer Aga. Te disa motërzime të kësaj teme janë futur elemente, që mund të sjellin jehonën e ngjarjeve të shek. XVI, sidoms të betejës detare turko-veneciane të Lepantos (1571), ndërsa te disa variante të tjera, elemente që lidhen me ngjarje të shek. XIX (me periudhën e Ali pashë Tepelenës etj.).

Sipas Haxhihasanit, përmbajtja dhe forma artistike e baladave ka lëvizur, me kalimin e kohëve, drejt një rrafshi gjithmonë e më realist. Mjedisi i tyre fantastik dhe zhvillimi i ngjarjeve janë zbutur ose shkarkuar nga elementet mitologjikë; heronjtë që luftojnë për qëllime të larta morale, janë zhveshur nga tipare të mbinatyrshme, ngjarjet janë bërë të afërta me realitetin e jetuar. Kjo është faza e dytë, ajo e bulëzimit të baladës realiste. Megjithëkëtë, edhe në fazën përkatësisht më të vonë të tyre, elementët fantastikë shpesh herë nuk mungojnë. Në një fazë të tillë ato nuk luajnë më rolin e tyre të dikurshëm, por u përgjigjen funksioneve të tjera, kryesisht të natyrës stilistike. Kështu p.sh. Aishe Imeri dhe Begzadja e Bardhë, pas pamundësisë së realizimit të dashurisë së tyre, shndërrohen në mollë e dardhë, e motra e Agës Hasan agë, nga dhembja e thellë për humbjen e vëllait kthehet në qyqe etj. Këto elemente nuk zenë një vend qendror në këto këngë, nuk shtjellohen si qëllim në vetvete a si motive bazë për të paraqitur idenë e metamorfozës, por gërshetohen si mjete artistike për forcimin e idesë qendrore, për të nxjerrë më mirë në pah p.sh. ndjenjat e pastra dhe të fuqishme të dashurisë. Një funksion të tillë ka edhe “vuvosja e kallogreve” te balada e Gjino Vakut, ose ndërhyrja e zogjve fatidikë a rënia e shiut me gjak në këngën e Ali Borxhalisë. Baladat tona tërheqin vëmendjen me elementët e një mjedisi të ngrohtë fshatar dhe sidomos blegtoral. Nuk mungojnë në to edhe elemente të një jete që zhvillohet në mjedise pune ku ndërtohen vepra me përpasa të mëdha (kala e ura), në mjedise qytetesh me “dugaj e reshperi”, “mëndafsha e kaftana me ar”, me lundrime të dendura nëpër mjedise detare etj…

Një vëmendje tërheqin veçoritë e ndërtimit artistik të baladave. Baladat e Jugut janë zakonisht të shkurtra. Këtu mund të ketë lozur rol edhe mënyra e të kënduarit në stilin polifonik që kërkon një tekst sa më të përmbledhur e konciz. Të tilla janë edhe këngët e arbëreshëve të Italisë. Këngët e Veriut kanë një shtjellim më të gjerë, gjë që favorizohet nga karakteri recitativ i melodisë dhe shoqërimi i tyre instrumental solistik. Baladat janë ndërtuar me vargun tetërrokësh dhe rrallë me gjashtërrokëshin. Në disa balada të Veriut, që shkojnë në traditën e rapsodive, zotëron dhjetërrokëshi. Rima në baladat nuk është element i konsoliduar. Ka balada ku dalin aty këtu dhe rima të puthura aa bb, por prania e tyre nuk është e qëndrueshme. Si krijme të hershme, ato në fillimet e tyre, duhet të kenë qenë ndërtuar me vargje të bardhë. Për këtë fakt falsin edhe baladat arbëreshe, të cilat janë në përgjithësi pa rime.

3. Balada e Tanës sipas Haxhihasanit dhe variante

Balada e Tanës është një nga ato krijime të vjetra popullore që ende pëlqehen nga komunitete të caktuara dhe bëjnë jetë aktive folkorike, sidomos në malësitë e Labërisë së Lumit të Vlorës. Është intersante me motive dhe elementët e hershëm social-kulturorë që sjellin në përmbajtjen e tekstit. Tek “Tana” ruhen motive muzikore me interes për origjinalitetin dhe karakterin e tyre të lashtë, madje forcohen tiparet e baladës kryesisht nëpërmjet joneve të tyre arkaike. Në tekst balada “Tanë, Tan’ e zeza Tanë” është njësia folklorike nr. 34, ndodhet në faqen 111, ka 9 vargje tetërrokësh, me rimë të puthur, regjistruar në Mallakastër. Ja teksti: “Tanë, Tan’ e zeza Tanë,/ ngreu e zgjuaj babanë,/ se dhënt’ tona shkuan e vanë./ Te lisi në breg-o janë;/ qen’ e zi të madh e vranë,/ dashn’ ogiç për hell e kanë. [1]/ Osh asllan, osh kapllan, [2]/ veshandeze [3] ku të kam?/ Sot për sot se t’shkoj yt zot.”. Ka tre shënime në fund të këngës, ku studiuesi sqaron se, [1] sipas legjendës këto fjalë ia tha bariu me fyell vajzës së të zotit të dhenëve. Bariu, djalë i bukur, duhesh me vajzën. Kaq e zjarrtë qe dashuria e tyre sa merreshin vesh me njëri-tjetrin nëpërmjet joneve të fyellit. Bariun e kishin marrë bashkë me dhentë. I lidhur pas një lisi, ai kërkon ta çlirojnë për t’i rënë pak fyellit. Nga jonet e tij vajza kupton se ç’i kish ndodhur dhe lajmëron njerëzit e saj, të cilët u dalin përpara dhe shpëtojnë dhentë dhe bariun. [2, 3] figura mitologjike (qënie të mbinatyrshme shumë të shpejta) me të cilat arrin dhentë. Në sotshmëri, paraqet shumë interes materiali origjinal i mbledhur, regjstruar dhe botuar nga studiuesi B. Gaçe për baladën e Tanës. Nga gjurmimet e bëra në trevën e Lumit të Vlorës, profesor Gaçe shkruan: “…kjo baladë, ende bën jetë folkorike në Lapardha: “Dola në Valë te tënda” etj. Sipas regjistrimeve që janë bërë edhe nga Instituti i Kulturës Popullore (sot IAKSA) në Tiranë, variante të kësaj balade janë gjetur edhe në Drashovicë, 1959, “Tyryry moj Qyranë”, Kuç më 1947, “Tanë, moj Tanë” në Bolenë, më 1967, “Zgjuaj nënën dhe babanë” e po në këtë variant është gjetur edhe në fshatin Mavrovë në vitin 1967… Krahas kushtrimit që jep bariu në malet e Lumit të Vlorës, fyelli është një element tjetër që është përdorur për t’i transmentuar vajzës së të zotit të bagëtisë, ngjarjen, ndodhinë.  Në fshatin Tërbaç thuhet se bariu dilte në mal të Çikës dhe i binte fyellit. Tana e kuptonte çdo melodi të fyellit ku thosh: “Po çoj dhentë për ujë”, “Të vinë e të marrin qumështin e bagëtisë”, “Do të qethen dhëntë”, “Më sillni bukë e gjë[9]. Një variant sjell poeti popullor Feti Brahimi (Lapardha, 1940, me arsim të mesëm, regjistrim i vitit 1987): “Dola përjashta në shkallë,/ bie fyelli me të qarë,/ o çoban, more çoban,/ çdo avas bie një fjalë,/ zgjuaj nënën dhe babanë,/ se dhënt’ i muarr e vanë,/ në Luk të Shtogut i kanë,/ Korbecin në shtrung’ e vranë,/ dash larash në hell e mbanë./ - Mirë ta mora xhevapnë, / Tanë, moj e zeza Tanë,/ tri herë e fala çiraknë,/ u nisnë me kuaj revan,/ e kaptuan Millonanë./- Mos u merakos,             moj Tanë,/ unë mirë e shëndosh jam,/ hajdutët i zum’ të gjallë”. Në vijim, studiuesi sjell tregimin e një varianti tjetër të baladës së Tanës, regjistruar në Tërbaç, sipas bartësit Rexhep Abazi (1935-2009) me arsim të lartë që lokalizohet në shpatet e malit të Çikës. “Çobanin e thërrasin dylmer. Sipas vargjeve të kësaj balade, por edhe sipas rrëfimeve, në malin e Çikës, në vendin e quajtur Zalli i Qyranës (Vathertop), ndodhet edhe shpella e Qyranës. Limeri i bagëtisë së babait të Tanës ishte në vendin e quajtur Peshnjë. Dylmeri (bariu) dilte në shteg të Peshnjës dhe i binte fyellit. Këtu bie në sy diferencimi klasor midis bariut (dylmerit) dhe vajzës (e bija e agait). Sipas kësaj balade Tana ishte nga Tërbaçi, ndërsa hajdutët vinin nga Bregu i Detit”. Në tekst vijnë dhe variante të tjera të mbedhura në fshatin Kallarat, në Vërmik etj. Sipas studiuesit Q. Haxhihasani, të tjera momente të përbashkëta, në shtjellimin e varianteve të kësaj balade, janë sulmi dhe qëndresa[10]

4. Mendimi i tij, pikë reference për studiuesit e tjerë të baladës

Nga sa kemi vënë re, studiuesi Haxhihasani ka përdorur një terminologji të përcaktuar mirë, korrekte dhe të përpiktë në fushën e shkencës së folkoristikës dhe bijëzave të saj, siç është dhe studimataria e baladës popullore shqiptare. Si metodist i shquar dhe i plotësuar me dije, gjuhën e tij profesionale ua mëkoi studentëve, vartësve, kolegëve për t’u zhvilluar. Me këtë gjuhë kam verë re të flasin profesorët e mi të ditur në IAKSA, Tiranë, dhe specialistët e fushës, të cilët e pasurojnë vazhdimisht gjuhën standarte shkencore. Këtë gjuhë mundohemi të përdorim dhe ne dhe t’i çojmë më tej arritjet e pararendësve tanë të etnologjisë dhe folkorit shqiptar. Rrugën e tij kërkimore-shkencore, edhe në nëndisplinën e baladës, e vijojnë denjësisht me veprat përkatëse studiues të tjerë të njohur si Agron Xhagolli[11], Miaser Dibra[12], Bardhosh Gaçe[13] në Shqipëri, Sadri Fetiu[14] e Arbnora Dushi[15] në Kosovë, Ismail Doda për baladën shqiptare  nga Mali i Zi[16], etj.

5. Përfundime

Gjykojmë se njohja, përhapja, vlerësimi, gjykimi saktë e i thelluar i veprës së tij janë domosdoshmëri në praktikën e një trupe akademike, në mbështetje të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Botimi i Baladave popullore shqiptare nga Q. Haxhihasani ka vlera njohëse, etiko-morale, edukative e artistike. Disa njësi folkoristike të skeduara si balada ende kanë mirësinë t’i sjellin komunitetit dobi, argëtim artistik e kënaqësi estetike, duke u etiketuar në folkorin aktiv, që përfshihet, që qarkullon, që praktikohet në jetën e përditshme, si një nga mënyrat e komunikimit të ngrohtë midis banorëve që e aplikojnë një një hapësirë të caktuar në një kohë të caktuar, si pjesëz e artit më demokratik, siç është folkori. Ndërkohë, një pjesë jo e pakët e baladave janë kthyer në folkor pasiv, që nuk praktikohet në jetën e përditshme, por ruhet në arkiva, shkruar e regjistruar, duke ruajtur autenticitetin, falë punës titanike të Haxhihasanit, specialistit të zotë dhe idealistit të rrallë, që punoi për të tjerët, për Shqipëri e një jetë të tërë e bëri volume e volume të tëra, të botuara e të pabotuara ende.

Një veçori e rrallë e tij qe se komunikonte si i barabartë me kolegët e huaj ai. Formatimi i tij shkencor tërhoqi vëmendjen e personaliteteve europiane të fushës, si Lamberc, Foki, etj. Mendimi i tij merrej si pikë reference në studimin e kulturës së popujve të Europës Juglindore. Ai qe i veçantë. Si ata burrat e rrallë të antikitetit, të rëndë nga dituria. Qemal Haxhihasani iku si një Nestor i pambarimtë për etnologjinë, folkorin shqiptar e albanologjinë. Nga Qendra Ndërkombëtare e Bibliografisë me qendër në Gjermani, ai njihet dhe është vlerësuar si bibliograf i mirëfilltë shkencor në fushën e kulturës popullore. Bibliografia e botimeve të tij arrin shifrën 275 tituj apo zëra brenda periudhës 53 vjeçare 1938-1991. Bënte krahasim të etnokulturës e folkorit tonë me folkorin dhe kulturën popullore të të tjerëve, me mënyrën e jetesës të banorëve të vendeve të tjera në siujdhesën e Ballkanit, të Mesdheut, të Europës, të vendeve të Lindjes apo të Perëndimit, merrej me studimin e sjelljes shoqërore, strukturës ekonomike dhe fetare të popujve apo, sipas rastit, të grupeve të popujve, të cilat merrnin strukturën e vështrimeve antropologjike të përfillshme.

Në punën kërkimore-shkencore spikat për sensin e qartë shkencor, për saktësinë e regjistrimit, duke respektuar parimin fonetik të bartësve në terren, si dhe për skrupulozitet të shkallës së lartë.

Bibliografia

“BALADA popullore shqiptare”, përgat.: Qemal Haxhihasani, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1982, 183 f.

DIBRA, Miaser, “Metafora në këngët popullore shqiptare”, bot. i ASHSH, IKP, DF, “Nënë Tereza, Tiranë, 2007.

DUSHI, Arbnora, “Folkori përtej kufijve”, Prishtinë, Instituti Albanologjik, 2011, 376 f.

EPIKA Historike”, vëll. 3, bot. i ASHRPSSH, IKP, Tiranë, 1990 [1989].

FETIU, Sabri: “Folkoristikë”, Prishtinë, Instituti Albanologjik, 2009, 463 f.

FJALOR Enciklopedik Shqiptar”, 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, 872 f.

FJALOR i Gjuhës shqipe”, Tiranë, ASHSH, IGJL, 2006, 1252 f.

GAÇE, Bardhosh, “Etnologjia dhe Folkori shqiptar”, Fier, Ymeraj, 2016, 347 f.

GAÇE, Bardhosh, “Kënga popullore e Lumit të Vlorës”, Tiranë, Toena, 2009, 184 f.

GJURMIME albanologjike, Folkor dhe etnologjiPrishtinë, Instituti Albanologjik, 44/ 2014, 374 f.

HABAZAJ, Albert, “Lufta e Vlorës, historia në epikën historike”, Tiranë, Neraida, 2016, 2016 f. 256.

HAXHIHASANI, Qemal: “Çështje të folklorit shqiptar, nr. 4”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1988.

IDENTITETI kulturor shqiptar në 100 vjet”, Tiranë, Botimet albanologjike, 2013, 463 f.

“KËNGË popullore historike” Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, 1956, 408 f.

 

KULTURA popullore”, ASHRPSSH, IKP, Tiranë, 2/ 1980, 254 f.

 

KULTURA popullore”, ASHRPSSH, IKP, Tiranë, 1/ 1991, viti XII (23), 244 f.

 

QEMAL Haxhiahasani folklorist dhe mësues i rrallë (përmblerdhje artikujsh të kolegëve)”, 254 f.

SHËNIME vetiake gjatë ekspeditave në terren.

 

XHAGOLLI, Agron, “Etnologjia dhe folklori shqiptar”, Triptik, Vlorë, 2007, 302 f.

 

XHAGOLLI, Agron, “Folkori shqiptar në bashkëkohësi”, Tiranë, Botimet albanologjike, [2015], 272 f.



[1] ) Xhagolli, Agron, “Etnologjia dhe folkori shqiptar”, Vlorë, Triptik, 2007, f. 137.

[2] ) “Fjalor i Gjuhës shqipe”, Tiranë, ASHSH, IGJL, 2006, f. 66.

[3] ) Gaçe, Bardhosh: “Etnologjia dhe folkori shqiptar”, Fier, Ymeraj, 2016,  f. 239

[4] ) “Balada popullore shqiptare”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1982, 183 f.

[5] ) “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, zëri përgat.: Safet Hoxha, Tiranë, 2008, f. 160

[6] ) “Balada popullore shqiptare”, përgat.: Qemal Haxhihasani, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1982, f. 3

[7] ) “Balada…”, vep. e cit. f. 4

[8] ) Po aty, f. 5

[9] ) Gaçe, Bardhosh, “Kënga popullore e Lumit të Vlorës”, Tiranë, Toena, 2009, f. 51

[10] ) Haxhihasani, Qemal: “Çështje të folklorit shqiptar, nr. 4”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1988, f.15

[11] ) Xhagollli, Agron: “Etnologjia dhe folkori shqiptar”, Vlorë, Triptik, 2007; , Folkori shqiptar në bashkëkohësi”, Tiranë, Botimet albanologjike, [2015],

[12] )” Dibra, Miaser: “Metafora në këngët popullore shqiptare”, Tiranë, Akademia e Shkencave, 2007

[13] ) Gaçe, Bardhosh; “Kënga popullore e Lumit të Vlorës”, Tiranë, Toena, 2009; Etnologjia dhe Folkori shqiptar”, Fier, Ymeraj, 2016

[14] ) Fetiu, Sabri: “Folkoristikë”, Prishtinë, Instituti Albanologjik, 2009

[15] ) Dushi, Arbnora, “Folkori përtej kufijve”, Prishtinë, Instituti Albanologjik, 2011

[16] ) Identiteti kulturor shqiptar në 100 vjet”, shih: Ismail Doda; “Botimi dhe studimiiI baladave popullore shqiptare nga Mali i Zi gjatë një shekulli në Shqipërinë shtet” Tiranë, Botimet albanologjike, 2013, f. 74-78



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora