Kulturë
Qazim Shehu: Rënia
E shtune, 09.07.2016, 07:24 PM
QAZIM D. SHEHU
RËNIA
Si rënien e gjethit të kuptosh,
Kupton rënien e hapave të saj,
Nga kjo rënie s`di ku tëshkosh,
Drejt tokës apo një boshësie pa skaj.
Si këputen e gjethit të kuptosh,
Atë çast kur shkëputet nga dega,
Duhet gjithnjë pas hapeve të shkosh
Dhe s`mund ta kuptosh si i këput jeta.
Dhe shpesh mendoj ç`lidhje ka,
Midis një hapi dhe një gjethi,
Përveç blerimit që ca kohë i mba,
Dhe ky blerim na duket tepër..
PËRGJUESI I MUGËT
Kush ma vodhi hapin e rinisë
Në atë qytet të ri provincial,
E ngrita si putër të fantazisë,
S`kisha ku e përplasja
Dhe e përplasa në mal.
Përgjuesit e mugët të tij,
Erdhën ma sollën tek dera,
Si një libër që e harrova në shi
Dhe e shfletonte vetëm era.
E mora me kujdes dhe e ngroha,
Në dhomën e ngushtë,
Nga përplasja në mal u shkërmoq
Prej mallit të tij të prushtë…
LOJË E LARGËSISË
Largësia na thith çdo gjë dhe na zmadhon
Dëshirën për të shkuar tek ajo,
Dhe e pamëshirshme na zvogëlon,
Pikën ku jemi kur hapi niset e shko.
Në këtë lojë të vetvetes
Me një rrymë magnetike,
Ajo na tërheq si një fije shkrepse
Ndezur në një prag errësire.
Dhe gjer të shkojmë tek ajo,
Ndezur nga shkak i pasionit,
Gjithnja na zmadho e zvoglo,
Këtë pikënisje të aksionit…
NUK BESOJ
Nuk shpresoj që bishti i gjarprit që u çlidh,
Të bëhet nyje e vështrimit tënd,
Pa atë lojën hidh e prit,
Ku zemra s`di tëzerë vend.
Në shkoftë dhe u bëftë
Një nyje enigmash të mëdha,
Vështrimi jot mos u qorroftë
Porsi një yll që venitjen e vet pa.
Në unazë motesh në u lidhtë
Sakrifikuar prej një bese,
Do nxjerrë frymën e tij të idhtë
Frymë qielli përmes një vese…
QIEJ TË DASHURUAR
Këta qiej të dashuruar si një kurorë lavdie
Që s`gjen ballin e atij që e meriton,
Prandaj s`na afrohen dhe sa u ka hije
Kaq larg tek i shikon.
Vazhdojnë dashurinë e tyre,
Në numrat që Dante u dha,
Dhe kanë kaq të dashur sa yje
Në gji të tij qielli mba.
Do afrohen a do luajnë me ne,
Çfarë i pezullon atje lart,
Toka rrëshqet në ngjyrë kadife
Orgazmon pa fat…
KUR DETI…
Deti puth tokën me ngjyrë jargavani,
Sa i dashur ngjet,
Dhe s`e kuptoj pse ndodh cunami
Në këtë dashuri mbret.
Në këtë marrdhënie përdëllyese
Ku dallga vithet ia shtyn,
Tokës kësaj sojleshe gënjyese,
Freski e tij në zemër s`i hyn.
Deti ngulmon, dallgët përplas,
Toka e mirëpret me krenari,
Atëhere deti veten zbraz,
Cunami shkrehet brenda tij…
KOHA
Herë herë më vjen e më ulet para
Një vizitore imagjinare,
Është koha që ikën me të katra
Kjo sojleshë kusare…
Dhe pa ca njerëz s`mund të jetë,
Ndryshe kohë s`do ishte,
Njerëzit morën krahë reshë
Dhe humbën sikur s`ishin…
Por shpesh retë m`i sjellin
Kur çelin lulet një nga një,
Dita që shtyn diellin
Përpikmërisht, pa zë.
Dhe kujtesa del nga vetja
Si një rreth i pashtërnguar,
Ajri mërmëron nëpër shpendra
Nga frika e një gjarpri të helmuar…
LE TË FRYJË ERA
Në mishin e kujtesë
Era ngul thonjtë,
Kujtesës i mbetën skeletët
Dhe era ngulmon.
Ç`gosti të përgjakshme kërkon
Teksa kockat na bluan,
Me mishin e kujtesës i japim jetë
Kësaj të mallkuare që vuan…
ISHULLI
Ti mbete e prirur ndaj atij çasti
Si qafe e një mjellme, që në ujë
Gjeti,
Dashurinë e ruajtur.
Uji rridhte për vete dhe dashurinë
Nuk mundi ta rridhte,
Kështu çastet u ngjajnë nganjëherë
Ishujve…