Kulturë
Ibrahim Gani: Balada e korrierit
E enjte, 14.07.2016, 05:33 PM
Balada e korrierit
Poemë nga Ibrahim Gani
1.
Pranvera po vjen,
Gjaku lumë shkon.
Partisan Hysen
Për ku fluturon!?
Pushka tri pëllëmbë
Ngritur përmbi ballë,
Pyet toka Mëmë:
-Pse nxiton o djalë!?
Shtigjeve po çaj,
Më pret komisari…
Kënga skaj më skaj:
“Po afron behari…”
2.
Natë, udha e gjatë,
Plot yje këputen,
Befas rend shtrëngata,
Hëna pas resh struket.
Po ecën korrieri,
S’është e para herë
Që çan si shqiponjë,
Dimrin e bën verë.
3.
Natë e vetëtimë,
Le të derdhë hekur,
Në mëngjes në Sinjë,
O gjallë, o të vdekur.
Fjala e komandantit,
Urdhër, ligj i shenjtë…
Derdhet shiu i marsit,
Turravrap përrenjtë.
4.
Sinja e rrethuar,
Prita, tradhti…
Ulurin tërbuar
Një zagar i zi:
-Për ty s’ka më shteg
Tani flake armën,
Në çdo gur e shteg
Ne tok me gjermanët…
-Eja, merre vetë,
Zuskë tradhti…
Flakërojnë retë,
Ballas lukuni.
5.
Sinja flakë mori,
Vendi shungullon…
Larg Baba Tomori
Sodit, ligjëron:
Ç’trima që na jep
Nënë Shqipëri,
Lum për tëndin djep,
Lum djepi për ty.
Thyhet sulm i pare,
Shkoqet vala e tretë,
Një grusht partizanë,
Sinjën ndez kometë.
Pushka e korrierit,
Një pishtar mbi gur,
Fricin nis drejt ferrit,
Flaka e saj flamur.
Gjëmojnë bateritë,
Predhat vale-valë,
Ra trimi i dytë
Fill pas trimit parë.
Laku i pabesisë
Zvarritet, afrohet…
Det i trimërisë,
Dhjetë ballë tërbohet.
Hallka e rrethimit
Mbas shpine goditet,
Ortek i çlirimit
Sulmon kur nuk pritet.
6.
Shokët gjejnë korrierin
Shtrirë përmbi gurë
Është lodhur shumë,
Po merr një sy gjumë.
Rrëkeja e gjakut
Lulëkuqe ndez ballin…
Bash te gur i pragut,
Nëna po prêt djalin.
7.
Në prag të Nezirit
Befas godit gjëma…
Bashkë me mandate
Erdhi edhe kënga.
Ia nis Nezir Dosti,
Dridhen tokë e yje,
Mahnitet vetë Zoti…
Kënga himn lavdie.
-Në Sinjë zjarr e flake
Biro si trim re,
Sot një mal i lartë,
Ngrihesh në Atdhe
Hasmi do vithiset…
Rend çurkajë e lotit…
U zgjua korrieri,
Rend drejt Kastriotit.
Pritja madhështore
Nën kurorë ylberi…
Yjet ndez mbi male
Baladë e korrierit.