Kulturë
Dy poezi nga Viron Kona
E merkure, 03.08.2016, 04:57 PM
Khajam
Vjen nga shekujt në Shqipëri,
të kemi shpirt, të kemi zemër,
poet drithërues i dashurisë,
këngëtar i verës së ëmbël.
Mjeshtër i madh vjershërie,
çapkën, azgan, askush si ti,
tendën n`pallat mbreti e shndërrove,
carpe diem7)., festë e gosti.
Atyre që s`u qeshte buza dhe nuri,
bukuritë dhe pasuritë e zemrës u ofrove,
yllësi vargjesh, oaze vere pa mbarim,
dashuri, gëzim, qetësi shpirti u dhurove.
Mbretër e gjeneralë, zili t`i kanë pasur,
këngët e tua dhe të bukurat vjersha,
shtetet e botës dhe popujt do sundonin,
sikur t`i përdornin ato si topa dhe raketa.
Ty s`të ka shkuar kurrë ndërmend,
të ishe mbret pushtues a gjeneral,
me gotën e verës dhe këngët e tua,
mban të robëruar gjithë botën mbarë.
7).Carpe diem(Latinisht) “gëzoje jetën”,thënie e poetit latin Horaci.
Saadi
Koha e “ardhjes” në Shqipëri, s`mbahet mend,
mbase kur me Iranin ishin lidhjet tregtare,
apo ishin erërat dhe zogjtë shtegtarë që të sollën,
në trojet, vatrat dhe kuvendet shqiptare.
Nderohesh në oda burrash e biseda,
për këshillat e tua ndihet shpesh nevoja,
mentor më të mirë s`do t`gjente njerëzia,
sikur bota të riniste nga Adami dhe Eva.
U je dashur popujve në vite e shekuj,
u duheshe dje, na duhesh edhe sot,
ende, kemi ca shere dhe grindje mes nesh,
ca mendime të rënda, që s`i lëvizim dot.
Ti na kupton, na e di kokën,
me urtësi e durim na këshillon,
“është më lehtë të përmbysësh një mal,
sesa mendimin e vjetër, që pe` s`lëshon”.
Populli të do edhe kur mprehtë shigjeton,
të ka njohur në thellësi shpirt e zemër,
edhe kur ke hedhur ndonjë thumb,
që të ndreqet muri, apo mendja e shtrembër.
Faleminderit Saadi, miku ynë i madh,
mirënjohës për veprën dhe zemrën bujare,
ndonëse si i perëndishëm e ke vendin në Olimp,
këmbëkryq kuvendon edhe në vatrat shqiptare.