E shtune, 08.05.2021, 05:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Bajame Çeliku: Disa fjalë për Dr. Lazer Radi

E merkure, 03.08.2016, 07:28 PM


Kurrë shqipja ma lehtë e ma ambël s'ka dalë prej shpirtit tim

(Disa fjalë për Dr. Lazer Radi, Jozefin e tij dhe Fletoret e vjeshtës)

Nga Bajame Hoxha-Çeliku (Bruxelles)

Duke shfletuar e duke lexuar me kujdes librin e fundit me poezi të mrekullueshme "Fletorja e vjeshtës" të poetit Jozef Lazer Radit, konstaton menjëherë një ndjenjë të thellë dashurie me të cilën poeti ka shkruar çdo varg në gjuhën e tij të çmuar shqipe. Poeti ka qëndisur me një gjuhë aq të ëmbël gegënisht, sa të duket se po të shoqërojnë tingujt dehës të një violine gjatë gjithë përmbajtejes, deri në fund, ku shpeshherë  ndjen emocione të forta që fillojnë  te parathënia që poeti e ka shkruar vetë me dhimbje, e deri në vargun e fundit ku nuk i mungon asgjë. Madje poezia është e ndërtuar bukur e veshur me figura letrare, e pasur me metafora të fuqishme. Poezia e Jozefit na ngjall ndenja  e mendime të thella, dhe zëri i tij, origjinal, universal, na shkund duke e lexuar sa na duket se po e përjetojmë, sepse  vargjet e tij vijnë si një komunikim shpirtëror mes poetit dhe muzave poetike që në tërësi i përgjigjen ndjenjave të tij fisnike. Pëmasat e jashtëzakonshme të gjinisë së tij lirike shfaqen pëmes një force krijuese me ecjen e pandalshme drejt lirisë dhe përparimit.

Ja se si shpreht ai në parathënie: "E kam shkrue kët libër t'nji jete të thyeme, shpesh rrugëve të lodhjes, herë me kujtesë e herë ndër mija copa letre që sot i ruej si pergamera. E kam shkrue dhe përsëritë jo vetëm si poezi, po edhe si muzikë, edhe si dhimbje lindjeje, e kam lexue e sterlexue gjer në lodhje rrejedhën e saj, e s'ka njeri që ma mbush mendjen se gjuha shqipe asht e vorfën dhe e pamundun... Sot, veç sot e besoj se gjuha shqipe edhe pse gjuhë e përdhubueme si asnji gjuhë e kësaj bote, mbetet gjuhë e fuqishme, aq poetike dhe aq e lidhun me shpirtin e karakterin e shqiptarit sa asnji identitet s'asht me i fortë se ajo…" Në fund, poeti e mbyl parathënien me këto fjalë: "Kurrë shqipja ma lehtë e ma ambël s'ka dalë prej shpirtit tim...E kështu e lehtë e ambël ardhtë edhe tek ju..!” (J. R.)

Kjo është gjuha e ëmbël e Jozefit dhe shumë poetëve të njohur që  na bashkangjiten tani në sy, dhe na thërrasin kujtesën për 100 vjetorin i lindjes së poetit të pavdekshëm, Migjeni. Tani, më vijnë në mëndje shumë ngjarje drithëruese që më lëndojnë shpirtin dhe më del para sysh takimi i parë i Dr. Lazer Radit me Migjenin, të cilën ma ka treguar vetë në një besim të madh në kampin e Savrës. Gjithashtu më del përpara jeta e vetë shkrimtarit, poetit dekadent, që tharmi surealist mundi të mbijetoi, dhe sot në dritë është i pranishëm por fatkeqësisht pas vdekjes. Dr.Lazer Radin, dhimbja për Migjenin, e shokut, e mikut të tij më të mirë, e plagosi thellë dhe kjo dhimbje e shoqëroi gjatë ndoshta dhe deri në vdekje. Ndoshta ishte një peng që bulëzonte në zemrën e tij, ai peng që s'varej prej tij, ai peng dhe ajo dëshirë për të botuar librin për Migjenin, por që diktatura, ai regjim i mbrapshtë e i egër, nuk e lejoi botimin në ato vite terri, e deri në demokraci.

Familja Radi,  do të mbetet në kujtesën time si pikë referimi, ashtu siç i njoha që fëmijë me atë aftësi thuajse hyjnore. Ata, ishin  të dashur, mirkpritas për të gjithë, të urtë, të mençur, e deri në ditën e fundit të jetës së tyre të robëruar, por të vlerësuar nga e gjithë shoqëria dhe nga të gjitha familjet e nderuara që ishin pjesë e vuajtjeve, e kampeve, dhe e burgjeve. Në zemrën time gjithmonë ka mbetur një vlerësim, një çmim i madh që ja u kam dhënë në ato vite balte dhe skëterre, në ato vite ku vranë jetët tona të reja pa mëshirë e dhimbje. Ashtu do të mbeten në kujtesën time me shumë merita të nalta, siç i njoha në kasollen e internimit të rrethuar me thupra, ku mbrëmjeve pas një lodhje të tmerrshme mblidheshim te kjo kasolle me thupra dhe merrnim dituri, mësime të gjuhës shqipe, të gjuhës italiane etj, etj.

Në atë kasolle vite e vite dëgjuam fshehtas festivalin e Sanremos, Kanconisimat, lexuam dhe diskutuam për shumë vepra, për shumë libra, romane e poezi, dhe njohëm shumë autorë të huaj dhe të vendit.

Të gjitha rreshtat, dhe opinionet që u lanë këto dy ditët e fundit, mbi librin e Dr. Prof. Lazer Radi, për poetin e pavdekshëm  Migjeni, "Një verë me Migjenin" i shoqërova me lot dhimbjeje, dhe emocione të një kujtimi të pa harruar. Unë, këtë libër e kam njohur shumë herët, atëhere kur s'isha rritur akoma, atëhere kur s'isha formuar akoma, atëhere kur e shikoja Dr.prof. Lazer Radi, në sy, në gojë, dhe ia përpija fjalët e tij perfekte nga goja. Ti Nini, duhet të ndjehesh krenar që je biri i një dijetari, biri i një udhërrëfyesi që s'u thye para asgjëje, i një heroi që s'u mposhtë kurrë nga furtunat dhe bëri epokë në zhvillimin dhe përparimin e rinisë së internuar dhe të burgosur.

Tani erdhi koha, por mjerisht vonë! Por erdhi një kohë ku flitet vërtet shqip dhe kuptueshëm, vërtet erdhi  një kohë me vlerësim, për të vlerësuarit e kombit, erdhi një kohë ku nuk tremben trimat dhe trimëreshat për të thënë atë të vërtetë të mohuar, atë të vërtetë të bukur dhe të çmuar.

Ky njeri me vlera të pa tjetërsuara ka ndihmuar pa rreshtur njerëzit në nevojë të asaj kohe brenda kampeve dhe burgjeve. Njerëzit që i kërcënonte rreziku dhe që s'dinin të mbroheshin. Ai s'u kursye kurrë edhe pse ishte një rrezik i madh për të dhe familjen e tij për të dhënë sadopak një mësim, një këshillë, një fjalë të ëmbël e të ngrohtë në atë vend akullnajë. Ky njeri me talent të madh e me dije të thella, njihte thelbin e mirëfilltë të gjërave që e pengonte jetën e lirë të gjithë atyre që patën fatin e keq të jetonin si skllevër në vend të vetë.   Nuk besoj  se kishte mbetur njeri në kampe pa u këshilluar me këtë njeri të ditur me një zemër kaq shumë bujare.

Jo rrallë herë, ky njeri i nderuar, i bënte këto këshillime dhe në sytë e mi, dhe kjo më bënte ta doja këtë besim, ta vlerësoja, sepse të të lëshonte një besim të madh një njëri si ai, duhej të mburreshe, të mendoje me të vërtetë se ishe dikushi, se kishe fituar besimin e një filozofi, dhe unë, s'e theva kurrë besimin e profesorit tim. Hedh sytë nga ajo e kaluar e trembur dhe psherëtij për shumë humbje, por e çmoj së tepërmi atë shoqëri që na u gjend pranë për ngushëllim e dije në ato dekada mjeruese. Tani, ne nxënësit e tij, mburremi tek shikojmë se si çdo ditë, çdo çast, figura e profesorit tonë të nderuar po rritet, po merr pamjen e duhur, dhe po ngrihet në piedestal.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora