E diele, 28.04.2024, 08:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Përzierje e kujdesshme ngjyrash

E enjte, 11.08.2016, 07:33 PM


PËRZIERJE E KUJDESSHME NGJYRASH

Nga Remzi Salihu

Pa dyshim duhet ta them edhe këtë të vërtetë kohe që më shtrëngon e më pushton nga dita në ditë thellë në zemër. Duhet ta them këtë përzierje ngjyrash e niansash politike e kulturore, që vijnë si llojllojshmëri kuptimesh nga të gjitha krahët e vendit tonë. Tani ky preokupim më bëhet kërkesë nevoje mendore, sa do pak, për t’u çliruar nga ai intensiteti i përditshmërisë së ngarkuar me fjalë e halle të mëdha. Këto gjëra që i shohim me mprehtësinë e thjerrëzës sonë, janë  ngjarje të shumta që pështillen rëndë mbi dallgë shqetësimesh serioze, që sot na shfaqen dhe na shtrëngojnë ankthshëm në shoqëri me probleme e kundërshti të komplikuara. Kultura e shëndosh ngec. Logjika puritane megjithatë përmban në vete një njollë të dukshme, me qëndrimet e saja partiake të rrepta, ndaj vendimeve dhe rregullave sistemore të përgjithshme. Morali puritan sjell ngurtësi kulture të kufizuar dhe të njëanshme. Ajo tani shpërndanë një barbari të madhe kiçi që ta zë frymën ngado që të lëvizësh kokën. Njerëzit për të mbijetuar bëjnë çmos: vjedhin, përshtaten, shpifin, shpinojnë, vrasin, e ku ta di unë edhe çka tjetër mund të na rastis jeta, me këtë lloj arti të kamufluar njerëzor, gjithandej hapësirës ballkanike, vetëm e vetëm për t’u dukur në skenë afirmimi të mundshëm jetësor.

Bota nga të gjitha anët është e trazuar me ndodhi të çuditshme. Jetojmë në një pasiguri të madhe. Skandale dhe puçe (Putsch) gjithandej hapësirës së globit dhe rrethit tonë. E shëmtuara në vete thur përçmim, përçarje, urrejtje dhe shumë ngatërresa tjera. Nga dita në ditë shtohen mos durimet dhe ndasitë midis njerëzish. Gjendja politike tensionohet dhe jeta shoqërore anashkalohet. Demokracia si standard civilizues politik, nuk kuptohet drejtë në rajon. Qytetari ngarkohet rëndë me këto marrëdhënie të komplikuara sistemore. Ai gëlltitë të vërteta dhe të pavërteta kulturore nga mos informimi i duhur. Dhe ne që pretendojmë se dimë ndonjë send nga përvoja jetësore, si pjesëmarrës legal të kësaj shoqërie, absorbojmë gjithçka nëpër lëvizjen tonë kulturore të ngushtuar e të pa orientuar si duhet. Kështu gëlltitim, nga dita në ditë, edhe absurditete të madha. Nuk mund lirohemi aq lehtë nga diverzitetet e shumëzuara, që na nguliten papandehur si gurës të thepisur në kokë, kryesisht, duke na mbajtur peng me kundërshti konfrontuese dhe në thellësi gjykimi të pa fund. I gjithë ky shqetësim civilizues, te njerëzit e urtë, bëhet nevojë permanente për kërkimin e zgjidhjes afatgjate të situatës së nderë. Ata bëjnë veprime për të ndryshuar diçka nga vetja. Për të parë diçka më të bukur nga ky vend se sa që shohim ne tani. Për të sjellë standarde solide e më të pranueshme për të gjithë. Ndaj shqetësohemi me këto ngarkesa të komplikuara shoqërore dhe nga kjo turbulencë e madhe fërkimesh të shumta. Dhe në këto absorbime të mëdha ndodhish ndizet një dritë e besueshme edhe në mua, për t’i parë gjërat me gjakftohtësi dhe pak më ndryshe se sa ajo bindja e anuar e interesit personal, që mund të ketë individi si qenie lakmuese në shoqëri.

Situata e turbullt kulturore, tanimë, më nxitë për të kërkuar shtegdalje, për të parë një dritë vezullimi jetësor më të ndriçuar këtu te ne. Dhe kjo po më duket se vjen ngadalë, vjen si shkëlqim i fuqishëm i dashurisë së sinqertë për këtë hapësirë, mu në një paradigmë fuqie tjetër ngushëllimi alternativ, gjegjësisht, duke u bazuar seriozisht në një vibrim të vrullshëm rinor, aty ku lidhet nervi gjykues i kthesave të drejta të dijes. Ky profil i zellshëm i të rinjve, të themi kështu jo i zakonshëm nga nivelet e ardhura rastësisht nga e kaluara, por janë vendime bindjesh të reja e të arsyetuara që duan rend sistemor më të përsosur, dhe për të gjetur shkakun dhe arsyen e ndodhive të sotme, në Rendin e ri shoqëror.

Pra, shqetësimi vjen nga çasti e shpërthimit emocional për vlerësimin e gjërave që gjenden rreth nesh në vend. Ky shqetësim derdhet si një qarkullim gjaku me oksigjen të vrullshëm nëpër damarë të sforcuar rinor, që pastaj mua me bagazhin e viteve në trup, më jep shpirt e jetë optimiste për të ardhmen e ndritur të kësaj toke të mrekullueshme. Kjo kallje e brendshme, me temperamentin e vet veprues e sfidues, më futë në thellësi kërkimi të përhershëm kohor. Më zhytë të notojë nëpër ato labirinte tjera alternative për marrjen e pozicionit tim të drejtë në shoqëri. Kurse kjo llavë ndjenje e papritur që më shpërthen nga thellësia e shpirtit, posaçërisht nga nxitja e këtyre dallgëve të shumta, kërkon vullnet dhe kondicion permanent, me ndikim dhe durim përballues të përhershëm.

Zbatimi i reformave të drejta në shoqërinë tonë, vendit do t’i sjell siguri të madhe. Të gjithë duhet të gëzohen për këto vendime të marra nga politikanët. Nga ky vendim hapen alternativa të besueshme shtetërore. Pos prurjes së këtij rregulli standardizues shoqëror, këtij vendimi të plotfuqishëm i duhet edhe forca dijesh të konsoliduar dhe projekte të reja, adekuate, kundrejt së keqes së derdhur ters gjatë kohë në masë të pasistemuar profesionalisht. Prandaj sot fuqia e së resë shpërthen dhe stimulohet nga ardhja e rrethanave të rënda, të cilat janë të vendosura një decenie nëpër maje baticash e zbaticash përjetimesh të tmerrshme. Kjo kthesë ligjesh me dallgë të shumta ndikimesh, kërkon forcë të pa përkulshme,  ashtu siç merrnin hov sfidues dikur fuqitë e‘’Perëndisë së detit’’, Poseidonit, vëllait të Zeusit, nëpër kohëra trimërish e veprimesh të pa pritura, me name e nishane të mëdha në të kaluarën. Shqiptarë duhet të konsolidohen drejtë në vërtetësi e ligje. Është shekulli i tyre për të marrë hisen e merituar gjeostrategjike në këto hapësira integruese.

Ky shtegtim konspirativ në mua, tani bëhet rregullsi e detyrueshme për të shpërlarë sa do pak letargjinë kulturore njëzet e pese vjeçare, të krijuar kësi soji vërdallë, nga kjo shoqëri evidente, kaotike. Vetëm forca e dijes së arsyetuar në shoqëri, më jep energji pozitive dhe më nxit besimin duhur për vlerat e konsoliduar e të pastra, kundrejt të keqes së përgjithshme, gjegjësisht kaosit kulturor të inskenuar nga keqbërësit. Prurja e ligjeve të shëndosha më shëmbëllen përgjegjshëm në vetëdije, duke më dhënë edhe më fuqishëm energji luftarake optimiste, kryesisht për shtegdaljen e shoqërisë nga këto beteja të kacavarura në humbje të gjatë kohe, sidomos nga mosbesimi i njëri-tjetrit nëpër ngjarje e dështime çintegruese. Tani këto janë ngjarje nxitëse që dolën haptazi prej fusnotave të aneksuara nga e vërteta, që sot tamam më vjen në mendje, si gjë e harruar e si realitet i hidhur i keqpërdorimit njerëzor, si art emocionesh të ulëta faktike, të rënies dhe ngritjes së durimit të përgjithshëm në shoqëri.

Këto vrulle ndjenjash ndikuese shpërndahen guximshëm në jetë të sprovuar disa vjeçare dhe marrin hovin e kërkimit të vendosur, për t’i dalluar me kujdes të gjitha ngjyrat e përvojave jetësore. Të gjitha ato ngjyra kulturore të përbotshme që kufizohen me trupin tim të pa shkëputur nga nuancat e llojllojshmërisë së tërësisë së figurshme. 

Pas këtij tundimi të ankthshëm, të dallueshmërisë së dukshme, brenda cilësish e shijesh të kultivuara, që ta përplas koha në kokë, si art i përjetuar subjektiv, atëherë durimi i pritjes bie spontanisht në një emocion malli të ngujuar në gjëra të ikura pa diktueshëm, në ato gjëra që ta kthejnë vëmendjen në vendime. Kurse mua, këto trazira kulturore më kthejnë prapa në kujtesë të gjatë dyshimi, për të mirën dhe të keqen e përjetuar rëndë mbi këtë truall të shenjtë. Dhe po të ri kështu komod, i ngujuar në kiç e turbullirë sistemi të derdhur pa kriter, rreth hapësirës së qarkullimit tonë ekzistencial, pa ndonjë interes reaksioni e çlirimi afatgjatë, prej kësaj gjendjeje të alivanosur që ka rajoni, posaçërisht ndaj kësaj situate të ndërlikuar e të ndërlidhur keq në kulturë e standard, do të thotë se pajtohem me të shëmtuarën e kësaj prurje të keqe të kohës. Por kjo përshtatje tani është e pa mundur nga bindja dhe përvoja jetësore që kam.

Sot nga kjo turmë e përmbytur në shumësi ngjyrash kreative, nuk dallohet kthjellët dhe mirë se çka është vlerë dhe jo vlerë e mirëfilltë. Pastaj nuk kuptohet as drejtë se çka është artë, konvencion, e çka është kiç (Kitsch). Nuk kuptohet çka është shkencë e çka është përshkrim. Gjërat janë të ngatërruara e të komplikuara shumë nga mos leximi permanent i duhur. Por nga këndi im i vërejtjes bindëse, ky lloj arti i përdhosur dhe i shndërruar në vrimë të zezë nga keqpërdoruesit e shumtë, të standardit artistik të vonuar, sjell errësirë të përgjithshme. Jo se jam nihilist i zhgënjyer apo me paragjykim të ngarkuar rëndë nga aktualitetet e pa balancuara, dhe në afirmimet e shpejta të individëve, por thuaj se kjo situatë e këtillë më gërvisht ashpër dhe gjithnjë në kujtesë, si e metë penguese e përgjithshme, bile një decenie më terrorizon me tehun e thikës së saj të ndryshkur artistike, që nuk më lejon t’i përshtatem lehtë situatës së nderë e të turbullt në rajon. 

Për mua ky standard arti shëmbëllen sot errët dhe ushtron zanatin e kulturës së brishtë emetuese. Më duket se shumë njerëz bëjnë punën që se meritojnë. Nuk e shpalojnë dijen dhe talentin e vet, mu në ato segmente e drejtime të nevojshme që ka nevojë shoqëria. Mu në ato profile të specializuara, ku janë të aftësuar e shkolluar, por merren me mjeshtëritë e të tjerëve që nuk i dinë dhe njohin thellësisht si drejtime. Teologu bëhet doktor, Artisti bëhet analist politik. Ekonomisti filozof. Sportisti bëhet avokat. Notari të jep mend për arkitekturë. Berberi të flet për histori. Këpucari për astronomi. Kuzhinieri të mban ligjërata për anatomi e gjinekologji, dhe shumë, e shumë, pisllëqe tjera të derdhura pa kriter në muhabete çastesh, e në shoqëri të amputuar. Prandaj mbetemi të pa kënaqur me të arriturat tona të përgjithshme. Kultura e brishtë, tanimë, vepron dukshëm ane mbanë mëhallës së plagjiaturave me monotoni ankthi të mërzitshëm, duke u formuar dhe provokuar rrejshëm, qytetarin, shtetin, etninë, nga shërbyesit e saj të këqij në sistem. Veprimi i keq bëhet dukuri dhe manipulon turmën, duke përfaqësuar kohën me një kope të azdisur, të themi kështu pa pardon, intelektual të improvizuar, gjithandej hapësirës sonë, të cilët bashkë me vlerat e tyre të dobëta, që tanimë janë të imponuara dhe veprojnë keq në sistem dhe në jetë. Zoti na dhëntë hairin nga kjo prapështi kulturore që mban timonin orientues të shoqërisë. 



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora