Kulturë
Qazim Shehu: Ujëvarat
E diele, 07.08.2016, 08:03 AM
QAZIM D. SHEHU
UJËVARAT
Legjendet e shpikura shkrofëtijnë
Nëpër shkëmbinj,
Kujtime kuajsh ndrijnë,
Që i mbajtën mbi shpinë.
Kuajt në krah shkrepash thyen
Gjunjët nga lodhja,
Mbi një ujëvarë shuan syrin
Mbi gurë
Gjurmët u ndizte koha.
Jele legjendash dynden nëpër muzg
Të trazuara,
Nuk erdhi për to asnjë krushk,
Krushqit i mori vetura.
Veç një rapsod ,thuri vargje të të epërme,
Për kuajt po,
Ujëvarat si shkrofëtima të shekujve
Ua la poetëve...
ROBERT BERNSIT
Atje në malësi do marr Robert Bernsin
Për t`i thënë, eja o mik,
Ta ngjisim me gjunjë shkrepin,
Benzin ta lëmë në Lunik.
Kostenja s`ka rrugë ,rruga s`i duhet,
Kostenja ka pyje dhe një qiell të ngrohtë,
A të kujtohet kur më mësoje si shkruhet
Dhe unë librin tënd mbaja në kokë.
Eja, o mik ,në majat e larta frymën të ndal,
Se “zemra ime është në mal”,
Se vargun tënd aq të thjeshtë,
Kolonë vetebrore e mban një kreshtë…
LUFTËNXITËSVE
Zbres Njëqind vite
Arrij tek Lufta e Parë,
Përgjysmoj vitet, tek e Dyta
Shkoj duke qarë.
Mund te ngjitem njëqind vite
Të shkoj tek e Treta,
Ajo aq lehtë ngjizet
Sa dridhet jeta…
E prapë shpresoj, ndonjë psikopat
Mos therë yllin e paqes me thikë.
Ndryshe kjo botë kaq e pat,
Mund mos jetë as shenjë në galaktikë…
NA DUHET NJË TRILL…
Ti ma zbraz zemrën nga rëndomtësia,
Një diell në rreth,
Mblidhet floku jot biond,
Çlidhet pastaj fije fije
Shushërin ujëvarë në hije.
Them me vete, kjo është dashuria
Si mundet ajo të vijë nga flokët,
Teksa shikoj gra me thinja
Që biondohen për marrokët…
Kur ngjyra del, vjedhjen e saj na tregojnë
Po na duhet një trill sa për të kujtuar
Se na pëlqen të dashurojmë…