Kulturë
Viron Kona: Lirika e shkrimit tim të parë
E diele, 14.08.2016, 01:47 PM
Lirika e shkrimit tim të parë
-Tregim-
Nga Viron Kona
Një pasdite, kur sapo isha kthyer nga puna i lodhur dhe po mendoja për një derdhje detali të vështirë, si pa kuptuar, mora lapsin e nisa të shkruaj. Në përfytyrim më shfaqeshin shokët e mi të punës, mjedisi dhe gjallëria e fonderisë, vinçat dhe llava e zjarrtë e metalit që rridhte nga furra... Më bëhej sikur dikush më fliste më vesh dhe unë, veç shkruaja e shkruaja...Kur vura pikën e fundit, u habita me orët që kishin kaluar aq shpejt. Shihja shkrimin si një gjë të rrallë e të pazakontë dhe ndihesha i emocionuar. Befas, më hipi një dëshirë që t’ia lexoja dikujt sa më parë ato që kisha shkruar. Mendja më shkoi menjëherë tek im vëlla. Ai, ndonëse punonte si elektricist, ishte shumë i dhënë pas librave. Kur më dëgjoi se për çfarë e doja, ai lëshoi një fërshëllimë habie dhe priti gjithë interesim.
Nisa t’ia lexoja me pasion ato që kisha shkruar, duke u përpjekur që t’u jepja sa më shumë jetë dhe emocion fjalëve dhe mendimeve. Por, shpesh, sepse ngecja nëpër rreshta. Fjalët sikur nuk ishin lidhur mirë; kishte përsëritje. Shumë fjali, të cilat kur i kisha shkruar me ishin dukur të mrekullueshme, tani s’po më hynin fare në sy. Ç’ta zgjasë! Kur mbarova leximin, isha i mbytur i tëri në djersë dhe nuk guxoja ta shihja në sy tim vëlla. “Me siguri ka për t’u tallur me mua! “- thosha me vete. Ngrita sytë ngadalë dhe, ndryshe nga ç’mendoja, më ra në sy qëndrimi i tij i qetë e i vëmendshëm.
- Shkrimi më duket i mirë, - nisi ai, - por më duket se diçka i mungon. Si të të them? - Heshti pak e pastaj, shtoi: -E di ç`ke ti Lumtor, më mirë këshillohu me ndonjë që merr vesh nga këto punë, se unë..., ti e kupton vetë?!
Qëndrova një copë herë i heshtur e i përhumbur. Një zë më thoshte se kot i isha futur asaj pune. Të bësh një shkrim për të qenë, nuk është njëlloj si të formosh apo të derdhësh një detal. Veç kësaj, prirjet dhe talenti sigurisht që më mungonin... Ndjeva grykën të më thahej. U ngrita dhe piva një gotë ujë. Kokën e kisha të turbullt, kurse sytë më kishin mbetur tek letrat e shkruara..
Duke parë trishtimin tim, vëllai më shpupuriti flokët dhe më tha:
-Provoje edhe një herë, o Lumtor. Këto gjëra s’bëhen me një të goditur. Kam dëgjuar se, kjo puna e të shkruarit, është si puna e skulptorit që gdhend e gdhend pa pushim gurin derisa i jep formën që do.... Mora përsëri fletët dhe nisa të shkruaj përsëri mbi to. Prishja, korrigjoja, hidhja mendime të reja, të cilat, pak çaste më vonë i ndryshoja përsëri. Nëpër faqet e shkrimit, tani nuk mund të lexoje dot asgjë. Gati gjithçka ishte shkarravitur e nxirë, kurse ca shigjeta të holla që orientonin leximin te fjalë apo fjali të shtuara, shfaqeshin si grepa sa andej-këndej. Çuditërisht, kjo pamje kush e di pse po më jepte kënaqësi. Madje po më dukej vetja si kopshtari, që duke i krasitur lulet e kopshtit, i çliron ato nga degët e spërdredhura që u zënë frymën, i ndihmon të nxjerrin pamjet dhe format më të bukura, bënë që të kenë më shumë gjallëri, ajër, aromë, dritë... Nisa ta hedhë në të pastër gjithçka. Megjithëse, bëra dhe plotë korrigjime e ndryshime të tjera. Kur mbarova, vura re se shkrimit i mungonte titulli. Vrava mendjen një copë herë. Ai duhej të ishte një titull i goditur dhe interesant. Të tërhiqte vëmendjen e lexuesit me shikimin e parë. Po sikur ta titulloja: “Atje, ku fytyrat e njerëzve ndrisin!” A nuk i përgjigjej ky titull, mjedisit të fonderisë që ndriste nga metali i lëngët dhe prushi i ciflave të zjarrta që përhapeshin si xixëllonja nëpër ajër?! Aty, gjithçka ndriste. E pra, kështu do ta titulloja. Më vajti mirë në mendje. Pa e zgjatur, nisa të shkruaj titullin me shkronja të mëdha kapitale në krye të faqes së parë. Me shkronja kapitale shkrova dhe emrin tim sipër titullit të shkrimit, madje, pse të mos e them, e shkrova emrin tim edhe në fund. Kushedi, - thashë me vete, - atyre në redaksi u ikën pa dashje vështrimi nga emri im dhe mbetet shkrimi pa emër, punë e vajtur dëm. Kështu që, me shkronja kapitale e shkrova emrin edhe në fund të shkrimit...
Të nesërmen, duke udhëtuar me autobusin e linjës për në uzinë, ndihesha i pushtuar nga vrunduj emocionesh. Provoja gjendje të ndryshme shpirtërore, që i linin me shpejtësi vendin njëra-tjetrës. Përfytyroja redaktorin e gazetës me shkrimin tim në dorë. Ai do ta lexonte me një frymë dhe, pa e ngritur kokën, do të bënte me ngadalë nën zë: “Bukur! Shumë bukur!” Do t’i mbetej mendja tek ai shkrim dhe, një copë herë, do të vriste mendjen për autorin. Çudi, si nuk e kishte njohur më parë?! Pastaj, do të vraponte te kryeredaktori dhe do të këmbëngulte që ai shkrim të futej menjëherë në shtyp. Menjëherë! Të botohej, jo në faqen e tretë, por në të parën. Madje, pse jo, në vend të kryeartikullit. Hëm! Fantazia ime po e tepronte. Sidoqoftë, ishte një gjë e këndshme të përfytyroje këto. Befas, më sulmoi një tjetër furi mendimesh e përfytyrimesh: Po sikur, atje në redaksi të mos e pëlqejnë shkrimin dhe të më thonë: “Shkrimi është i pabotueshëm. Merru më mirë me një punë tjetër, more djalë!”
Djersë të ftohta më mbuluan përnjëherësh ballin dhe rashë në një trishtim të thellë... Ishte një zë i panjohur, që më shkundi këtë herë nga përhumbja. Qe një zë i butë, i ngrohtë e që shprehte përkujdesje e keqardhje.
-Çun, do të zbresësh këtu, apo do që të kthehesh përsëri?! - ishte fatorinoja e autobusit, një grua e shkurtër tepër e shëndoshë. Pasi unë zbrita, ajo më ndoqi me një vështrim të dhembshur: “I gjori djalë, kushedi se si do ta ketë hallin?!
Shkova në repart, por s`më bëhej që të filloja punë. Veja e vija sa andej-këndej duke sajuar pretekste të ndryshme. Kjo gjë i ra në sy disa shokëve, e, sidomos shefit tim, usta Nikos 1) siç i thoshim ndryshe. Ai nuk ishte nga ata ustallarë që e kishte mësuar zanatin e fonditorit vetëm me praktikë, por ishte edhe i shkolluar për atë profesion, kishte mbaruar studimet në Çekosllovaki 2)... Usta Nikoja e kishte zyrën në krye të repartit, në një si kafaz të madh prej xhami, ku ngjitej me ca shkallë të spërdredhura. Që andej, ai e kontrollonte repartin si në pëllëmbë të dorës dhe gjendej në çast në sektorin ku shfaqej ndonjë problem apo vështirësi.
-Ç`ke sot ti more djalë? Se si po më dukesh! - më pyeti ai.
E pashë një çast me kujdes, duke u përpjekur të hetoja sytë e tij që po më shihnin me kureshtje për të mësuar hallin që më kishte zënë. Kushedi pse më erdhi në mendje fati i keq i një shoku tim në repartin e tornove, që ishte përpjekur të shkruante vjersha, por që vjershën e parë ia grisi shefi i tij në sy të gjithë punëtorëve, ngaqë e kapi duke e shkruar në orarin e punës: “Prandaj nuk e realizon planin ti, se merresh me vjersha dashurie! I degjeneruar!” - i kishte bërtitur ai. Po sikur edhe shefi im të vepronte në të njëjtën mënyrë dhe të ma griste shkrimin? Por, kot, kot i dramatizoja gjërat. Shefi im ishte krejt ndryshe, dukej i rreptë në pamje, por në të vërtetë ishte njeri i dashur dhe me zemër të madhe. Sidomos ne të rinjve na donte shumë. I bindur në dashamirësinë e tij, pa folur, i dhashë fletët e shkruara. Ai më pa një çast në sy dhe, pa e zgjatur, nisi të lexojë...
-Bukur e ke shkruar! - më tha ai si e mbaroi se lexuari. Pasi heshti pak, shtoi:-Tani do të dalë, kështu që po të duash, e shpie unë shkrimin në redaksinë e gazetës lokale. Kryeredaktorin, Zoi Toskën, e kam shok dhe, me siguri do t`i bëhet qejfi...
Iu futa punës gjithë gaz. Gjendja ime shpirtërore e pazakontë, i tërhoqi vëmendjen edhe Lidës. Ajo erdhi drejt meje me një shprehje pakënaqësie në fytyrë.
-Vajte tek okulisti ti? - më pyeti gjithë ironi!
- Jo, pse?! - u çudita unë.
-Thashë se mos pengohesh gjëkundi. Sot nuk shikuake mirë nga sytë. Apo, ngaqë ke filluar ta mbash kokën lart? Çudi me disa tipa! Kujtojnë se vetëm me një artikull gazete, mund të vënë kandidaturën për lavdi botërore! Uf!
Kalonin ditët. Mendja më shkonte shpesh te botimi i shkrimit. Sa herë që vinte gazeta, vrapoja që ta merrja, por, gjithnjë mbetesha i zhgënjyer. Po më lëkundej besimi se shkrimi mund të botohej.
Një mëngjes, shef Nikoja më thirri te kafazi i tij.
- Nesër del, - më tha ai dhe më shtrëngoi krahun.
E gjithë ajo ditë më kaloi në një gjendje shpirtërore të shkëlqyer. Sa s’fluturoja nga gëzimi! Ç’ta zgjasë! S`më pritej sa të vinte e nesërmja.
U zgjova shumë herrët. Pranvera sapo kishte hyrë dhe bënte freskët. U nisa për në qendrën e Skelës, drejtë librarisë, e cila shërbente edhe si pikë e shitjes së shtypit. Por, kot nxitohesha. Ajo donte dhe dy orë të mira që të hapej. Një copë herë të gjatë erdha tutje-tëhu gjatë bregut të detit. Papritmas, më erdhi në mendje të dilja njëherë andej nga PTT-ja. Shtypi, atje vinte më parë. Si nuk më vajti mendja që në fillim! Nxitova për atje.
Punonjësja e përgjumur e ndërresës së natës, duke iu hapur goja, më tha me një zë të ngjirur se shtypi mbërrinte aty rreth orës gjashtë. “S’të paska zënë gjumi! “- vërejti ajo dhe nisi të dremis përsëri në pëllëmbët e duarve. Më në fund, makina që sillte shtypin, erdhi. Pas një djali të ri, që mbante dengjet me gazeta, u futa edhe unë brenda banakut. Kjo gjë nuk i pëlqeu punonjëses së PTT-së.
-Mund t’i hedh një sy lokales? - i thashë me zë lutës.
-Prit, t’i marrë njëherë në dorëzim, s’ tu duruaka ty!
Pritja po më dukej e gjatë. Më bëhej se ajo punonjësja e zvarriste me qëllim marrjen në dorëzim. Befas, dëgjova zërin e saj, që po më thërriste me nervozizëm që përtej xhamit.
-Hë, ore ti, do ta shikosh gazetën, apo jo?!
Gati ia rrëmbeva nga dora. Në faqen e parë s’kishte gjë. Me siguri, shkrimi do të ishte në faqen e dytë. Zakonisht shkrime si ai, në atë faqe botoheshin. Por jo, as atje s’kishte gjë. Doemos do të jetë tek e treta. Sytë e mi rrëshqisnin me shpejtësi nëpër tituj, por shkrimin tim aq të shumëpritur, s’po e shihja askund. “Nuk e paskan botuar, jo! “- thashë me vete i prerë në fytyrë. Pastaj, me shpresa krejt të humbura, i hodha një sy faqes së katërt. Edhe atje, sigurisht që s’kishte gjë. Kalova dorën në ballë. Ajo m’u bë qullë.
-Hë? - më pyeti punonjësja e PTT-së, që po më ndiqte me kureshtje. Asaj, i kishte dalë gjumi dhe tani ia kishte qejfi për muhabet.
-Nuk e kanë nxjerrë, jo! - i thashë unë me shpirt të vrarë, më shumë duke folur me vete.
-Çfarë? Çfarë nuk kanë nxjerrë?- më pyeti ajo.
-Lëre, lëre! - ia bëra unë i mërzitur.
Ajo heshti, por u duk që u fye.
I hodha përsëri sytë te faqet e gazetës. Shumica e artikullshkruesve qenë emra të njohur. Kishte edhe ndonjë që shkruante për herë të parë. Disa çaste sytë më mbetën te këta të fundit. Më kapi zilia. Papritmas, vështrimi se si më vajti në fund të një shkrimi një kolonësh. Atje, shkruhej qartë, po, po, shumë qartë: emri im. Ndjeva zemrën në kraharor dhe fërkova sytë! S’isha në ëndërr, jo. Ishte emri im dhe s’e luante topi. Ngrita sytë te titulli i shkrimit. Ai ishte tjetër, jo ai që kisha vënë unë. Por, shkrimi, me pak ndryshime, qe po ai. Nisa ta lexojë me një frymë, ndonëse i dija përmendësh të gjitha ato që shkruheshin atje.
-Ta marrë unë këtë gazetë? - iu luta punonjëses së PTT-së. Isha gati ta paguaja dhjetë fish e më shumë atë gazetë.
-Nuk mundem, i kam me numër, - më tha ajo ftohtë dhe me mospërfillje. Zgjati dorën dhe ma rrëmbeu gazetën. “Hiii! Ç’tip i ngjitur!” - ia bëri dhe ma mbylli sportelin me zhurmë m’u në fytyrë. Pastaj, nisi të më vëzhgonte me kërshëri e si me tallje përmes xhamit. Një çast më vonë, ngaqë nuk iu durua, nisi të shikojë gjithë kureshtje faqet e gazetës për të zbuluar se ç’ishte ai shkrim që kishte krijuar aq alarm e gëzim tek unë.
Dola nga PTT-ja. Nisa të lëvizë sa andej-këndej, por tashmë i gëzuar e gjithë qejf. Kush ishte si unë!
Kur erdhi shitësi i librarisë ku shiteshin edhe gazetat, u futa me rrëmbim pas tij.
-Ka ndonjë shkrim interesant sot lokalja? - më pyeti ai, duke më parë përmbi syza.
-Po, i thashë, - më jep dhjetë copë gazeta.
-I dashke për të mbështjellë, apo do të lyeni shtëpinë? – tha ai - Pse s’thua? Më kanë mbetur disa dhe s’po i heq dot.
-Jo, jo, - unë dua të sotmen, - ngulmova me ton dhe i fyer.
-Mirë, or mirë, se s`të vrava! Një fjalë të thashë, - m`u përgjigj me nervozizëm shitësi.
I futa gazetat në sqetull dhe nxitova për në shtëpi. Xhadeja ishte bosh, vetëm disa qenë lëviznin diku në fund të saj. Nga shtëpitë e ulëta anash rrugës dëgjoheshin disa gjela të vonuar, që këndonin zëngjirur mbi tjegullat e shtëpive dhe majë gardheve rrethues me kallama. Teksa ecja si i dehur nga gëzimi, një çast, kush e di pse më kapi paniku se mos ai shitësi më kishte dhënë gazeta të vjetra. Çfarë nuk ndodh! - thashë me vete dhe, ashtu duke ecur e hapa njërën gazetë. U sigurova kur pashë datën, por nuk m`u durua pa hedhur edhe një herë sytë tek artikulli. Ehee! Ai ishte, s`e luante topi! Ja dhe emri im në fund,eheee... Befas, ndjeva rrotat e mëdha të një kamioni që fërshëllyen me zhurmë pranë trupit dhe këmbëve këmbëve. Ishte kamioni i furnizimit me bukë, që po largohej me shpejtësi,ndërsa një kokë që ishte zgjatur te kabina po më qortonte e shante me britma: “-Ku e ke mendjen mor tutkun, mor...!”
Në shtëpi u futa me vrap. Sa s’u përplasa me tim vëlla, që ishte duke dalë. Pa fjalë, i vura gazetën përpara? Ai, nisi ta shfletojë. E gjeti shpejt artikullin. Për disa çaste, u përqendrua i tëri në të. Unë e shihja i ngazëllyer. Nga dhoma e pritjes, vinin zërat e dy-tre plakave të lagjes, që, duke pirë kafe me nënën time të urtë, ia kishin pleksur një muhabeti pa fund.
Befas, tim vëllai diç i shkrepi në mendje. Me gëzimin që i ndriste në sy, më tërhoqi nga dhoma ku pinin kafe mikeshat e zakonshme. U përshëndetëm me to dhe i ftoi që të dëgjonin artikullin tim. Donin apo s’donin ato, ai nisi ta lexojë me zë të lartë. Plakat, në fillim panë njëra-tjetrën disi të habitura, por pastaj nisën të mbanin vesh tërë vëmendje e përqendrim, sikur vërtetë t’u interesonin aq shumë ato që po dëgjonin. Herë-herë më hidhnin mua ca vështrime të dhembshura e mallëngjyese. Një çast më vonë, shikimi i rreptë i tim vëllai, detyroi të dëgjonin vazhdimin e artikullit edhe një tufë kalamajsh të djersitur e të spërkatur me baltë nga loja. Ata, zgjatnin kokat e qethura në dritare dhe shihnin tërë kureshtje se ç’po ndodhte në dhomë...
Më dukej se, ajo që ndihej më e lumtur dhe më e gëzuar nga shkrimi im ishte nëna. Ajo, herë-herë më afrohej dhe më shtrëngonte krahët. Pasi vëllai mbaroi leximin, nëna nisi t’i gostitë të gjithë me gliko are. Vetëm atëherë, mikeshat dhe kalamajtë në dritare, diç kuptuan për rëndësinë e asaj që sapo dëgjuan.
E, ndërsa dëgjuesit e shkrimit tim të parë largoheshin pa e fshehur kënaqësinë që u dha glikoja e arrës, por ndofta edhe shkrimi, unë ndjeja ca trazime e ngasje të brendshme, që dalëngadalë po më shndërroheshin në dëshira e nxitje të reja për të shkruar më shumë për jetën dhe njerëzit...
---------------------
1).Usta Nikoja: Bëhet fjalë për mjeshtrin e dëgjuar dhe shefin e repartit të fonderisë së uzinës mekanike “Kastriot Muco” Vlorë Niko Mërtiri në vitet 1960-1970-të.
2).Çekosllovaki: Me fillimin e Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjen e Perandorisë Austro-Hungareze, Çekia dhe shteti fqinj i saj Sllovakia krijuan shtetin e tyre të përbashkët, Çekosllovakinë në vitin 1918. Pas Luftës së Dytë Botërore,Çekosllovakia ra nën ndikimin sovjetik. Në vitin 1989 Çekosllovakinë e përfshin "lëvizja paqësore demokratike" dhe më 1 janar 1993 u bë ndarja e Çekosllovakisë në dy Republika sovrane, Republika Çeke dhe Republika Sllovake. Aso kohe, nga Shqipëria shkonin shumë studentë në Çekosllovaki, për t`u kualifikuar në profesione të ndryshme apo për të vazhduar studimet e larta.