E merkure, 04.12.2024, 08:37 AM (GMT)

Kulturë

Kadri Kadiu: Kur kujtoj miqtë e mi

E enjte, 11.08.2016, 06:40 PM


KUR KUJTOJ MIQTË E MI

Nga Kadri Kadiu

Sado që jam larg, nuk ndahem dot nga kujtimet me miqtë e mi të mirë, do t'i kujtoj ata sa të jem e sa të rroj dhe kurrë s'do t'i harroj.

Vait Hakën nga Mulleti e kam njohur kur punoja në Kooperativën e Bërzhitës së Tiranës me detyrën e Kryetarit të Kooperativës. Vaiti është një xhanan burrë, kishte mbaruar Fakultetin për Histori-Gjeografi dhe punonte me përkushtim si mësues në fshatrat e Tiranës. Aty nga fillimi i viteve 80-të Vaitin e bënë Drejtor të Shkollës 8-vjeçare në Fshatin Ibë të Kooperativës së Bërzhitës. Edhe si Drejtor Shkolle Vaiti punoi shumë mirë dhe e bëri Shkollën e Ibës ndër shkollat më të mira në Rreth, kështu që një ditë e thërret në Zyrë Sekretari i Byrosë së Kooperativës, Mexhit Kullolli, dhe i thotë: Vait, ne kemi menduar që të të pranojmë në Parti se ti e meriton për punën e mirë që bën dhe për figurën e pastër që ke.

Mos o shoku Sekretar, i përgjigjet Vaiti, lemë të punoj në arsim se unë e dua Partinë edhe pa qenë anëtar i saj.

Jo, i thotë Mexhiti, Partia ka nevojë për njerëz si ty.

Po, jo mo shoku Mexhit se unë e di që direktiva e Partisë është për të pranuar në radhët e saj sa më shumë njerëz nga Klasa Punëtore dhe nga Fshatarësia Kooperativiste.

Po, jo bre Vait se direktiva e Partisë na kërkon që 20 përqind  e pranimeve të jenë nga Shtresa e Inteligjencës Popullore, kështu që ti i plotëson të gjitha kushtet. Pastaj ti duhet ta kesh për nder që të vlerësojnë; të tjerët bëjnë lutje për tu futur në Parti ndërsa ti i bëke naze.

S'kish nga ia mbante Vaiti, mori nga Sekretari formular-kërkesën, e plotësoi dhe e firmosi.

Që atë mbrëmje u bë mbledhja e Organizatës së Partisë dhe Vaiti u gdhi të nesërmen Kandidat Partie.

Pas nja një muaji, nga Komiteti i Partisë i Rrethit i erdhi Tesëra e Partisë Vaitit, sëbashku me vendimin që stazhin e Kandidatit të Partisë ta bënte në prodhim në Kooperativë.

Ç'të bënte Vaiti, e bëri edhe një vit si punëtor krahu në brigadë. U dobësua ca i gjori se i duhej të bënte normën çdo ditë, por dhe olloveja i ra shumë, se nga 7500 lekë që e kishte rrogën si Drejtor Shkolle, tani mezi i merrte 2500-3000 lekë në muaj nga ditëpunet që bënte në Kooperativë.

Më në fund u rrokullis viti dhe Vaiti shpresonte se do të kthehej në punën e tij, nëmos si drejtor, të paktën si mësues. Mirëpo, pa u gëzuar mirë për mbarimin e stazhit, Sekretar Mexhiti e thirri përsëri në Zyrë e i tha: Shoku Vait; Partia ka menduar që ty të të zgjedhim Kryetar të Këshillit të Bashkuar të Kooperativës së Bërzhitës.

Mos o shoku Mexhit; më lerë të kthehem në shkollë, në zanatin tim; unë vetëm histori e gjeografi di e nuk marr vesh nga punët e Shtetit, nga administrimi e nga ligjet.

Jo or Vait, i tha Mexhiti, komunistët nuk duhet t'i shmangen detyrave që i ngarkon Partia.

U mendua Vaiti i shkretë se çfar justifikimi tjetër t'i nxirrte Sekretarit dhe i tha: Aman o shoku Mexhit, por unë nuk jam për detyra kaq të larta pasi unë kam edhe një të metë, apo huq si të ta them; mua më pëlqen një çikë ajo e shkretë raki kështu që mos më ngatërro me ofiqe, më lerë të rri në qejfin tim me Popullin e thjeshtë.

Po mirë mo, i tha Mexhiti, edhe unë e pi rakinë kështu që do të kem një shok të mirë që të më shoqërojë si pijetar, se ky Kryetari i Kooperativës nuk ia thotë fare në pirjen e rakisë.

Ç'të thoshte Partia bënte Populli në atë kohë, kështu që pas disa javësh Vaiti filloi detyrën e Kryetarit të Këshillit të Bashkuar të Kooperativës.

Mirëpo erdhi shpejt viti 1992; kooperativat dhe këshillat e bashkuara të tyre u shkrinë si kripa në ujë kurse Vaiti mbeti si peshku në të thatë. U paraqit Vaiti në Drejtorinë Arsimore të Rrethit dhe kërkoi që të fillonte diku punën si mësues. Por tani nuk ishte më në pushtet Partia e Punës por një Parti tjetër me emrin Demokratike me në krye komunistin e thekur Sali Ram Berisha, kështu që Drejtori i Arsimit të Rrethit, që ishte një mësues historie, ish koleg i Vaitit, por që tani kish varur në gjoks, si hajmali, një tesër blu, i thotë Vaitit: Keq më vjen o Vait se kemi qenë shokë por unë jam i detyruar të të them se nuk ka punë për ty pasi ti ke qenë mësues historie dhe historia ka qenë e falsifikuar nga Enver Hoxha, ke qenë Drejtor Shkolle dhe shkollat kanë qenë të politizuara nga Partia e Punës, ke qenë anëtar i Partisë së Punës, ke qenë Kryetar i Këshilit të Bashkuar të Kooperativës, pra ke qenë kuadër që i ke shërbyer Partisë së Punës.

Doli Vaiti i shkretë nga Zyra e Drejtorisë Arsimore dhe fliste me vete, por njerëzit që ishin për-rreth e kishin dëgjuar që thoshte: "Ah më i qifja t'ëmën atij Mexhit Kullollit që më bëri Anëtar Partie"!

Ashtu, i nxehur e i sikletosur si ishte, u drejtua për tek Shtëpia e Mexhitit dhe, sa hyri në oborr, filloi që ta shante e ta mallkonte Mexhitin.

Mexhiti, që tani ishte edhe vetë një i papunë dhe në të njëjtin hall, e dëgjonte Vaitin dhe qeshte, pastaj e mori për krahu, e futi brenda dhe pasi i vuri përpara një kafe e një dopio raki, i tha: Po mirë o Vait po pse nuk i the atij mender Drejtori Arsimor se: "Mua më kanë futur në Parti se punoja mirë kurse ai Kryetari juaj i zbritur nga malet, është futur në Partinë e Punës duke iu bërë vemje asaj, duke iu ngjitur në varkë djemve të Enver Hoxhës, duke bërë njëqind lutje e rixhara, duke bërë servilizma, poshtërsira e spiunllëqe e duke futur edhe njerëz në burg".



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora