E premte, 01.11.2024, 12:06 AM (GMT)

Kulturë

Remzije Zekolli: Opusi krijues i piktorit G. Freitag

E diele, 24.01.2016, 11:10 AM


OPUSI KRIJUES I PIKTORIT GAZMEND FREITAG

NGA REMZIJE J. ZEKOLLI, SHKRIMTARE

Të shkruash për figura të rëndësishme kombëtare të cilat me veprën dhe krijimet e tyre kanë lënë gjurmë të thella në krijimtarinë botërore,  nuk është punë fare e lehtë. Populli shqiptar, si ndër  popujt më të vogël në botë,  asaj i dha figura të mëdha në fusha të ndryshme. Figurat e personaliteteve qoftë kombëtare, qoftë botërore, për talentin e tyre të lindur, dallohen në familjet e tyre, në lagjet e tyre  dhe në mesin e shoqërisë së tyre. Figurat e mëdha shquhen   në fusha të ndryshme,si: në politikë, në arsim, në art, në kulturë, në shkencë, në sport, etj.

Shikuar historikisht,  qysh nga Skënderbeu, Galibardi, Aleksandër Mojsiu, Nëna Tereze, Ismail Kadare, Bekim Fehmiu, Gazmend Freitag, Eliza Dushku, Rita Ora, Lorik Cana, etj etj,  ndonëse jetuan dhe jetojnë larg vendit të tyre, ata krijuan  dhe denjësisht e përfaqësuan dhe po e përfaqësojnë popullin shqiptar. Këto figura ndriçonin në rrugëtimin e tyre në hapësirën ku jetuan dhe jetojnë.

Figurat e ndritura të kombit,  erërat botërore i morën me vete në shtete të ndryshme ku ata gjetën prehjet e tyre edhe me krijimet e tyre. Ndonëse janë maja botërore,  ata përherë e lartësojnë origjinën e tyre të pastër sa herë që paraqiten para publikut botëror.

Në mesin e figurave brilante  kombëtare,  që po lë gjurmë në artin e pikturës, është maestro Gazmend Freitag, i cili pikturën e dashuron shpirtërisht. Figura e tij artistike,  karakterizohet me këmbëngultësinë e tij për të arritur qëllimin që ai dëshiron ta hedhë me pikturë, ai mjeshtërisht di të hyjë në fshehtësinë e artit, hyn në thellësinë e tij si të oqeanit dhe kurrë nuk mbytet,por fitimtar del në sipërfaqe duke realizuar piktura, portrete, peisazhe të mrekullueshme që me vete bartin mesazhe fisnike te publiku. Vallë a nuk është dashuria diçka hyjnore, fisnike që të fascinon në kornizën e tij? Pikturat e tij i karakterizon begatia, forca, mrekullia të cilat e mahnisin vizitorin në galeri. Edhe në jetën private është i kujdesshëm, njeriun leht e bën  për vete.

Për figurën e tij flet edhe humanistja austriake, Marianne Graf,  e cila, gjatë luftës në Kosovë, i ka ndihmuar popullit në vatrat e krizës. Gazmendi në shenjë mirënjohjeje asaj i dhuron një portret. Mendoj se në këtë rast Gazi ka zëvendësuar shtetin tonë. Humanistja e dalluar austriake, në mes të tjerash do të theksonte:  Më erdhi një surprizë. Është diçka e veçantë të portretizohem nga një artist si Gazmendi. Ai gjithashtu është aktivist, nuk është i bezdisshëm, është i interesuar për fushatën humane. Ai është elegant në skenë. Faleminderit! Përqafime”.

Në numrin mars-prill 2014, revista më prestigjioze e artit në Itali, “Effetto Arte”, në rubrikën “Grande Maestri”, prezentohet nje kritikë shumë pozitive nga Caterina Randazzo: “Gazmend Freitag është një artist që njeh sekretet e figurave dhe i përdor për të prodhuar vepra të fakturave të larta.Në pikturë, në veçanti me portrete ,arrin të përcjellë emocione të tërhequra nga vëzhgimi nga ajo që e rrethon, duke hapur dimensione të reja stilistike.  Figuracioni i piktorit Gazmend Freitag, jet e kuptushme si një shfryrje e talentit të tij dhe krijimtarisë së tij. Në fakt artisti paraqet mbi pikturë ripunimet e tija nga realja, duke vënë në dukje, me theks të veçantë në fytyrat e portretëve. Sinteza e tij kompozicionale ndjek diktatet e mësimit të mënyrës dhe plotësohet me konsiderata të përshtatshme të cilat theksojnë romantikën”.

Figura e tij është unikate. Ai guximshëm në ekspozitat e tij shpeshherë paraqitet me punimet e tij nudo të cilin drejtim e specializoi në dy semestra në Universitetin e Artit në Linz,  tek profesoresha Mag. Annelies Oberdanner. Kjo veçanti e dallon Gazmendin nga piktorët e tjerë shqiptarë.  Ai merr ftesa nga galeritë austriake, italiane, sllovake  për t’i ekspozuar pikturat e tij. Krijimet e tij nuhaten, preken përmes motiveve të ndryshme të cilat janë mahnitëse. Stili i tij i pikturimit është vetjak, i pahuazuar, burimor, në përgjithësi është human, njerëzor, artistik, shkurt ai është vetvetja.

Piktori ynë me sukses u paraqit në ekspozita personale në Vjenë dy herë, Linz një herë, pjesëmarrës në Bienalin e parë në Verona, ekspozitë internacionale në Bratisllavë dhe qytete të tjera, si dhe në disa ekspozita kolektive. Në këto ekspozita me sukses paraqiti krijimtarinë e tij artistike,  por edhe atë shqiptare gjithashtu.

Tani në Vjenë ende është e hapur ekspozita e tij  me titull “Momente të bukura” si dhe më 2 shkurt 2016 do hapet ekspozita e tretë personale e tij në Vjenë,  organizuar nga Kunstprojekte, presidente e së cilës është kuratorja, zonja Ursula Pfeiffer.

Gazmendi, shoku im i gjeneratës, fuqishëm është duke ecur binarëve të aktorit të madh shqiptar, Aleksandër Moisiut, i cili edhe sot mbetet legjenda e teatrit botëror.  Aktori i madh gjerman Albert Baserman, pasi e hodhi unazën në trupin e tij tha: “Unë po ta lë ty Unazën e Inflandit Ti e meritoje  këtë Mosi i dashur”. Unë them “Ai e mori Inflandin me vete,  por pas vetes  la krijimtarinë e tij  një  thesar të çmuar që ende ndriçonë si gurë diamanti në horizont” ( RZ).

Piktori dashurinë e tij fisnike për aktorin e madh shqiptar e tregon edhe me financimin e librit “Moisiu dhe Moisiu”, një ribotim i gazetarit kosovar, Shaqir Foniqit, me shumë simbolike prej  1000 eurosh. Ai bibliotekës së qytetit ku jeton, në Linz, i dhuroi 10 ekzemplarë të librit në gjuhën shqipe për  aktorin e madh.

Të bësh një paralele mes aktorit Moisiu dhe piktorit Gazmend  i cili synon të arrijë suksesin e tij është një përgjegjësi e madhe përpara këtyre dy figurave të shquara krijuese të kombit tim, por edhe për mua si autore. Krijimtaria e tyre shpeshherë kryqëzohet në rrugëtimin e tyre fisnik krijues, por edhe ka momente që rrugëtimi i ndan ata. Gazmendi ende i takon moshës së re. Me talentin e tij, dhunti nga Zoti, dhe karakteri i tij i pamposhtur,  do të arrijë atje ku edhe Aleksandri ynë mbërriti. Të tillë e njoh dhe e kujtoj shokun tim të dashur.

Paralelet mes tyre. Të dytë janë shqiptarë që krijuan në shtete të tjera. U larguan në mërgim pa dëshirën e tyre. Jetuan në shtetin austriak. Natyra e butë njerëzore dhe eleganca në skenë i bashkon ata. Moisiu luajti 200 role , Gazmendi pikturoi afër 1000 piktura, Moisiu luajti në 12 filma, Gazmendi bëri 20 ekspozita, prej tyre katër personale, Mosiu shkroi dramën

“ I Burgosuri”, Gazmendi financoi librin për të “Mosiu dhe Mosiu”. Aleksandri luajti në tetarin e Vjenës, ndërsa Gazmendi deri më tani,  po në këtë qytet  paraqitet me tri ekspozita personale dhe disa kolektive.

Siç shihet diagonalja mes tyre është se Moisiu ka shkruar dramën dhe ndonjë tregim,  ndërsa Gazmendi ende se ka bërë një gjë të tillë. Gazmendi ende është i ri dhe me elanin e fuqishëm si kurrë me parë në jetën e tij, që  kohëve të fundit e ka intensifikuar,  kam besim të plotë se me sukses do e arrijë famën e të madhit Moisi.

Një jetëshkrim nga piktori ynë i madh,  mendoj se në këtë moment do të ishte më se i mirëseardhur për adhuruesit e tij.Ende pa mbushur 10 vjet në krijimtarinë e tij si piktor, me 20 ekspozita, Gazmendi ka arritur suksese solide,  por që kanë shkëlqyer në ekspozita për t’i çelur rrugen e tij të dëshiruar: t’i arrijë majat e artit të pikturës në botë.

Mbetet obligim moral i shtetit shqiptar, edhe të Kosovës, t’ia mundësojë hapjen e ekspozitës së tij në Tiranë dhe në Prishtinë, pasi me punën e tij krijuese ka lartësuar pikturën shqiptare në botë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora