E diele, 14.04.2024, 05:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Roman me peshë historike

E merkure, 20.01.2016, 08:11 PM


R e c e n s i o n

“KUR BARRA E KOHËS RËNDRON”-ROMAN ME PESHË HISTORIKE TË PAKONTESTUESHME

Nga Tahir Bezhani

Ryzhdi Baloku, krijues i dëshmuar nga Peja, deri me tani u ka dhënë lexuesve tri vepra të rëndësishme: “Si u themelue Organizata për bashkimin e trojeve shqiptare”, libër shkencor, pastaj, “Udhëtimi nëpër vite dramatike”, libër me rëndësi për shumë ngjarje të ndriçuara në bazë të dëshmive të njerëzve të kohës. Para botimit ndodhet edhe  romani, prapë historik, “Ditari i një të panjohuri”, i cili botohet pjesë-pjesë nëpër portalet elektronike, ndërsa me botimin e romanit ”Kur barra e kohës rëndon”, dëshmohet  para opinionit dashamirës të fjalës së shkruar, si një romansier i vlerave historiko letrare, ku përmes majës së mprehtë të penës së tij, tjerrë aspekte historike të një kohe të kaluar, ku populli shqiptarë vuajti shumë, pastaj e pagoi shtrenjtë, me shumë gjak lirinë ,nga thundra fashiste serbosllave, për më se një shekull sundim.

Autori, Ryzhdi Baloku, në romanin më të ri, ”Kur barra e kohës rëndon”, trajton periudha të ndryshme në kohë të vështira që nga koha e Krajl Pjetrit e deri në kohën e shkëputjes së Kosovës nga ajo pjesë e Jugosllavisë artificial, prej së cilës ky popull u nda i larë në gjak, nga një ushtri fashizoide serbe.

Lexuesit të cilët kanë pasur rastin, ose do të kenë rastin të lexojnë romanin historik të autorit Ryzhdi Baloku, ”Kur barra e kohës rëndon”, do të jenë dëshmitarë të një romani me një vlerë të pakontestueshme historike, me vlerë të përhershme, sepse, vuajtjet e përjetuara aq shumë vite, deri në gjenocid, nuk guxojmë t’i harrojmë, jo tani, por as nëpër shekuj. Pra, përjetimet e dëshmuara nëpër kohë të vështira, janë prezantuar me një talent të rrallë në këtë roman artistiko-letrar, ku protagonistët e romanit, të duket se flasin nga faqet e këtij romani shumë real.

Ngjarja e romanit, fillon me një spontanitet nga krye personazhi Sokol Malësori, i cili, duke shikuar përmes dritarës, shikon hijen e një lisi, ku kishin lozur si fëmijë e pushuar si burra me bashkëluftëtarin e moshatarin, Zekën, me ç’rast, duke shikuar lisin, metaforizon qëndresën kombëtare me fjalët: ”zoti e di sa i moçëm është? Sa erëra e furtuna e kanë përshkruar atë dhe ende po qëndron si lapidarë, besoj se edhe këtë thatësirë do ta përballojë…” Pra, që në fillim ndizen xixat e kujtimeve të zeza, nën thundrën e një okupatori të pa mëshirshëm, i cili nuk kurseu asgjë për shfarosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike.

Dëbimet në Turqi, vrasjet, presionet politike, taksat e rënda e të pa përballueshme, moslejimi në shkollim, posaçërisht në gjuhën amtare, qëllimi i asimilimit, e shumë të tjera, buronin nga planet e kreut politik serb për shfarosjen e shqiptarëve. Në kontest të këtyre reprezaljeve programore të fashizoidëve të pushtetit serb, në mesin e popullit tonë përherë kanë dalë koka të zgjuara që i kanë pri popullit në rrugën e sakrificës për liri, për shtetësi, deri në realizimin faktik në ditët e sotme. Në këtë prizëm, shikohen protagonistët e veprës në romanin ”Kur barra e kohës rëndon”, siç është Sokol Malësori me bashkëshorten, Zojen, djalin Trimin e nusen Tringa, dhe në anën tjetër, Zeka me djalin Gjinin e mbarë familjen, të cilët nëpër gjenerata e pësojnë nga pushteti okupues, deri edhe në vrasje të anëtarëve të familjeve të tyre. Ky fakt, ngre lartë qëndresën kombëtare, sepse, autori logjikshëm rrëfen aspiratat e popullit për liri, etjen për shtetësi e mëvetësi duke i ditur edhe padrejtësitë historike të ndarjes së një kombi(shteti, Shqipërinë) në pesë pjesë, sikur të kishte qenë një tepricë e falur nga kushdo…

Sekuencat e rrëfimeve të protagonistëve në romanin “Kur barra e kohës rëndon”, falë fuqisë imagjinative të autorit, Ryzhdi Baloku, të rrëqethin nga dhimbja dhe vuajtja deri në skajshmëri, posaçërisht në ato raste kur dëboheshin familjet me dhunë për në Turqi, kur familjarët i merrnin hallanin edhe gurit e drurit në oborre, edhe qenit, çdo gjëje, duke ditur se kurrë më nuk do kthehen në vendin e tyre. Ja një rrëfim i një nëne: ”-Oh e mjera unë e mjera, sa shumë bukë gatova këtu, o magjja ime. Të gjithë  fëmijët e nipat i rrita me ty. O i madhi Perëndi, si ta lë dritën e syve të mi, birin tim, loçkën e zemrës sime. Oh e mjera unë e mjera, si nuk vdiqa deri tash për të qenë pranë varrit të tij që mos ta lë vetëm”.

Ngjarjet e shtjelluara në roman vijnë si një mjeshtëri pune e palodhshme e autorit, si ndjenjë e përjetim, dhimbje të rënda, nga ku edhe buron porosia(mesazhi) i romanit. Kjo realizohet edhe nga një aspekt tjetër, bazuar në kontestin e një realiteti, sepse, autori i romanit, është një veprimtar i çështjes kombëtare për afër katër dekada. I njëjti i takon një familje në tre breza nga rrethi i ngushtë, me shumë vuajtje dënimesh nëpër kazamatet serbe. Pra, një familje të njohur për nga kauza kombëtare. Rëndësia qëndron, pra, në faktin e përjetimit të realitetit të hidhët si familje, ku dimensioni refleksiv në roman shtrihet në përmasën kombëtare. Kjo është madhështia e realitetit në këtë vepër.

Pa këtë peshë dhimbjeje, mendoj,  romani nuk do e kishte marrë gjithë këtë vlerë edhe artistike. Nga këto vlera që ka në përmbajtje, vjen edhe rëndësia e veprës letrare, konkretisht, ky roman ka vlerë të pakontestueshme historike. Zaten, kjo është edhe rëndësia e romaneve historike si zhanër letrar.

Shtetet e pushtetet të cilat patëm fatin historik që ta pushtojnë  vendin tonë, nga lakmia e pasurive nëntokësore e mbitokësore, përherë përdorën metoda e taktika perfide, që në mesin e këtij populli të gjejnë argatët e tyre, për ta pasur më të lehtë e më të gjatë sundimin e tyre. Autori i romanit, Ryzhdi Baloku, nuk le anash edhe elementin e tradhtisë në këtë roman, siç është rasti me të pashkolluarin, analfabetin total, Xuqin, i cili i shërben pushtetit pa dijen se po e dëmton  popullin e vet. Pushtetit, vetëm sa iu ka dashur një nënshkrim, si arsye rasti për eliminimin e ndonjë shqiptari nga skena e lagjes, deri edhe në politikë të vendit. Autori, duke i qëndruar besnik realiteteve të kohëve, pasuron rrëfimin me elementet atraktive përmbajtjesore në romanin ”Kur barra e kohës rëndon”.

Pa asnjë dyshim, me plot bindje e them, se romani në fjalë, është një libër i mirëseardhur, në një kohë çfarë jemi tani, i qëlluar, për të na freskuar kujtesën historike të vuajtjeve të këtij populli, për të na vetëdijesuar e prekur ndërgjegjen, se po e harruam të kaluarën, po u “habitëm” pas gjërave të pavlera, historia do na dënoi me përsëritjen e së keqes. Shpresoj se nuk do na ngjajë kjo gjë!....

Romani i autorit Ryzhdi Baloku, ”Kur barra e kohës rëndon”, pa mëdyshje është një pasuri letrare, është një thesar për bibliotekat tona shkollore e personale.



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora