Kulturë
Qazim Shehu: Margaritarë
E merkure, 20.01.2016, 08:04 PM
MARGARITARË
QAZIM D. SHEHU
Fjala është margaritar
Në fund të detit të ndjenjës,
Vjen Xhon Satjnbek me polumbar,
Zhytet e na jep perlën.
E marrim perlën edhe ikim,
Ndërtojmë ëndrra për të,
Dikush nga pas na nxjerr thikën
Na ndjek e s`na lë.
Mos qoftë, o zot, ta ruajmë perlën,
Në fat të hidhtë dënuar,
Më mirë të varfër ta mbajmë jetën
Sesa me margaritarin e çmuar…
DIELL I FTOHUR
Kur more veten dhe bukurinë
Tmerruar nga dashuria ime,
As e mendoja dashurinë,
Kaq me ngut të ikte.
Sirenë e zërit kur u shua
U shuan flokët edhe balli,
Krejt dielli u shtrydh e ra mbi mua
Kokërr portokalli.
Dhe prisja unë ngrohtësinë e tij,
E prisja fatin nojmë të ngrohur,
Pa kuptuar se si në dashuri
Dielli i saj qe ftohur…
NJERIU I MADH
Kur vjen në Tiranë Njeriu i Madh,
Flamurët veshin pemët,
Diku, diku, në bulevard
Makinat ulin veshët.
Sa i nevojshëm është ky ankth,
Për të ndalur mendjen në madhështi,
Në plagë duartrokitjesh kur na hedh
Ilaç nga fjalim i tij
VAZO
Kjo vazo ka qenë një baltë
Fryrë nga stuhitë e kohës,
Petale lulesh porsi mjaltë
Kur i lëshuan aromën.
Pastaj erdh mjeshtri dhe nga balta
E bëri qypin edhe vazon,
Shkëlqente ena nëpër salla
Si kupë triumfatorësh.
Kur koha me dhe e mbuloi,
Humbi nënshtresës së tokës,
Baltë e papërfillur merrte hak
Ndaj koketërisë së formës…
TEPRIMI
Shamitë e shtrydhura të reve,
U nderën në gardhin e shtëpisë.
Dhe unë dola duke ndjerë
Lotët e stuhisë.
Si ?Të qante stuhia që gjëmimin
E nis dhe e ndal kurdo,
Po edhe stuhia kur ndjen teprimin
E butë bëhet ajo…
UDHËTAR
Jam udhëtar i dashurisë kur mendja
Bredh pa përtuar,
Në kapërcyell ëdndrrash me dy rrugë,
Gjithnjë
Në rrugë të gabuar kam shkuar.
Pak intuitë duhej të kisha,
Rrugën e duhur ta gjeja që në fillim,
Po s`do kisha bredhur me kaq dëshira,
As udhëtar s`do isha me kaq trillim…
SENDET
Sendet shpesh mbajnë syrin tënd,
Ja, kjo nyje arre për shembull,
Dhe kjo dërrasë që më çmend,
Porsi daulle vjeshte.
Lë pastaj, sendet e vjetra,
Një bllok ,një laps e një fotografi,
Ku vështrimi jot i hershëm
Është zbehur tek vështrim I ri…
BRINJË E FEMRËS
Brinja e femrës damari fshehtë mbrëmje,
Plagosur nga dëshirat e fshehta,
Prandaj dihat kjo mbrëmje me dhëmbje
Dhe shqyhet fundësirash të etura.
Hark violine e thyer.Ngaqë tingujt
Kush nuk ia dëgjoi,
Si fije bari dridhet mos bjerë
Në zjarrin e përgojimit plot lojë…
VËRTETËSI
Duke e gjykuar kaq shtihane,
të rrokullepsur, zilepsur ,egërshane ;
këtë botë,
vendosa të mbushem me të vërtetën,
ndaj shkova dhe plotësova anketën
tek biblioteka e dijeve.
Atje gjithë njerëzit e mëdhenj
U ngjanin çilimijve,
Dhe librat e vjetër
U qenë dorëzuar mijve.
CIPA
Kush i vodhi hapat e mia në rrugë?
Koha
Era
Apo shiu me rrebesh?
Vjen një jehonë e zvagullt.
Ndërsa udha i mbulon me një cipë të akullt…
Gjithsesi ,cipën e akullit do e shkrij
Me këtë zarr të paktë të jetës,
Po nuk e gjej e s`mundem
Një cipë t`i vë sedrës…