E hene, 09.12.2024, 07:17 PM (GMT)

Kulturë

Lulzim Logu: Gazetari i veriut të ëmbël

E premte, 15.01.2016, 08:28 PM


GAZETARI I VERIUT TE EMBEL!...

-Sprovë vlerësimi për librin “Pranverat e qytetit të veriut” të Gjon Neçajt, publicistikë-

NGA LULZIM LOGU

Sapo ka dalë nga shtypi ky libër, botim i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit dhe Shkencës si dhe Qëndrës Shqiptare të Studimeve Amerikane dhe Britanike.Kur në fakt duhej të ishte i shtati apo i teti libër i tij publicistik, duke pasur parasysh se ai ka dhjetra vite që kontribon në shtypin qendror dhe atë lokal me shkrime të ndryshme, të karakterit social, kulturor dhe ekonomik si dhe vështrime letrare për autorë dhe vepra të ndryshme letrare.

I konsideruar si poeti i Bjeshkëve të Nemuna,i cili vazhdimisht lëvron papërtuar, fisnikërisht, me shpresë dhe besim në “arën” poetike shqiptare, një gazetar i veriut të ëmbël, i viseve të bukura natyrore, por mjerisht akoma të varfëra, të largëta nga ndryshimet progresive të kohës, si një kënd i harruar akoma diku mes maleve, baladave dhe nostalgjive …

Pikërisht tek ky status i vendlindjes dhe arealit të tij poetik, ndoshta buron dhe pamundësia e tij, të shfaqet më i plotë dhe i strukturuar, më i afërt me lexuesit e tij të shumtë, megjithatë ai modest dhe i pakompleksuar, përpiqet të jetë pranë tyre përmes çdo forme të mundshme të komunikimit të sotëm, sidomos elektronik.

Tek “Pranverat e qytetit të veriut” ka larmi tematike, që nga evokime tradicionale si “Gjama e burrave” dhe “Tradita e kullave shqiptare”, tek “Dervishët e Tropojës” si trajtim i veçantë nën një dritë dhe fokus filozofik dhe humanitar,te fakti i rrallë historik, me “Pasaportën e gjetur të Bajram Currit” dhe “Normat zakonore dhe ligjet e shtetit” si qasje krahasimore me efekt sensibilizues dhe dialogues.

Por dhe me shënjëzime intelektuale dhe krijuese rreth figurave të shquara historike, të shkencës dhe letërsisë mbarëkombëtare si Mark Avdyli, Mark Krasniqi, Din Mehmeti, Rexhep Qosja, Martin Camaj etj.

Ndërkohë që me të njëjtën ndjenjë vlerësimi, përkushtimi dhe analize jetësore ai trajton njerëzit e shquar të artit, letërsisë, traditës dhe historisë, por edhe të zhvillimeve demokratike, që nga fotografi më i vjetër i qytetit, tek çobani, personazh i një romani të njohur, tek veteranët e nderuar të luftës, deri te historia aq e njohur e vajzës, e cila u përpoq të thyejë tabutë evjetra të një kohe dhe u martirizua…

Stili i tij ka koncizitet, ritëm dhe frymëmarrje të shpejtuar, duke dashur të shplojë para vetes dhe të tjerëve shqetsimet e kohës dhe ditës, ngulshimet e dukshme shpirtërore dhe intelektuale, shfrimet shpesh të forta ndaj realitetit, ndonjeherë zhgënjyes dhe gati vrasës i shpresës dhe vazhdimit, pikëllimin për bashkëvendasit e tij, që vuajnë mëkatet e atyre për të cilët kanë votuar dhe besuar dhe tash përditë ua kthejnë shpinën paturpësisht…

Kronikan realist, me detaje të mprehta, këndvështrime të qëlluara dhe formulues i shkathtë i mesazhit adekuat social, Neçaj shpalos begatinë e përvojës, afërsinë e duhur me ngjarjen dhe rrethanat, pa zbukurime dhe dhe teknika të sforcuara, duke qënë kësisoj një vëzhgues dhe më pas përgjithësues i matur dhe alternativ i dukurive njërëzore dhe ndikimeve historike.

Atij i mjafton një çast, një lëvizje, një rrëfim, për të sëndërtuar mesazhin që duhet ta trondisë së brëndshmi lexuesin dhe ta intrigojë atë në botën e  tij personale, sikurse në botën e madhe ku i duhet të matet me veten dhe të tjerët si qytetarë të përgjegjshëm aktiv, si pjestarë të merituar të Atdheut që duhet të rritet…

Në fund të fundit, në dialogun e ti publicistik, ai përfaqëson më së miri profilin e tij, një gazetar shumëplanësh, por modest në pretendimet e tij, një njeri i butë në rrëfim, por i vrullshëm në gjykime, sa fisnik dhe naiv, sa i ashpër dhe i pikëlluar, sa i lumtur dhe i trishtuar…

Ndërsa udhëton stacioneve të jetës, herë si poet, herë si ekonomist, herë me kapuç të bardhë mbi kokë, herë me krelat e paprera, herë grotesk me pushtetin dhe herë afrues i çuditshëm i njerëzve të thjeshtë që vuajnë.

Duke vuajtur si ata, duke bertitur aq sa mundet, duke u përpjekur të dritësojë në një mjedis të mjegulluar provincial, ku talentet humbin shpesh në shiun dhe gropat e rrugës dhe budallenjtë festojnë fatin e tyre, duke tallur të mençurit…

Libri lexohet shpejt, perbihet ashtu si një pije e shumëpritur ta shuajë kalljen e brendshme, ka personazhe dhe fakte si një roman kronike, ka vertetësi dokumentare, ka thjeshtësi dhe ngarkesë të”butë” për çdo lexues, ka emblemën dhe vulën e vendit ku jeton dhe vepron autori si njeri, personazh, objekt dhe subjekt i një tradite të njohur publicistike dhe jo vetëm.

Megjithse pak i ngutur në përzgjedhjen dhe renditjen tematike dhe problemore, libri është unanim dhe bashkëkohës në nuancat dokumentare, sikurse në gjuhën dhe teknikat e pasqyrimit të fakteve, dëshmive dhe ballafaqimit kohor dhe ideor.

Një seri e mirëseardhur e një seriali publistik, i cili padyshim se do të vazhdojë me akte të tjera, ku Gjon Neçaj rrefen, gjykon, polemizon dhe apelon mbi të drejtat, dëshmitë, vlerat, por edhe mbi të pavertetat dhe gabimet në breza dhe kohë të ndryshme, të cilat ndikojnë mbi zhvillimin e sotëm.

Në foton kryeshkrimi, të cilën e shkrepa paditur ai, ditën që libri u botua dhe mbrrini në duart e tij, pashë lumturinë e rrallë njerëzore, çehren e rrallë krijuese dhe fytyrën vralije prej brengave dhe shqetsimeve prej poeti dhe mendova si shumë herë të tjera vetmëveti:

A duhen vlerësuar kronikanët dhe krijuesit që mbartin aq fort mbi vete fatin, dhembjet dhe shpresat e atdheut te vet, si Gjon Neçaj?!Shpeshherë të harruar, të paidentifikueshëm në turmën e zakonshme të fateve njerëzore?!...

-Per ZemraShqiptare, nga Bajram Curri, mes-Janari 2016-



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora