E shtune, 27.07.2024, 06:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Vilson Culaj: Keka - Skënderbeu - Unifikuesi i Europës

E hene, 18.01.2016, 09:53 PM


Refleksion për librin e Gjon KEKËS ''Skënderbeu - Unifikuesi i Europës''

(Diplomati i  unifikimit mosnështrimit dhe jo servilizmit)

Botoi: Botart – Tiranë - 2012

Shkruan Vilson Culaj

Ka kaluar më se një dekadë dhe emri i Gjon Kekës është bërë dukshëm i afirmuar me studimet e tij në fushën e politikogjisë, ku falë qasjes së tij në arkivat austriake (ku edhe jeton) dhe falë temave që i trajton, ky autor shquhet si për nga përmbajtja e tematikat e përzgjedhura (risi për këtë studijues) që trajton fushën e hulumtimeve, burimet arkivore që lëvron dhe falë metodologjisë hulumtese - shkencore, por edhe Epistimiologjisë paraprake që ka përfituar ky studiues në vite, ky libër dhe autor jep shansin e të të qenit si subjekt trajtimi e vlerësimi dhe analizimi.

E kësaj natyre si vlerë shkencore dhe si pasurim histografik, por e thënë dhe e shqyrtuar e trajtuar në aspektin politik e diplomatik, i servohet edhe lexuesit shqiptar libri "Skënderbeu, ideator i bashkimit evropian’’, i cili libër për nga pamja e parë modest  (diku 175 faqe), në fakt, falë racionalizmit shkencor të autorit dhe dendësisë së ngjarjeve dhe fakteve, por edhe koloritit të temave e situatave që ngërthen në vete kjo gamë e ngjarjeve, ofron të dhëna krejt të reja për opinionin tonë dhe pothuajse të padëgjuara, sepse shabllonizmi ynë shkencor i rrënjosur në dekada thellë në memorien tonë kolektive, kishte ofruar, mësuar, por edhe imponuar një formë studimi, krejt shabllonik e të kufizuar, por edhe të ideologjizuar për figurën më poliedrike, më patriotike, diplomatike, vizionare dhe më unifikuese të kombit shqiptar me shekuj.  Ky ishte Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Këtu, ndoshta, qëndron edhe veçantia e këtij libri studimor të autorit Keka, i cili falë hulumtimit të tij të gjatë, në arkivat austriake, na sjell një Gjergj Kastriot krejt ndryshe siç jemi mësuar ta mitizojmë ne ndoshta në mënyrë krejt formaliste, pa hyrë kurrë në kompliksitetin e tij të gjithëmbarshëm, jo vetëm si njeri i shpatës dhe si ushtarak, por edhe si vizionar, politikan, diplomat, unifikues i kombit shqiptar, krijues aleancash, negociator, ideator, poliglot(njohës i shtatë gjuhëve diplomatike), shtetformues e shtetndërtues, parimor e fisnik, zbatues i ligjit, njeri besimtar e optimist, stoik, por edhe iluminist, me një fjalë personalitet që është shkrirë për fatet e kombit tonë. Këtu zë edhe poenta studimore e autorit Keka, i cili në dritën e njohjes së tij studimore, mundohet që lexuesit tonë t’ia shpërfaqë një Gjergj Kastriot krejt ndryshe siç jemi mësuar ta shohim, ta vlerësojme në sytë tanë të vegjël historik, euforik, e emocional, e ngjanjëherë krejt utopik e mitizues. Ky është ai Gjergji i parë në këndvështrimin e gjurmëve dhe fuqisë shkencore e faktografike, mu ai Gjergji i shndërruar si ‘’avokat historik i shqiptarëve dhe familjes evropiane’’ do shpreh Keka në parathënien e këtij libri studimor. Pra, kjo është fusha studimore që autori e ka për gjakim, ‘’aspekti diplomatik dhe politik’’ i reflektimeve skënderbegiane, ku edhe zë fill testi i parë diplomatik e gjeopolitik i Evropës, e katandisur për dhjetë shekuj obskurantizëm, ndarje, përçarje dhe egoizmash në mes princërish miopë e rrënuesë të vetvetes. I vendosur në qendër të këtyre ngjarjeve dhe udhëkryqeve historike, figura e Gjergj Katriotit, falë heroizmave të tij, unifikimit të popullit shqiptar, dhe reflektimet e tij në qendrat kryesore botërore, sipas autorit Keka, na del si njeriu i madh i progresit dhe i revulocionit të madh të kohës se ku veproi. Sipas përshkrimit te autorit, Gjergj Kastrioti na del si personalitet i çliruar nga kompleksi i mendësisë autoritare despotike dhe tiranike, dhe jashtë sferës së lakmisë për pushtet dhe në fakt si një lider që i vetëm ka ruajtur kombin e tij pa u njollosur nga ideologjitë e errëta. Ishte koha, ku falë strategjisë se tij, kombi shqiptar u bë i denjë për të qenë në ballë të kombeve evropiane dhe për të gëzuar mbrojtjen e tyre. Ky shqyrtim vjen nga shkaku se Evropa e rrënuar nga periudha e kryqëzatave kishte nevojë për një lider dhe unifikues të ri, sepse ekspansioni i perandorisë otomane nuk kishte të ndalur dhe këtu hidhet ideja se vallë kush e meritonte më shumë këtë status se sa unifikuesi i kombit të tij Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Sipas shqyrtimeve dhe analizave të autorit Keka, akti historik i Kuvendit të Lezhës më 1444, konsolidimi i brendshëm, unifikimi i trupit të përbashkët kombëtar nga stadi dhe kategoria e fisit e krahinës, ishin shndërruar falë vizionit të Gjergj Kastriotit në unifikim kombëtar dhe shtetëror. Në këtë libër, Skënderbeu na del si instaluesi i parë i jetës politike dhe institucionale, por edhe jetës morale dhe të përgjegjshme, ku shpërfaqen vlerat e përbashkëta të një qeverisjeje demokratike, si një risi për rrethanat kohore dhe historike. Ky ideolog, në këtë studim, na del edhe si rregullator i shtyllave bazike dhe juridike të shtetit kushtetutar, ku falë vizionit të tij, por edhe krahut të tij të djathtë, Pal Engjëllit, si përfaqësues i politikës së jashtme të shtetit të Skënderbeut, populli ynë kishte filluar një status të priviligjuar në sytë e diplomacisë evropiane për të reflektuar, jo rrallë, edhe si partner dhe ideator i veprimeve e ngjarjeve diplomatike të kontinentit të vjetër. Ishte imperativ i kohës, unifikimi i Evropës, sepse përplasja e civilizimeve ishte në kulmin e saj, kurse Skënderbeu tanimë e kishte dhënë sprovën dhe dëshminë në popullin e vet. Ai, si lider me vizion dhe që i kalonte përmasat kombëtare ,dhe si krijues i shtetit të mirëfilltë mesjetar, si institucionalist, krijues politikash të jashtme, të brendshme, i shquar si gjeneral e diplomat, i kishte bërë për vete pothuajse të gjitha qendrat kryesore diplomatike si: Venedikun, Napolin, Hungarinë, Gjermaninë, Austrinë, Vatikanin, Raguzën etj. Kjo gjendje konstante në pikëpamjet e tij politike, strategjike, kulturore, kombëtare dhe institucionale kishte bërë që shumë princër evropianë ta shprehnin admirimin e kësaj figure poliedrike e unifikuese deri tek papa Eugjeni IV. Ky ishte vizioni kastriotian, unifikuesi i shteteve, bashkë me këtë edhe unifikuesi i Evropës. Kjo ishte Evropa e asaj kohe, hedh idenë autori Keka’’. Evropa e princërve egoistë dhe dritëshkurtër. Ishte i vetmi GJergj Kastrioti, sipas shumë ideologëve dhe diplomatëve evropianë, ai që kishte ndikim shumë të fuqishëm, si lidership, strateg, vizionar, i guximshëm dhe urtak që ta kristalizonte dhe ta hidhte idenë burimore të unitetit të plotë të familjes evropiane falë edhe pozitës gjeostrategjike të rojeve arbërore. Sipas autorit, jo rrallë, ai kishte lutur e sugjeruar princërit evropianë për unifikim, për t'u mobilizuar kjo e fundit në largimin e furisë aziatike që po e kërcënonte identitetin e kulturën evropiane. Këtë e dëshmon edhe dërgimi i përfaqësuesit të tij, Marin Muzaka, më 1461, në Romë, me Papën, lidhur me këtë ide.

Me këtë libër studimor, na shpërfaqet universalizmi kastriotian, shpirti e vizioni i tij, përtej shablloneve mesjetare fisnore. Me një fjalë, ai ishte lidershipi i kohës, i cili e imagjinonte unionin si një ecje dinamike e kohës, por edhe si një kornizë progresi përgjatë shekujve që do ishte hapi me i madh politik dhe historik për Evropën. Kjo, me një fjalë, e bën Gjergj Kastriotin thesarin më të vlefshëm të të gjitha kohërave të qenies e qenjësisë për shqiptarët, sepse ai ishte strategu dhe personaliteti, i cili shikonte përtej horizonteve dhe jashtë interesave individuale, fillimisht si lidership popullor, por në fakt ai shquhej si lidership intelektual dhe vizionar i pashoq. Kuvendi i Lezhës më 1444, ishte dëshmia më e madhe për princërit evropianë që ta mbështesnin progresin ideor dhe jetik të një Evrope në krizë, e cila po kërcënohej si nga faktorët e brendshëm, ashtu edhe ata të jashtëm, siç ishte invadimi i perandorisë osmane në Evropë. Ai në shumë letërkembime të tij, si me Papën Eugjeni IV, Kalistin III, Piu II, e mbretër të tjerë, shpërfaqte idetë e tij liberale, unifikuese, kornizuese, por dhe shtetformuese. Ai ishte i vetëdijshëm se ‘’arti i negocimit ishte dhe ende është art i intrigave‘’- Abbe De Mably, por me talentin e tij, vizionin, energjinë mendore dhe shpirtërore kishte arritur të mposhtë të gjitha këto armiqësi, xhelozi, intriga, andaj për gjashtë shekuj lirshëm mund të themi se Gjergj Kastrioti ishte dhe do mbetet ende si kryediplomati dhe kryeheroi më i shquar i kombit shqiptar. Sipas këndvështrimeve të autorit Keka, ai për herë të parë e vendosi popullin shqiptar në rangun më të lartë diplomatik, edhe pse shteti i tij pas 25 vitesh rezistence, qe rrënuar nga barbarët turq, por jo vlera, fisnikëria dhe idealet e tij. Marrë në tërësinë e rrjedhave historike dhe kohës kur veproi Skënderbeu, ai në fakt na del si një lider me pikëpamje universale, por kurrë nuk pranonte nënshtrimin dhe servilizmin. Ai nuk veproi  i vetëm në frontin  e përbashket antiosman, por idetë dhe idealet e tij dallonin dukshëm nga princërit aktualë të mesjetës, andaj Shqiptarët e shekullit të XV ishin ndryshe nga popujt e tjerë: ata ishin të lirë, apo më mirë të themi, e bënë veten të lirë. Jo rastësisht, disa personalitete bëhen çelës i kohës, dhe shpëtimtarë të kombit të tyre. Ketë epitet e meriton, pa asnjë dyshim, edhe figura mbikohore e Gjergj Kastriotit, i cili falë trashëgimisë, vizionit, talentit dhe rrugës përndritëse që ndoqi si burrshtetas briliant, bëri që kombi i tij kurrë mos ta ndiej veten si ,, violinë e dytë’  para syve të diplomacisë botërore, por me plot dinjitet të radhitej me shekuj në kronologjinë historike të popujve të civilizuar. Evropa kishte trashëguar diplomacinë që nga antikiteti i hershëm port e paket i kishte njerëzit që e ruajtën këtë trashëgimi dhe ndërtuan epokë. Njëri ndër ta ishte edhe figura e Gjergj Kastriotit, e cila e obligon Evropën plakë që t'i kthej sytë nga ne herë pas here për hir të njeriut që ishte bashkëndërtuesi i identitetit po të këtij kontinenti.



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora