E enjte, 02.05.2024, 09:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Kalia: Albert Habazaj - Dhembin degët e shyqera

E premte, 15.01.2016, 08:41 PM


ALBERT HABAZAJ, POETI I PËRFYTYRIMEVE TË FUQISHME E TË BUKURA

 “Dhembin degët e shyqera” - buqetë e shkëlqyer poetike

Studiuesi dhe eseisti Mihal KALIA, pasi e ka kaluar me vëmendje poezi më poezi dhe  para botimit vëllimin “Dhembin degët e shyqera” të autorit Albert Habazaj jep vlerësimet e tij, të cilat po i paraqesim për lexuesit dhe letërsidashësit siç  i ka shkruar ai:

Studiues dhe shkrimtarë të njohur kanë folur dhe shkruar për krijimtarinë poetike të Albert Abazit (Habazaj). Përveç Shevqet Musarajt dikur, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Ali Aliut, Ali Podrimjes,  Koçi Petritit, Adem Istrefit, Qemal Xhakës, Odhise Grillos, Skënder Haskos, Vath Koreshit, Teodor Laços, Hiqmet Meçaj, Jani Malos, Mark Simonit, Moikom Zeqos, Petraq Ristos, Rovena Vatës, Vilhelme Haxhiraj Vranarit, Fatmir Terziut, Flora Gjondeda Dervishit, Fatime Kullit, Sulejman Matos, Ilir Balilit, Sherif Balit, Agim Bajramit, etj., që kanë bërë ndjekur me admirim dhe e kanë vlerësuar në ecuri poezinë e Habazajt, po shkëpusim për botim fragmente nga mendimet e shkruara të disa autorëve dhe studiuesve të tjerë shqiptarë:

Kristaq SHTEMBARI, Mësues i Popullit: “Poezia e Albert Abazit [Habazaj] është një ligjërim i gjallë metaforash, që i shkon për shtat frymëzimit të poetit, endur me një gjuhë të pasur, plot ngyrime emocionale e dallgëzime shpirtërore”. Prof. dr. Bardhosh GAÇE:  “Poezia e Albert Habazajt rrjedh e ngrohtë dhe me mendim të qartë poetik. Albert Abazi i flet kohës sonë me sinqeritetin e vet”. Dr. Ermir XHINDI: “Me thjeshtësi qytetare e përgjegjësi artistike, Albert Habazaj ndikon dukshëm në modernizimin e poezisë vlonjate. Këtë e theksoj me siguri, ngaqë në librin e tij ka disa poezi përfaqësuese, që hijeshojnë çdo antologji poetike. Te “Dhembin degët e shqyera” kam gjetur ca ndjesi që janë shumë moderne, me rrënjë të pashkulshme nga tradita. Ndoshta këto ndjesi vijnë dhe për shkak të origjinës së tij dhe tonës në thelb”. Dr. Leka SKËNDAJ shpreh në trajtë lakonike këto mendime për librin “Dhembin degët e shqyera” të autorit Albert Habazaj: - një avancim i pjekurisë poetike; reflekton arritje; prirje për të ndërtuar identitet; copëza jete, situata frymëzuese. Për poezitë dedikat (kushtime): - vargëzimi poetik vjen si shtysë nga thellësi shpirtërore; gjen një shteg dhe i bën të prekshme relievet; kombinohen persiatjet me ngjyrimet poetike; qëmton detajin, bëhet prekës; preferon retrospektivën (për vetë formatin); ka sinqeritet, vende - vende patetik, por edhe vetëkontroll; kur i përdor shpesh ka rrezikun e parafabrikatit, por këto nuk tingëllojnë të konsumuara. Studiuesi Petro Skënder LUARASI, nipi i pishtarit rilindas Petro Nini Luarasit shkruan: “Albert Habazaj begaton Letrat Shqipe me prurje të reja letraro - historike nga nektari i zemrës së tij atdhetare”. Nga Santa Barbara, Kaliforni, Prof. dr. Eshref YMERI e cilwson vwllimin poetik “Dhembin degët e shyqera” - buqetë e shkëlqyer poetike

Ndërsa Lulishtari i Fjalës Shqipe, Prof. dr. Valter MEMISHA thotë, si duket i ndierë mirë me krijimarinë e autorit vlonjat: “Alberti?! Ndihet freskët frymëmarrja poetike në krijimtarinë e tij. Nga herë origjinal!”. Agim SHEHU, poet: “Bertit, me gjak labi e shpirt poeti, i shkon bukur për shtat fjala e metaforizuar dhe mua, poezia e tij, më duket si një këngë labe e veçantë që krenarisht respektohet nga modelet e këngëve moderne të kohës europiane, gjithmonë në funksion të artit”. Xhevahir SPAHIU, poet: “Albert Habazaj është poeti i sotëm i Vlorës. Është miku im i vargut të pasionuar e të revoltuar, është poeti - dallgë deti. Albert Abazi është lum poetik”. Maku PONE, poet: “Albert Habazaj është poet i shkëlqyer, që mendon për të tjerët, asnjëherë për vete”. Nuri PLAKU, poet studiues: “Portretet Albert Habazaj i gdhend me daltë argjendi në mermer të bardhë”.Petraq KOTE poet, studiues: “Albert Abazit nuk i rrëshqet vargu. As lexonjësve, vargu i Albertit nuk u rrëshqet nga sytë. Albert Abazi ka varg pykë, gozhdë, plumb, raketë. Vargu që rrebelon nuk ka dhjamë. Dhjam ka vargu dredharak, vargu tinëzar, vargu gënjeshtar. Se vargjet janë si njerëzit që i bëjnë, si poetët. Vargu i Abazit  është varg i kockët, i vetëtimtë, i gjëmimtë. Ky është edhe shkaku  i lidhjes së këtij vargu në mënyrë permanente me vargun e shpirtit të krahinës së tij, Labërisë. Me vargun kështjellë të pa pushtuar të kombit të tij. Vargu i Albert Abazit nuk të lëpin, nuk të jargos. Vargu i tij të trand, të rrëqeth, të sëmbon dhe të motivon për jetë. Ai është lirik më shumë se gjithshka, por në barrikadë dhe jo i dhembjes krenare, por i dhembjes kryeneçe, sarkastike. Abazit i dhemb vetja europiane, por më shumë i dhemb vetja shqiptare: …“Shteti im çapaçul/ Unë të dua, ti ma ngul”… Eqerem CANAJ, shkrimtar, studiues: ““Qeshu rini, qeshu, ndriç dhëmbët/ zgërdhihu, kupto: - Bota është e botës/... hungërrimat e derrave të Europës”, te melodramë migjeniane), nëpërmjet alternimit dhe sarkazmit, poeti i drejtohet rinisë së sotme, shthurjes së jetës pa ideale, poezia ngjit drejt ideve madhore e , kësisoj merr trajtat e misionit. Poeti këndon, gëzon, dashuron, trondite në drithërimë. Dhe ndëshkon. Ai realizon bisedë të ngrohtë me lexuesin. Poeti Albert Habazaj, me zhdërvjellësinë dhe poezinë e tij befasuese, ka bërë për vete mjaft lexues”. Ibrahim GANI, poet, studiues: “Mes vargjeve epike shfaqet lirizmi i poetit, i cili ndihet përmes flladit mbi majën e maleve, nga ku, siç këndon ai, me një dorë mund të prekësh retë e me tjetrën qiellin e larë me rrezet e hënës apo të ndezur me dritën e purpurt të agimit. Vargjet e Albertit japin një tingëllim të bukur poetik, tërë ndjenja e mendime të çiltëra”.

Mihal KALIA: “Poezia  për Ali Asllanin - Strofës së dytë mund t’i hiqen fjalët (në kllapa). “(Më del) symenduar si profet/ me shpuzë (posi) prush përralli, / mendjekthjellët - qiell prilli/ prin në mbretërinë e mallit. Shumë e bukur strofa: “Te port’ e Panteonit letrar/ Azem Shkreli Lasgushin pret,/ leje nga Pegasi kanë marrë/ ta pastrojnë qiellin nga retë”. “Vetmia” - Shumë e bukur. “Baladë për Badenë” - Nuk ruhet në të gjitha  strofat lloji i rimës, shpesh zëvendësohet me asonanca. “Arkeologu i poezisë “ - E bukur. “Shtatë strofa për një bush…”  - Ka ndjenjë e figurë. Varianti i dytë e ka metaforën më të ngjeshur; s’kuptohet dot pa variantin e parë. “Pëshpëritje për Kujtimin” - dhimbje e  mall - bukur. “Një bredh i bardhë” - shumë e bukur; ka ndonjë varg ku tepria e fjalës dëmton ritmin. “Prelud për detin” - “Ti pret mysafirë si Perëndi,/ ne kthejmë krikllat e birrës,/  i mbushin përsëri me valët e tua,/ ty të mbushim me erën e trëndelinës”- Strofë shumë e bukur. Poezia është ndërtuar me vargje që i japin nga strofa në strofë më shumë hijeshi krijimit dhe tek strofa finale: “Këndojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,/ si zogj furtune buzë detit,/ s’është gjë takimi i mbretit me mbretin/ para takimit të poetit me poetin”, poezia merr një dalldi romantike të profilit vlonjatërisht me mesazhe të larta estetike dhe arrin klas. “Himni i Tërbaçit” - poezi e ndjerë. Në këtë  është edhe “Kurora e nderit”. “Rilevim”- për vetë llojin e vargut që përdor, aq më tepër të ritmit, është kërkesë e vetë vargut rrjedha e rimës. Poezia është pak ezoterike. “Pavarësia flamurëron zemrat” - e mirë. “Shqipëria sot” - athua se dinjiteti i Shqipërisë ra, se, po qe se i ka ngritur këmbët si prostitutë, krenaria e dikurshme s’kthehet më...veç ndjenjës së keqardhjes për këtë të mjerë e të palavdishëm. “Këngë për flamur” - e bukur. Portreti për mësuesin Lab Beqiri - bukur. “Zbulim me vlerë” - jashtëzakonisht e bukur, por mesazhi do të ishte mirë të mos jepej aq direkt në strofën e fundit, sepse tejkalon realitetin; njeriu- qenia më superiore. “Qen stani” - poezi që më jep përgjigjen e vërejtjes së mësiprëme, kur thua: “Ham - ham, mos m’i ngani,/ ju shqyej, ju grij!” - e bukur kjo (D. Agolli). Poezia është e llojit të fabulës - me të gjithë llojet e qenve. Edhe këtu, mbase është mirë të mos jepet mesazhi, por të kuptohet, sepse del mjaft qartë gjatë poezisë. “Nënave u falet Vlora” - (Shumë bukur). Në tërsi krijohet përshtypja se janë poezi të fshatit, për fshatin, nga fshatari; ndërsa mrekullisht autori ka treguar se zemra e Tërbaçit është e madhe dhe mban brenda saj gjithë Shqipërinë, gjithë kombin. (Bravo!) “Përshpirtje për ëndrrën” - e bukur. “Përqafoj detin” - e mrekullueshme. “Të fala nga Vlora” - pjekuri poetike; poezi në formë e përmbajtje; “Pikturë poetike” - më pëlqeu shumë. “Mbi re diellon Teuta” - bukur!; “Ranë gjethet”- bukur; “Sy Nermini” - bukur! “Ulliri i mirësisë” - “Se Dielli ka varr vetëm dritën e tij”, metaforë e rrallë. Sa poetike, aq edhe filozofike. Bravo! “Rrënjën kërkon dheu” - Kjo poezi duhet ringjeshur, sepse shkëlqimi ka mbetur brenda brumit. “Flakadan princor”- krahasimet tepër të larta. I kishte “Mësuesi i Popullit”. “Loton një gjethe malli” - Ka vargje të bukura. “Edhe varri sot po tundet” - Shumë bukur. Poezi që të kujton se A. Abazi (Habazaj) është poet i Ringjalljes, i jetës. Ai nuk do t’i nënshtrohen vdekjes ata që për të janë simbol i jetës e i mirësisë; ndaj i mban gjallë, i ukit me lëngun e vargjeve të tij për t’u dhënë jetë, gjallëri, freski e dashuri. “Baladë e vogël për një shpirt të madh” - Është kryevepër. S’ka nevojë për strofën e tretë (për mua të mos jetë fareë; s’ka nevojë për zgjatje). Poezia është koncize. Aty është bukuria! “Epitaf” - Ku është epitafi? Autori nuk i shkëputet dot linjës së tij. A. Abazi (Habazaj) është poet i vdekjes apo i jetës, i ferrit apo parajsës; apo kërcënon si Dielli “Do të zbres në ferr të ndrij veç të vdekurit!” Autori sikur bën një qilizëm: të ngrejë disa përsipër, jo për t’u dhënë jetë por për të na dhënë ata jetë dhe të ulë, të fundosë poshtë disa të tjerë, që po na zënë frymën e na bëjnë të lëngojmë. “Ujku i marsit” - Sigurisht, poezia e ka objektivitetin e vet, por unë nuk e kapa dot (është hermetike?!). “Shën Valentinas” - e veçantë; “Kënga e pijanecit”- Qesha kur e lexova, d.m. th. është e arrirë. “Kosherja e mjaltit”- në dy vargjet e para fjala “synim” s’na duket poetike, më mirë të zëvendësohet; nuk i shkon bukurisë së poezisë dhe ndjenjës. Synimi është i menduar, ndjenja është e çiltër (aty në poezi). “Varietete rinore” - Shumë e bukur; “Vizatim të dashuruarish” - Shumë e bukur. “Ky qe fati ynë” - A e di autori se çfarë asociacioni të fuqishëm ka në vargun “Me Robertin nga Bërnsajt e Skocisë”,... si të themi “nga Abazajt e Tërbaçit”? (Sigurisht, kjo pyetje është retorike). Po qe që s’e di, ai pohon kështu talentin e tij poetik, që e tejkalon mendimin. “Femra është” - Strofa e parë - shumë e mirë; sikur na kërkon të matemi shumë për ta prekur, mos i prishim hijeshinë e ëmbëlsinë, por, kur shohim që është “benzinë”, atëhere jemi ne që “duhet të lajmë duart” pasi ta preki. “Sheleget e Karaburunit” - një paralelizëm shumë i bukur. Ka figuracion. Poezi e vërtetë. “Ëndërr refugjate” - E bukur; “Këngë labe e shek. XII” - shumë e bukur; “Bibla e rinisë” - Fjalë të thjeshta, poezi solemne.Suksese, i dashur Albert. Ti je vetë një varg poetik i poezisë së madhe të të bukurës Jetë! Mihal Kalia”.

Albert HABAZAJ është lindur më 20 Mars 1960 në Tërbaç të Vlorës. Është studiues, bibliograf, poet dhe shkrimtar shqiptar, autor i disa librave me poezi, me prozë e publicistikë letrare. Është gjithashtu autor i disa monografive historiko - kulturore dhe i shumë studimeve etnologjike dhe antropologjike. Ka botuar Bibliografinë e botimeve libra të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Master Shkencor për Etnologji e Folklor, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Është përfshirë në Antologjinë e Tregimit të Zgjedhur të Autorëve Vlonjatë, në Antologjinë e Poezisë së Zgjedhur Vlonjate, në Antologjitë për Vlorën, për Detin, për Naimin, për Nënë Terezën, për Dritëroin, në antologjitë e poezisë shqipe me tematikë të “Muzgut”, në Antologjinë me Poezi Shqipe “Lotët e virgjër” (“Virgin Tears”), 2012, Londër, etj. Shumë krijime e poezi të tij, sidomos portrete, përkushtime, këngë gëzimi apo këngë të përvajshme, janë përfshirë në libra të autorëve të ndryshëm vlonjatë dhe të vendit. Është veprimtar shoqëror, aktualisht kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe të Artistëve: “Petro Marko”, Vlorë. Punon në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi” të këtij institucioni.

Albert Habazaj (Abazi) ka botuar:

Libra me poezi:

1- “Stina e vajzave”, 1994,

2 - “Nata me hënë”, 1996,

3 - “Buzëqeshje të grisura”, [1999],

4 - “Penët krehin dallgët” (b. a), 2005, 

5 - “Mërgata e Luleve”, 2006,

6 - “Trëndafili s’pritet me një stinë hëne”, (b. a), 2007,

7 - “Ujku i marsit në internet”, 2008, (ribotim, 2010, 2012),

8 - “Dhembin degët e shqyera”, 2015.

Monografi:

“Hysni Lepenica”, 1996,

“Pëllumbi i Çikës”, 2002,

“Antologji trimërie”, 2003,

“Një burrë i bardhë”, 2004,

“Tokë e spërkatur me gjak”, (b. a), 2005,

“Shkëlqim i trishtuar”, 200,5

“Psherëtimat e Jonit” (b. a), 2007,

“Kujtim Peçi, intelektual i shquar  erudit ”, 2010,

“Përkëdhelim një ëndërr” (b. a), 2011,

“Tahir Hoxha i Tërbaçit”, 2013,

 “Çinojt në rrjedhat e kohës”, 2014,

 “Ëndrrat e Artit”, 2016

Monografi shkencore: 

 “Botime të pedagogëve të Universitetit “I. Qemali” të Vlorës: Bibliografi”, [Pj. 1], 2006

“Lufta e Vlorës - Historia në Epikën historike”, studim monografik, [2013], 2016, etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora