Kulturë
Gjon Keka: Gjergj Kastrioti mbajti fatin e kontinentit europian në ekuilibër
E diele, 10.01.2016, 09:05 PM
Gjergj Kastrioti mbajti fatin e kontinentit europian në ekuilibër
Me rastin e 548 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut
Nga Gjon Keka
Gjergj Kastrioti, si një vizionar dhe burrështetas i madh, është shembulli më i mirë në gjithë historinë e ndërtimit të shtetit dhe forcimit e zhvillimit të tij. Po ashtu, ai është i vetmi personalitet i kohës që i dha leksione Europës dhe mbretërve se si duhet mbrojtur identiteti, kultura dhe rrënjët europiane. Por të gjitha këto leksione të tij të dobishme të mbrojtjes së qytetërimit të përbashkët europian, pas vdekjes së tij nuk u morën parasysh nga mbretër dhe princër e liderë të shteteve të Europës.
Porse ajo çka mund të themi ishte se ata i kuptuan shumë vonë porositë dhe leksionet e tij, dhe kështu gjendja në këtë kontinent, e sidomos në Gadishullin Ilirik, mbeti në gojë të ujkut dhe të ligjeve të xhunglës së sulltanizmit aziatik dhe barbarisë së tyre.
Prandaj, nisur nga e gjithë kjo, është me interes të nënvizohet se, edhe pasi kishte kërkuar ndihmë nga princër të shumtë dhe nga mbretër të Europës, përgjigjja për ta ndihmuar dhe mbështetur atë, si dhe përpjekjet e tij heroike dhe mbinjerëzore në mbrojtje të atdheut e të qytetërimit të përbashkët europian, ishte e pakët dhe aspak e fuqishme. Kjo, për faktin se në atë kohë diplomacia europiane dhe blloqet e ndryshme brenda saj, të ndara ideologjikisht dhe në politika të ndryshme, kanë bërë që mbështetja e madhe të mungojë.
Megjithatë, është për t'u habitur – duke e ditur se Gjergj Kastrioti e mbrojti qytetërimin e përbashkët europian nga perandoria e errët otomane – pas vdekjes së tij dhe pushtimit të Shqipërisë nga kjo perandori barbare, e cila bëri gjenocide të papara në histori, fuqitë dhe princat europianë nuk ndërmorën asnjë hap të mëtejshëm që
ta dëbonin këtë përbindësh aziatik nga trojet europiane të kombit shqiptar. Fatkeqësisht, i lanë këto troje të kombit shqiptar si fushë dhe tokë të askujt, i lanë në gojë të ujkut të egër sulltanist për pesëqind e dyzet vite. Gjergj Kastrioti kurrë nuk e kishte menduar se do të vdiste në shtrat, sepse ai nuk e dëshironte një vdekje të tillë. Ai gjithnjë u thoshte ushtarëve të tij se është nder për kombin të vdesësh me shpatë në dorë, si një trim e guximtar i vërtetë që e vë jetën në shërbim të lirisë dhe që e dhuron gjakun në flijim të themeleve të kombit, që ai të jetojë në dritën e lirisë, të paqes dhe të ardhmes së shëndosh e të ndritshme. Por fati e desh që ai të vdiste në shtra si një hero, sepse i tillë kishte lindur, me talentin e me vizionin e guximshëm për ta flijuar veten për lirinë dhe të ardhmen e brezave të kombit të tij. Kështu që ai u bë përjetësisht altar i kombit shqiptar, ku të gjithë shqiptarët e rilindur e admirojnë dhe e nderojnë me gjithë thellësinë e qenies së tyre. Gjergj Kastrioti vdiq më 17 janar 1468, në moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeçare, dhe u varros në kishën e Shën Nikollës
në Lezhë, ashti siç ishte edhe ai një “atlet i vërtetë i Krishterimit”. Gjithë kontinenti europian u trondit pas humbjes së timonierit dhe avokatit të qytetërimit të familjes së përbashkët europiane. Vdekja e tij pati ndikim dhimbjeje si në popull ashtu edhe në kontinentin europian e më gjerë, pasi ishte vërtet një humbje thellësisht e madhe, ishte zi e madhe kombëtare. Vdekja e Gjergj Kastriotit ishte pra si një katastrofë dhe tronditje e madhe kombëtare dhe europiane. Rreth vdekjes së tij, Lekë Dukagjini, i prekur thellë dhe me dhimbje në shpirt, u shpreh në këtë mënyrë:“Sot kështjellat e Epirit janë thyer, sot fortesat tona dhe muret kanë rënë. Po, gjithë fuqia jonë, forca
dhe pushteti me këtë njeri kanë vdekur dhe janë shuar!” Kështu, me vdekjen e Gjergj Kastriotit vdiq edhe Shqipëria e lirë dhe europiane.Më pas ajo sërish u skllavërua nga perandoria e errët otomane dhe të gjitha pjesët u ndanë në krahina e më vonë edhe në vilajete. Ndërsa djali i Gjergj Kastriotit, Gjon Kastrioti, e udhëhoqi për një kohë të shkurtër vendin nën mbikëqyrjen e Venedikut, por, me rrethimin e Shkodrës në vitin 1474 dhe më pas edhe të Krujës, më 14 qershor 1478, ai u largua dhunshëm dhe u strehua së bashku me familjen e tij në Napoli. Prandaj dorëzimi i Shkodrës nga venedikasit, pas një traktati të datës 25 qershor 1479, dhe lënies së saj në kohët e mëvonshëm nën sulltanin barbar mund të konsiderohej si një nga goditjet e rënda për Shqipërinë dhe për fatin e saj. Më pas, e tërë Shqipëria ra në duart e pushtuesve barbarë turq. Siç shihet tepër qartë, në lidhje me këtë periudhë të vështirë dhe tepër të rëndë të pozicionit të Shqipërisë, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, mburojës së kombit dhe qytetërimit europian, “ajo (Kruja) u pushtua nga Sulltan Mehmeti II. Më 14 qershor 1478, e tërë popullsia u masakruan së bashku me garnizonet veneciane, përveç disave që përqafuan muhamedanizmin”. Prandaj, në vazhdimësi, barbarët turq thyenin, demolonin dhe rrënonin Kisha, kryqe dhe simbole të identitetit kombëtar, kulturor e fetar në vend. Ata bënë gjenocid të paparë në historinë e njerëzimit. Ndërsa barbari i egër Sulltan Mehmeti, në lidhje me vdekjen e Gjergj Kastriotit, çirrej nga gëzimi dhe ishte tepër i kënaqur se tanimë nuk e ka atë pengesën tridhjetë e ca vjeçare që nuk e lejonte atë të dilte e të shtrihej në tërë kontinentin europian e më gjerë, siç edhe shprehej në mënyrë demoniake: “Kush do të më pengojë tani më mua që t’i shfaros të gjithë të krishterët? Ata tani e kanë humbur shpatën dhe mburojën e tyre!” Më pas, perandoria e errët turke e ndaloi rreptësisht të flitej, të shkruhej dhe të këndohej mbi veprën heroike, fisnike dhe madhështore të heroit kombëtar, të strategut dhe burrështetasit e mbretit të shtetit të Arbrit Gjergj Kastrioti. Ndërsa më pas ajo i ndaloi të gjitha shkollat t’u mësonin fëmijëve gjuhën shqipe, të ndërtoheshin kisha dhe të praktikohej besimi i krishterë katolik në vend. Por, çuditërisht, në pjesët ku flitej gjuha sllave ajo i lejonte ato hapur, sepse kishte aleancë të përbashkët, duke e ditur gjithnjë se këta popuj ardhacakë kanë të përbashkët në vetvete përbindëshin ideologjik dhe iluziv. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit filloi sërish të mbizotërojë ligji i xhunglës sipas mentalitetit sulltanist, madje, siç përshkruhet në disa kronika të shekullit XIX, “udhëtarët e shumtë europianë që erdhën për herë të parë në Shqipërinë e pushtuar nga turqit barbarë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, e cila ishte shndërruar në një tmerr, papritmas shihnin të varur në një cep të rrugës apo në krah të ndonjë dege koka njerëzish (...)”. Menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, barbarët turq me në krye tiranin Sulltan Mehmeti e hapën varrin e Gjergjit dhe i nxorën eshtrat e tij, me të cilat ata kujtonin se do të merrnin fuqinë dhe talentin që ai kishte, dhe i varën ato në qafët e tyre. Por kjo besëtytni dhe ky iluzion i tyre nuk u pa aspak në realitet, sepse, edhe me eshtrat e tij në qafë, ata sërish qenë humbës dhe barbarë e kurrë nuk kanë arritur t’i realizojnë planet e tyre prej demoni. Barbarizmi dhe spastrimi që i bënte popullit kjo perandori e errët ishte e padëgjuar dhe e paparë në historinë e njerëzimit që nga krijimi i tij. Kjo perandori e dëboi me dhunë popullatën, por vetëm në gjysmën e dytë të shekullit XV u detyruan të largohen nga trojet e tyre me mijëra shqiptarë të krishterë, duke u vendosur në një pjesë të Italisë. Kështu që migrimi apo detyrimi e spastrimi i popullit që t’i linte trojet e veta shqiptare pas vdekjes së Gjergj Kastriotit u bë në vazhdimësi. Në vendet ku shqiptarët kanë banuar më parë, sulltani kishte vendosur disa turq dhe “shqiptarë” të llojit të Judës tradhtar,të cilët kishin marrë poste të larta politike brenda perandorisë së errët otomane.Ndërsa duhen përmendur këtu përpjekjet e pareshtura të trimave shqiptarë, të cilët kanë qëndruar stoikisht dhe i kanë bërë ballë me të gjitha forcat barbarizmit turk deri në vitin 1699.
Me pushtimin e pjesëve të Shqipërisë, turqit filluan t’i rrënonin dhe t’i përdhosnin të gjitha simbolet, kultet, kulturën shpirtërore e materiale. Por, sidomos shumë kisha dhe pjesë të vlerave të shumta të identitetit kombëtar u rrënuan në tërësi dhe mbi to u ndërtuan xhami dhe simbole të barbarisë turke, të cilat më pas u shumuan në të gjitha pjesët e Shqipërisë.Kjo perandori barbare dhe e errët turke i ndau fatet dhe pjesët e kombit shqiptar së bashku me “shqiptarët”, si vegla të politikës së tyre të llojit të judës tradhtar, me vendet fqinje. Edhe më parë këto vende ishin ndarë në vilajete; kjo gjë, në fakt, përbënte padrejtësinë më të madhe historike ndaj këtij kombi unik dhe të lashtë europian. Skena e gjithë kësaj, që nga vdekja e Gjergj Kastriotit e deri në ditët tona, mbetet pothuajse e njëjtë. Por vetëm drama është bërë paksa më e ndryshme dhe rolet e politika janë përmbysur në pozicionin tjetër, por të së njëjtës medalje dhe ideologjie sulltaniste barbare. Pikërisht,tridhjetë e një vjet mbreti, burrështetasi dhe vizionari i madh i shtetit të Arbrit, Gjergj Kastrioti, e mbajti fatin e kontinentit ilirik dhe europian në ekuilibër, si dhe e ruajti kombin shqiptar dhe tërë familjen europiane nga humbja e gjenit dhe e identitetit kombëtar e shpirtëror. Është kjo ajo çka na tregon tepër qartë se epoka e Gjergj Kastriotit, burrështetasit dhe strategut të madh të shtetit të Arbrit, ishte periudha e vulosjes dhe e triumfit, e pashlyer dhe heroike e kombëtare. Ishte pikërisht kjo epokë që shteti i Arbrit dhe kombi shqiptar në tërësi e përjetoi thellësisht në memorien e pashlyer të jetës së tij kombëtare e historike, një aspiratë kjo e shenjtë dhe e madhe në rrugëtimin e saj drejt lirisë, vënies së themeleve të shtetit dhe të ardhmes. Vetëm një emër kishin frikë pushtuesit turq, e ai ishte Gjergj Kastrioti! Këtë e dëshmojnë shumë kronika të shkruara edhe nga autorë të ndryshëm perëndimorë, se si disa ushtarë dhe komandantë turq të asaj kohe, kur shihnin stuhinë e drejtësisë që vinte për t'i rrëmbyer, si dhe kur dëgjonin dhe shihnin se si dora e tij e fuqishme përballonte një artileri të tërë të asaj kohe të pushtimit turk, nuk mund të qëndronin përballë një njeriu vizionar dhe një strategu të urtë. Ai në vetvete përmbante elemente të frymës së stuhishme, gjë që i frikësonte edhe armiqtë e tij të njohur. Vetëm kur shqiptarët të triumfojnë në kauzën e tyre, do ta përmbushin në tërësi veprën e Gjergj Kastriotit, të mbretit, strategut, vizionarit dhe burrështetasit të madh të kombit shqiptar. Duhet nënvizuar se tradita e Kastriotit, sidomos te një pjesë e krishterë shqiptare, nuk është harruar për asnjë ditë të vetme. Madje, nuk janë ndalur kurrë as këngët dhe as veprat mbi figurën e tij dhe për shpirtin e madh të tij, por as edhe për personalitet e tjera, si Pirro, Aleksandri, Konstantini, Dukagjini, Anibecco, Paul Golemi, Mark Boçari, Justiniani, Flori e Lauri etj. Kështu, nga kjo mund të them se Gjergj Kastrioti, si burrështetas, strateg dhe vizionar i madh, me jetën dhe veprën e tij u bë një degë e veçantë e shkencës së historisë, pa të cilën historia e Europës dhe e botës nuk mund të jenë të plota. Jo rastësisht, shkruan kështu autori Norbert Stanek në librin e tij mbi Shqipërinë: “Lavdia e Gjergj Kastriotit u përhap në tërë Europën...”.