Kulturë
Adem Zaplluzha: Një palë këpucë të arnuara
E diele, 10.01.2016, 02:36 PM
Adem Zaplluzha
Katër poezi nga libri më i ri “Të vizatosh një zog në mur''
NJË PALË KËPUCË TË ARNUARA
Mbrëmë dola nga lëkura ime
Shëtita nëpër shëtitoren e vetmuar
Pash se njerëzit kishin humbur udhën
Në shtëpitë e veta
Ishin të vetmuar
U ngjanin somnambulëve të dehur.
Si zvarranikë pamjet groteske
Shtriheshin pranë trotuareve
Një palë këpucë të arnuara
Me një bastun të vjetër vraponin
Si të çmendura pas një këmishe
Që s’i përkite askujt.
Një freski pranvere derdhej
Mes gjetheve të fishkura
Gishtat e hollë të natës çuditërisht dukeshin
Si gjelbërimi i përgjumur i livadhit
Stoli në parkun e vjetër
I shkundte shpatullat
Edhe trishtimet.
Kjo natë e gjatë nuk kish të sosur
Në kafenetë e vjetra pihej
Dhe shitej me çmim të lirë
Vera e zezë
Mëngjesi ishte shumë larg
Këndesat s’dëgjoheshin askund.
NUK DIHET KU I ZË MËNGJESI
Me valixhe të etura dhe të zbrazëta
Udhëtojnë mjegullat
Shkojnë diku në ndonjë qiell
Të panjohur të askundËsisë.
Nuk dinë çka i pret pas atyre maleve
Por të ngarkuara me dertet e skamjes
Si lejlekë kanë marrë botën në sy
Shkojnë matanë hapësirës së verbët.
Një shtrezë e verdhë imcake
Zbret nga qerpikët e thyer
Herë hëna
E herë dielli u bëjnë hije.
Për të dalë nga errësira ecin
Me kokë të ngritur lart
Herë u përngjajnë rosakëve
Herë strucëve të pikëlluar.
Miqtë e mi të fëmijërisë bredhin pa menduar
Mbase nuk dinë të ndalen
Ose nuk kanë se ku të shkojnë
Ecjet janë të pandalshme, të gjata
S’dihet ku i zë mëngjesi
E ku nata.
2
Ecin edhe valixhet
E nuk ndalen askund
Këto shtegtare të mjerimit
Shpejtojnë diku
Ku as vetë nuk dinë se ku.
KËTU KU FËMIJËT ECIN LAKURIQ
Muzikë vajtuese
Zë i trishtuar i natës
Del nga rropullitë e një altoparlanti
Edhe kur ka mort
Këndohet nëpër lagjet e evgjitëve.
Këtu ku fëmijët ecin lakuriq
Të vegjlit e lagjes
Asnjëherë nuk vdesin horizontalisht
Vdekjet e këtyre njerëzve janë madhështore
Me një rropulli cjapi dehen shtatë lagje.
Pas përfundimit të rropullive
Dhe verës dehëse
Secili burrë
Shtrin kokën mbi një gur varri
Dhe disa ditë nuk i del dehja.
Dalin gratë e evgjitëve
Me nga një fshesë
Prej dëllinje
I fshijnë të vjellat e natës
Ajo muzikë e trishtuar
Shtatë ditë reshtë nuk e ndalë cijatjen.
MBI LËKURËN TONË TË REGJUR
Kur ecim pa ëndrra
Rrugëve të zbrazëta të qytetit
Dukemi si rosakët në ikje
Lëvizim kokën djathtas majtas
Ashtu siç boçat e orës së murit.
Nga tejdukshmëria jonë
E boshatisur
Dallohen vetëm rropullitë e erës
Ecim të shpërfillur
Nuk dimë kah të degdisemi
Po u ndalem përngjajmë me drurët
E tharë në rrënjë
Asnjë degë pa gjethe
Nuk merr frymë
Vetëm nëpër zgërbonjat e viteve
Dëgjohet melodia e erës së çmendur.
Mbi lëkurën tonë të regjur
Pamëshirshëm pikojnë pikat e shiut
Trokasin çmendurisht
Mbi xhamat e shpirtit të thyer
Përtej lumit askund nuk mund të shkojmë
Vërshimet e tërbuara i shembën urat