E merkure, 09.10.2024, 07:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Dërmaku: Intervistë me Faridin Tafallari

E diele, 10.01.2016, 03:58 PM


Intervistë me atdhetarin Faridin Tafallari, nacionalist i dëshmuar i kauzës sonë kombëtare

Nga Ramiz Dërmaku

Ramiz Dërmaku: Zoti Faridin! Na tregoni për lexuesit, kush është Faridin Tafallari?

F. T.: I lindur me 1.2.1951, në fshatin Struzhë buzë malit Sharr të Prizrenit. Shkollën fillore e kam kryaer në fshatin e lindjes Struzhë. Pamundsisht për ta vazhduar shkollimin më të lartë, sepse kushtet ekonomike në atë kohë ishin shumë të vështira në radhë të parë dhe mungesa kryesore, nuk kishte shkollim më të lartë në fshat, kështu që duhej vazhduar në Prizren, pra mungesa e kushteve nuk munda ta vazhdoja. E vazhdova, duke i ndjekur pak nga pak mësimet në shkollë me përgatitje pas shkollore. Kështu që provimet i dhashë në fshatin Hoqë të Prizrenit, të mesmen po ashtu me shkollim, me provim dhënës e vazhdova në Shtutgart.

Në Gjermani kam ardhur që në mars të vitit 1973. Kam katër fëmijë, dy kanë lindur në vendlindje (Struzhë), dhe dy në Nagold (Gjermani). Tash jam gjysh i gjashtë nipave e mbesave, të lindur po këtu në Gjermani! Kam punuar mjaft edhe për Gjermaninë por ashtu edhe për vete. Këtu e kisha edhe punën e siguruar dhe nuk kisha ndjekje nga spiunët e ish Jugosllavisë. Gjermanët e kërkonin punën tonë të pa kursyer por edhe na paguanin. Por ajo më e mira për mua dhe më e rëndësishme, ishte se edhe aktiviteti, që bëja pa ndonjë problem, sepse këtu edhe pse kishte mjaft spiunë që flisnin shqip, por kjo aspak nuk më ka trembur kurrë,  sepse këtu spiunazhi nuk iu vlente, pos kur duhej vazhduar vizën në Konsullatën Fashiste të ish Jugosllavisë në Shtutgart. Atje i bënin ato provokime e maltretime ndaj mërgimtarëve shqiptarë, gjë që edhe ashtu ndodhi  edhe për mua, kur organet vendase (gjermane), në vjeshtën e vitit 1985, nuk ma vazhduan vizën dhe as ma kthyen më pasaportën, por as mua nuk kishte përse të më vyente më ai pasaportë…

Prandaj nga 1985, kam qëndruar në Gjermani përafërsisht si refugjat deri kur e mora pasaportën e Kosovës në vitin 2008!…Për mua ishte në pyetje edhe të punoja dhe të fitoja për të mbijetuar për një jetë mesatare, dhe për këtë isha i kënaqur…! Në atë kohë ne e quanim ardhjen tonë në Gjermani të përkohshme, se ashtu neve na quanin Gastarbeit, por edhe neve vet na kandej të thonim të përkohshme. Në Gjermani kam punuar nëpër punë të ndryshme dhe të rënda, dhe tash po i bëj afër dyzet e tre vite erdha djalë  i ri dhe po kthehem plak  e i malluar për shumë njerëz  të familjes time dhe të afërmit, si dhe bashkëfshatarë, shokë e miq, që vdiqën dhe kurrë më nuk i pashë…! Dhe më kur u ktheva, në verën e vitit 1999, Struzhën dhe Kosovën i gjeta të djegura e të shkatërruara nga fashizmi serbosllav dhe ai maqedonoshoven, të  djegura e të rrënuara, por krenare e ball lartë, sepse dolëm fitimtarë  nga e gjithë ajo barbari. Ndaj kjo i mbulonte të gjitha ato mungesa dhe mallin, mall, i cili më kishte djegur me dekada, larg nga vendlindja, nga të afërmit, larg nga Struzha ime e paharruar...larg nga Kosova e dashur…

R.Dërmaku: Ju vini nga një familje përparimtare por e djegur për Lirinë dhe zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare?

F.T.: Po, familje e varfër ekonomikisht, por e pastër atdhetarisht, dhe përparimtare për çështjen e atdheut të robëruar dhe i okupuar nga serbo-fashizmi serb, maqedon, malaziaz... Në aksionin e zi famëkeq të vitin 1956, aksioni i mbledhjes së armëve tek shqiptarët, aksion i cili mbahet në mend nga krye krimineli Aleksander Rankoviq, si shumë shqiptarë, që vuajtën nga regjimi tito-rankoviq si vuajtën shumë familje të tjera, ashtu vuajti edhe familja ime në tërësi dhe këtë më së shumti e përjetoj xhaxhai im, i ndjeri Skënder Tafallari, dhe bashkëfshatari Shasivar Braha. Që të dyve iu kërkuan t‘i dorëzonin armët, xhaxhait Skënder i kërkuan ta dorëzonte pushkën, por në realitet xhaxhai im dhe Shasivari e shumë të tjerë u rrahën e torturuan deri sa me muaj i kanë mbajtur në lëkurë të dashit, nga plagët e rënda e nga torturat e pamëshirshme…,pra kjo u bë për vetëm e vetëm se ishin shqiptarë dhe ky ishte qëllimi kryesor…!

R.Dërmaku: Çka ju shtyri që ju të largoheni nga Kosova?

F.T.: Për shumë arsye, por edhe ato çka i thash më lartë e edhe shumë fakte të tjera, që vërtet janë shumë. Por unë do t‘i cek vetëm pak nga ato më të rëndësishme  që,  brezat tonë edhe brezat, që do të vin duhet t‘i dinë dhe t‘i njohin mirë e mirë se, si dhe sa shumë kanë vuajtur e sa shumë kanë sakrifikuar të parët tanë dhe ne përgjithësi populli ynë, nga armiku dhe regjimi serb, por edhe nga sllavët e tjerë në ish-Jugosllavi, Jugosllavi që edhe neve pa dëshirën tonë na rrëmbeu brenda saj, në atë shtet artificial që, ne fare nuk kemi asgjë të përbashkët me sllavet dhe as me atë fare Jugosllavie. Por armiku na e mori me dhunë dhe me ndihmën e shteteve më të fuqishme të kësaj Europe lavire, që akoma edhe sot iu dhimset ajo Serbi pushtuese dhe ngacmuese pa pushuar për t‘i mbajtur dhe akoma për të marrë toka shqiptare, por edhe për shfarosjen e shqiptarëve… Por siq po duket kurrë nuk do ta dëshiroja se do ta vuajn edhe brezi im dhe brezat që do të vin menjëherë pas neve nëse do të vazhdoj keshtu si është duke ecur tash e 16 vite pas çlirimit…! Pra ne edhe sot akoma nuk e dim se ku jemi dhe ku do të arrijm…!? Në radhë të parë akoma nuk e kemi siguruar lirin që në trojet tona të jetojm të lirë e në liri të plotë…

Por së pari po flas se sa varfëri e madhe, ka qenë në përgjithësi në vendin tonë ku është vendi ynë denbabaden dhe në veçanti edhe fahati im, i cili të vetmen pasuri e kishte natyrën me ujë të bollshëm, me kullota dhe pyje të larta, dhe baktin dhe për ta veçuar ishin dhit kryesore. Por kjo armikun okupator nuk e kënaqte se fshatarët burimin më të lirë i kishin dhit, dhe për të ia hequr këto e për t‘i lën në tërësi me gishta në gojë dual ligji i ri që dhit duhej zhdukur se po i dëmtojn pemët e tjera, proçka që te ne, pos kumbullave, nga pemët e tjera nuk ka pasur, ato i shijonim vetëm kur na i sillnin prindrit nga tregu i Prizrenit, ndonjë mollë ose dardhë apo diçka tjetër... dhe merreni me mend se, çfarë pemë do të dëmtonin dhit në vendin tim, pos dëllinjave!?. Po kjo ishte ajo politikë, që na e sillte regjimi i huaj sllavo titist,  ku edhe atë pak „pasuri“ të na e merrte për t‘i lënë edhe fëmijët pa pikën e qumështit…!!!

Prandaj varfëria, që kishim ne them se as që do ta besojn ky brez i ri, i ditëve të sodit. Ne, po them lirisht se kemi vuajtur edhe për kafshatën e bukës, por kjo ka qenë me shumicë, pra shumica e popullit tim shqiptar  e kanë vuajtur varfërin e mjeruar! Ne nuk jemi ngi (ngopur) as me buk e leri të tjerat që, as i kemi parë e jo më t’i shijojm…! Por do ta them se mjerisht dhe është për të ardhur keq që edhe në shekullin 21 ka që vuajn për buk në qeverisjen e Thaçoviqit e të Mustafçiçit (fjalën e kam për popullin tim) kurse një shtresë nuk dinë se çfarë të bëjn me lukset e tyre të arritura në shpinën e tjetrit se, nuk ka mundësi që dikush brenda natës të arrij në milioner e dikushi fare pa punë dhe dikush tjetër me punë të përditshme me dekada as edhe në ëndërr që vjen në shprehje milioni…

R.Dërmaku: Na tregoni si e përjetuat ndarjen nga familja, atdheu dhe Kosova?

F.T.: Ndarja nga familja dhe atdheu-Kosova, për mua po them se kurrë nuk u ndava nga asnjëra, nuk jam ndarë, vërtet  trupin këtu në Gjermani e kam pasur, por  mendjen e zemrën i kam pasur në vendin tim! Sidoqoft ishte ndarje fizike dhe ishte gjëja më e rëndë për njeriun të largohesh nga vendi yt i lindjes… Prandaj jo se mund të harrohet por ajo sa vjen e aktualizohet, duke e kujtuar se po e lën vendin tëndë për arsye të ndryshme dhe të detyruar… Po e lë vendin tim të dashur në një mjerim në një varfëri të pa imagjinuar, por nga gjitha këto të këqija koha të kthen edhe në ato pak të mira që i rikujtojë gjatë kohës sa isha larg nga çdo gjëje. I kujton edhe ato pak kujtime të mira, kur luanim dhe bënim ato lojra fëminore e më vonë edhe ato rinore, sipas traditave, që kishim edhe i bënim, përherë me shokët e fëmijëris (rinisë), që mbeten gjëja më e shejtë dhe më e shtrejtë në jetën e njeriut. Kur njeriu tash, në moshën e tret të jetës, me shumë mallë dhe nostalgji i rikujton sido që ato ishin në varfri të tejskashme por zemërat dhe shpirti ynë ishin i ri dhe të mbushura me plotë shpresë për të ardhmen më të mirë…!

R.D. Ju ishit ne grupin e parë të punëtorëve që u larguat nga Kosova për Gjermani..,na tregoni shkurtimishtë si ju pritën organet kompetente gjermane?

F.T. Po para grupit tonë kanë ardhur edhe disa grupe që u larguan nga Kosova për në shtetet perendimore, pikërisht në Gjermani. Po dua të them realitetin se neve na pritën mirë, por  ne  pak në fillim kishim problem me gjuhën, por si të ri që ishim e mësuam më shpejt se sa e menduam dhe më lehtë…Trajtimi dhe çdo gjë kanë qenë korrekt nga ana e gjermanëve në përgjithësi…!

R.D.: Kur filluat ta urreni regjimin kriminel serb dhe pse?

F.T.: Unë personalisht e kam urryer që në mosh të re se, shpesh i dëgjoja të moshuarit tanë nëpër Oda dhe nëpër ndeje të ndryshme në grupe. Nëpër Oda bisedohej për tema të ndryshme, për jetën e rënd dhe të papunë e të papara, por ajo më kryesorja ishte se si na tradhtuan sllavët me veglat e tyre shqipfolëse!!! Se si kishte ndodhur tradhtia që ne të mbeteshim edhe pas gjithasaj lufte të parë dhe të dytë botërore të mbeteshim përsëri nën robrimin jugosllav e konkretisht nën Serbi! Me gjitha ato luftra e me sakrifica të mëdha që e kishin bërë forcat përparimtare dhe liridashëse kundër fashizmit pushtues, por sipas historisë dhe atyre që tregohen nëpër Oda burrash, neve na tradhtoi ish-Jugosllavia me Titon në krye dhe tradhtarët e kohës, pra ne mbetëm përsëri nën okupimin e ish-Jugosllavisë, na ndan nga shteti amë dhe për këte flitej por me shumë kujdes dhe rezerva sepse spiunazha edhe atëhere luante rol të rrezikshëm. Unë me shumë kurreshtje i dëgjoja burrat e kohës  nëpër ndeje të grupeve ju afrohesha dhe dëgjoja…se si flitej për tradhtin jugosllave që ia bëri Kosovës dhe trojeve etnike shqiptare që sot janë të coptuara dhe të ndara nëpër republikat ish-jugosllave e edhe më shumë se gjysma e tyre jasht shtetit natyral të Shqipërisë…!

R.D. Ju emigruat në Gjermani... Na tregoni Pse?

F.T.: Po edhe unë sa vija e rritesha dhe si shumë të tjerë për shkakun e papunësis, por edhe i rënë në sy për nacionalist, me sytë e zemrën nga Shqipëria filluan të më vinin selamet që të kem kujdes se përndryshe të pret burgu! Ato vite burgjet ishin përplotë dhe në lajme nuk kishe lajm që, mos të dëgjoje për indivit dhe për grupe a organizata, që i kishin zbuluar dhe i kishin mbyllurë nëpër burgjet Jugosllave. Unë  edhe për këto interesohesha shumë dhe ndieja urrejtje të madhe ndaj atyre që i kapnin djemt e vajzat tona dhe i futnin nëpër burgje…! Armiku as atëherë dhe as kurrë nuk kishin mëshirë për askënd, ai që sado pak të fliste për vendin e tij amë apo të fliste vetëm për shqiptarizëm ai përfundonte në pranga dhe në burgje! Prandaj edhe unë u paraqita në entin e punsimit për jashtë dhe edhe këtu në Gjermani, sapak u stabilizova fillova t’i gjeja shokët e idealit tim. Punë kishim mjaft dhe ne si të ri që ishim na merrnin pa problem…

R.D. Ne moshë shumë të re ju filluat të merreni me çështjen kombëtare. Kush ju shtyri?

F.T.: Më shtyri urrejtja se e dija se ai që më kishte ardhur në votrën time pa më pyetur dhe pa lejen time, atë e kisha armik, pra ai ishte armiku im dhe i huaj, ai fliste një gjuhë krejt tjetër, kishte kombë e fe tjetër, kishte kultur dhe traditë tjetër, dhe e dija se ai nuk kishte ardhur për mik e as për dashamirës, por më kishte ardhur për të më shtypurë e për të ma marrë lirin, lirin ore lirin dhe jetën time në vendin tim! E urreja shumë dhe aty më rrinte mendja se ai kishte ardhur si pushtues dhe si pushtues duhej urryer, pastaj ai në vendin tënd sundonte dhe popullin tim e përbuzte, e maltretonte, e urrente për vdekje!!! E ai ku e ku jetonte shumë e shumë më mirë se unë, që isha në vendin tim. Populli im i vuante të zit e ullirit për ta siguruar bukën e gojës që i mungonte kurse armiku im ardhacak jetonte si Zot pa u lodhur fare.Më kujtohet shpesh koha ime e fëmijëris se si kalamaj që ishim ju afroheshim dritareve të serbo-malazezëve aty në lagjen tone që ishin ardhur nga Serbia, Mali i zi çetnikët më të rrezikshëm si sundimtar dhe gjandar për t’i ndejtur mbi kokë popullit tim! Ata kishin makinë (kerrë) pos lukseve të tjera edhe TV dhe ne nga dritaret e tyre përdhese i shikonim TV-në, e tjera gjëra luksi, kurse neve na mungonte edhe një radio-transistor e lere më televizori, ore na mungonte edhe buka që nuk kishim as për tu ngi (ngopur), kurse ata jetonin një jetë me bollëk dhe me të gjitha të mirat, ne në varfri të skajshme si në ushqime si në veshje leckaman pranë tyre…dhe prej tyre të nënçëmuar e të përbuzur nga ai soj i keq ardhacak…!!! Në një bisedë me një bashkëvendasin tim, Shani Sezallari, i cili po më tregon, se, në një dasëm baba yt, Neshati, i drejtohet një ardhacaku malaziaz, i quajtur Bozhe me një ton kërcënues, duke i thënë se, ti Bozho po del nëpër demonstratat  serbe, që po organizohen këtu në Prizren kundër shqiptarëve… dhe po harron se, ti je këtu i ardhur dhe se, ti e edhe të tjerët, duhet të ikni atje, nga ku keni ardhur!!!…Po ky farë Bozhe aty tek ne, u bë edhe sikur të ishte i yni, ku të gjithë e thirrnin “çika Bozhe”, pra ai u bë edhe më i afërt se të tjerët, por vetëm politikisht se, ishte edhe më i zi se korbat!?…Këta serb e malazies-ardhacakë, gjatë luftës së UÇK u larguan dhe sot, në lagjen tonë nuk ka asnjë…!

R.D.  Zt.Tafallari,  ju në Gjermani bënit një punë të rëndë, po në atë kohë filluat  të merreni edhe me aktivitete të ndryshme kombëtare, mbanit protesta, demostrata, shkruanit peticione etj.

F.T.: Po në fillim si grup e më vonë duke u shtuar radhët edhe ne filluam të shumohemi dhe kjo më gëzonte sa çdo gjë tjetër se tash më filluam edhe ne ta duam atdheun tonë të përbashkët e të bashkuar jo vetëm me fjalë por edhe me aktivitete konkrete. Ne kemi shpërndar literature shqiptare nga shteti amë Shqipëria, nuk rrinim duar kryq por bënim atë çka mund ta bënim, kemi organizuar protesta, demonstrate kemi shkruar dhe shpërndarë trakte në gjuhën shqipe dhe në gjuhën e vendit, kemi dorzuar edhe peticione nëpër demonstrate në ambasadat dhe konsullatat ish-Jugosllave. E edhe unë personalisht në mënyrë të organizuar para ambasadave,  jua kam dorzuar në dorë vet Peticionin para portës organeve kompetente konsullore të ish-Jugosllavise…Kemi shkruar edhe parrulla nëpër konsullata, klube të punëtorëve nga ish jugosllavia etj. Bënim ndonjë veprim si për shembull ditën e Flamurit e kishim ditë të shejtë, pra 28 nëntorin e kremtonim bashkë në ndonjë lokal ku bënim nga pak muzikë këndonim etj., ashtu sa do pak ndiheshim të kënaqur se na dukej se ja edhe ne po bëjmë diçka pak për atdhe, pra gëzoheshim edhe nga ajo e pakëta, se dukej pak por nga e paka vjen edhe e shumta, shpresonim se do të na ecte ngadal edhe e mbara…

Dhe më vonë kohë pas kohe e organizonim festën e nëntorit në mënyrë masovike nëpër salla të mëdha të qytetit, të cilat na i jepte qyteti! Por dua ta them një gjë që, as atëhere dhe as kurrë nuk i kam pranuar ata që flisnin mirë dhe e lavdronin shumë Jugosllavin dhe e mbanin mbi shkrimin e „shokut“ Tito dhe Jugosllavin e tij. Kishin të tetovirur edhe JNA që do të thotë “Jugosllovenska Narodna Armija”! Kishte edhe të tillë që, foton e atij satrapi e mbanin nëpër dhoma si kur ai të ishte i yni, pra i gjakut tonë, kurse ai në realitet mund të ishte i mirë për të gjithë të tjerët sllave të jugut, por për ne shqiptarët nuk ishte i mire se, në radhë të parë ai nuk ishte president i imi dhe nuk kishte të bënte as me gjak, as me komb dhe ai na ka tradhëtuar dhe po ai i kishte mbushur burgjet plot me shqiptar e shqiptare. Pra ai për sllavët boshnjakët e bosnes-hercegovinës mund të ishte edhe i mirë, sepse ata ishin sllav, kurse neve nuk na lidhte asgjë me sllavet e jugut dhe ai me veprimet e tija, ku neve para syve na buzeqeshte kurse prapa shpine na e rraste thikën deri në palcë…Sepse të lenë të besosh se ato të zezat, që i bënte Rankoviqi, i bënte krahë Titos, dhe menjë fjalë bëheshin në marrëveshje dhe me urdhërin e Titos…

R.D.: Grupi i juaj kishte pak anëtarë, por me kalimin e kohës regjimi serb i  largonte shqiptarët nga vendet e punës, vriste ushtarët shqipëtar në armatë, shtonte dhunën  e presionin.

F.T.: Ne në fillim nuk kishim emëruar ndonjë emër të organizatë, por me një fjalë vepronim si “Lëvizje e përgjithshme”.Po ishte shumë e vërtetë se, armiku serbosllav nga presioni i largonte shqiptarët nga puna, vrante ushtarët shqiptar në ushtrinë Jugosllave, i kthenin në arkivole nga ushtria dhe bënte dhunime e gjëra që shqiptarët askund nuk kishin siguri, gjithandej ishin të rrezikuar…Ne si grup në fillim numëroheshim në gishta se, shqiptarët kur erdhën në Gjermani iu interesonte vetëm puna dhe të fitonin marka, sepse i kshin lënë në varfëri të madhe familjet në Kosovë…Armiku, dhunën ndaj shqiptarëve asqë e ka ndalur ndonjëherë, por dhuna ka qenë përherë e pranishme dhe e rëndë e edhe më e rëndë se tek të tjerët kombe slave… ne, shqiptarët, kemi qenë dora e fundit në atë Jugosllavin e Titos…Por më vonë, dua të them se, edhe shqiptarët filluan ta ndiejn dhe ta kuptojn se, shtypja e armikut në Jugosllavi për shqiptarët kishte qenë shumë e madhe, se këtu në Perëndim e gjetën një demokraci më të pranushme se nën ish-Jugosllavin e Titos, panë se, edhe të ardhurat i kishin shumë më shumë se nga vinin, me një fjalë nuk iu shkelej ajo, që e fitonin apo meritonin, sepse mund të kishte pak nga ata shqiptarë, që nuk i kishin përjetuar dhunimet e bëra nga serbo-çetnikët-sllav dhe ja tash më këtu gjetën një botë tjetër…..

R.D.: Kur filluat ta urreni regjimin kriminel serb dhe pse?

F.T.: Regjimi serb e kam urryer që në bankat e shkollës se në ato mësime na mësonin të dimë për figurat më të urryera sllave, që i mbanin me format të madh fotot e tyre të vendosura nëpër katër anët e mureve te klasës së shkollës. Pastaj regjimi serb ishte i përcaktuar që, shqiptarët ose të asimilohen ose duhet pa tjetër t‘i zhdukim nga trojet e tyre se, si pas tyre Kosova ishte „djepi Serbisë“ prandaj ata, të ardhurit nga dreqi e i biri, i thonin vedit se, ne jemi „bijt e këtij djepi“! Këto i prapagandonte Serbia në radio e edhe nëpër gazetat e saj,por e edhe në gazetën shqip, pra kësi fare shkrimesh gjendeshin në shkrimet e secilës kohë! Pra, si mos ta urreje këtë regjim të fëlliqur që, çdo gjë shqiptare e bënte të tijën, dhe me këto metoda aspak njerëzore si mos ta urreje kur ato i kalonte edhe në dhunime ndaj një populli autokton në trojet e veta stërgjyshore….

R.D.: Pas kryerjes së shkollës ju emigruat në Gjermani. Na tregoni Pse?

F.T.: Pas kryerjes së shkollës isha i ri dhe në shtator të vitit 1973 u martova dhe disa muaj sa ndejta në shtëpi më erdhi garancioni  nga vëllau im njëherit edhe shoku im, tash më i ndjeri Sefidin Tafallari…E thash edhe shok, sepse ai në të gjitha aktivitetet u inkuadrua bashk me mua e edhe Betimin e bëm para Flamurit Kombëtar, së bashku me Jusuf Gërvallën. Dhe kur ai shkoi në pushim atje, e bastisën në shtëpi vëllaun dhe  i gjetën literatur të ndaluar, ku një pjesë ishin edhe nga shteti amë Shqipëria e edhe nga shtypi ilegal si „Lajmëtari i Lirisë“ “Liria“ dhe një libër xhepi „Pushka amanet“ me këngët e Lirisë… UDB-eja e arrestoi e burgosi dhe e torturoi nëpër bodrumet Udbës, një farë krimineli i quajtur Vesel Krasniqi dhe një Asllan Skënder-torbeshi, dhe pas daljes nga burgu i humbi të drejtat e punës në Gjermani dhe më pastaj vuajti shumë sepse nuk mund të hynte askund në punë si nacionalist-irredentist etj. etj. Pas shumë vuajtjeve një ditë, nga infrakti në zemër, në moshën 53 vjeçare vdes, duke i lënë pesë fëmijë pas dhe gruan me një pension të vogël, që ia dha shteti gjerman për sa i takonte…

R.D.: Ne moshë shumë të re ju filluat të merreni me çështjen kombëtare?

F.T.:  Po, se për mua çështja kombëtare ishte mbi çdo gjë dhe më ka interesuar në moshën më të re timen. Babai im, Neshati, e kishte blerë një radio-transistor dhe nëna e mbante me shumë kujdes në një dollap, kur babai mungonte, unë fshehurazi e hapja dollapin dhe hyja brenda e hapja radion, në kohën kur kishte emisione të mira. Kisha dëshirë të madhe jo vetëm këngë të dëgjoja nga radio Tirana dhe radio Kukësi, por pas këngëve fillonin edhe lajmet dhe unë edhe pse isha i ri e ndiqja me shumë vëmendje dhe interesim për ato që i dëgjoja…,por edhe tjetra, që është shumë interesante se kur udhëtonim me baban nga fshati për në qytetin e Prizrenit, rrugës në një vend të quajtur „Qafa e Kushndinit“ dukej e „kufiri“  me Shqipërinë Amë dhe këte ma kishte treguar babai më herët, duke më thënë se, atje o biri im, në ato bjeshkët e larta, tek ai kufi, shumë shqiptarë janë vrarë nga serbosllavët, duke i nxjerrë nga burgu i Prizrenit dhe duke i çuar deri buzë kufirit, ku  atje i vrisnin, gjoja se, kanë tentuar për të kaluar në Shqipëri etj. E mua ky tregim i babait tim, mu bë pikë dhe shpesh i mendoja ato tmerre, që UDB-a serbo-jugosllave i kishte bërë kundër popullit tim…Dhe kjo tash më sa herë kaloja  dhe ka ecja e mbaja kokën majtas dhe kur ktheheshim ecja me kokën djathtas. Si kur shkonim dhe si kur ktheheshim sytë i mbaja nga ai kufi... atje më rrinte mendja...por dhe e vrisja mendjen përse vallë na kanë ndarë!??

Babai Neshat, tash e sa vite i ndjerë, meqë më kishte vrejtur se, unë kur ecja bashkë me te kokën e mbaja në drejtim të asaj ane nga ishte kufiri, e kuptonte merakun tim që, syrin e kisha tek ai kufi, që na kishte ndarë armiku në mes vete ne shqiptarëve. Babai filloi të më tregonte, duke më thënë, o Faridin, o biri im, neve, shqiptarëve na ka ndarë shkjau për gjysëm, na ka gënjyer shkjau, dhe unë kurreshtar  e  shfrytëzoja rastin, duke i bërë pyetje me shumë psehe dhe ai m‘i tregonte. Një nga ato pyetje e imja, ishte edhe kjo:“ e pse na ndau!?. Ai ndalej sa për të marrë frymë thellë... dhe me dhembje ma kthente:“... e o biri im po shkjau nuk na ka dashtë, të jemi ne shqiptarët bashkë... edhe me gjithë atë luftë, që e kemi bërë kundër çdo armiku…Heroi ynë Gafurr Xhaferi, ra për Shqipërinë  dhe jo për Jugosllavinë, por ja padrejtësisht na e bën këtë të keqe dhe ne mbetëm nën sundimin e pamëshirshëm të shkjaut-sllav….!!!

R.D.: Zt. Tafallari  ju në Gjermani bënit një punë të rëndë, po në atë kohë filluat  të merreni edhe me aktivitete të ndryshme kombëtare, mbanit protesta, demonstrata, shkruanit peticione, lexonit literatur nga Shqipëria, shikonit filma shqiptarë etj.?

F.T. Po, në të vërtetë bënim punë të rënda, sepse ne kishim ardhur si krahu i punës dhe nuk na kursenin për punë, po as ne nuk e kursenim veten... se e dinim se ishim krahë pune. Ishim të kënaqur që, punë kishim mjaft,por edhe na paguante firma gjermane, nuk na hanin hakun, pra me një fjalë ishim të kënaqur. Për marrje me aktivitete unë e kisha filluar që në vendlindje e edhe në ushtri dhe këtu e vazhdova deri sot! Në fillim e filluam mes shokëve të ngushtë dhe duke ia ditur mendjen dhe  dashurin për Shqipërin, e dinim se edhe ai do të jetë i interesuar, pra siç thonë edhe duke  provokuar reagimin e tij, i bënim këto provokime me qëllim që se a do të pranonte, kur të vinte fjala konkrete për pranim në grupin tonë. Po përse i bënim këto, sepse armiku ishte shumë i interesuar që, t‘i zbulonte këto vegëza sa do të vogëla të ishin, ai këto i gjurmonte me të madhe…Po ne këtu ramë në kontakt  edhe me shumë shokë, që u treguan të gatshëm dhe me shumë dëshirë u futën në grupin tonë se atëhere nuk kishim formuar ndonjë lëvizje, apo ndonjë emërtim të organizatës, por lëviznim sikur të ishim të organizuar, ashtu spontanisht i gjenim shokët dhe e zgjeronim shoqërinë. Nga këta, në fillim unë e njoha dhe u bëm shokë me Jahir Jahirin, si dhe me Sefidinin (vëllaun) në një qytez Pfalzgrafenweiler, Jahiri ishte nga fshati Slivovë-Ferizaj.

Posa erdha në Nagold u shoqërova me shokun tim Isah Demi, nga Dardana, me të cilin e kemi kaluar shumë mirë. Po ashtu me Ramadan Pireci, (Ramën) …më vonë edhe me Dem Demajn, Vezir Kelmendin, Feriz Kovanin,  Hysen Gegën e Ibrahim Kelmendin. Me Demën dhe Ibrahimin, pas një kohe u ndam dhe nuk kishim besim tek këta të dy, gjë që kam shkruar edhe nëpër librat e mi, si dhe në portalin e shenjtë për mua, „Albaniapress“… Librat e mi,që të gjashtë tashmë të botuara janë mirëpritur shumë mirë nga shumë lexues,  të cilët kanë shkruar fjalët më të mira, por dhe m’i kanë thënë edhe gojarisht, kudo dhe ngado, ku jam takuar me ta…Por ka pasur edhe nga ata, që nuk i kanë pritur mirë dhe as iu kanë pëlqyer…dikush  nga  inati e dikush nga xhelozija!?… Po ka pasur edhe nga ata, që kanë friguar se, atëhere, në librin e parë, “TERROR, DHIMBJE, QENDRESE”, botuar në Tiranë, në dhjetor  të vitit 1997, si dhe në librin e dytë  “ DHIMBJE KRENARE”, botuar në 1998 po në Tiranë, janë përmendur disa  edhe me emra!?! Disa besa, edhe ma kanë thënë hapur se, “…nuk ke bërë mirë që ma ke qitë emrin...” etj. Por nuk mund ta lë pa e përmendur atdhetarin dhe patriotin, që vuajti afër 20 vite burg,  i mbajtur nëpër kazamatet e serbo-Jugosllavisë, të paharruarin Kadri Mani (Osmani), tashmë i ndjerë,  i cili i ka vlerësuar dhe i ka çmuar aq lartë librat e mi, sa i ka quajtur “Bibël e Ku`ranë”!!!

1.Terror, Dhimbje, Qëndresë, Tiranë 1997

2.Dhimbje Krenare, Tiranë 1998

3.Zot të Kësaj Toke Jemi Ne, Prizren 2003

4.Fat Lumbardhi dhe Struzha e Tij, Tiranë 2008

5.Me Tre Yjet e Pavdeksisë në ato Vite të Stuhismme…Tiranë 2010

6.Për Kohën e Artë Prizren 2015

Po çka është shumë me rëndësi se më vonë kemi marrë edhe filma nga shteti amë Shqipëria dhe i kemi parë nëpër video-kaseta të po sa dalura në pordorim, të cilat që në fillim. Video- kasetat i merrnim nga shteti ynë Shqipëria! I kemi parë edhe nëpër vende me hapësira më të mëdha, ku tuboheshim shumë shokë dhe aty i shikonim deri natën vonë. Por edhe nëpër banesa shikonim filma shumë të mirë atdhetarisht…Kemi bërë një veprimtari shumë të madhe edhe duke i shumëzuar dhe shpërndarë nëpër shumë bashkatdhetar, të cilët i mirëpritnin shumë, se ata filma ishin me ndikim jashtëzakonisht të fortë atdhetar ndër ne, mërgimtarët nga trevat shqiptare nën ish-Jugosllavi, ishin filma e me artistë, që them me plot gojën se, nuk i ka bota ata filma me përmbajtje patriotike dhe përparimtarë për çështjen e atdhetarizmit tonë, por edhe me  artistë të mrekullueshëm…

R.D.: Në vitin 1967 apo 68 ju u dashuruar me Zaden, kaluat  kufirin. Pse u këthyet përsëri në Kosovë!?!

F.T.: Po besoj se ka qenë vjeshta e vitit 1968, po e them sinqerisht se me trupin jetoja në Kosovë, por me mendjen dhe shpirtin i kisha në Shqipëri, atje më rrinte mendja dhe nga dëshira e madhe me një shok timin Tasin Vokaj, nga fshati Shipkovicë i Tetovës, pas disa takimeve e biseduam me te dhe vendosëm që të kalonim në Shqipëri! Të dy si çuna të ri dhe dashuria për Shqipëri na detyroj që një ditë e një natë të udhëtonim deri diku me autobus nga Shkupi, rrugëve me kthesa rreth lumit Radikë...dhe një natë me këmbë udhëtuam dhe kur po errësohej, natën, ne iu ngjitëm fshatit thikë përpjet, fshatit Tanush, me shumë kujdes që, mos të binim në sy se, aty ishte zonë kufitare, dhe po të binim në sy menjëherë do të na lajmëronin e do të binim në duart e xhelatëve sllavo-maqedon. Pra fshatiTanush  ishte buzë kufirit, shumë afër me Shqipërinë, vend i thyer, bjeshkë... dhe aty ne, ku do të kalonim, quhej „Kalimi Gjypit“  në gjuhën sllave i thonin-Ciganski Prellaz-.

Kaluam fshatin dhe u futëm në malin me lisa të lartë, aty nga ora një pas mes nate... ju afruam kufirit me shumë kujdes sepse nuk ishte leht, kaluam gardhin, sepse aty ruhej shumë nga patrullat në anën e Jugosllavisë, por ne e dinim mirë se, si dhe ku mund të kalonim,sepse unë, por edhe Tasini kishim qenë si kuzhinjer në një stan në kohën e verës të vitit 1968…Po sa kaluam dhe po futemi drejt qytetit të Peshkopisë (Dibrës së Vogël) në brendësi të Shqipërisë, nuk e dise si më shkoj mendja te fshati im se po e lija dhe…, më erdhi në kujtesë edhe Zadja me të cilën, sa kishim filluar ta duam njëri tjetrin, kujtova fjalët e saj, kur m‘i tha; Faridin në se ti nuk më fejon (më tradhëton) unë vendin tim e kam me kërcy te „Guri Gat“, apo ndryshe në “tek sen`uji“… Dhe për një moment ndalova dhe po i them shokut tim Tasinit, se si më silleshin në kokë ato fjalët, që mi kishte thënë dhe ai pa një e pa dy më tha pra meqë qenka ashtu, ne po kthehemi dhe u kthyem. Pak para se të zbardhej dita ne u kthyem, duke i dhënë besën njëri tjetrit se, ne do të veprojmë dhe do të bëjmë  ç‘është e mundur për tu bashkuar një ditë me Shqipërinë. Dhe vërtet ashtu  bashkëvepruam  deri sa ia filloi lufta e UÇK-së, dhe ashtu vazhdojmë edhe sot e kësaj dite me Tasinin, të cilin e kisha dhe e kam shok të qëndresës dhe të besës…

R.D.: Na tregoni takimin e parë me veprimtarët, atdhetarët, intelektualët, dhe dëshmorët e kombit: Bardhosh e Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka dhe ku?

F.T.: Po! Takimi i parë  me Jusufin dhe Bardhoshin, u bë në banesën time në Haiterbacherstr.75 në Nagold, qytet i bukur. Me Hysen Gegën, ishim njohur një kohë pak me përpara dhe një ditë pasdite erdhi Hyseni me Demën dhe shoh edhe dy të tjerë figura të panjohura, pasi hynë brenda Hyseni po m‘i prezanton dhe kur e dëgjova emrin e Jusuf Gërvallës, sikur mu fry zemra edhe aq sa ishte, mendoja se s‘ka njeri tjetër, që është i gëzuar sa isha unë! Më tregojë se, ky është ai shoku, që keni folur me telefon, pra është Bardhosh Gërvalla, vëllau i Jusufit. Edhe për Bardhoshin u gëzova shumë dhe po them me vete atë, që dhe po ma thotë edhe zemra se, o Faridin a ke pasur shokë  e miq më të dashur e më të mirë se sot!…Biseduam gjerë e gjatë, u kënaqëm si asnjëherë tjetër më parë! Biseduam rreth disa veprimtarive dhe një bashkëveprimi, për ta vazhduar veprimtarinë tonë edhe më të organizuar, më të bashkuar në ato vite, 1980/1982, të cilat vite për mua, janë vitet më të lumtura se, bashkëveprova me Jusufin dhe Bardhoshin, si dhe me Kadri Zekën e shokë të tjerë. Në atë kohë, më vonë erdhi edhe Kadri Zeka  me Ibrahim Kelmendin, ku Kadriun e njihja, se ishim takuar në demonstrata.

Edhe takimi me Kadriun më gëzoi shumë, sepse po takoja shok drejtues të organizatave,që tashmë ishin bërë me zë!!! Ibrahimi më prezantoj, se është shoku Kari Zeka-Zeqa. Biseduam edhe me Kadriun dhe fitova një respekt për të. Bashk me këta shkuam nga unë edhe te vëllau Sefidin për ta takuar  dhe tek  Baca Jahir Jahiri, në Dekenpfronn, një qytet jo më shumë se 20 km larg...dhe nga aty shkuam me shumë dëshirë edhe te Jusufi e te Bardhoshi, në Untergrupenbach afër Heilbronnit. Punët tashmë na shkonin ku e ku më mirë, se ishim bërë bukur disa shok ë, që, për kohën nuk e di a ka pasur ndonjëherë më të mirë dhe më të lidhur. Kjo më gëzojë shumë dhe herë herë mendoja po a ka forcë, që të na dali neve përpara, për të na ndalur drejt lirisë…! Por si përherë armiku këto veprimtari i gjurmonte dhe  bënte   mos që, edhe në mesin e këtyre ta fuste spiunin e vetë apo ta bënte për vete ndonjë vegël të tijën „njeri“ të luhatur e të pa besë!!! Këtë unë kurrë  nuk e kam menduar e sidomos në ato vite kur veprimtaria me shokë sa vinte e rritej.

Por për fatin më të keq edhe aty armiku i gjeti veglat dhe spiunët, të cilët i bëri mashë për vete dhe për të na përçarë neve e vrarë!? Pra me kohën edhe kjo ndodhi dhe armiku ynë shekullor arriti të na përçajë në mënyrën më tinzare. Dhe kjo neve do të na kushtojë shumë. Na kushtoj shumë, shumë shtrejtë saqë nuk ka gjë që e peshon gjithë atë tragjedi të rëndë, tronditëse dhe shumë të tmerrëshme! Armiku gjakatar kriminel bashkë me gjakatarët dhe të pabesët „tanë“, që vepronim bashkarisht ata, në natën e 17 janarit 1982, i qiti në pritë shokët tanë prijsa dhe i vrau që të tre, para derës së shtëpisë! I vrau në një natë të acartë dimri të egër, në Untergruppenbach afër Heilbronnit, në Gjermani!!! Pra për këtë dhe shumë veprimtari time me shokë dhe me të madhin Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe me Kadri Zekën, i kam shkruar në gjashtë librat e mi…Por kanë shkruar edhe të tjerë dhe njëri nga ata është edhe shoku dhe bashkëpuntori më i ngusht i Jusufit, i cili ka shkruar mbi njëzet libra (vepra) për Jusuf Gërvallën dhe shokët e veprimtarisë së tij. Dhe ky shok  Xhafer Durmishi,  njëherit është  edhe  bashkëveprimtar i imi dhe shoku im më besnik!!!

R.D.: Ju filluat të bashkëpunoni ngushtë me vëllazërit Gërvalla dhe disa veprimtarë tjerë. Në  cilin vit?

F.T.: Ashtu siç e ceka edhe më lart se, unë u njoha me vëllezërit Gërvalla dhe më vonë edhe me Kadri Zekën, dhe unë isha  i pandarë nga vëllezërit Gërvalla, si bashkëveprimtar dhe bashkëvepruam për çështjen më madhore të kombit tonë, sepse ne vepronim me këmbëngulësi dhe pallogaritur se sa do të na kushtonte me sakrifica të pa numërta dhe të pa kursyer edhe jetën vetëm e vetëm për realizimin e aspiratave tona shekullore për çlirim dhe bashkim me të gjitha trojet e coptuara nga armiku serb-sllavo-fashist, që fuqit e mdha ua kishin ndarë copa copa trojet tona armiqëve tanë. Ne ishim në trojet tona por që armiqët sllav e grek na mbanin të okupuar, të shtypur  të përbuzur sa ska ku shkonte më të poshtënuar e më keq.

R.D.: Ju pasë një kohe e dhatë betimin. Çka thoshit kur betoheshi na  tregoni diçka më gjatë? Ju ishit edhe shpërndarës i shtypit, i gazetave që i merrnit nga Shqipëria dhe dikur filluat ta nxirrni edhe gazetën e parë, gazetën e cila quhej „Lajmtari i Lirisë“... Si e pritën mërgimtarët tanë nxjerrjen e kësaj gazete?

F.T.: Po, pasi u bëmë një numër dhe u shumuam në atë nivel, sa që na merrte mendja se, ne jemi në gjendje të bënim çdo gjë për çlirim dhe bashkim mbarë kombëtar e pse jo edhe të hynim në luftë dhe ta fitonim ate, pra kjo ishte dashuria e madhe dhe dëshira që, të lirohemi nga kthetrat e armikut serbosllav dhe të bashkohemi me Shqipërinë mëmë!!! Në Gjermani, disa nga shokët merrnim literatur nga Shqiperia, si Shqipëria e Re, Nëntori, Ylli dhe disa të tjera. Më vonë filloi të dali edhe gazeta (shtypi ilegal) nga i madhi dijetari, gjeniu, i mençuri Jusuf Gërvalla, i cili e emëroi me emrin„Lajmëtari i Lirisë“; „Liria“ nga Kadri Zeka dhe „Bashkimi“ nga Ibrahim Kelmendi, por në realitet në të tri këto gazeta shkruante shumë artikuj dhe i redaktonte i madhi Jusuf Gërvalla!

Në nëntor të vitit 1981, JUSUF GERVALLA  nxorri gazetën ilegale: „ Zëri i Kosovës“ , Organ i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi  dhe në krye të kësaj gazete shkroi citatin madhështor: „Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e tij, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s`do të ketë force, që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme. Jusuf Gërvalla. Ne e pritëm Jusufin si diellin ndriçues i posa lindur, ishim shumë të gëzuar se punët na ecnin mirë e mbarë, dhe kurrë nuk pritonim për t‘i shpërnda, të cilat i merrnim apo ndonjëherë na i sillnin Jusufi bashkë me Bardhoshin. I shpërndanim një lloj të tria gazetat tek bashkatdhetarët, që disa besa i pranonin me shumë dëshirë, kuptohet pa frike, por ka pasur edhe nga ata që, kur e ka parë, vetëm që nuk e ka lëshuar shpirti nga frika…

Kemi shpërndarë edhe shkrime në gjuhë të shteteve të tjera, si në Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë e tjera shtete perendimore. Disa shok aktivist, veprimtar me punën e tyre treguan se ishin të vendosur drejt rrugës së nisur. Kemi bërë edhe takime, ku bënim vizita bashkë me Jusufin e Bardhoshin nëpër punëtorë mërgimtar... na kanë pritur mirë! Nga këto prova më von edhe e bëm Betimin, unë  bashkë  me vëllaun Sefidin, ashtu si e kishte përgatitur tekstin Jusuf Gërvalla, në prani të një apo dy shokëve. Në betimin tonë ishte Jusufi dhe Xhafer Durmishi, dhe para Flamurit tonë Kombëtar, që e kishim përball. Betimin e bëm kështu si po e përshkruaj:“ Unë F.T. Sot para juve shok si dëshmitar dhe si shok të të njëjtit Ideal, ideal i shenjtë për të cilin po e jap betimin dhe besën se, unë si anetar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, do t‘i qëndroj besnik dhe do të punoj e veproj pa kursyer asgjë, sipas programit dhe statutit të Lëvizjes  për liri dhe bashkim kombëtar, do të jap çdo gjë, që e kërkon atdheu e edhe deri në flijimin e jetës, pa  tradhëtuar as shokët dhe as atdheun tim, do ta luftojë armikun, tradhëtin dhe tradhtarët deri në vdekje BETOHEM!“

R.D.:  Zt. Faridin! Ju keni qenë që herët në Shqipëri, na thoni a keni pas takime me figura kryesore shtetërore dhe me kë! Dhe me këta të Kosovës në ekzil…dhe çka keni biseduar…?

F.T. Po jam takuar  edhe  me Enver Hoxhën, në korrik të vitit 1984. Enver Hoxha ato ditë ishte i sëmurë dhe kishte shkuar për shërim në Vlorë, në një vilë të vikendit, vend shumë i bukur buzë detit Jon… Pas prezantimit tim nga shoqëruesi F.Haxhiu, Enveri m’u drejtua me këto fjalë: “ ..eh, ju bijtë e Kosovës, do t’i bëni ballë edhe serbomëdhenjëve. Qëndroni si burrat trima të Kosovës Kreshnike, Kosovës Shqiptare!!! Pas pak i shtërnguam duart dhe u ndamë. Vërtet ishte një vizitë e shkurtër, por e paharruar për mua…!!!

Në verë të vitit 1994, dhjetë vite më pas, jam takuar edhe me Ramiz Alinë. Edhe ai na priti shumë mirë, na takoi tepër ngrohtësisht, duke na pyetur me një interesim të madh për situatën në Kosovë dhe na tha se, ne, sa të mundemi do të jemi pranë Kosovës, se  është  njëherit  edhe obligim i yni, sepse ne jemi një! Pra aq sa ndenjëm aty, biseduam për hallet e Kosovës dhe trojeve shqiptare nëpër republikat sllave…Pasi bëmë edhe fotografi së bashku u  ndamë…

Në vjeshtën e vitit 1997/98, jam takuar dy herë dhe me ish-presidentin Rexhep Mejdani. Edhe me z. Rexhep Mejdani kam bërë foto në kabinetin e tij. Po ashtu me  Presidentin Mejdani bisedat kanë qenë shumë konkrete se, çka mund të bëjë Shqipëria Mëmë për Kosovën. Pra është biseduar vetëm për Kosovën dhe trojet etnike, të ndara nëpër republikat sllave, në prag të luftës, që veç sapo kishte filluar…Edhe me z. Rexhep Mejdani u ndamë shumë mirë dhe me shumë premtime për luftën në Kosovë etj. Para dhe gjatë luftës së UÇK-së, jam takuar edhe me Bujar Bukoshin dhe Isa Mustafën, por “premtimet” e tyre boshe, fjalëve të kota dhe rrenave, asgjë nuk u arrit me këta njerëz megallomanë e hajdutë!!!

R.D.: Ju gjatë mbajtjes së një demonstrate në Shtuttgart, nga rruga patë se dikush nga pallati i lartë po i fotografonte demonstruesit.., kush ishin ata.., dhe çka ndodhi pastaj me ata?

F.T.: Ne nga prilli i vitit 1981 e deri në qershor organizuam këto demonstrata nëpër këto shtete dhe qytete, duke e filluar në prill në Bern të Zvicrës, 18.prill në Zyrih të Zvicres, në 25 prill në Shtutgart , 9 maj në Dyseldorf, 16 maj në Mynih në Gjermani, më 30 maj në Gjenevë në Zvicër, më 7 qershor në Frankfurt të Gjermanisë, më 13 qershor në Bruksel në Belgjikë. Nëpër demonstrata  udhëtonim me autobusë, e sa me vështirësi e bënim një autobus, sepse pak shqiptarë i përgjigjeshin  në atë kohë…Po i kthehem edhe njëherë demonstratës në Shtuttgart, e organizuar nga Lëvizja e Jusuf Gërvallës. Duke marshuar me parrulla në  duar dhe me brohoritje nëpër rrugët e qytetit, për çështjen e çlirimit dhe lirinë e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, në një moment e pash Bardhin duke ma bërë me dorë ,që të afrohesha afër tij. U afrova dhe aty ishim bërë pesë a gjashtë shok dhe përnjëherë pas Bardhit u ngjitëm në katin e tretë, ku aty i gjetëm udbashët e Konsullatës Jugosllave të bërë bashk dhe me kamera e aparate filmues në duar na fotografonin e na filmonin demostruesit, kështu që pas atyre filmimeve dhe fotove, kur shkonin me e vazhduar vizën, ia nxirrnin  foton dhe duke e provokuar i thoshn se, cili është ky e ai e tjera poshtërsira, si nga shkjau e si nga shqipfolësit, që punonin nëpër ato çerdhe kriminale… Dhe ne sa hym brenda, ata qen filluan të bërtasin  ndihmë-ndihmë (hilfen-hilfen) duke  na u lutur që, mos t‘i rrahnim (grushtonim).

Por ne nuk kishim hyrë për t‘i përqafuar por për t‘i grushtuar e shkelmuar deri sa ia arriti policia gjermane me armët gati, drejtuar nga ne dhe duke bërtitur halt, halt (mjaft, mjaft) se ne jemi policë e tjera. Ne shumë shpejt ua nxorrëm filmimet si në kamera e si në aparate filmike, që mos të rrezikonin ata demonstrues, që kishin marrë pjesë. Ne ato filmime i kishim nëpër duar, por kur na i pa policia na i rrëmbyen të gjitha. Aty ishte dhe një shqipfolës i quajtur Bashkim Hisari nga Prizreni, i punësuar në Konzullatën e Jugosllavise, i cili i hëngri bash si të tjerët disa grushta e shkelma nga Bardhoshi e nga ne secili sa mundeshim më forcë me iu mëshuar. Ai farë Bashkimi ishte nënpunës dhe njëherit edhe spiun për t’i spiunuar shqiptarët patriot në mërgim. Policia na dërgoj në burg dhe aty na mbajti deri sa i bënë ato verifikime, ndërkohë ne e lajmëruam avokatin, i cili e bëri ankesën dhe i paguam me marka në atë kohën e pranverës, prill 1981…

R.D.: Tani e sa vite të veprimtarisë suaj me shokët e aktiviteteve, pas të gjitha atyre sakrificave që i keni kontribuar atdheu. Si po e shihni Kosovën, për afër 17 viteve çlirim dhe 9 vite të pavarsisë? Si është Kosova dhe sa jeni të kënaqur me këtë liri? A mund të na thoni diçka për këto që po ndodhin dhe a i keni menduar se Kosova edhe pas kaq viteve në „liri“ përsëri do të vije në pyetje si shtet i pavarur me „Zajednicën“!?!

F.T.: E deri këtu tu përgjigja më leht se, edhe pse ishte një e kaluar mjaft e hidhur dhe me shumë sakrifica e edhe me vrasjen më makabre të shokëve tanë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, Po ishte shumë e rëndë për ne që, edhe vrasjen e shokëve e përjetuam me shumë dhimbje por krenar! Për kaq vite vërtetë është shumë vështir me i pershkruar ato, që po ndodhin për ditë e më keq.Jetën edhe pse e kemi pasur mes gërshërve  kjo përsëri kurr nuk më ka friksuar, bile sa me shumë që na ndiqte armiku aq më shumë përforcohesha dhe me guxim e vendosmëri i rrija përballë. Por kësaj tash nuk kam si ta përshkruaj kur ne hoqëm të zit e ullirit nga shkjau dhe ia dolëm deri këtu ku jemi, por që ja fati i keq si po na ndjek, sepse tash e kemi edhe më të vështir shumë se, sot po na e bëjnë të tanët, po ia bëjmë vetëvetes… Sadoqë ne i njohim këta të ashtuquajturit miqt tanë, po na shohin dhe po e kuptojn se, vet po e duam “Zajednicën”, ju vet po i votoni e edhe Zajednicen ndaj ua pafshi hajrin… E çfarë ka ngelur më shumë për të parë, se sa këto të zeza e me plot tradhëti që, hapur po na tradhëtojn dhe ne po i shikojm si po tradhëtohemi… dhe nuk lëvizim që, mos ta pranojmë një turp të të tjerëve, që po na afrojn.

Kjo fare „Zajednica“si po duket dhe në se do të jetë nënshkruar nga Is Mustafe tradhëtari bashkë  me  Hashim Thaç tradhëtarin, atëhere po i shkel të gjitha këto që janë arritur deri më sot! Nuk po e kuptoj përse duhet, ta pranojmë, duke qenë vetë dëshmitarë dhe po duket se, po i mbyllim sytë para një rreziku të pamenduar kurrë se,  do të na e sjellin Isa  dhe Hashimi si peshqesh në votrën tonë të larë me gjak  dhe me gropa nëpër Serbi, të mbushura me kufoma shqiptare! Dhe këto të zeza e edhe shumë të zeza të tjera, të gjitha i kemi nga këta të të quajturës bashkësi serbe “Zajednica”. Pastaj, të gjitha këto debate, që po bëhen i ke për çdo ditë e natë nëpër TV!Dhe  këto debate, kur i dëgjon, t’i shurdhojnë veshët dhe kur i shikon e t’i verbojnë sytë, nëpër TV të ndryshme të lenë një përshtypje sikur Kosova nuk është e jona, por diku në Afrikë !? Apo sikur ajo e ujkut, kur po e han nga pak gomarin, ai i shkretë thotë, hë ore se jam në ëndërr!!! E sot neve këte na sollën ata, që kurrë nuk ia ditën dhimtën popullit dhe hallin e atdheut të copëtuar, pra aspak nuk jam i kënaqur e bile jam edhe më i hidhëruar dhe mjaft i brengosur për këtë dhe me këtë Zajednicën dhe shitjen e tokave tona, duke e rrudhur e ngushtuar edhe më shumë se sa është e ngushtuar Kosova!!!

Po a nuk është një lloj kjo “qeveria” jonë si ajo e Serbis, kur ne ishim nën okupim. Qeveritarët tanë kurrë nuk e dëgjonin zërin e popullit të vet, por i dëgjojn dhe ankohen po ashtu si dikur, kur po ky Is Mustafa i bënte thirrje Beogradit për t’i ardhur në ndihmë… e sot përsëri dëgjohen ata të huajt… këta qenveritarët tanë edhe sot e kësaj dite merren vesh me të huajt dhe kurrë me popullin, sepse çka do që kritikohet apo nuk pranohet nga populli, opozita e ngre zërin, ashtu si kundër këtyre marrëveshjeve sikur që është Marrëveshja për Zajednicën e cila është thikë helmuese mes për mes Kosovës, si dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Por nuk duhet harruar që, sado që të jenë miqtë tanë, kurrë nuk mund me i dhimtë varra jote atij, sa të dhemb ty!!! Për të gjithë Shqiptarët GËZUAR vitin e Ri 2016! Faleminderit dhe gëzuar, zoti Dërmaku!



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora