E merkure, 09.10.2024, 08:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Kadiu: Pesha e fjalës

E shtune, 09.01.2016, 04:41 PM


PESHA E FJALËS

Nga Kadri Kadiu

Para ca ditësh, një nipi im kishte ditëlindjen dhe kishte mbledhur në Verandën e Shtëpisë, për të festuar, gjithë shokët e shoqet e klasës.

Shkova dhe unë aty për disa momente, sa për t'i përshëndetur e t'i gëzohesha rinisë së tyre. Mirëpo më shkoi huq. Të gjithë, pa përjashtim, ata mbanin përpara nga një I-Pad dhe tërë vëmendjen e kishin aty. As e ngritën kokën fare të më shifnin mua, lëviznin gishtat mbi ekranet e

I-Pad-eve të tyre dhe secili kishte nga një botë përpara syve.

Ëhë, thashë me vete, këta qenkan bërë robotë të tërë; u ktheva në dhomën time e fillova të meditoj e të kujtoj se jo shumë kohë më parë, ne, por edhe Bota në përgjithësi, nuk kishte të bënte me kompjutera, me celularë, me internet, me I-Pad-ëra, me Facebook-ëra, me Twitera, me Skype-ra, me E-mail-ra, me GPS-ra e me tyrli shpikjesh të reja që sot e kanë ndryshuar krejt mënyrën e ndërlidhjes e të komunikimit të njerëzve. Po kujtoja se vetëm 30 vjetë më parë, shërbimet e komunikimit tek ne kryheshin nëpërmjet zyrave të Post-Telegraf- Telefonave (PTT) që ishin nëpër qytete e që më vonë u ngritën edhe për fshatrat, në qendrat e Komunave apo Lokaliteteve siç i quanin atëhere. Pra me anën e këtyre zyrave kryheshin komunikimet, duke përdorur thirrjet telefonike, telegramet, dërgim letrash, kartolinash urimi e dokumentesh të ndryshme. Për disa shërbime të tjera midis fshatrave, si fjala vjen njoftime të familjarëve apo të afërmve për raste lindjesh, vdekjesh, dasmash apo çdo ngjarjeje tjetër të jetës, njoftimet bëheshin vetëm me anën e korrierit apo të lajmësit.

Ama, thashë me vete, sado që të sofistikohen mjetet e komunikimit, fjala mbetet e para. Mendoje mirë fjalën që do të thuash, fole mirë fjalën, shkruaje mirë fjalën; fjala të nderon, fjala të turpëron, fjala të shëron, fjala të vdes, prandaj edhe ka dalë ajo shprehja se "gjuha kocka s'ka por kocka thyen".

E duke bluar këto mendime në kokë, e hapa dhe unë kompjuterin dhe ja po shkruaj për disa ndodhi krejt të vërteta që unë i kam përjetuar:

1. A na i hodhe letrat o Lamçe?

Në fshatrat e Devollit, siç mbaj mend unë, deri afër vitit 1960, shërbimi postar kryhej kryesisht nga Zyra e PTT-së së Bilishtit, e krijuar kjo në vitin 1945. Telegramet, si më urgjente që ishin, silleshin edhe nëpër zyrat e komunave kurse letrat shpërndaheshin nëpër fshatra nga postierët e PTT Bilisht. Për fshatrat tona, të Komunës së Progrit, postier ishte xha Sefja i Bilishtit, i cili vinte në çdo fshat, një ditë po një ditë jo, me një çantë të madhe në kurriz ku mbante letrat, kartolinat apo edhe njoftimet e ndryshme dhe i shpërndante shtëpi më shtëpi. Mirëpo xha Sefja vetëm shpërndante postën kurse për të dërguar ndonjë letër, ndonjë kartolinë, ndonjë telegram, apo për të folur në telefon, duhej të shkoje vetë në Bilisht ose në Korçë. Në Fshatin tim, Mançurisht, zakonisht ai fshatar që shkonte në Bilisht ose në Korçë, kryente dhe punën e postierit, duke ua marrë letrat bashkëfshatarëve për t'i postuar, apo siç thoshin, për t'i hedhur në postë. Një bashkëfshatari jonë, xha Lamçja, ishte qejfli pazaresh, i kishte edhe punët në terezi, dhe për çdo të enjte shalonte kalin Dori që kishte dhe shkonte në Korçë.  Kështu që të mërkurave në mbrëmje, në Shtëpinë e xha Lamçes grumbulloheshin 7-8 zarfa me letra që bashkëfshatarët ia sillnin atij që t'i hidhte në Postë për djemtë ushtarë apo për familjarë e të afërm që i kishin larg shtëpisë. Kjo punë u bë aq e zakontë sa që u krijua mendimi fshatçe sikur xha Lamçja e kishte për detyrë që të postonte letrat e Fshatit. Dhe jo vetëm kaq, por shumica nuk i jepnin as lekë për të blerë pullat postare, duke menduar se " hë mo se ka Lamçja dhe nuk e bën veten ai për dy lekë e gjysëm që bën pulla". Puna arriti deri aty sa që kur rastiste ndonjë javë që xha Lamçja ishte pa qejf dhe nuk shkonte në pazar, bashkëfshatarët i zemëroheshin dhe i kërkonin llogari pasi iu mbeteshin letrat pa postuar. Akoma më keq, disa plaka të Mëhallës filluan edhe ta mallkonin xha Lamçen.

Xha Lamçja do e kishte vazhduar punën e postierit badihava aq sa t'i punonte dora e këmba e sa ta kishte Doriun shëndoshë, mirëpo ja që e vranë llafet e Fshatit, kështu që u mërzit dikur xha Lamçja dhe tha me vete: "T'ëmën e s'ëmës ore, po pse o për budalla më marrin këta mua? Mirë që ua marr letrat, ua heq të rëndit, harxhoj kohë në postë, harxhoj edhe para për të paguar pullat postare, por mu dashka të dëgjoj edhe pordhët e mançurishtarëve tani. Hajt, se ua rregulloj unë qejfin tani e tutje".

Xha Lamçja ishte goxha marifetçi kështu që e gjeti një mënyrë origjinale për të shpëtuar njëherë e mirë nga belaja që ia kishte krijuar vetes: Fshati im është në fund të Luginës së Devollit, në bregun djathtas rrjedhjes së Lumit Devoll kështu që për të dalë në Xhaden Korçë-Bilisht, detyrimisht duhej të kaloje Lumin nëpërmjet Urës që lidhte Mançurishtin me Cangonjin. Xha Lamçja zakonisht nisej për në Korçë që me sabah mirëpo kur arrinte në mes të Urrës, e ndalonte kalin, kthente pak kokën mbrapa se mos kishte ndonjë njeri që ta shifte, nxirrte nga xhepat një tufë me zarfa, i hidhte në Lumë e pastaj vazhdonte rrugën për në Korçë.

Vazhdoi ca kohë ky marifeti i xha Lamçes mirëpo diçka po kuptonin edhe bashkëfshatarët e mi pasi jo vetëm që nuk po merrnin përgjigje të letrave të tyre por po merrnin ankesa nga djemtë ushtarë të cilët bëheshin merak që s'kishin marrë letra nga prindërit.

Atëhere filluan fshatarët dhe e pyesnin xha Lamçen: " O Lamçe; a na i hodhe letrat bre"?

" I hodha o, për kokën e djemve që i hodha", përgjigjej serbes xha Lamçja, duke bërë një be që s'kishe si të mos e besoje pasi xha Lamçja kishte katër djem azganë: Shefqetin, Nazmiun, Nuriun dhe Avniun.

Fshatarët e kishin fjalën nëse i kishte hedhur ose jo në Postë por edhe xha Lamçja kur thoshte që " i hodha" nuk gënjente,  ai vërtet i kishte hedhur letrat kështu që nuk e zinte beja që bënte për kokën e djemve.

(Në një shkrim timin me titull " Kur vdiqa unë", botuar pak kohë më parë, unë kam treguar se kur shkova në atë Botë, i takova të gjithë personazhet e shkrimeve të mia dhe ata më kanë pritur shumë mirë e më kanë falënderuar. Vetëm xha Lamçja nuk pranoi të më presë pasi ai aty mbante një ofiq shumë të lartë, e kishin bërë Drejtor të Përgjithshëm të Elektro-Telekomunikacioneve. Kërkesës time për takim iu përgjegj me një sms ku thuhej se: " Për arësye të agjendës së ngjeshur të punëve të mia, e kam të pamundut t'iu pres. Përveç kësaj, ti nuk e meriton pasi në ato shkrimet e tua nuk i peshon fjalët por i lëshon pa kandar dhe megjithëse bën sikur më lëvdon, në të vërtetë ti më ke nxjerrë bojën mua. Megjithatë, detyra është detyrë, kështu që për çdo problem apo ankesë që mund të kesh për çështjet e komunikimit, drejtohuni në Sekretarinë time në adresën Lamçe@ihodha.com").

2. Ti folke si me kën bari

Nëvitin 1967, sapo mbarova Institutin e Lartë Bujqësor, më emëruan me detyrën Kryeagronom i Korpusit Ushtarak të Veriut në Shkodër. Në atë kohë ishte dhënë Direktiva e Partisë " T'iu qepemi kodrave e maleve e t'i bëjmë ato pjellore si fushat", kështu që edhe Ushtrisë i ishin vënë detyra që të hapte toka të reja dhe të krijonte Ndërmarrje Bujqësore Ushtarake (NBU), si dhe pranë çdo reparti ushtarak të krijonte Ekonomi Ndihmëse për të prodhuar produkte bujqësore e blegtorale për nevojat e Ushtrisë. Në zbatim të kësaj direktive, në Korpusin e Veriut u krijuan disa NBU, si në Shkodër, në Pukë, në Kukës dhe në Tropojë. Po ashtu çdo repart ushtarak, sipas kushteve të terrenit ku vepronte, krijoi parcela të vogla dhe tufëza me bagëti të imta, me viça etj. Për këtë qëllim, pranë Komandës së Korpusit në Shkodër ishte krijuar dhe një Zyrë me statusin e Seksionit të Bujqësisë të Korpusit. Në këtë Zyrë ishim pesë veta nga të cilët tre ishin ushtarakë e konkretisht: Major Faik Hoxha ishte Shefi i Zyrës, Kapiten Ramadani ishte Veteriner, kapter Basriu ishte teknik i mesëm, si dhe dy veta ishim civilë, Kismet Mane që ishte zooteknik dhe unë kryeagronom. (Në vitin 1966 në fakt ishin hequr gradat në Ushtri, megjithatë, për forcë zakoni, të gjithë oficerët njëri-tjetrin e thërrisnin sipas gradave që kishin patur; tamam si puna e lekut të vjetër që u ndërrua në atë kohë në lekë të reja, por që akoma e sot njerëzit llogaritë i bëjnë me lekë të vjetra).

Unë, si më i riu që isha në atë Zyrë, ato javët e para akoma nuk isha orientuar mirë, njerëzit, në daç eprorë në daç vartës nuk i njihja, me terrenin ku vepronim gjithashtu isha i pa njohur etj, kështu që qendroja në Zyrë si i drojtur e me frikë. Kur binte telefoni unë nuk guxoja ta kapja receptorin pasi nuk e njihja situatën e nuk dija si të përgjigjem. Këtë gjë e kishte vënë re Shef Faiku dhe më bëri vërejtje: " Po ti Kadri, më tha, pse nuk e kap telefonin? Merre telefonin dhe përgjigju si të të vijë, futja edhe kot pasi edhe neve shumë herë, kur na kërkojnë qiqra në hell, kot ia futim".

E kishim si rregull që nga ora nëntë e mëngjesit, si Zyrë shkonim dhe e pinim kafen në Klubin pranë Komandës, por gjithmonë duke e lënë njërin në Zyrë për çdo eventualitet që mund të ndodhte. Një ditë më lanë mua në Zyrë dhe Shef Faiku më porositi: " Po të bjerë telefoni, merre pa frikë, unë jam Kryeagronomi i Korpusit i thuaj, po ti kush je e çfar kërkon"?

Mbeta vetë në Zyrë unë, i trimëruar nga kurajua që më dha Shefi. Nuk vonoi dhe ra zilja e telefonit. E mora receptorin dhe me kapadaillëk  bërtita:

Urdhëro !

Kush je ti; më foli thirrësi.

Unë jam Kryeagronomi i Korpusit, i thashë me mburrje, po ti kush je, çfar kërkon?

Pa më thuaj edhe njëherë se kush je ti; erdhi zëri nga ana tjetër e telefonit.

E po të thashë mo që jam Kryeagronomi i Korpusit, po pa më thuaj tani se kush je ti?

Unë jam Komandanti i Korpusit, Qazim Kapisyzi, por ti folke si me kën bari, më tha, dhe ma mbylli telefonin.

U bëra meit unë i shkreti.

Pas pak kthehen nga kafja shokët e Zyrës.

Çfar ke, më tha Shef Faiku, pse po dridhesh?

Po ja, i thashë, ra telefoni...

Shumë mirë, tha Faiku, a i the që je Kryeagronomi i Korpusit?

I thashë.

Po ai çfar të tha?

Më tha se " Unë jam Komandanti i Korpusit por ti folke si me kën bari".

Bobooo, ç'na paske bërë o Kadri, na piu e zeza me Gjeneral Kapisyzin tani, tha Faiku, i trembur po aq sa edhe unë.

Mua më mbeti peng për gjithë jetën ky incident e kjo sjellje e pahijëshme e imja me fjalë të pa matura, por Gjeneral Kapisyzi nuk u mor kurrë me mua për këtë ndodhi. Pas shumë viteve, të ndjerin Gjeneral e takova në Tiranë dhe ia tregova këtë peng. " Më kujtohesh pak si një çun i ri që erdhe direkt nga shkolla me punë në Korpusin tonë, më tha Gjenerali, por kjo ndodhi nuk më kujtohet", qeshi dhe më ra supeve me dashuri.

3. Kur "na la" Kismeti

Kolegun tim të Zyrës, Zooteknikun Kismet Mane nga Pogradeci, e kam patur shok që kur ishim studentë në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë. Ai studionte për zootekni dhe ishte një vit para meje. Kjo ndodhia ime me telefon nuk ishte asgjë në krahasim me atë që do t'i ndodhte ca ditë më vonë Kismetit me një telegram: Kismeti mori lejën e zakonshme 15 ditore dhe shkoi në Pogradec pranë prindërve. Mirëpo mamaja e Kismetit kishte rënë në dashuri me një vajzë me të cilën punonin sëbashku në të njëjtën ndërmarrje dhe deshte ta merrte nuse për Kismetin. Për këtë qëllim ajo i kishte ujdisur pizgat edhe me të shoqin, pra me babain e Kismetit, kështu që sa mbërriti Kismeti në shtëpi ia paraqitën këtë kërkesë. Kismeti, megjithëse e pa dhe e pëlqeu atë vajzë, nuk pranoi që ta fejojnë pasi ishte akoma shpejt dhe ai vetëm një vit punë kishte bërë. Por prindërit e Kismetit e kishin marrë me shumë qejf këtë fejesë kështu që thirrën për ndihmë, për t'ia mbushur mendjen Kismetit, edhe dy motrat e tij që ishin të martuara në Tiranë. Ndenjën disa ditë motrat e Kismetit në Pogradec por nuk e bindën dot dhe u larguan me zemër të thyer e me mendimin në kokë që " Kismeti nuk na la që ta fejojmë".

Kaluan ca ditë dhe Kismetit iu qepën hallat, tezet, kushërinjtë, dajallarët e xhaxhallarët dhe ia mbushën mendjen pasi kandidatja për nuse nuk kishte të sharë, kështu që më në fund Kismeti pranoi, pra i la prindërit që ta fejonin. Babai i Kismetit shkoi menjëherë në Postë-Telegrafë dhe i çoi telegram të bijave që të vinin e të festonin pasi Kismeti i kishte lënë që ta fejonin. Meqenëse pagesa e telegramit bëhej sipas numrit të fjalëve që shkruheshin, babai shkroi një tekst të shkurtër që të paguante sa më pak, e konkretisht shkroi këtë tekst: " Kismeti na la, ejani " !

Brenda ditës, të shkretat motra të Kismetit, sëbashku me burrat e tyre, të lemerisura për " vdekjen e papritur" të vëllait të tyre të vetëm, arritën në Pogradec. Kur u afruan tek shtëpia e prindërve dëgjuan se binte një orkestër. " E po kjo pikë e zezë, thanë motrat të pikëlluara, nuk iu vjen turp këtyre komshijve që kanë ngritur aheng edhe se ka vdekje në pallat"? Kur u ngjitën në katin e tretë të pallatit, kuptuan se ahengu bëhej pikërisht në shtëpinë e tyre. Ato hynë në shtëpi duke qarë, ku panë se e ëma dhe i ati ishin në krye të valles, kërcenin se Kismeti i kishte lënë që ta fejonin.

4.  Kur " na vdiq" Xhemaliu

Xhemali Vojkollarin, nga Fshati Orman i Rrethit të Korçës, e kam patur student në Fakultetin e Ekonomisë Agrare, por edhe tani e kam mik.

Xhemaliu ishte djalë shumë i mirë dhe student i shkëlqyer. Në lëndën Ekonomi-Organizim, që jepja unë, ishte në program që studentët veç teorisë që merrnin në leksione e seminare, të zhvillonin edhe një muaj praktikë mësimore nëpër ferma e kooperativa bujqësore. Ka qenë muaji Maj i vitit 1978 dhe rreth 100 studentët të Kursit të Tretë, i kishim shpërndarë në rrethe të ndryshme të Vendit për zhvillimin e praktikës. Xhemaliu, me katër studentë të tjerë, të gjithë nga Rrethi i Korçës, më ishin lutur që t'i  dërgoja me praktikë në Vlorë pasi nuk kishin qenë ndonjëherë. Ia plotësova dëshirën dhe Grupin prej pesë studentësh korçarë  e dërgova në Kooperativën e Risilisë së Vlorës. Përgjegjës të Grupit caktova Besim Gëngon, edhe ky student shumë i mirë.

Kishte ndonjë javë që kishte filluar praktika dhe unë po përgatitesha që të shkoja nëpër rrethe për t'i kontrolluar e ndihmuar studentët. Mirëpo një ditë më thërret në Zyrë Dekani i Fakultetit, i ndjeri Nevruz Malindi dhe i alarmuar më pyet: Ku e ke dërguar studentin Xhemali Vojkollari?

Në Risili të Vlorës e kam dërguar, i thashë unë.

Jam njoftuar, më thotë Dekani, se në Familjen e Xhemali Vojkollarit ka mbërritur një telegram ku thuhet se Xhemaliu ka vdekur në Fier.

Shoku Dekan, i thashë unë jo pak i tronditur, kjo mund të ketë ndodhur në ndonjë aksident, se Xhemaliu është shumë i shëndetshëm.

Atëhere na duhet ta sqarrojmë këtë punë, më tha Dekani, pasi edhe familjarët e Xhemaliut kërkojnë sqarrime prej nesh.

Dekani kërkoi nga Nëpunësi i Centralit Telefonik të Institutit, Perlati, që të na vihej në dispozicion pasi duhej të bënim disa telefonata urgjente. Fillimisht u lidhëm me Kooperativën e Risilisë në Vlorë. Na doli në telefon Shefi i Planit i Kooperativës. Iu prezantova se isha Pedagogu i studentëve praktikantë aty dhe e pyeta se ku janë studentët.

Më thotë se sapo kishin dalë nga Zyra e tij dhe kishin shkuar në mensë për të ngrënë drekën.

Po a janë të pesë studentët aty? e pyeta unë.

Po, më tha Shefi i Planit, të gjithë prezent janë.

Atëhere, të lutem m'i thirrë të vijnë në telefon, i thashë.

Pas pak minutave më del në telefon studenti Besim Gëngo.

Besim; i them, i ke të gjithë shokët aty?

Po, Profesor, të gjithë këtu jemi, janë në mensë duke ngrënë.

Mirë, ma nxirr në telefon Xhemaliun, i thashë unë.

Dakord, më tha Besimi, dhe pasi priti nja 2-3 minuta, më del në telefon e më thotë:

Profesor; ata kishin mbarruar së ngrëni dhe kishin ikur larg, në Sektorin e Blegtorisë.

Besim; i thashë, ti nuk po më thua të vërtetën, Xhemaliu ka vdekur.

Ou, ou; më fal Profesor, më fal që të gënjeva, fliste gati duke qarë Besimi, por ja, po të them të vërtetën: Xhemaliu i mori lejë Shefit të Planit dhe mua dhe ka ikur para dy ditëve në Lushnjë pasi kishte një teze aty, kështu që ne nuk dijmë gjë se ç'i ka ndodhur.

Unë e mbylla bisedën me Besimin, pa u sqarruar akoma për fatin e Xhemaliut.

Besimi, pas lajmit të kobshëm që mori prej meje, i mblodhi dhe tre studentët e tjerë dhe të katër u nisën menjëherë për në Korçë, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Xhemaliut.

Ndërkohë edhe ne morëm masat që një grup studentësh, me në krye mua si Pedagogu Përgjegjës, të niseshim për në Korçë. Dekani i nxorri nga mësimi shtatë studentë të Kursit të Katërt dhe i dërgoi në Konvikt që të visheshin e të ishin në gatishmëri për tu nisur për në Korçë. Njëkohësisht thirri Shoferin e Mikrobuzit të Institutit, Rexhepin, dhe e urdhëroi që të furnizohej me benzinë dhe të shkonte në Ndërmarrjen Komunale të merrte dy kurora me lule që do të viheshin mbi varrin e Xhemaliut, një në emër të studentëve dhe një në emër të pedagogëve.

Pas një ore, mikrobuzi me shtatë studentë dhe dy kurora brenda, ishte gati për tu nisur dhe priste tek Hyrja e Fakultetit, mirëpo ne akoma nuk kishim ndonjë lajm të saktë.

Më thotë Dekani: Pa merre një herë Degën e Punëve të Brendshme të Fierit, nëse kanë dijeni për ndonjë vdekje aksidentale aty?

U lidha me telefon dhe Oficeri Operativ i Degës mu përgjigj: "Nuk kemi patur asnjë aksident këtë javë në Rrethin tonë".

Shoku Dekan, i thashë unë, që të sigurohemi, a të pyesim edhe në Spitalin e Fierit?

Centralisti na lidhi me Spitalin, na doli Kryeinfermieri i Spitalit dhe e pyetëm: " A keni patur vdekje të ndonjë personi me emrin Xhemali Vojkollari këto ditë"?

Të shikoj rregjistrat  dhe t'ua jap përgjigjen e saktë pas disa minutash, na tha Kryeinfermieri.

Ne qendruam në telefon dhe, pas pesë minutash, na vjen përgjigja:  "Po; dje ka vdekur një person me emrin Xhemal Gora, ishte 75 vjeç".

Tani, më tha Dekani, lidhu me Fshatin Orman.

Në Orman na doli Kryetari i Këshillit të Fshatit dhe e pyetmë: " Ai telegrami që ka ardhur nga Fieri me tekstin " Xhemali vdiq, varrimi bëhet nesër", mos ka të bëjë me një person të quajtur Xhemal Gora"?

Ou, ouu, ç'e paskemi qullosur fare, tha Kryetari i Këshillit; ky Xhemal Gora është nga Fshati ynë, është kushëri i këtyre Vojkollarëve por ai ka ikur në Fier ka 30 e kusur vite. Duket se ai plak paska vdekur por neve e paskemi ngatërruar me djalin tonë të ri, studentin Xhemali Vojkollari. Studenti e ka emrin Xhemali kurse plaku e kishte Xhemal. Për një gërmë "i", që nuk i paskemi vënë rëndësi, shkaktuam gjithë këtë gjurulldi, e bëmë Fshatin lesh e li dhe ngatërruam dynjanë. Juve rrofshi që na e shkoqitët këtë problem dhe unë tani do të vrapoj për tek Shtëpia e Xhemaliut që t'iu jap lajmin fatlum se Xhemaliu është shëndoshë e mirë.

Sëkëlldinë më të madhe nga kjo katraurë e patën sëpari prindërit e Xhemaliut, por edhe shokët, miqtë, Fshati, studentët e pedagogët e Fakultetit, e qanë për disa orë Xhemaliun e mirë.

Dekanati i Fakultetit, për thyerrje të disiplinës, për studentët Xhemali Vojkollari dhe Besim Gëngo mori masën ndëshkimore që të mos lejohen të futen në provimin e lëndës Ekonomi-Organizim në qershor, por të ngelen për në vjeshtë.

Erdhën në vjeshtë Xhemaliu me Besimin, e në librezat e tyre unë firmosa notën Dhjetë.



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora