Kulturë
Qazim Shehu: Mermeri
E diele, 03.01.2016, 02:10 PM
MERMERI
QAZIM SHEHU
Skulptori, të ngushëllojë veten
Pamjen ta mori e gdhendi në mermer,
Në pjesën më të butë vendosi zemrën
Në të sertën sytë si eter.
Pastaj në damarët e kuq
Vendosi limfën e fjalëve
Dhe mendoi se nuk i shkoi huq,
Kur ua kaloje të gjallëve.
Mendoi se e kish kryer përsosjen
Dhe diçka lëvizi,
Mermeri u drodh në ajrosjen e zërit tënd
Nuk të mbajti dot..krisi.
FLORI I ZEMRËS SË POETËVE
Kjo zemër e poetëve ka aq flori
Sa kush nuk e blen,
Ky flori s`jep tregti
Po një shkëlqim që të gënjen.
Si një e qeshur gruaje pas dashurisë
Derdhet në zemër të zjarreve,
Aty pret të shkrijë prej bukurisë
Shkëlqim u jep të marrëve,
Dhe si hëna e plotë netëve
Në trishtimin e një vajze,
Flori i zemrës së poetëve
Ndrit në një rreth unaze.
Kështu sa herë do të vuajë
Trishtimin e moskuptimit,
I dënuar që të ruajë,
Rrjedhën e burimit..
FSHEHJE
Këto taka janë një gozhdë që ngulet
Në pllakë bulevardi,
Kaq pikëmbështetje vërsulet
Në lojëra mëkati.
Kjo pikëmbështetje po t ë qe
Pak më e gjërë,
Mëkatin s`do e vinim re,
Pa trokitjen e tyre plot poterë……
GJËMIM
Gjëmoi larg horizonti
Moti i lig na kujton ardhjen,
Dielli syrin çakërrit me dhëmbje,
Veç dashuria gjëmon kaq larg.
Presim stuhinë, ajo nuk vjen,
Gjëmim i gënjeshtërët na u fsheh,
Në lule plot besim na gënjen
Një petale që s`e vëmë re.
Dhe pa stuhinë si do ndihemi,
Pa një trazim të saj,një shenjë
Gjëmi i dashurisë së afërmi stinën
Mund të na hedhë në erë…
NOKTURN
E marr këtë degë dhe e vë
Në formë çelsi në horizont,
Ca sythë yjesh nëpër re
I ngjiz si notë.
Dhe vijat e prera të qiellit
Nga dhimbja e lashtë,
Me parfum rrezesh dielli
I bëj pentagram…
E QARA E FOSHNJES
E qara e foshnjes nga një dritare,
Më sjell këtë mbrëmje një të ëmbël qarje.
Një gaz dhe ëmbëlsim të thellë
Si shpërthen filiz i jetës për tu mbjellë,
Në një fëmijë që vjen
Për të mbushur zemrën e njeriut,
Ç`e qarë e ëmbël që na shpërblen
Gjithë peshat e lotit në vranësinë e shpirtit…