Kulturë
Baki Ymeri: Shqiptari, ikonë shenjtërie
E shtune, 02.01.2016, 12:19 PM
NJË LIBËR I RI QË E SHNDËRRON SHQIPTARIN NË IKONË SHENJTËRIE
(Vladimir Muça, Jetë e dyzuar, Shtëpia Botuese ”ADA”, Tiranë 2015)
Nga Baki Ymeri (Bukuresht)
Prindërit janë thesari ynë. Ata me durim e përkushtim ndezin zjarrin kudoqoftë për ne. Prindërit i mbajnë brengat tona dhe na ndihmojnë t’i tejkalojmë për ta përjetuar jetën me moral ideal. Shkrimtari i shquar shqiptar, Vladimir Muça, vjen me një vepër të re (tregimesh e novelash), kushtuar frymës së jetës në gjirin familiar. Përkushtimi i shkruar në faqen e parë, na i përkujton edhe prindërit tanë: “Në kujtim të babait tim të dashur, i cili me durim dhe përkushtim prej prindi, me trashëgoi gjithçka që e bën njeriun të vyer në shoqëri dhe familje. Më dha nga vetja e tij gjithçka që mund të ketë një njeri punëtor, i pajisur me shumë virtyte të larta morale. Jam krenar që në trupin tim kam genet e një punëtori shumëzanatësh, cilësi këto që e ndoqën në jetë tim Atë.”
Engjëjt tonë të mbrojtjes dhe rrëfimtarët e rrugës sonë për të vajtur nga drita në dritë, janë prindërit tanë. Familja është burim dashurie dhe respekti, ndërsa prindërit miqtë më të mirë që i kemi në botë. Në faqet e kësaj vepre defilon një nostalgji e veçantë ndaj atyre që na dhanë jetë. Autori nuk bën fjalë për faktorët që e shkatërrojnë harmoninë familiare, por përkundrazi, për ata njerëz që nuk i harron kurrë, për ata që i mban gjithmonë në shpirt, që i do dhe që ua detyron jetën: “Babai më la si trashëgim veç një sëndyk të vjetër, por të mbushur plot e përplot me mistria, dalta, çekanë guri, zdrugje, sqepar dhe një trastë të mbushur me kujtimet e rrugëjetës.” Duke e përshkruar dashurinë e tyre, autori na jep një totalitet trupi e shpirti. Janë të panumërta idetë dhe përmbajtja e kësaj vepre, që e meritojnë një “bravo”, sepse krijimet e këtilla, jo vetëm që na e përkujtojnë fëmijërinë, por edhe na frymëzojnë: “Unë e di ku qëndron besimi dhe siguria juaj. Në paktet e reja që ju mundoni të lidhni me jetën; edhe sinqeriteti, dashamirësia, vullneti juaj, vijnë vetëm nga këto pakte”
Moral ideal në bibliotekën e sentimenteve tona letrare. Duke e përshkruar portretin fizik dhe moral të babait, vepra respektive e shndërron shqiptarin në një ikonë shenjtërie. Vladimir Muça vjen para opinionit me vëllimin e dytë me tregime për të cilin është angazhuar një kohë të gjatë, krahas veprimtarive të tjera, sepse tre novelat (“Mbijetesa”, “Bashkëjetesë”, “Gardiani”) si dhe tregimet “Dashuri dhe dhimbje” e “Tundim dhe sinqeritet”, kanë reflektuar problemet që e kanë ngacmuar gjatë tërë jetës së tij, që nga vitet 90-të e këtej, si një tranzicion letrar që duhej pasqyruar në jetën e sotme letrare në një këndvështrim të ri. Zakonisht, njeriu është i disponuar t’u jetë mirënjohës prindërve kur këta nuk janë. Meriton të vish në botë, për të përjetuar respektin, dashurinë dhe përkushtimin e tyre. Malli dhe përgjërimi ndaj prindërve është i hatashëm. Përmallimi, admirimi ne mund të shtojmë se pas Diellit vjen babai, pas Hënës vjen motra, pas Bjeshkës vjen vëllau, pas Besnikërisë vjen gruaja. Sintagma të shënuara me shkronja të mëdha që krijojnë dhe simbolizojnë një familje të bashkuar.
BOX
Muça Vladimir – Jetë e dyzuar (Novela, tregime)
Email: vladimir_muça@yahoo.com
Shtepia botuese: ADA
Redaktor: Mjeshtri Madh Gjergj Vlashi
Lektor: Korrektor letrat Lutfi Duka
Reçenzues: Dr. Baki Ymeri
Punoi në kompjuter: Enio Hoxhaj
Punimi Grafik i kopertinës: Enio Hoxhaj
Në kopertinë: Pikturë e Salvador Dalisë
Basoreliefi i autorit në kopertinë
nga skulptori Idriz Balani
Botimi parë: 2015
ISBN : 978-9928-204-39-4
Botues: Roland Lushi
© Të gjitha të drejtat janë të autorit
Skicat grafike: Janë të piktorit Nuri Jaupi
Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, dhjetor 2015