Kulturë
Tefik Selimi: Monografi me vlera për Godenin
E enjte, 31.12.2015, 01:03 PM
Një monografi me vlera të shumëfishta historike-shkencore për Godenin dhe rrethinën e tij...
Nga Tefik Selimi
Shtëpia
e Kulturës në Viti ishte dje vendi më i përshatshëm për promovimin e
monografisë “Godeni i Karadakut” nga autori Adem Murati, historian. Në përurim
morën pjesë një numër i shumtë i mysafirëve, miqëve, intelektualëve,
profesorëve, familjarëve të fshatit Goden e të tjereë, të cilët, si një,
përcollën me interesim të veçantë përurimin e monografiës “Godenit i Karadakut”
nga autori Adem Murati, historian. Fillimisht, Sokol Haliti, kryetari i komunës
së Vitisë, tha se ky vendbanim i Karadakut ka një histori të pasur e të hershme
të jetës së këtyre banorëve. “Ky vendbanim po ringjallet dhe po i kthehet jetës
e punës. Njerëzit e këtij fshati s’do të duhej ta lëshojnë këtë vend të
stërgjyshërve të tyre, sepse, ky vend është i tyre dhe ka nevojë për ta ngjallë
e për ta jeshuar ashtu si do të duhej. Unë si kryetar kam obligim që të përkrah
çdo ndihmoj për këtë vendbanim, sepse, duke i përkrahur njerëzit, e përkrahim
edhe vetën si shoqëri. Kjo monografi e shkruar nga profesori im, Adem Murati,
po e shpalos një vend me të gjitha qasjet e duhura, ku në të ardhmen, brezat që
do vijnë pas do të kenë njohuri të bollshme për historinë e vendit të tyre. Ne
s’duhet të hezitojmë në shkrimet e tilla, të cilat ndriçojnë historinë e
vendbanimeve tona, sepse, duke hulumtuar e
ndriçuar ato, na do ta njohim më mirë vendin e rrethin tonë. Adakemik
Mehmet Halimi tha se, kjo vepër synon të pasqyrojë fshatin Goden nga të gjitha
aspektet si vendbanim i vjetër i Karadakut, duke parë, por edhe duke shestuar e
analizuar, jo vetëm nga aspekti i shtrirjes gjeografike relievore e përbërjen
gjeomorfologjike, ku përfshinë klimën e hidrografinë, kushte këto të
domosdoshme për zhvillimin e botës bimore e shtazore, nga njëra anë, por ai
sjell edhe të dhëna të bollshme iliro-dardane, nga ana tjetër”. Dr. M. Halimi
tha edhe këtë se, autori “fillimisht flet për Kosovën e lashtë, e cila
ambiejtoi pushtimet: romake e bizantine, bullgare e serbe, si dhe pushtimet e
mesjetës: pushtimet osmane e serbobullgare gjatë Luftës së Parë Ballkanike,
Periudhën e sundimit jugosllav 1918-1941 e deri në periudhën e sundimit të
Jugosllavisë komuniste dhe sulmet e kundërsulmet etj. Autori flet edhe për
mënyrën e organizuar qëndrestare, nëpërmjet kuvendeve historike e Lëvizjes
çlirimtare, si ajo e Kaçakëve, ku zihet në gojë Shaqir Halit Godeni me shokë
dhe djali i tij Shaqir Godeni, i cili ndoqi rrugën e babait të vet, e deri në
pjesëmarrjen e godenëve në shumë luftime. Por, në monografi autori bën fjalë
për disa personalitete të shquara kombëtare, si janë: Idriz Seferi e Islam Pira, Hysen Tërpezaq e Bajram
Curri dhe Fazli Ajeti – Godeni, Hasan
Prishtina e deri të Agim Ramadani KATANA, hero i popullit, i cili me heroizmin
e tij shembi kufijtë shekullor shqiptaro-shqiptar.” Ndërsa, dr. Jusuf Osmani
tha se ky vendbanim ka dhënë luftëtarë të lirisë, që sakrifikuan vehtën dhe
familjet e tyre për atë që sot po e gëzojmë – lirinë. “Aty lindën burrat të
mëdhenj që nga kohët më të hershme e deri më sot. Ata me gjakun e tyre e
shkruan historinë. Për liri dhe pavarësi kanë rënë shumë viktima, shumë
personalitete janë vrarë. Godenasit ishi kudo ku bëhej fjalë për luftë dhe,
luftuan ndershmërisht në krah të lëvizjes atdhetare për mbrojtjen e tokave
shqiptare. Autori Adem Murati, nëpërmjet të kaluarës historike të fshatit
Goden, paraqet në këtë monografi në pika të shkurtra dhe historinë e trevës së
Anamoravës dhe Karadakut të Idriz Seferit.
Dr. J. Osmani, tha edhe këtë se, ky libër do të ketë interes për shumë
gjenerata dhe studiues të historisë sonë kombëtare shqiptare. Ai është një
bankë të dhënash për studiues të së ardhmes. Pra, autori arriti të realizojë
një projekt të rëndësishëm të vështrimit të shkurtër gjeogafik, historik,
etnografik, demografik etj., në formë monografie të vendbanimit Goden të
Karadakut, i cili, sipas të dhënave të shumta dokumentar, ky vendbanim është i
vjetër, i cili ekziston në krahinën e Hasit, komuna e Gjakovës”. Mr. Aliriza
Selmani, recensent tha se, monografia e mr. Adem Muratit, “Godeni i Karadakut”,
është një studim gjithëpërfshirës me vlera historike-shkencore për Godenin dhe
rrethinën e tij që nga lashtësia e gjer në ditët e sotme. “Adem Murati tani më
i njohur për lexusit tanë për veprimtarinë e tij në lëmin e studimeve shkencave
të historisë, tani doli me një studim me të dhëna të plota, e që është një
kontribut me vlera të shumëfishta për historiagrafinë e kësaj treve dhe për
Anamoravën”. Aliriza Selmani, profesor, tha edhe këtë se, kjo monografi e Adem
Muratit trajton të gjitha veçoritë gjeografike, demografike dhe personaliteteve
me peshë që jetonin e vepronin në këtë fshat malor të Karadakut të Vitisë,
banorët e të cilit ashtu si të fshatrave të tjera të kësaj ane dhe viseve të
tjera shqiptare të okupuara, u persekutuan e u etiketuan në forma të ndryshme
deri në likuidimin e tyre fizik”.Prof. dr. Daut Bislimi tha se autori Adem
Murati, kësaj radhe na paraqitet me një studim të mirëfilltë monografik me
titull” Godeni i Karadakut”, me të cilin ka sjellë një kontribut të mirëpritur
e shumë të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare. “Mund të themi me plot
bindje se monografia “Godeni i Karadakut” nuk është thjesht një libër, por atë
mund ta quash edhe burim të qëndrueshëm të të gjitha të dhënave historike dhe
kulturore të deritanishme për Godenin e Karadakut, në vazhdimësi. Librin mund
ta quash edhe një faktografi për lartësimin e të vërtetës të fenomeneve
historike dhe personaliteteve me peshë historike nga ky vendbanim, lidhur
me aktivitetin kombëtar të këtyre
personaliteteve në luftërat për çlirim dhe bashkëpunim kombëtar. Por, mund ta
quajmë edhe histori gjithëkombëtare”, ka shtuar Daut Bislimi, historian. Prof.
dr. Rexhep Doçi, në punimin e tij “Vlerësim anomastik për monografinë “Godeni i
Karadakut” tha se, duhet bërë një punim më të gjatë, sepse nuk lejon koha e
momenti të shtojmë më tepër në këtë ditë kur bëhet përurimi i kësaj vepre
dokumentare me interes të përgjithshëm. “Se sa ka të bëjë e dhëna se banorët e
këtij Godeni kanë ardhur nag Godeni i Dugagjinit dhe se e kanë krijuar këtë
fshat, sipas disa vakteve që po i themi në vijim, është vështirë të bindemi.
Por, me bazën God – sot gjenden fshatrat në Kosovë: Godanci i Epërm dhe i
Poshtëm të Shtimes; Godeni i Gjakovës; Godeni i Gjilanit dhe Godeni i Vitisë
ose Godeni i Madh dhe Godeni i vogël etj. Të gjitha këto dëshmi flasin se
Godenat e Anamoravë dhe të tjerë të ngjajshëm janë krijuar nëpër kohë në mënyrë
të pavarur nga një bazë antroponimike God”, shtoi dr. Doçi. Sali Salihu,
deputet nga Vitia, por i ardhur nga fshati Goden tha se, kemi nevojë të mos
rrijnë duarkryq, por të shënojmë dhe të botojmë libra si ky i sotit i Adem
Muratit. “Më gëzoi fakti se është shkruar një monografi për fshatin tim të
lindjes, Godenin, një vendbanim shumë i hershëm i kësaj ane, i cili, sot ka
mbetur me pak banorë e me pak shtëpi. E meriton një mirënjohje autori i
monografisë A. Murati dhe këshilli i fshatit, të cilët, si një, kanë bërë përpjekje që kjo vepër të
dalë se ka vlera të shumfishta për të gjithë ne, sidomos për gjeneratat që do
të vijnë pas. Unë e përgëzoj autorin për këtë punë madhore që ka bërë”. Në
fund, Adem Murati, autori i monografisë tha se, rruga ime gjer këtu, qe jo aq e
lehtë, por me ndihmën e shokëve, familjarëve të fshatit Goden e të tjerëve,
arrita ta përfundoj këtë projekt, i cili rrumbullakëson një vendbanim të
hershëm që ka një traditë të pasur të jetës dhe punës së banorëve të këtushëm.
“Unë s’do t’ju lodhi më, për faktin se, me këtë vepër dëshiroj ta ngris zërin
që, popullata e kësaj ane, të mos shpërngulete nga trojet e tyre stërgjyshore,
sepse, ata aty e kanë arën, tokën, malin e vëllezërit që e ruajnë këtë vend si
të shenjtë. Tani në Goden janë vetëm 8
shtëpi me pak banorë. Duam t’ia kthejmë
fytyrën e jetës së këtij vendbanimi të Karadakut jetik, ku do të jetë një vatër
e përjetshme e fëmijëve tanë që do të shkollohen dhe edukohen për të mirë
të këtij vendi. Të punohet edhe më shumë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore
të objekteve të vjetra, si xhamia, shkolla e objekte të tjera që ekzistojnë. Ju
falemnderit për pjesëmarrje!”