Kulturë
Murat Gecaj: Libri, ndër dhuratat më të çmuara
E diele, 03.01.2016, 10:29 AM
Skicë:
LIBRI, NDËR DHURAT MË TË BUKURA E TË ÇMUARA…
Nga Murat Gecaj
Libri është ndër dhuratat më të bukura e të çmuara. Këto fjalë i kanë thënë sa e sa veta, para meje…Megjithatë, kam një arsye, se përse dëshiroj t’i përsëris ato, pikërisht sot.
Siç është e njohur, me raste festash, si dasma, ditëlindje ose ngjarje tjera të shënuara, ne shkëmbejmë dhurata të ndryshme. Ja, po sjell tani ndërmend fjalët e Anës, një e afërme jona në Lezhë, e cila shprehet: “Mua nuk më pëlqen vetëm të marr dhurata, por më tepër t’u dhuroj të tjerëve diçka, sipas mundësive, që kam”. E, kështu, secili mund të sillte këtu mendimin dhe përvojën e tij.
E kam shkruar këto ditë në një skicë tjetër modeste, se shumë autorë librash m’i kanë dhuruar ata, me dashamirësi. Të gjithë meritojnë të nderohen dhe të falënderohen, për gjestin e tyre bujar. Ndërsa sot do të përmendi vetëm dy miq të mi, të cilat m’i dhruan librat e tyre, pikërisht në pragun e Vitit të Ri 2016. Për këta libra mund të shkruhet gjatë, se e meritojnë,por këtu po vendosi ballinat e tyre dhe po them vetëm pak fjalë.
1.Prof. BARDHOSH GAÇE, mik i imi shumëvjeçar, me banim në qytetin e bukur e historik të Vlorës, më dhuroi Antologjinë e botuar posaçërisht për jetën dhe veprimtarinë e tij të shumanshme. Ajo e ka titullin “Bardhosh Gaçe, etnologu, studiuesi dhe pedagogu” dhe është përgatitur nga: prof.Ilinden Spasse, prof.Faik Shkodra e dr.Xhevat Syla.
Ky libër përmban 380 faqe, ndarë në 6 pjesë dhe me bibliografinë përkatëse. Redaktor është Hamit Xhaferi, recensentë prof.Nexhip Mërkuri e Pandeli Koçi dhe arti grafik nga Kleida Maluka.
Kjo Antologji ka mjaft studime e shkrime nga autorë të ndryshëm, personalitete të arsimit, kulturës e shkencës sonë kombëtare. Ata kanë folur me dashamirësi dhe e kanë konkretizuar ndihmesën e përkushtuar të prof.Bardhosh Gaçes në shumë fusha të jetës, duke u bërë një figurë e njohur jo vetëm në Shqipëri e trojet tjëra amtare, por dhe më gjerë.
2.XHELADIN MJEKU, publicist e studiues, botues i disa librave, me banim në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë, më dërgoi dhuratë dy librat e tij më të rinj, me poezi:
a) “Mëkatet e Orfeut”, i cili në vitin 2010 fitoi Çmimin e parë për librat me poezi, nga Klubi i Shkrimtarëvë Shqiptarë në Botë, “Drita”. Redaktor është Nebih Bunjaku. Ky libër përmban 100 faqe dhe poezitë janë ndarë në pjesët: “Motive Ballkanike”, “Rapsodi Kosovare”, “Mëkatet e Orfeut”, “Intinerari i erërave”, “Akti i lindjes, “Fundi i enigmës” dhe “Kuptimi i Lirisë”.
b)”Pranvera, në shtator”, libër me poezi për fëmijë. Redaktor është Izet Abdyli e recensent Nebih Bunjaku. Libri ndahet në këto pjesë: “Formula e Atdheut”, “Pranvera në shtator”,”Ylljetë në përjetësi”, “T’ia blejmë Botës një ombrellë”dhe “Kthemi ninullat e mia”.
…Pa u zgjatur më tej, i falënderoj përzemërisht këta dy autorë, që m’i dhuruan këta libra, në pragun e Vitit të Ri 2016. Me këtë rast, ju uroj gjitha të mirat, familjarisht, duke pritur që prej tyre të kemi botime të tjera, sa më të bukura!