E enjte, 14.11.2024, 03:09 PM (GMT)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Thika

E marte, 05.01.2016, 07:11 PM


T h i k a

(Motive të ilegales së Rexhep Malës)

Nga Mehmetali Rexhepi

Mbi digën e liqenit Ai tashmë niste “aventurën” për vertikalen e pacenuar, për një digë vërtet vertikale të shqip-jetës, digë për të ndalur vërshimin e tërbimit të kurdisur çnjerëzor, digë lëvizëse vrushkujsh gjaku, që t`i mëshonin fortë akujve të aortës. Digë e gjallë...

Prarimit dendur i ishte vardisur në mendje peshorja e vetëmohimit. Ajo peshore assesi t`ia peshonte përmasën e digës së gjallë. Kush ishte Ai të kishte këso përmase? Ky përemër, kjo vetë e parë e përemrit do të peshojë, vetëm sa ëndrra e një iluzionisti me zjarrin e ndezur në sy. Por, këtë nuk ia dëftonte assesi Epit. Po t`ia dëftonte, si do të dukej në sytë e tij zhbirues?! Ai do të xhindosej sikur të mos kish ujë në sy. Nuk e doja. Ngathtësia e butësia ime nuk përputhej me rreptësinë e tij. Ndaj nuk e doja, ndoshta dhe për trishtimin që ndillte parandjenja ime, se Ai me hapa të sigurt shkonte drejtë fatkobit. Hezitoja... Por Ai postohej. Hezitimi dhe jo hezitimi, lidheshin dhe këputnin lidhjen djaloshare. Arsyeja ishte një lavire që hynte mes Atij dhe Prarimit. Ai tashmë e kishte dëbuar Arsyen, porse Prarimi ndjente dhimbje pa u shkëputur prej saj.

Mjaftoi të quhej Rexhë, sepse të shpinte nën lëvozhgën kuptimore regjje. Prarimi, dritë pastë, pati vijuar t`ia shkëpuste ngërthimit dy shkronja, e treta shqiptohej vetëm kur i shquhej trajta e bëmës. Për Prarimin Ep ishte rebus i Rexhë-Epit, Ep ose Epi. Epi  i një epopeje që e kishim dëgjuar, i një epopeje marramendëse, dhe që ndoshta çuditërisht do të shkruhej... Me çka? Nga kush?...

E meta e rebusit të Xhepit  pa parashtesën Re, ishte mospasja e parasë në xhep për vete. Tjetër e metë për Rexhën ose Epin ishte shmangia nga bukuria e epshit. Epi anashkaloi Bukurinë të bijën e Epshit, ashtu siç ia ktheu shpinën Arsyes...

¬ ¬ ¬

“Loja” me thikë i ngjante sjelljes së një të marri! Rexha trupin e tij të lidhur, ia ekspozonte diellit të fortë të mesditës dhe majës së thikës në digën e betonit të liqenit. Me të dy duart, të majtën e të djathtën, maja e thikës ngulej në qafë, gjoksit, kofshëve, këmbëve, krahëve, barkut... Thuajse çarja e majës zgjonte përkëdhelje të buta epshore! Ajo maje varësisht prej shtypjes dhe tërheqjes, shpërthente vija përroskash të kuqe mbi të për-nxirën e pluhurit të diellit.

Atëbotë për mua qe e pa qartë, pse e bënte atë “lojë” të dhunshme mbi trupin e vet të çmuar, mbi një trup atleti?!

-     Zot o Zot!

-     Si i fshehte të papërballueshmet therje?! - zbrazi thekshëm habinë Prarimi.

-   Madje ajo “lojë” nuk bëhej sipas ritmit të ritmeve, siç e bënin dervishët pas lutjeve ritmike, betimeve të devotshmërisë flijuese për shenjtorët. Lutjet rraskapitëse deri në marrëzi të molisjes, aq sa t`iu ikte gjaku nga fytyra, dhe t`i fusnin e nxirrnin gjilpërat a thikat, pa pika gjaku në të butët e nofullave, të buzëve e nënsqetullave!

Kurrë  nuk e kisha dëgjuar Atë të thoshte se i përkiste sekteve: Saadi, Helvetie, Bektashi...

Monologët e druajtjes ia dëftoja vetëm e vetëm ndërdymes sime.

Kur e pash herën e fundit të verës, e cila na ndiqte me saçin e saj, sikur më trasheshin fijet e holla të dyshimit.

Çka, çka pra? - pyeti shkujdesur Parimi.

Çastet janë sovrane nuk mund t`i frenosh. Erdhi një i tillë dhe më solli një mynxyrë:

Mos ka shkalluar Ai, ose nga ambiciet e tija të forta, të paarritshme është kapluar nga frustrimi?!

I shtrirë barkas, symbyllur, ritmi i të valëtave e shpinte në të kotur. Çasti sovran i reflektimit të rrëshqitjeve të fatit, i pruri një ndjenjë kobndjellëse:

-    Atij po t`i pamundësohej caku, do të na fshinte!

Mandej?

-   Thika... Ja mundësia e vetëvrasjes!

Tmerr, dhimbje e shterpësi rinore...

Djersët ia shtuan etjen, aq sa të përpinte tërë liqenin gazmor.

“Loja” me thikë e Rexhës për Parimin nuk çonte ndonjë farë peshe. Sipas qasjes tij të lirë, ato çaste ishin krejtësisht spontane, ose shenja nervoze, energji e dendësuar, që duhej të zbrazej disi, edhe në atë mënyrë.

Prarimit i ngeli çka-ja e papërcaktuar... Ajo pyetje gjysmake nuk jehoi as te Parimi, as te Prarimi.

¬ ¬ ¬

Vera i shtrinte gjymtyrët e veta të kthjelltë, dhe i ftonte kosarët për të kositur barin përderisa nuk zverdhej tërësisht. Tashmë barin e zi të kokës Epi e kishte prerë me zero.

-     Ep pse po e ngulë atë thikë në trup?

-     Po provoj se sa mund të durohet dhimbja.

-     Vetëm në mua mos e provo... - shtoi Parimi  dhe i hapi shteg qeshjes: ha-ha-ha-ha.

Epi i mësymjes së stuhive dhe stuhitë  që mësykan drejt tij... Lëshoi një puhizë buzëqeshjeje, por nuk u mëshoi amplitudave të ha-ha-ha-ve.

-    Qeshja e shqiptuar zëshëm, ndoshta do t`ia lehtësonte qesen me vrer të qetësisë së mbarsur- pohoi Parimi.

¬ ¬ ¬

Djaloshit të brishtë i rastësisë t`i thuhej nga gojët e pleqve : filani është regjur, ose filanin e ka regjur jeta. Si? Me çfarë është regjur akëcili filan? Vallë, kur ishte regjur, a qe përcëlluar e shkalluar?

Në këndin e plehut të oborrit gufonin hithra të fund-prillit, nëna voc Prarimit i thoshte:             Prarim  mos i prek hithrat se të “regjin!”

Si dukej Epi i motit të vrerët midis nesh? Thellohej largësive... Tejet larg i ngulte shikimet gozhda dhe, kur lidhej me fije të tilla të forta, vëreje një shkëputje të zorshme. Sepse sikur i shkëputej ndonjë gjymtyrë trupi nga ajo lidhje, së cilës pos Ai ia shihte përmasën. Ajo lidhje do t`ia sjellke “regjjen” a djegien e tërësishme?! Ndoshta pikërisht atëbotë do t`ia shihnim e preknim “regjjen”? Ndoshta kurrë nuk do të shihej e ndjehej efekti i “regjjes”? Do të ishim a nuk do të ishim dhe ne? Ku do të na binte koka?

Kureshtja për”regjjen” e shpuri Prarimin në mozaikë përfytyrimesh... Ishte e thjeshtë të”regjesh”, sikurse fërkimi mes hithrash vetëm më brekë të larjes. E thjeshtë, e thjeshtë, por djegëse:

-    Aq më patën djegur gjunjët, kur qesh futur në hithra te plehu i oborrit tim, sa që u pshurra në brekë.

-    Regjja është gjithfarëshe, por pse të ishte mu si kjo, banale: të “regjesh” me thikë?!

-    Çfarë thua? Të tjera regjje ti nuk ia shihje!

-    Ndoshta Rexha bën edhe “lojëra” tjera më të rrezikshme?

-    I çuditshëm është Rexha- I çuditshëm- e përkufizonte përsëritshëm pohimin e tij, Parimi.

-    Rastësisht nuk është quajtur Rexha sipas prapashtesës Ep- e mistifikoi dhe e mitizoi vështrimin  e tij, Parimi.

-   Si thua ti, Parim mos është Rexha sinonim i “regjjes” në këtë “kozmetikë  të kushtetutave?”

-   Pikërisht ashtu! - E godite cakun Prarim!

Nga horizontalja e shtrirjes në rërë, u ngrit t`i hidhej  margaritarëve të palëzave të liqenit.

-     Prarim dua të më përgjigjesh, por çiltërisht a?

-     Kush fitoi nga çiltëria Parim? -  u tall Prarimi.

-     A të pëlqejnë vashat me kozmetikë?

-     Çikat me kozmetikë...

-    Ëhë... Çfarë të them? - Kozmetika hijeshisë i jep një mandat, porse mandati i asaj bukurie është deri te larja e parë e fytyrës.

-     Do të thuash: si “kozmetika e ndryshimeve kushtetuese në Federatë”...

Pasoi qetësia e përsiatjeve të mbyllura.

-    A e ke vënë re Parim se si Ai e ngulë  mendjen, sikurse thikën e tij në disa syprina të buta të trupit?

-    Po, po, por vështrimet e Tija nervoze hasin në pika të forta, të padepërtueshme.

-    Dhe Ai nuk kthehet pa depërtuar në mësymjen e paravënë.

-    Buzëqeshjet e Epit pas nervozes asnjëherë nuk më janë dukur të mirëfillta.

-    Prarim, mos e shfaq ylberin e mbresës në këtë qiell të kthjelltë - erdhi i sapo skuqur Moti.

Urtia e Motit ishte për miradije.

Ai: - Prarim se kap dot ti buzëqeshjen e Epit...

Po, po, po... Ngase ato buzëqeshje të Tija janë vetëm vetëtima, pas të cilave të shumtën e herëve goditnin si rrufe.

Të përgjithësuara i nxjerrke gjykimet Prarim. - Shiko si ke lajthitur!

Dhe? Si?

Dhe vaj halli për kobrën dykëmbëshe e  kameleonin burokrat...

¬ ¬ ¬

Nën saçin e kuqërremtë të verës, në të njëjtën fultere, me gjithë dilemat e së nesërmes, fërgoheshin Epi, Moti, Prarimi dhe Parimi.

¬ ¬ ¬

Shklluq, shklluq, shklluq të tre moshatarët, të ndjekur nga shigjetat e zjarrta e të pa mëshirshme, pos Motit që sodiste nga stomi, u futën në liqe me kokrra rëre në shpinë e gjymtyrë, në dhuntinë e kaltërsisë së tij, në të madhërishmen e së lëngshmes lozonjare...

¬ ¬ ¬

Epi kishte fjalor dhe fjalësi vetjake.

Betejat prore të pabarabarta, i bënte brenda katër muresh dhe rrethojash gjembore. Ai prej fjalorit Tij flaku togfjalëshin: “e pamundur”.

Shqiptimit të përshpirtshëm “ndjesë pastë” të Parimit, në sytë e burrave ua shqiptoi antonimin: “lavdi e përjetshme rënies së Parimit!”

Burra: Parimi ra për tu ngritur dhjetëra, qindra parime të pathyeshme!

Vrasja e mori, por nuk e theu Parimin tonë! - e të ngjashme.

¬ ¬ ¬

Vallë, ku do të jetë tretur thika e  Epit të asaj bote? Pas kaq vjetësh, sa të burrërohesh e të vizatohesh me rrudha, Motit i rrinte pezull thika, e hedhur nga dora djaloshare që t`i ngulej lisit të parë. Priste t`i ngulej në mushkëri... Thika e kujtimit, thika e “lojës së trishtuar”, thika e kalitjes së Rexhës, thika e Epit që “ra në shoshë e dërmol.”

-    Ajo thikë mua nuk më përgjaku, por më përloti... - Zverdhoi Moti...

Po të ndodhej në muze, sapo të pikasej ajo, syve të mi do të rrjedhke shi vjeshtak dhe do t`ia shtonte pakëz  lagështi  verës së thatë...

-   Tash gjethet verdhoshe bien prej degëve të trungut tim...

¬ ¬ ¬

Në këngën e Epit as shi vjeshte, as borë dimri.      

 Vera - verë e pjekur. Liqeni gropë e avulluar...

Thika e bukës në dorë...

Gjithçka i vagëllohej pos thikës në  dorën e  Flakërimës...

Gjilan, dhjetor 2014



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora