E marte, 12.11.2024, 02:37 AM (GMT)

Kulturë

Viron Kona: Mirëmëngjesi, o jetë!

E diele, 03.01.2016, 01:35 PM


Mirëmëngjesi, o jetë!

(Rreth vëllimit poetik  “Sonte zemra ime frymon” të poetes Ermira R. Jusufi)

Shkruan Viron Kona

“Sonte zemra ime frymon”, - kështu e nis  përmbledhjen e saj poetike Ermira R. Jusufi, poetesha nga Kosova, e cila me dashurinë ndaj jetës dhe poezisë, zbukuron me vargje dashurore plot jetë, kolor dhe freski fronin e mrekullueshëm poetik. Dihet, krijimtaria, por veçanërisht poezia nuk mund të shkruhet me porosi, as thjesht se të lindi dëshira të bëhesh poet, ajo vjen si një nevojë  e brendshme, si një përrua i pastër e gurgullues që zbret nga mali kur dielli nis  e shkrin dëborën e ngrirë, ajo vjen si gjethja dhe fruti në pemë, por edhe si dallgë, stuhi  e furtunë… Poezia është një ndryshim dhe kulmim i gjendjes shpirtërore, ajo është drithërimë zemre, përflakje e qiellit nga rrezet e diellit, është krismë vetëtime dhe vjen te poeti në situata dhe gjendje emocionale të veçanta, ajo shkruhet nga njeriu i mbushur me ndjenja, përjetime dhe përvoja, është krijim i njeriut të frymëzuar...

Janë pesë cikle poetike që botohen në këtë përmbledhje, ku poezitë si lulet në një saksi, sikur ta bëjnë me sy dhe të thërresin për t`i parë dhe për të shijuar bukurinë dhe larminë e tyre. Janë krijime të mbledhura me kujdes e merak, një e nga një në kopshtin e zemrës e që, poetja e dashuruar, pasi i ka lidhur me një fjongo vezulluese, ua ka dhuruar  lexuesve me respekt e çiltërsi, por edhe e shoqëruar nga meraku pritës nëse lexuesit do t`i pëlqejnë, nëse koha që ata  do të shpenzojnë do t`ia vlejë, nëse ato do të krijojnë te lexuesi çaste të bukura...

Sonte, zemra ime frymon/Në kraharorin tënd të dashurisë./Dua që shpirti im të dëshmojë/Natën shekullore të lumturisë!

Duket se poetesha nxitet nga dëshira t`i shtojë librit të madh të krijimtarisë poetike edhe disa lule me ngjyra të ndezura të zemrës...

Sa shumë doja t`i puthja sytë,/Por nuk kisha guxim atë natë,/Gjatë më shikoje në bebëza,/Unë perëndoja në shikimin e zjarrtë.

Nuk di pse ndal frymën te poezia “Agimi i ditës mos të vijë pa ty”. Mbase sepse te vargjet e saj ka krahasime dhe metafora të arrira dhe të shprehura me zë origjinal apo se: ”Shpirti i shqetësuar/Përplaset si dallgë deti…”

Netëve të gjata/Hëna vështron tinëzisht/Deri sa çel syri i ditës…

“Si anija për brigjet,/ Që s`i arrin dot/Dhe lulja që prêt stinën...

“E kot përpiqem/Të ndaloj kohën/Sa ndalon blerimi I fushave…”

Si të dojë të bëj një pushim të figurshëm në lëndinën e saj poetike, Ermira shkruan poezinë “Hesht…!, ku, me “heshtjen” që mban përbrenda aq shumë rryma të brendshme dhe valë dashurore, ajo sikur kërkon të na thotë apo të na kujtojë në mënyrë poetike se dashuria nuk ka nevojë për deklarata, nuk ka nevojë për fjalë të tepërta, për lajka e premtime boshe, ajo shprehet më shumë në heshtje, në heshtjen magnetike, që të tërheq me një forcë të padukshme... Ndodh si me bukuritë e natyrës që shfaqen në heshtje, pa bujë e zhurmë: në heshtje rritet edhe lulja më e bukur, rritet edhe pema që prodhon fruta të mrekullueshme, në heshtje rriten pyjet, në heshtje shkrin dëbora, përflaket qielli dhe merr ngjyra të habitshme, në heshtje krijohen aurorat polare me bukuri fantastike... Bujku ngrihet  një mëngjes dhe sheh i gëzuar sesi sipërfaqja e tokës është mbushur me filizat e bimëve të gjelbra dhe ndjen me gëzim se natyra ia shpërbleu mundin; kopshtari shikon me ngazëllim sesi  gonxhet kanë hapur petalet dhe, duke u lëkundur nga flladet mëngjesore apo mbrëmësore, lumturojnë gjithkënd me bukurinë e tyre shpërthyese; udhëtari ndjen në heshtje ngrohtësinë e rrezeve mëngjesore e, duke hedhur xhaketën krahëve, vijon udhëtimin e  gjatë....Në heshtje dhe mahnitshëm lëvizin në hapësirë planetët, vezullojnë yjet, shfaqet ylberi; në heshtje...: Në heshtje më pushto,/Qëndro sonte me mua, po deshe/Dhe me lindjen e diellit shko/Në heshtje,/Hesht!

Poezitë vijnë radhë njëra pas tjetrës, si krelat lozonjare të  një liqeni që drithërohet nga flladet mbrëmësore e ku mes tyre shndritin lulet me bukuri të magjishme e që, për poeteshën, lulja e dashurisë ”nuk thahet asnjëherë”.

Kanë një mesazh dashuror të veçantë vargjet e poezisë “Gota e dehjes”, poezi për të cilën mësojmë se është shpërblyer me çmim në Festivalin e poezisë në vitin 2014 në Drenas – Kosovë. Një poezi me mendim të mençur figurativ dhe e shprehur me ndjenjë e bukur figurativisht: Asnjëherë s`e kuptuam/Në lojën tonë pa fre:/Na kishte dehur nata,/A nata ishte dehur nga ne!

Duket se poetesha me një mendim të guximshëm, thuajse në të gjithë vëllimin e saj sikur do që të na thotë se shoqëria është ende e pasigurt të shfaq plotësisht vetveten, ajo nuk duhet të druaj të shprehë ndjenjat e  brendshme e më të bukura të shpirtit dhe të zemrës, ndjenjat e dashurisë. Sepse në jetë, shohim se dashuria dhe marrëdhënia që ajo krijon, shfaqet si ajsbergu që, pjesën më të madhe e fsheh dhe nuk e tregon. Nuk di pse këto çaste meditimi më sjellin ndërmend vargjet e poetit të shquar shqiptar Ndoc Gjetja, i cili në një kohë tjetër, ngrinte shqetësimin poetik te poezia “Puthja”: Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja/ndodhin në mesin e rrugës së madhe/po ajo më njerëzorja/më e madhërishmja,më hyjnorja/ka mbetur ilegale.

Atëherë, mbaj mend që puthja shihej si herezi. Ata njerëz të pakët që ktheheshin nga jashtë shtetit, në përshtypjet e para tregonin se si kishin parë shpesh herë të rinj që putheshin në autobusë, tramvaj dhe në rrugë, në kopshte dhe sheshe pushimi...Sa mbaj mend, filmave që ne shihnim në kinema kur ishim fëmijë apo të rinj, ua kishin prerë si me gërshërë pjesët ku aktorët putheshin apo luanin skena dashurore. Ne shihnim filma pa puthje, sepse ato censuroheshin nga puthjet dhe marrëdhëniet e dashurisë. Kur ndodhte që shpëtonte ndonjë skenë pa e prerë, ne, që siç dihej “molla e ndaluar na tërhiqte më shumë”, thërrisnim  në mes të filmit në kor:”Biss!” (përsërite!).

Me vëllim e saj poetik ”Sonte zemra ime frymon”, Ermira guxon dhe na e shpreh hapur mendimin dhe ndjenjën e saj poetike të dashurisë, jo thjesht si të dojë të na qeras me një gotë verë apo limonadë, por duke na dhuruar kupën me nektarin e ndjenjave dhe emocioneve  të saj të mbledhur  me kujdes e përkushtim, të ruajtur e përpunuar në zemër si një vlerë sa hyjnore aq edhe reale. Shumë nga ato që njerëzit ndjejnë, poetja me guximin e zemrës së dashuruar, na i rrëfen natyrshëm, ashtu si një vajzë që mezi pret të mbaroj ora  e mësimit dhe t`i tregojë shoqes ndjenjat e brendshme që e kanë trazuar, që e kanë drithëruar, që kanë nisur të marrin formë dhe vrull në zemrën e sapo dashuruar, teksa kërkon në detin e syve, ata dy sy rrëzëllues e “zjarrvënës” të djaloshit që dashuron....

Në ciklin “Jehonë, në shekuj” poetja nis me një himn poetik për këngëtaren e madhe Vaçe Zela  “Legjendë mbetet për jetë”; për nëntorët e flamurit, për Azem Shkrelin, Qerim Arrifin, Ismet A. Qorrajt, ndërkohë që në këtë cikël tërheq vëmendjen ardhja e poetes në Tiranë e për të cilën ajo shprehet me gjuhë poetike se   “Do të mbetet qytet i ëndrrave”. Kurse te cikli ”Ju, ma falni frymëzimin”, Ermira shpalos së pari dashurinë pakufi për nënën; shfaq dashurinë dhe adhurimin për nipat e saj emra-bukur që e frymëzojnë në çdo hap të krijimtarisë: Marsoni, Agoni, Argjendi, Eriona, Altini, Loreta, Besari, Hana, Albiona, Erioni, Fiona...Më tej poetja i thur vargje respekti dhe dashurie babait të saj: Ti na kthen vlerat e jetës,/Tok, na mbledh si zogjtë në fole,/Fjala jote përligj të vërtetën,/Si të duam të shtrenjtin Atdhe.

Në vazhdim vijnë ciklet “Si dallgë deti, jeta” dhe “Zbrit në kujtesën time!” e ku përsëri tema e dashurisë ngrihet si një erë e lehtë pranvere, që, ashtu siç pjalmon lulet, spërkat me blerim e vesë poezitë: Mirëmëngjesi, o jetë!/Mirëmëngjesi, o zemër!/Agu i ditës së re,/Ka vetëm një emër.

Urime poeteshës Ermira dhe falënderime që na dhuroi nga shpirti dhe zemra e saj e çiltër këtë vëllim me poezi, si të na dhuronte miqësisht të gjithëve nga një lule të freskët, të këputur e të zgjedhur me merak në kopshtin e saj poetik.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora