E shtune, 27.07.2024, 03:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Thash të bëhem edhe unë poet

E merkure, 06.01.2016, 08:35 PM


Cikël me poezi nga VIRON KONA

 

Thash të bëhem edhe unë poet

 

-satirë-

 

Kur shihja aq shumë libra,

radhë-radhë me aq shumë fletë,

të shkruara, të bukur shkruara,

thash të bëhem edhe unë poet.

 

Leximin e gazetave e braktisa,

nga fjalëkryqet dhe skedat hoqa dorë,

mendjen nisa ta ushqej me ëndrra,

lavdia po më thërriste në panteon.

 

Iu futa punës me besim e gaz,

24 orë  “Non  stop” punova,

për të mirën e njerëzimit,

qindra poezi “brilante” krijova.

 

U reklamua në panair libri  im i  parë,

me stuhi artikujsh panegjirik,1).

pas tij i dyti, i treti... i dhjeti,

veç mbetej të lexoheshin librat e mi poetik.

 

Por, pse blerësit vërtiteshin te vitrinat,

siç vërtiten fluturat te llamba e ndezur,

pastaj shpejt nxitimthi largoheshin,

libraria mbetej  shkretë dhe e heshtur?!

 

-Nuk shiten,- m`u ankua librari,-

blerësve s`di pse u zbehet vështrimi,

mërmërisin dhe largohen pa folur,

mbase, duhet parë çmimi?

 

Të nesërmen e uljes së çmimit,

një turmë grindeshin me zëra të lartë,

shtyheshin, shaheshin, thërrisnin,

me librat e mi mbushnin thasë.

 

Nxitova te turma e blerësve dhe pyeta,

një burrë, që thesin sapo kishte mbushur,

-Të lutem, mund të  më thuash zotëri:

këta libra, vërtet qenkan kaq të bukur?

 

Blerësi, një cigan mustaqezi,

me cigare n`buzë dhe i djersitur,

më shigjetoi nxitimthi me vështrim,

me sytë nga thesi m`u përgjigj zëngjirur:

 

-Libra të tillë me ngjyra ylberi, o lali,

kurrkund dhe kaq lirë s`kemi për t`i gjetur,

me letrat e tyre bëjmë kaushë për bajame,

kokoshka, kikirika dhe misra të pjekur.

 

1).Panegjirik (gr. logos panegyrikos - fjalë solemne). Në këtë poezi ka kuptimin: lavdërim i tepruar, lajkatar...

 

 

Kërkoj ndjesë

 

Më nuk do të shkruaj vjersha,

mendja sot kështu më thotë,

nesër s`di se ç`do të bëj,

fjalën s`jua jap dot.

 

Se kësaj mendjes nuk i dihet,

herë kështu e herë ashtu,

herë të bie me pambuk,

herë të rreh, të shtron në dru.

 

Më thotë: “Shkruaj, o i gjorë,

se do bësh famë me okë,

se do bësh katandi,

me ca vargje tokë e tokë”.

 

Çfarë `të bëj unë i mjeri,

vjershat vijnë pa i ftuar,

bëj t`i shkul e s`i shkulë dot,

nga kjo mendja e uruar.

 

Njëra thotë:“Jam më e bukura,

me figura dhe me rimë!”,

Tjetra thotë:“Jam metaforë,

epitet e krahasim...!”

 

Njëra thotë:“Jam e përzgjedhur,

për konkurs e festival”,

tjetra thërret:“Fitoj unë:

O vdes, o vend të parë!”

 

Derën e mendjes ua kam hapur,

jam me faj, o miqtë e mi,

bëj t`i nxjerrë jashtë lozonjaret,

por ato m`kanë bërë magji!

 

Jap fjalën s`shkruaj më vjersha,

po s`më erdhën si çdo stinë,

siç bleron gjethja në pemë,

siç dëborën dielli shkrinë.

 

Po nuk erdhën siç vjen era,

siç vijnë rrezet në agim,

po s`m`u drithërua zemra,

po s`krisi si vetëtimë.

 

Po s`u shfaqën si aurorat,

në Jug t`Globit e në Veri,

po s`trokiti n`zemrën time,

ajo lanetja dashuri.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora