E premte, 08.11.2024, 11:05 AM (GMT)

Kulturë

Lulzim Logu: Fati i njeriut dhe persiatjet

E merkure, 06.01.2016, 07:25 PM


FATI I NJERIUT DHE PERSIATJET E TIJ KOHORE

-Rreth librit “Hije dheu” të Hasan Muzli Selimit-

NGA LULZIM LOGU

Autori sapo është shfaqur, me librin e tij të parë poetik, perpara lexuesve, pas botimit të një libri vertet interesant dhe të mirëpritur me Ese’ dhe Përsiatje filozofike të titulluar”Antologjia e ëndrrës” si dhe të një punimi mjaft dinjitoz të fushës së tij të drejtësisë “E drejta Ndërkombëtare dhe e Ardhmja Botërore”

Të tre librat janë botuar në hapësirën kohore 2013-2015 dhe çuditërisht një lexues i vëmëndshëm ndjen se pavarësisht se i përkasin gjinive të ndryshme, librat i përshkon si një frymë emocionale, prirja tejet e veçantë e autorit ,që përmes përsiatjeve të thella nostalgjike dhe filozofike si dhe të monologut dhe dialogut të gërshetuar me një ndjeshmëri dhe sinqeritet prekës, ta trondisë dhe përfshijë lexuesin e tij në një kaleidoskop ngjyrash dhe ngjarjesh.

Ku padyshim secili shpesh gjen veten, heton përmes çastit eseistik dhe poetik momentin e vet aktual jetësor, përputhet apo ndahet shpirtërisht me gjetjen letrare dhe kësisoj bëhet njësh me tundimin e krijuesit, i cili nga ndjesitë e veta fal jo pak përjetime dhe është kaq i hapur me lexuesin e vet, sa ai papritur njesohet më të dhe perpiqet ta shohë unin e tij sidomos në pasqyrën poetike dhe transparente të librit të tij poetik.

Duke besuar dhe lexuar librat e tij të parë, por sidomos këtë libër poetik të sapo botuar nga Shtëpia Botuese “Muzgu” shoqëruar me një përcjellje fisnike të botuesit Mark Simoni, perjetojmë fatin e një njeriu, perpjekjen e tij aspak të lehtë të realizimit të vetvetes, të një karakteri të fortë, të sundimit të parimeve të besimit shpirtëror mbi devijancat dhe prapaskenat, të paraqitjes të qartë të nismës së prirjes individuale si identitet percaktues në mesin e shoqërisë.

Të qënit tejet inteligjent, sensual, parashikues, debatues dhe imponues i faktit jetësor, metaforizuar poetikisht ,duke i paraqitur kujtimet e shtresëzuara përroit të tij psikik, me një universalitet të pabesueshëm dhe me një naivitet të mrekullueshëm, janë veçori të cilat i shmangin handikapin e mosnjohjes , të paraqitjes së parë në mejdanin poetik të sotëm,të ndrojtjes dhe prezantimit në mesin e krijuesve.

Fëminia vlon kujtimesh, ëndrrash dhe shpresash  rikthimi, malli për të dashurit e zemrës dhe të rënët të drithëron gjatë leximit, fati që shpesh ndikohet nga vendndodhja jote gjeografike, lartësia mbi nivelin e detit, ashpërsia dhe delikatesa e pejsazhit natyror, por edhe nga marrëdhënia me të tjerët dhe vetëveten, shfaqet solid nganjëherë si karakteri i poetit, por edhe I brishtë si thelbi i tij , në dukje i padukshëm, halleve të ditës:

…të kërcej nga veshi i qenit, te veshi i maces e nganjëherë i miut

Pastaj në trupin tim të cullaktë fërkohet si hithra e verës

Lëkura ime mbushet me pupla të kuqe

Në kujtimet e kallura prej gëlliave të harruara

E unë fillikat i vetëm me shumë pak flakë

Deri në majë të plepit shndritin kujtimet e mia të harruara…

Si te Pablo Neruda, vargu i tij ngërthen fakte, ngjarje dhe personazhe të kohrave të ndryshme, ashtu si dhe gjykimi gradualisht i ndryshuar mbi botën e ekzistencën, ndonjëherë hapësira për shtrirjen e tij nuk mjafton, në mungesën e përvojës poetike ai merr ritëm marrëmëndës dhe kaotik, por poeti dikur arrin t’ja ndalë turrin e pazakonshëm, ta maturojë dhe stabilizojë në interes të frymëzimit dhe qëllimit të vet poetik.

Diku me patriotizëm të dukshëm, diku me hymnin për vendlindjen e tij, Kasaj, që merr përmasat e Itakës së Odisesë, në mallin dhe padurimin e poetit, diku me hyjnizimin e nënës si burrneshë dhe perëndi, diku me kujtimin e përflaktë të babait që iku herët ,siç shpesh bëjnë njerëzit fort të mirë të kësaj bote, diku me erotike fine dhe sublime, arrin të ketë larmi temash, idesh dhe trajtimesh, ta përkundë dhe trazojë lexuesin në udhetimin e tij jetësor, duke qënë i ashpër, por i drejtëpërdrejtë, ndonjëherë i pakapshëm dhe etëror, por gjithësesi interesant, tundues dhe I mezipritshëm në rradhën bukur të gjatë të leximit të poezive të tij:

…kam frikë fjalët e shumta

Kam frikë pritën

Kam frikë sharjen

S’kam frikë perballjen dhe luftën

Kam frikë prapakrahjen, natën

Jam në fushë, në maje malesh

Botën dua ta shoh në sy!

Në poet i ri, por që duket aq i pjekur, kur di ti këndojë edhe baglës së lopës, edhe përdredhjes vulgare të femrës, edhe kokrrës së misrit dhe zogjve, mekatar dhe i pafajshëm,brenda një rrotullaje, imam dhe jezu krisht, ai i numëron të gjitha përsiatjet dhe perjetimet e botës, përmes piskamës së ankesës së shpirtit fisnik dhe trandjes midis besimit dhe dyshimit, duel që vazhdimisht e mban krijues dhe aktual në opinionin e tij poetik:

…do vjedh një grusht dhe’ nga varri I nanës

Me erën e dheut dhe të nanës do të shkoj

Larg, përtej këmishës së ozonit…

Do mbaj me avull bustin e babës

Nuk dua të jem i harruar në kuti balsam

Dua të jem galaktikë në galaktikë!

Hasan Selimi vjen i etur në librin e tij të parë poetik, me aromë dheu, bjeshke dhe kujtimesh, me buzë të rreshkura malli, me figuracion befasues dhe tronditës, me ndjeshmëri joshëse poetike, me përpjekje për të rrokur dhe apeluar dimensionet e sotme njerëzore dhe fatet e atdheut dhe të vetes, me etikë dhe kulturë të thellë, sikurse dhe me nguti për tu afirmuar, dukur apo debatuar me të tjerët, me vargje që padyshim mund të jenë edhe më të latuara, ndonjëherë edhe më modeste…

Një libër kompleks, i cili meriton vendin prioritar të ditës, për tu lexuar, krahas autorëve më të zgjedhur, në u dashtë të seleksiononi mes librave të shumtë që marrim çdo ditë në duar, ky libër dhe ky autor, seleksionon veten për tu lexuar dhe rilexuar për shkak të imazhit dhe mesazhit dhe kësisoj ua lehtëson këtë detyrë, lexues besnik dhe të devotshëm të poezisë!

…dhe hana praroi

Shkruhet në rrasat e qiellit

Trashëgimia e mire!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora