Kulturë
Viktoria Xhako: Zemër e ngrirë
E diele, 10.01.2016, 03:50 PM
Viktoria Xhako
Cikël poetik nga vëllimi “ZEMËR E NGRIRË” botuar në prill 2011
SYTË E FËMIJËVE TË MI
A. dhe D.
Pëllumba të bardhë m’u bënë ëndrrat,
Dhe bota e shndritshme m’u duk përsëri.
Për pemën, që mbolla në jetë,
Flasin sytë e bukur të fëmijëve të mi!
ZEMËR E NGRIRË
Strukur nën krahun e netëve të mia,
Regëtimat e zemrës dëgjoj tek shuhen ngadalë.
Ballin e ftohtë mbështes tek duart e ngrira,
E ndiej si zhytem në të oqeanit dallgë.
E shoh krahëpëllumbin, që zgjatet drejt meje.
Shkëndijat e fundit truri përpëlit në perëndim.
Por ky tufan acar që vjen nga kaq larg,
Rrënjët mban fshehur në gjoksin tim.
SHPRESA, QË MË MUNGON
Dhuromë atë që mundesh, ti,
Që s’të kushton asgjë.
Për mua do të jetë bota plot dashuri,
Do të jetë shpresa, që më mungon.
Dhuroma një kënd të buzëqeshjes tënde,
Ndaje me të gjithë, s’ka gjë!
Dhuroma një pjesëz shikimi.
Do të jetë shpresa, që më mungon.
Dhuroma përqafimin e ngrohtë,
Le të jetë vetëm një copëz,
Tërhiqe, e ktheje të ftohtë.
Do të jetë shpresa, që më mungon.
Dhuromu i tëri, i dashur,
Pastaj largohu menjëherë.
Do të jetë çasti im i fundit,
Pas tij s’do të ketë kurrë më të tjerë.....
.....Ashtu siç nuk ka patur ndonjëherë.
TI PO SHKON
Ti po shkon tani,
Kur kurrë s’ke qenë këtu.
Veriu shkund majat e bjeshkëve,
Ortekë rrokullis pa fund.
Në oqeanin e bardhësisë,
Një flutur vdekur përgjysmë.
Duhet edhe pak puhizës
Për t’ia zënë frymën.
Ti po shkon tani,
Kur kurrë s’ke qenë këtu!!!
Sytë m’i vret e pafundmja bardhësi,
Mbi akull rrëshqasin këmbët e ngrira,
Përmes tufanit kërkoj siguri,
Në gjoks shtrëngoj ëndrrat e mpira.
Në horizont - një vezullim,
Zogj të bardhë i vijnë rrotull,
Si të lëviz me peshën e rëndë,
Që pa mëshirë më tërheq në vorbull?
Ti po shkon tani,
Kur kurrë s’ke qenë këtu!!!
KURRË S’KE QENË!
Në ëndrrat e mia, i heshtur, i qetë,
Çdo natë pa trokitur futesh ti.
Në kolltukun e thellë vend zë mirë,
Në dorë mban gotën, që kurrë s’e pi.
Me sy më kërkon të prek tastierën,
Lulet mbi të, aromë tingujsh lëshojnë,
Qirinjtë po fiken si shpirtra ngadalë.
Errësirë, errësirë... Ti ngrihesh e shkon.
Rrëmoj në ëndrrat zemërdrithëruar,
Fletët e kohës flak pa mëshirë,
Vjetërsirë e mbyllur në sënduk për vite...
Kurrë s’ke qenë, po prapë ngrihesh e ikën!
SONTE
Natën e mirë!
Sonte jam vetëm.
Vetullën e hollë e vari përmbi sy,
Hëna e rrëzuar mbi gjoksin tim.
Unë largohem si pishtar i fikur.
E gjej rrugën time edhe në terr.
Vetëm portë hyrjeje ka ajo.
Të përfshin brenda dhe prej saj nuk del.
Natën e mirë!
TANI TI FLE
Tani ti fle...
Jo! Nuk fle!
Gjumi m’u largua nga qepallat,
Nën qerpik shoh lotin tënd,
Me kaçurrelin tim po ta fshij ngadalë,
Ta valsojmë 1) të dy këtë ëndërr të bardhë.
1) Vals
SA SHUMË TË TRISHTOVA
Je shumë i trishtuar, kuptoj,
Këmbëngulja jote ma zhveshi koracën,
E dija ç’do të ndodhte më vonë,
Nuk rezistova. Gabim i pafalshëm.
Nëse të lëndova, ndodhi pa dashur,
Falje të kërkoj gjer në përgjërim.
Nëse unë, fajtore, të lëndova shumë,
Kristalin e lotit ktheja syrit tim.
...
A të kujtohet, i dashur,.... këmbët freskonim
në ujin pranë?
Në livadh zbathur kur loznim atëherë?
Dy qershi mbanim lidhur në një rrëfanë,
I hanim së bashku me buzëqeshje zemre?
Sa shumë të trishtova...
Të lutem, më fal...
MJELLMA E FËMIJËRISË
Të kujtohet lojë e fëmijërisë:
“Pozat më të bukura cilat janë?”
Unë mjellmën zgjidhja vazhdimisht,
Më pëlqenin krahët e saj të bardhë.
Buzë këtij liqeni – mjellmë e fëmijërisë,
Në ujin pasqyruar dielli, ajo noton ngadalë.
Mjellmë do të doja të isha tani,
T’i ngrija lart krahët e bardhë.
Rrezet e diellit të ma përshkonin shtatin,
T’i prekja me pendë, si gishtat harpën,
Të rrëshqisja ëmbël në ujin e qetë,
Drejt teje, krahë rrezedielli spërkatur.
T’përkundja bukur trupin e brishtë,
Piklat e ujit në diell – brilante,
Qafën ta zgjatja tek dora e shtrirë,
Thërrimet të merrja dhe lotët e mallit.