E premte, 04.10.2024, 09:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Islami: Libri i madh i një atdhetari të madh

E diele, 10.01.2016, 04:35 PM


Libri i madh i një atdhetari të madh

(Bardhyl Mahmuti, Mashtrimi i madh, “Çabej”, 2015)

Nga Bedri Zenel Islami

Kohët e fundit, libri i politologut të shquar, Bardhyl Mahmuti, në titullin domethënës, "Mashtrimi i Madh", u publikua edhe në gjuhën angleze. Një gjë e shumëpritur, e cila, mendoj, duhej të ishte bërë në të njëjtën kohë kur u bë edhe botimi në gjuhën shqipe, e, për më tepër, duhet bërë, sa më shpejt të jetë e mundur, edhe në gjuhë të tjera perëndimore, si një dëshmi e saktë, më e plota e deritanishme, kurajoze dhe besnike deri në detaje, e masakrës dhe gjenocidit që ka ndodhur mbi shqiptarët në viset e tyre në Kosovë.

Kam pasur fatin të lexoj librin, versioni në gjuhën shqipe, ende pa u botuar, falë lidhjeve dhe miqësisë së dyanshme me Bardhylin. Jam mrekulluar prej tij dhe e kam thënë mendimin tim publikisht se ky është libri që duhej prej shumë kohësh, më i domosdoshmi, më i miri dhe më me vlerë rreth luftës çlirimtare në Kosovë. E kam thënë këtë, duke qenë më i besuar, pasi, kur kam cilësuar, më me vlerë ndër të gjithë librat e botuar me këtë temë, kam pasur parasysh edhe 7 librat e mi. Pra, nuk kam pasur asnjë qëlim t'i futem kujt në hak, por të jap hakën e duhur tek njeriu i duhur, për një vepër të duhur.

Lbrin "Mashtrimi i Madh" nuk mund ta shkruante gjithëkush dhe, për më tepër, nuk mund ta shkruante në një kohë kur ende vullkani zien, kur gjërat ende nuk janë në vendin e tyre, për më tepër, kur ende fantazma serbe sillet mbi Kosovën, falë politikës jo të saktë, shpesh herë kurrizthyer, të atyre që kishin rastin të qeverisin. Të shkruash një libër të tillë, në rradhë të parë, duhet të kesh qenë pjesë e asaj që ka rezistuar, ndryshe nuk bën, pasi dhimbjen nuk e ndjen në tërë qënien tënde. Bardhyli është njeriu që ka qenë në vorbën e zjarrit që kur ka fituar të drejtën e viteve për të qenë aty, ndoshta edhe më parë, nga tradita familjare. Ekziston një fotografi e Bardhylit me flamur, në ballë të demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë, por, edhe po të mos ishte ajo rastësi, si dëshmi historike, e gjithë jeta e tij ka patur dëshminë e saj. Vitet e burgimit, qenia në lidershipin e lëvizjes çlirimtare ilegale, vrasja e shokëve të tij të afërt dhe rreziku që i ishte aktual, e më pas, jeta e gjitha kaluar në dobinë e kombit të tij, përsëri pjesë e lëvizjes çlirimtare në rolet drejtuese të saj, e bëjnë atë, jo vetëm të pranueshëm, jo vetëm pjesë, por edhe njërit ndër liderët, sidomos në mërgim, ku zhvillimi, prioritetet dhe domethëniet e lëvizjes çlirimtare , nuk mund të përceptohen pa të dhe pa organizatën që i takonte, Lëvizja Popullore e Kosovës.

Libri "Mashtrimi i Madh" kërkonte jo vetëm një pjesë të rezistencës, por edhe njohës të madh të mendimit e shpirtit të saj. Njëkohësisht një politolog me vlera, debatues të zjarrtë, shkëmbyes mendimesh pa ekuivok, real dhe në kohën e duhur. Libri nuk mund të shkruhej nga një pasiv, meditues i thjeshtë, i cili e di numrin e të vrarëve, por nuk i ka njohur të rënët, nuk ka qenë sëbashku me to; nuk mund të bëhet nga një njeri që di sa ku ishte Prekazi, Kaçaniku apo Dukagjini, por mund të bëhej nga një njeri që kishte lidhje me të gjitha trevat.

Polemizues i dorës së parë, më saktë, polemist i flaktë, me horizont të një shkalle sipërore, studjues dhe i pasionuar, meditues në rastet e duhura dhe argumentues në më të shumtën e rasteve, ai do të sjellë, pas gërmimit të fakteve, qëmtimit të ngjarjeve, analizave dhe përjetimeve, këtë libër, i cili, duke sjellë të vërtetat e vrasjeve, përdhunimeve, grabitjeve, djegjeve, rrëmbimeve, groposjeve masive etj etj, me fakte historike dëshmon se ajo që ka sjellur polemika dhe Akademia ultra nacionaliste serbe, për gjoja krimet e shqiptarëve në luftën e Kosovës, nuk janë asgjë tjetër, veçse mashtrimi i madh. ndoshta mashtrimi më i madh i bërë mbi kurrizin e një populli që kishte aq shumë të vrarë, jo vetëm në dekadën e fundit të shekullit të shkuar, por në të gjithë historinë shekullore të tij.

Librin mund ta bënte vetëm një atdhetar i përmasave të mëdha, si është Bardhyli, që, krahas mendjes, aftësisë së të shkruarit, stilit polemist dhe fakteve shkencore, ta bënte të gjithë punën e tij me zemër,me synimin për të qenë edhe më tej pjesë e dobishme themelore e shtetit të tij, dhe, në fund të fundit, për të vazhduar luiftën e tij në rrethanat e reja politike e historike.

Ka më shumë se 20 vite që e njoh nga afër Bardhylin,për shumë vite kemi qenë bashkëpunëtorë të njëri tjetrit, si të thuash, kemi marrë e kemi dhënë sëbashku, e me të tjerët në punën e Organizatës e në drejtimin e saj, kam njohur shpirtin që e mban, vrullin e pasionin, meditimin e përvojën; ka pasur raste që nuk kemi qenë të një mendje dhe këtë ia kemi thënë njëri tjetrit, por e dobishmja është ajo që na ka bashkuar. Libri i Bardhyl Mahmutit është jo vetëm dëshmi historike, jo vetëm fakt shkencor, jo vetëm ajo që duhej të ishte bërë nga Institucionet tona shkencore, por edhe gur themeli i vlerësimit të një lufte, e cila, megjithëse kishte rrjedhat e saj si askund tjetër, ishte e shenjtë për të gjithë.

Si të gjithë , edhe Bardhyli, është i zemëruar me mashtrimin e madh serb të së vërtetës.Por, jo si kanë heshtur shumë apo i kanë mbajtur gjërat në arkivat e tyre, ai nuk ka heshtur. E drejta ka edhe ajo zemërimin e vet dhe zemërimi i së drejtës është një element i përparimit. Lufta e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte hapi më i fuqishëm i shqiptarëve në Kosovë. Ishte vërtet një hap i paplotë, po, por i madhërishëm. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe mbetet shenjtërimi i lirisë. Këtë shenjtërim e sjell në librin e tij, "Mashtrimi i Madh", tashmë edhe në gjuhën angleze, politologu, atdhetari dhe njëri ndër drejtuesit politikë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora