Kulturë
Qazim Shehu: Lule të errta
E enjte, 14.01.2016, 09:21 PM
LULE TË ERRTA
QAZIM D. SHEHU
Lulet e errta në pemë të dëshirës
Duan tjetër ngjyrë,
Të çelen gazmohen nëpër fllad të stinës
Që humbet fytyrë.
Stinët, shpesh të serta
Qëllojnë njëra tjetrën,
Me rrufe e breshër,
Me shkopinj të etur.
Ndaj bëhen të errta dhe errësohen më
Në terr e mosterr pa faj zhyten ,
Do ua heq terrin sapo të zë vend
Prej ngjyrave që te une nuk arriten…
THELLËSI
Thellësinë e dua pa fjalë,
Siç dua gjënë më të shenjtë,
Se pres prej saj të dalë
Një fontanë e shpejtë.
Fontana nuk del edhe kur arrij
Në fundin e saj,
Mbush me gurë edhe shkëmbij
Si i fundmi skaj.
Dhe kur bëj të ngjitem , mishin tim e ha,
Si shkabë e legjendës,
Pamja surreale afër seç më mba
Dhe s`i shpëtoj vetes.
+++
Pas një buzëqeshje shkoj në thellësi
Dhe pas një ngërdheshje tentoj përsëri,
Dhe pas një dielli dhe pas një reshje
Dhe pas vështrimit plot kërleshje.
Dhe pas një fjale e pas një përralle
Pas një dashurie që më sjell zbrazje
Shkoj në thellësi. I mjeruar krejt,
Kujtoj e kam gjetur, ajo shembet shpejt.
Në nënkresë harrese në vite dënese,
Ajo fshihet djallushe,
Pastaj më afrohet e më jep reflekse
Në aroma gushe.
Dhe këtu e gjeta , shpirtin ma mjeron
Por ajo thellë e më thellë shkon…
NJERËZIT NË QYTETE
Njerëzit në qytete s`dinë të thonë mirëmëngjes,
Nuk hutohen pranë një trëndafili me vesë,
Njerëzit nëpër qytete i thith tymi,
Fjalët sikur i mbulon lymi.
Vështrimpërhumbur thithen si në askund,
Thelbin e tyre e vënë përfund
Dhe e shtrydhin e shtrydhin,
Njerëzit në qytete veten e mbysin..
DASH I ZI
Në themele shpesh muroset një dash i zi,
Kur të vijë stuhia muret me lëpi
Gjuhën ta tërheqë nga gjaku në pafajësi.
Eh ,dikur në to, murosej një grua,
Prandaj ca themele, nganjëherë s`i dua.
Po dua themelet që na japin dhelet
Po dua themelet që na japin shembjet
Që ringrenë themele të reja,
Dashin e zi le ta marrë kopeja…
BUKURIA
Kristal i tepërt i bukurisë arratiset
Drejt atij që më pak meritë ka,
Taksë e bukurisë kështu mblidhet
Nga mendja që në hutim ra.
Pa bukuri nuk jetohet ,me të
Edhe larg shkohet,
Deri tek mendja e gjenive
Që nuk ia gjetën fundin,
Hijet e bukurive që njohim
Mbi ne reflekse të tradhtuara shkundin…