E shtune, 27.07.2024, 02:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Sejdo Harka - “Modernët e kohës”

E hene, 11.01.2016, 09:26 PM


Shënime për librin “Modernët e kohës” të autorit Sejdo Harka.

Nga Kujtim MATELI

Sejdo Harka paraqitet para lexuesit me librin “Modernët e kohës” si kritik letrar, studiues dhe eseist. Në të tri këto pjesë, kontributi i tij është i ndjeshëm dhe tregon për përkushtimin dhe punën e kujdesshme për të sjellë një vepër të arrirë. Në këtë kuptim ia ka arritur qëllimit dhe libri i tij është mirëpritur dhe vlerësuar.

Në këto shënime do të ndalem vetëm për kontributin që ky autor sjell për letërsinë shqipe si kritik letrar. Ka përzgjedhur nga letërsia botërore dhe ajo shqipe disa nga këto vepra dhe i përcjell tek lexuesi me dashuri dhe profesionalizëm. Kritiku i një vepre letrare ka karakter të dyfishtë: nga njëra anë i drejtohet lexuesit për ta përzgjedhur këtë vepër në leximet e tij, nga ana tjetër i drejtohet autorit duke vënë në dukje arritjet dhe mangësitë. Duke lexuar analizat dhe komentet e kritikut Sejdo Harka, të lind dëshira t`i lexosh këta libra, të komunikosh drejtpërdrejt me këta autorë nëpërmjet veprës së tyre. Qëllimi i komentit apo i analizës së një vepre letrare është që të përcjellë tek lexuesi përgjigjen e pyetjes: Pse ia vlen që ky libër të lexohet?

Ky libër fillon me poetin Iranian Molana Xhelaludin “Rumi”, i cili jetoi në shekullin e XII dhe në moshën 40-vjeçare u bë një nga poetët dhe dijetarët më të mëdhenj të kohës së tij. Universi i poezisë që ai krijoi u bë një urë e fortë midis Lindjes dhe Perëndimit.

Në analizën e Sejdo Harkës janë evidentuar të gjitha këto vlera që poeti persian mundi t`i përcjellë jo vetëm lexuesit të kohës së tij, por edhe brezave pasardhës, vlera që i shërbyen kombit të tij dhe gjithë rruzullit tokësor, sepse ato janë vlera që i drejtohen cilitdo, pavarësisht se ku ndodhet apo jeton. Poeti shkruan me dashurinë e mendjes dhe të zemrës. Ai kërkon që dashuria e tij të gjejë vend jo vetëm tek bashkëkombasit, por dhe tek bashkëkohësit e tij, kudo që të ndodhen. Ai shkruan për brezat e shkuar, por dhe për brezat që vijnë. Skruan për ata me të cilët ndan shqetësimet për vendin e tij si dhe në rrafshin global.

Poeti kërkon që çdo gjë e arritur të mos vyshket apo të thahet, por të ketë jetë sa vetë shoqëria njerëzore. Disa ia kanë arritur që mesazhet e tyre të jenë gjithëkohore dhe universale. Kritiku Sejdo Harka e evidenton poezinë e Rumit si një vlerë universale, që u drejtohen të gjitha vendeve të botës, si mesazhe paqeje dhe mirësie. Ai vëren se poezia iraniane, në rrjedhë të kohrave, ka nxjerë vazhdimisht poetë të përmasave botërore, tek të cilët kanë gjetur pika kontakti dhe poetët e botës perëndimore. Kjo është përmasa universale që krijon letërsia e një vendi, e cila i drejtohet gjithë njerëzimit. Vetmia që krijojnë shtetet mes tyre apo dhe armiqësia e tejskajshme që i ka çuar ato në konflikte të përgjakshme, asnjëherë nuk e kanë patur miratimin apo bekimin e letërsisë. Nëse mes shteteve numërohen raste të shumta kur komunikimi mes tyre ka qënë i ndërprerë, nuk janë të pakta rastet kur letërsia ka ngritur ura komunkimi mes popujve.

Kur kërkon të zbulosh vlera të një autori të njohur, është e vështirë të sjellësh diçka të re. Aq më e vështirë bëhet kjo, kur ke të bësh me autorë të përmasave botërore siç është Esenini. Ai është si Himalaja për letërsinë botërore. Do të mundesh dot të ngjitesh në të tilla lartësi për të parë diçka me syrin tënd, që dikush tjetër nuk e kishte parë më parë, kur dihet që lartësitë sulmohen nga të gjithë? Por Sejdo Harka ka guxuar. Ashtu siç ka bërë dhe me poezinë persiane, ku lexuesit i ka sjellë imazhe të pashkelura më parë, ka mundur të bëjë dhe me Eseninin.

*****

Letërsia e Rilindjes dhe ajo e Pavarësisë zënë një vend të rëndësishëm në faqet e librit "Modernët e kohës". Sa herë përmendet letërsia e Rilindjes, mendja të shkon tek poeti Naim Frashëri që ka tërhequr vëmendjen e pothuaj të gjithë studiuesve dhe kritikëve të letërsisë sonë. Ai është bërë objekt dhe i kritikut Sejdo Harka. Është vështirë të flasësh për të, kur krijimtarinë e tij e kanë analizuar në të gjitha përmasat autorë me peshë në letërsinë shqiptare si: Ismail Kadare e Dritëro Agolli, Ali Xhiku dhe Rexhep Qosja dhe prapë asnjëri prej tyre nuk e ka eksploruar gjithë kuadratin e dritës që përcjellë vepra e tij. Përpjekja që bën autori i këtij libri, tregon se nuk kanë për të pushuar ndonjëherë analizat dhe komentet për veprën e tij të çmuar.

Ndaj syrit vëzhgues të Sejdo Harkës, nuk kanë mbetur as Lazgush Poradeci, Ali Asllani e Lame Kodra. Ata që interesohen për letërsinë e kësaj periudhe, nxënësit dhe studentët, mësuesit dhe pedagogët, do të gjejnë një material të pasur që hedh dritë mbi veprën letrare të këtyre shkrimtarëve.

***

Pasi ka jetuar një jetë të tërë me veprën e Kadaresë, si mësues në shkollat e mesme në Përmet dhe Tiranë ku jeton aktualisht, ka shkëputur tri nga veprat e tij me të cilat kërkon të komunikojë me lexuesin dhe si kritik letrar, duke shpalosur vlerat reale që krijojnë këto vepra në fondin e letërsisë shqipe dhe asaj botërore. E fillon me romanin "Darka e gabuar" duke e njohur fillimisht lexuesin me përmbajtjen e tij për të depërtuar pak nga pak në thellësitë e kësaj vepre për të kuptuar mesazhet që ajo përcjell për periudhën në të cilën jetojmë.

Eseja " Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten" është një përpjekeje e Ismail Kadaresë për të hedhur dritë mbi disa çështje që qëndrojnë ende me pikëpyetje. Edhe studiuesi dhe kritiku Sejdo Harka mundohet, ashtu si dhe Ismail Kadareja, t`i kthejë këto fjali pyetëse në dëftore. Po që të hiqet pikëpyetja, duhet të zbardhet çështja. Ja si mundohet t`i japë përgjigje njërës prej enigmave që shqetëson shoqërinë shqiptare.

"Sëmundja e shtrëmbërimit të realitetit te ne, për fat të keq ka lënë enigma për shumë ngjarje e probleme të rëndësishme për shoqërinë, kombin dhe historinë e tij. Historianët, të ndodhur përballë tymnajave dhe presioneve politike, kanë deformuar historinë. Albanologët e rinj kanë arritur të shtrembërojnë të vërtetën edhe për lëvizje epokale, si ajo e Rilindjes Kombëtare duke e quajtur atë 'lëvizje të kokave të prera dhe e flamurëve të përgjakur'. Albanologët e rinj, edhe prejardhjen e gjuhës shqipe nga ilirishtja e quajnë mit. Po, edhe sikur të jetë mit, ai ka zënë rrënjë në shpirtin e popullit shqiptar. Thelbi i këtij miti është: 'Mos më vrit, mos më shpërngul, sepse jam në tokën time' ". (Sejdo Harka "Modernët e kohës, Tiranë 2015, fq. 81).

Interesant është dhe këndvështrimi i studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka për librin e Kadaresë "Motive të Parisit", ku fokusohen ngjarje politike e letrare dhe një përpjekje për zbardhjen e disa ngjarjeve historike për t`i dhënë Shqipërisë vlerën e merituar dhe siç thotë historiani Groult, në një bisedë me Kadarenë në Vatikan "Evropa duhet të mbështetet tek ky komb për emancipimin e Ballkanit. Kombi shqiptar është, në mos më evropiani, ndër më evropianët". Ky konkluzion i historianit Groult, mbështet tek historia e Shqipërisë në mijëvjeçarët e shkuar, për të cilën ne shqiptarët, në vend që ta zbardhim, e mbajmë ashtu siç e kërkojnë fqinjët përreth nesh.

Dritëro Agolli ka zënë një vend të kosiderueshëm në këndvështrimin kritik të Sejdo Harkës duke na sjellë disa nga vlerat që ka poezia e tij humoristike, të cilat të bëjnë jo vetëm për të qeshur, por edhe të fshish nga mendja lakminë dhe ëndrrat e këqija. Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes dhe motivi i dashurisë ,i cili konceptohet si produkt i harmonisë shpirtërore dhe asaj trupore.

Në fokus të kritikut kanë ardhur dhe romanet e shkrimtarit Ben Blushi, të cilët në median e shkruar dhe atë televizive kanë qenë objekt i debateve të shumta, ku morën pjesë kritikë të letërsisë, opinionistë, shkrimtarë e gazetarë duke e përqëndruar debatin  në çështje të ndryshme që veprat e tij artistike kanë ngritur para shoqërisë shqiptare. Romani " Të jetosh në ishull" solli para opinionit publik një realitet artistik për të cilin pati mjaft diskutime, të cilat kërkonin të zbardhnin, nëse shtrëmbërohej apo jo historia shqiptare në këtë roman.  Debate ngjallën dhe romanet e tjera të tij: “Otello, Arapi i Vlorës" dhe “Shqipëria". Analiza që Sejdo Harka u bën romaneve të Blushit tregon seriozitetin dhe profesionalizmin e tij edhe si kritik i letërsisë.

****

Është me mjaft interes këndvështrimi me të cilën ka parë disa nga autorët e trevave shqiptare si: Murat Gecaj në librin “Dorela”, i cili kërkon që gjithsecili të jetë një misionar që përcjell në breza dashurinë njerëzore dhe Skënder Hasko me romanin “ 6 muaj nga jeta e Besianit”, i cili është vlerësuar si: “ Libri më i mirë i Panairit të vitit 2005”.

Në këtë libër gjejnë pasqyrim autorë si: Visar Zhiti me romanin “Funerali i pafundmë” ku përcillen mesazhe filozofike që lidhen me jetën e vdekjen dhe Bashkim Hoxha ,me romanin “Hotel Ballkan” ,ku qënia njerëzore vështrohet si pjesë e universit.

Enver Petrovci vjen në këndvështrimin e kritikut Sejdo Harka me dramën “Mallkimi i të mallkuarve” , kurse  Diana Çuli me romanin “Ëngjëj që mbyten nga djaj”.

Një vëmendje të veçantë ka marrë poezia e Koçi Petritit dhe ajo e Sokrat Habilaj për vëllimin poetik “Të kisha thënë për lotin…”. Në analizën e kritikut Sejdo Harka do të gjesh dhe disa autorë shqiptarë si: Petraq Risto e Viron Kona, Andon Andoni dhe Niko Tyto, Thanas Dino dhe Musa Kraja, Reshida Çoba, Haxhi Aliaj etj.

Me librin “Modernët e kohës” Sejdo Harka bën pjesë në atë numër të paktë që numëron kritika shqiptare. Kontributi i tij është  mirëpritur nga lexuesi, i cili kërkon të evidentojë vlerat reale që krijon letërsia. Letërsia kërkon të vlerësohet dhe ky vlerësim kërkon që analiza të jetë sa më afër objektivitetit. Lexuesi i formuar ka nevojë për art të mirëfilltë letrar. Kritikut seroz i lind detyra që në morinë e librave të përzgjedhë ato libra që mbartin këto vlera dhe t`ia paraqesë lexuesit që të depërtojë sa më lehtë në kuptimin e veprës dhe mesazhet që ajo përcjell. Libri “Modernët e kohës” krijoi urën e besimit midis tij dhe lexuesit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora