Kulturë
Tahir Bezhani: Eja Valbonë...
E merkure, 13.01.2016, 08:29 PM
Tahir Bezhani:
GUXIM I KALLUR
Sonte i bëra protestë gjumit
Mendimet e nervozuara
Ngatërruan rrugëtimet
Lodrova fushës së vetmisë
Për t’i ikur tymit e zjarrit
Dëshirova të bëhem hi
Herë piskamë e heshtur
Guxim i kallur mbeta
Mes furtunave të zeza
Dëshirova në flakë të tretem
Vetmisë t’ia shoh zjarrin brenda
Në shpirtin tim mia njerëz përvëlohen
Sonte do doja të binte shi
Të shuhen zjarret e ndezura
Brenda të qetësohen pulsimet
Në detin e shpirtit plot dhimbje
EJA VALBONË…
Pashë njat Zot,
Të qes be Valbonë
Ndërro shtratin, rrugëtimin
The gurë e çajë male
Nëpër nëntokë udhëto
Si atje ku buron, kthjellët e pastër
Eja Valbonë se flaka më doli
Ani se dimër kemi
Pa ty ky zjarr nuk shuhet
Kaq vite që të presim
E vetëm një rrugëtim e bënë
Mos vono pashë njat Zot,
Eja Valbonë
Shuaje zjarrin në shpirtin tim
Flakë e shkrumb na del nga malli
Eja se në pritje jem
Për shtëpinë tënde
Kurrë mos pyet askënd!..