Kulturë
2015 – Pesë trofe ndërkombëtare për poetin Pojanaku
E merkure, 13.01.2016, 07:33 PM
Duket poeti Dhimitri Pojanaku nuk kishte “të ndalur” në çmimet poetike ndërkombëtare për vitin 2015. Pasi korr çmimin ndërkombëtar “Poezia e Popujve” në Triuggio të Milanos, ku konkuroi mes 548 poetëve nga bota me poezinë “Përsëri për nënën”, juria e çmimit ndërkombëtar ”Vita Nova”, Itali, në edicionin e tretë special në nder të 750 vjetorit të lindjes se poetit Dante Aligeri (1265-2015), shpall fitues poetin shqiptar me poezine fituese ”Lot i burrit”.
Edhe juria italiane Premio Letterario Nazionale e Internazionale
"Vinceremo le Malattie Gravi"III Edizione dhe Premio Letterario Nazionale e Internazionale"Vinceremo le Malattie Gravi"II Edizione,ne Milano i akordon poetit shqiptar ,perkatesisht çmimin e pare dhe te katërt ndërkombëtar
Poezitë u përkëthyen nga poeti Aleksandër Shallvari.
Jashte kesaj vemendje nuk mund të qëndronte as Biblioteka Brentano-Gesellschaft Frankfurt Editorial Library Frankfurter 2015, një nga botimet më të përhapura poetike në dekadat e fundit,e cila ka perzgjedhur per botim poezine "Udhëkryq" të poetit shqiptar Dhimitri Pojanaku.
Biblioteka Frankurt është vendosur në bibliotekat më të rëndësishme në botë, për shembull, në Bibliotekën e Vjenës e Shtetit, në Bibliotekën Kombëtare të Zvicrës, në Bibliotekën Kombëtare të Francës dhe Bibliotekën Kombëtare të Kongresit në Uashington.
Tashmë, duket si një ”parregullsi” që poezia e Pojanakut të mos tërheqë vemendjen e jurive poetike ndërkombëtare.
Pojanaku,autor i gjashtë vëllimeve poetike, Laureat i shumë Çmimeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare, ndërsa poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Pojanaku ka fituar edhe çmimin letrar “Penda e Argjendtë”, akorduar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për librin “Gurët zbardhin natën”, në dhjetor 2003, me motivacionin: “Si një zë poetik i veçantë, tek i cili përjetimet emocionale dhe situatat shpirtërore shprehen përmes metaforash origjinale, mikrofabulash të goditura dhe një gjuhë lakonike dhe sugjestionuese”.
Dr.Ardian Christian Kyçyku ka shkruar se në dyndjen e sotme të vëllimeve poetike, në këtë uragan letre të shtypur që synon të çmallë shpirtin e sa më shumë shkrimtarëve me këtë botë,- thua se na pret një tjetër shumë më e egër,- duket marrëzi të përpiqesh të zbulosh cila nga qindra llojet e poezisë do t`i qëndrojë kohës dhe cila do të bjerret bashkë me ata që e shkruajnë. “Nga kjo pikëpamje, roli i kritikut është tejkaluar, ose është ngushtuar po aq sa roli i lexuesit të thjeshtë. Megjithatë, po të mos lemë mënjanë ‘fatin’ dhe misterin me të cilin librat e vërtetë arrijnë të ngrihen mbi pjesën tjetër të letrës, mund të themi me bindje se vepra e poetit shqiptar Dhimitër Pojanaku, përfaqëson një përjashtim jo vetëm në letrat shqipe”, shënon Kyçyku. Sipas tij, ajo që tek shumica e poetëve të tjerë është thjesht mungesë sistemi poetik,- me rravgime të dukshme për ta paraqitur si liri tematike e stilistike, – tek Pojanaku është vepër e hapur. “Kjo vepër e hapur, duke përfituar nga hapësira e pamat që i afrohet nga vetë hapja, por edhe nga forca, me të cilën një vepër e hapur pastron mëkatet e veta, të kujton një shpërthim ngjyrash e tingujsh antikë, ose një mozaik të gjallë, që plotësohet vetvetiu qysh nga lashtësia”. E vlerësimet nuk vijnë vetëm nga Kyçyku. Poeti i shquar Kosovar Azem Shkreli, (në një letër, dërguar Pojanakut, më 07 shtator 1993) e cilësonte lirikën e Pojanakut si një lirikë që shkruhet vetë, rrjedh vetë. Kjo vërejtje, pas leximit të lirikës në fjalë, duket se bind që autori dhe uni i tij poetik shndërrohen në zë. “Një zë që nuk mbart fort parasysh gjeografinë, shtypjen e ushtruar nga tekat e historisë, dhe që zgjatet deri në kufijtë e mbramë të shqipes, aty ku rijnë të ngujuara fjalët e ndaluara dhe hapësirat e këtyre fjalëve.
Të rrallë janë poetët e shqipes, të cilët e shohin botën me një shqetësim kaq të rafinuar, me një ndjeshmëri që shpeshherë kap paroksizmin dhe që kanë me vdekjen një afri kaq të natyrshme. Nga kjo afri ngjizen imazhe poetikë drithërues dhe me një fuqi të rrallë. Biem ndesh me një harmoni të epërme, ku ngjyra, tingulli dhe kuptimi i fjalës rrjedhin njëherësh dhe mbeten të paharrueshme”,- vijon Kyçyku. Për të, Pojanaku nuk di të qahet, nuk di të ndërkryet sipas kanuneve letrare tashmë të mykura, nuk synon ta shndërrojë këtë botë të ndërtuar keq, apo për ta rrënuar mirë. Hidhërimi i tij krejt i veçantë, thelbësisht poetik, e fton lexuesin në fortesën e poezisë dhe, që brenda saj, i hap një sy nga ku bota mund të shihet vetëm përmes shpirtit të poetit. Me këtë lloj të pari dhe të flijuari mes lexuesit dhe realitetit, Pojanaku shkëputet jo vetëm nga poetët bashkëkohës, por edhe nga një pjesë e mirë e paraardhësve.
I vetëdijshëm për rolin shndërrues që mund të ketë sot poezia e vërtetë, Pojanaku nuk e honeps as vetëvrasjen metaforike,- dhe kjo padyshim ngaqë metafora vendoset në shpirtin e të gjitha poezive të tij,- as murgimin elegjiak në pamundësi. Ai thotë, thuhet dhe njësohet me verbin poetik.
“Një nga pikat kyçe të kësaj poezie është çiltërsia fund e krye çarmatosëse dhe aftësia për të mbetur e vetvetishme gjer edhe në shenjat e pikësimit. Çiltërsia e poetit prek maja të cilave shumë poetë u ndruhen, se mos u sëmur imazhin që ata vetë stërmundohen ta ngjizin në mendjen e lexuesit. Pojanaku e pranon haptazi se akti i krijimit poetik, sikurse qëllimi përligj mjetin, e merr përsipër edhe dështimin, edhe zhgënjimet e përbindshme, edhe kanosjen e përditshme të harmonisë së vrarë, edhe shkëlqimin e veçantë të dhimbjeve të pathëna, të plagëve të parrëfyera, madje gjer edhe etjen paranojake për lavdi. Në krijimtarinë poetike,çdo paranojë dhe çdo flijim janë pjesë të së tërës, domethënë janë veti mëse të natyrshme, të lindura të poetit. Fshehja ose arnimi i tyre, e çojnë lexuesin në qorrsokak”,- përfundon ai.