Kulturë
Luan Kalana: Trilogjia e visareve
E hene, 18.01.2016, 08:54 PM
TRILOGJIA
E VISAREVE - nga studjuesi KOSTA
NAKE
Nga Luan Kalana
- Obligim qytetar, përkushtim intelektual, pasion dhe mjeshtëri profesionale në tre librat e princit të ri ,studjuesit te letrave shqipe, Kosta Nake: "Poloska e Visareve" (kërkime dhe vëzhgime), Korçë 2014; "Ky Devoll që mërmërit" (përsiatje), Korçë 2015; "Drithërimat e shpirtit" (ese analitike), Korçë 2015.
Tre vepra monumentale muzeale dhe shpirtërore, dhuratë obelisku në altarin e Devollit, të punës dhe të trimërisë, siç citon poeti ynë Dritëro Agolli;
Tre vepra letrare që nga përmbajtja dhe mesazhi që përcjellin, bëjnë një vepër unikale, historiko-shkencore të mirëfilltë, dokumentare dhe reale; dëshmi e gjallë, jetësore e argumentuar dhe tepër e besueshme për ata që nuk e kanë jetuar dhe nuk e njohin të kaluarën.
Tre libra origjinalë, të shkruara me pjekuri dhe mjeshtëri profesionale, letrare artistike, nga një penë me përvojë dhe talent letrar, siç shkruan me modesti në letrën e tij në hyrje të librit të parë njëri nga idhujt e visareve të autorit, veterani dhe shkrimtari publicist, Ylli Poloska.
E ndjenja si borxh, si mik i librave, për të shkruar dy fjalë krenarie për këto libra, të shkrimtarit me penë brilante, nuk e teproj, për të madhin, shkrimtarin erudit e poliglot, universal, enciklopedist, përkthyes dhe publicist, kronikan i ditëve të sotme për Devollin, intelektualin e kompletuar, kolegun, mësuesin e letërsisë në Librazhd e në Devoll, redaktorin e palodhur të dhjetëra librave, prof. Kosta Nake, apo Enver, Nake siç e njohin e thërrasin në Poloskë.
Talenti tij letrar shfaqet dukshëm që në fëmijërinë e hershme, inteligjent dhe artist, por afirmohet këto dy dekadat e fundit, duke qenë promotori i letërsisë së re moderne kombëtare, pa ngjyrim partiak, mendjehapur e progresiv.
Nuk ishte rastësi sipërmarrja e tij publicistike, nxjerja dhe drejtimi i dy gazetave, lokale për nga hapësira, por kombëtare për nga përmbajtja,"Bilishti" në vitet 2007- 2011 dhe "Eorde" më 2012, dhurata kolosale dhe humane për vendlindjen dhe për publicistikën tonë kombëtare, duke qenë njëkohësisht sekretar i këshillit të bashkisë së qytetit të Bilishtit, detyrë që e kreu me ndershmëri për më shumë se 14 vjet, duke gëzuar një popullaritet maksimal, si personalitet intelektual të nderuar në Devoll dhe jashtë hapësirës pakufij të miqësisë dhe të medias letrare.
Duke lexuar dhe rilexuar librat, jo vetem si devolli që jam, nuk përjashtoj ndjenjat nostalgjike për vendlindjen, por me modesti dua të them dhe dy fjalë reale ashtu si janë vetë veprat e tij reale, me përshkrime gjithë fanatatzi, krijime të palexuara ndonjëherë.
Autori lë gjurmë dhe vazhdon traditën e paraardhësve të tij, të visareve letrare të Devollit që kanë shkruar dhe shkruajnë me devotshmëri, që nga Dritëro Agolli, Sotir Andoni, Petraq Zoto, Skënder Rusi, Thani Naqo, Luan Xhuli, Fuat Memeli, Merita Bajraktari,Skender Demolli,Agim Isaku,Bashkim Gjoza ,Gezim Merolli,Thanas Jorgji,Hysen Kobellari,Myazfer Spaho,Nizami Morava, Skënder Kodra, Fation Pajo, Hysen Çifligu,Fari Spaho,Pellumb Agolli,Bujar Braho, e shumë të tjerë deri te më të rinjtë, si Oliver Topçiu, Artan Mullaj,Jorgo Dushku,Arben Shahollari,Pëllumb Pasholli, Kadri Kadi, Bardhi Bejleri,Bledar Agastra,Jorgo Dushku,Thanas Pilafa, Valentina e Jonida Diko,Fatos Hoxha,Miri Metolli,Entela Kasi,e shume te tjere, një plejadë e re autorësh që s’do të ketë mbarim.
Njëkohësisht s'ka se si të mos shpreh edhe kënaqësinë shpirtërore për lidhjen dhe njohjen që kam me visaret e mençura, trime e punëtore të Poloskës në veçanti dhe të Devollit në tërësi, lidhjet miqësore që kam me ta, hallën e babait dhe djemtë e saj trima, veteranët Zarif, Halim dhe Xhevat Skermo Poloska, heroi i pashpallur, Matrazovin e Shqipërisë, dëshmorin e Luftës Çlirimtare, rënë në betejën me gjermanët në Malin e Thatë për çlirimin e trevës së Devollit; për pishtarin e dritës, historianin patriot, kolegun mësues i Pogradecit dhe i Devollit, drejtorin e palodhur e fjalëmbël, Andrea Palloj, për të cilët autori shkruan në librat e tij me finesë, dëshmi dokumentare, me realitet objektiv, pa subjektivizëm.
Visaret, personazhet e librave që penëshkruesi i portretizon nga puna dhe jo nga guna, duke hyrë thellë në botën e tyre shpirtërore, si një mentor, për të nxjerrë në pah bukurinë e tyre morale dhe mesazhet dritëdhënëse, ka njohje me ta, shkuarje të gjatë dhe me mbresa të pashlyeshme, mirënjohje, respekt dhe krenari.
Më vjen mirë që në veprat e tij autori thellon traditat, pasqyron fidanishten e re të trashëgimisë së visareve, të gjeneratave të reja për të ecur në gjurmët e tyre, të papërsëritshme.
Së fundi shpreh dhe krenarinë time për visaret se kam qenë për disa vite mësues në shkollën e Poloskës martire dhe të flakës, siç thotë në këngën e tij njëri nga artistët popullorë të Poloskës, poeti dhe këngëtari Endri Fifo, duke ruajtur kujtimet dhe mbresat më të bukura për kolegët dhe për nxënësit e mi inteligjentë e të dashur, pëllumbat e visareve, siç janë dhe shkrimet e mia për Poloskën e diturisë.
Në konfidencë me lexuesit, pohoj se nuk kam njohje personale me Kostën, me të jam njohur vetëm nëpërmjet penës dhe krijimtarisë së tij, pasi ai ishte mësues në Librazhd e unë në Pogradec, kur ai erdhi në Devoll, unë kisha ikur në Amerikë.
Njohja jonë letrare është më e plotë nëpërmjet korrespodencës, duke “u dashuruar" ai me shkrimet, me krijimtarinë time modeste, per Devollin dhe devollinjtë, duke i botuar në gazeta e deri sa me inicativën dhe mbështetjen e tij, nuk e fsheh, ai u bë redaktori letrar i dy libravet të mi për Devollin, sprovë dhe përjetime, për këtë i jam borxhli e mirënjohës.
Librat e tij përbëjnë ajkën letrare të letërsisë
sonë kombëtare, me risi dhe me përmbajtje origjinale moderne, duke derdhur
përmbajtjen në një formë letrare me mjeshtëri profesionale dhe artistike, me
një gjuhë të pastër letrare shqipe që e bën lexuesin e çdo moshe t’i lexoje me
kureshtje dhe me një frymë.
Rezymeja rezatuese e triologjisë është një unison letrar i tre librave, në veçanti një lidhje organike letrare si peizazh i tablosë së një piktori dhe, së bashku, të tre librat pasqyrojnë një ndërthurje fiziologjike, mjekësore të një kirugu letrar, jo me bisturi por me penë, që ndërhyn thellë për të nxjerrë margaritarë jo nga molusqet por nga "1-Trupi, 2-Zemra dhe 3-Shpirti ",i visareve të Poloskës, Devollit dhe Shqipërisë, kështu mund t’i titulloja metaforat e të tre librave të romancierit enciklopedist e shpirtëror të Kosta Nakes.
Për t’i lënë hapësirë studjuesve dhe kritikëve letrarë që të merren me këto vepra letarare për të nxjerrë e përgjithësuar pahun dhe nektarin e çmuar të librave dhe të penës së autorit dhe kërshërisë së lexuesve, po sinkronizoj subjektin e librave:
1-"POLOSKA E VISAREVE, kërkime dhe vëzhgime", – është një libër me vlera muzeale, nje enciklopedi në miniaturë për vendlindjen, që nga lashtësia deri në ditet e sotme, me dokumenta dhe dëshmi historike dhe gojore, një studim i gjatë disavjeçar i autorit, që pasqyrojnë dhe pasurojnë vlerat arkivore. Merita e autorit dhe e reja letrare e përmbajtjes së librit qëndron te fantazia magjepëse, duke u dhënë jetë edhe gjurmëve edhe shpirtërave të gjallë të flasin vetë, të bashkëbisedojnë me lexuesit me argumenta bindëse dhe reale, për visaret dhe thesaret e mençur, trima, artistë dhe punëtorë të pashoq.
2-"KY DEVOLL QË MËRMËRIT, përsiatje", – është nje veper letrare me dy pjesë. Në pjesën e parë janë refleksionet e autorit për ngjarjet dhe problematikat e ditës, por ndjeshmëria fokusohet më shumë në problemet e shkollës, të mjedisit dhe rolin e pushtetit vendor. Në pjesën e dytë janë shënimet e udhëtimit në fshatrat e Devollit dhe në lartësitë rreth tyre. Përshkrimi shoqërohet edhe me informacione historike dhe përbëjnë një përpjekje për një guide turistike për Devollin.
3-"DRITHËRIMAT E SHPIRTIT, ese analitike", – është një përmbledhje me ese analitike për dyzet autorë dhe më shumë se pesëdhjetë vepra të tyre. Libri hapet me dy intervista me Dritëro Agollin, pastaj, pa një nënndarje, analizohen botimet poetike, më pas proza dhe gjini e zhanre të tjera letrare. Shumica e autorëve janë devollinj, por studiuesi del edhe përtej kufijve gjeografikë të Devollit duke u ndalur në vepra të Ismail Kadaresë, Ben Blushit, Vangjush Zikos, Agim Bajramit, Istref Haxhillarit, etj.
Dy fjalë për autorin e triologjisë,Kosta Naken, që mendoj se plotësojnë jo vetëm njohjen me këtë penë brilante letrare nga lexuesit e panjohur, por dhe rritin vlerat letrare artistike të veprave krijuese të firmës së tij.
-U lind në Poloskë më 28 prill 1954 në një familje me tradita atdhetare, I ati ka qenë një ndër partizanët e parë të fshatit dhe luftëtar trim që njihet në gjithë Devollin. Pasi mbaroi shkëlqyer studimet e para në shkollën e fshatit, me tradita dhe mësues të shquar, vazhdon gjimnazin e Bilishtit ku spikat talenti i tij letarar dhe artistik, Më pas vazhdon studimet e larta e diplomohet mësues i gjuhës dhe i letërsisë në ILP "Aleksander Xhuvani" të Elbasanit, duke u emëruar e punuar me pasion në rrethin e Librazhdit, në zonën e thellë malore të Çermenikës, duke afirmuar personalitetin e tij, duke fituar përvojë jetësore e letrare. Ministria e Arsimit i dha në vitin 1984 titullin e Larte "Mësues i dalluar." Vazhdon studimet pasuniversitare për gjuhën shqipe. Pasionin dhe studimet e tij per Gjuhen Shqipe i gjejmë të evidentuara shkencërisht,dhe te pasqyruara në tre librat e mësipërm,si ne pasurimin e fjalorit me fjalet e ralla e te vjetra te shqipes dhe me nje frazeologji te pasur figurative me metafora te arta. . Dhuntinë e talentin e tij si poliglot e thellon duke mbrojtur provimet e gjuhëve të huaja rusisht dhe anglisht, duke qenë sot mësues i gjuhës angleze. Kjo e ka bërë dhe një përkthyes të letërsisë ruse dhe angleze.
Pasionin dhe talentin e tij si publicist e shfaq në gazetari duke shkruar në gazetat e kohës artikuj kritikë dhe letare, krijmtari të mirëfilltë letrare, më vonë do ta manifestojë me pjekuri profesionale në dy gazetat që drejtoi me devotshmëri dhe falas.
Profesionin e tij të përkushtuar si mësues i letërsisë, pas 13 vjetësh në fshatrat e Librazhdit e vazhdon në Devoll, në Hoçisht dhe Bilisht, ku banon aktualisht. Gjatë kësaj kohe i thellon njohuritë dhe përvojën letrarë, si një lexues dhe studiues pasionant duke evidentuar e pasqyruar progresin e risive dhe diversitetin e tyre artistike-letarar, duke punuar vullnetarisht dhe si redaktor i mirëfilltë i librave të autorëve devollinj.
Kosta Nake është në kulmin e pjekurisë së krijimtarisë letrare, jo vetëm për brumin që gatuan dhe ka akumuluar, por për mjeshtëri të rrallë të të shkruarit me një fantazi magjepëse, duke zënë vend të merituar në panteonin e letërsisë sonë kombëtare per te lene deshmi ,veprat e tij ,etalonin kreeativ
Mbi të gjitha, Kosta është njerëzor, njeri bujar, vëllazëror, me zemër të madhe dhe me shpirt human që rrallë herë lindin nënat, lum si ne që e kemi mik, shok, koleg të nderuar dhe me fat do të jenë ata që do ta shtojnë në rrethin e miqësisë, krenari legjitime. Pasioni dhe mesazhi jetesor qe na percjell me modesti ,eshte Kitara (serenatat) ,Biçikleta dhe Eksplorimi enciklopedik,pra motua ditore,"muzike,vrap,lexo dhe shkruaj pambarim"!
Lexoni Kosta Naken dhe do të befasoheni me krijmtarinë e tij, me fjalët dhe frazat e ketij gojemjalti,nektar krjimtarie, kurorë homeriane epope , krenarie kombetare.
Përgëzime, mirënjohje për veprën kolosale triologjike që na dhuroi dhe suksese të mëtejshme pa mbarim. Me modesti dhe me fjalë të kursyera për sa shkruajta, pa komplimenta, për librat dhe për Kostën, ai meriton më shumë nderime dhe vlerësime nga penat e afirmura dhe nga mediat letrare.
Luan Kalana, Florida SHBA
Janar 2016