E hene, 29.04.2024, 06:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Rina Katerina

E diele, 24.01.2016, 11:40 AM


Rina  Katerina

Tregim nga Resmi Osmani

1

Avokati  Kosta Moraiti, pasi piu kafen e mëngjesit, doli në ballkonin e katit të dytë. Ombrella e përhinjtë e reve qe nuk linte te depërtonin rrezet e diellit, i jepte paraditës pamje të mugët e të zymtë.Më pas vesoi një shi i hollë,i qetë e i butë, nga ata që su bënte keq as luleve, si në poezitë e Seferisit, medoi ai, apo të Elitisit[1]? Gjithnjë i ngatrronte poetët, dinte aq sa i kujtoheshin  nga mësimet e gjimnazit, por që atëhere kishin kaluar afro dyzet vite. Dita nuk premtonte gjë të mirë. U ndje i vetmuar, fillikat, në shkretëtirën e reve dhe shiut si në një humbëtirë që e përthithte dhe e bënte pjesë të mërzisë  dhe kotësisë së saj.Ca fasha mjegulle pështillnin si çallma kurorat e gjelbra të ullinjve. Psherëtiu dhe ofshau së brendshmi dhe në ndërkohën që do të mendohej se çfarë do të bënte, u ul në një poltronë me thurje kashte. Në parmaket e ballkonit zbritën pëllumbat që nisën të gugasin, ndersa qeni i dashuir Perita, nisi ti ferkohej pas këmbëve në pritje të ledhatimeve.

Kishin kaluar vite qe e shoqja ishte ndarë nga jeta, të dy djemtë dhe vajza kishin ndjekur rrugen e tyre. i mbetur fillikat, jetonte me të motrën Aspasian,lëneshë fatpadalë, e plakur, që mezi hiqte këmbët zvarrë. Kur arriti moshën e pensionit, hoqi dorë nga praktika juridike.Kishte boll pasuri: ullishta, vreshta dhe pemishte me fistikë, që me qeverisje të mirë e perkujdesje,i sillnin të ardhura të mjaftueshme. Shtëpitë në Athinë i kishte dhënë me qera.Në katund, filluan ta thërrisnin afendiko, ashtu si e quanin argatët e tij shqiptarë.

Të vjelat e vitit kishin qënë të mbara. Rrushi i shtrydhur ishte grafulluar dhe vera e re ishte depozituar në qilar në butet e medha nga dru lisi për tu vjetëruar, ullinjtë kishin përfunduar së vjeli dhe në lutërvi kishin nxjerë vaj të mirë,aromatik  e ngjyrë të artë, që do të vinin ta merrnin tregtarët e shumicvës. Boll mirë kishin shkuar punët, por ç’e do, tashmë  që punët e stinës ishin sosur i tërhequr në vilën e tij ndjehej i vetmuar e si i harruar. Nuk thonin kot:”Ç’e do mallin,ç’e do gjënë, kur s’ke një grua për të qënë!”Kjo vetmi e shtypte me mokrat e mërzisë, e trishtonte, e mbyste, i merrte frymën dhe e kplonin mendime të zymta, e pushtonte keqardhja për veten. Për të s’kishte më gëzim, buzëqeshja i qe fashitur nga çereja. I dukej vetja  ende i ri, mbahej mirë, ishte i pashëm, por kur shkonte në dhomën e gjumit, niste drama e vetmisë, në atë boshësi të krevatit të madh, ndjente mungesën e gruas, të femrës me hiret e saj dhe i fanepseshin vegime që e dalldisnin, i trazonin mendjen dhe shpirtin. Sido qoftë, nuk bëri martesë të dytë, që do ti hapte problem te trashëgimisë. Kur i hipte dalldia, kthente ndonjë kupë me uiski, ose shkonte në Athinë te Aristea, një mike e vjetër bukuriperënduar, por që e ruante ende të pashuar zjarrin e vajzërisë. Ajo, me lojrat e saj dashurore, e leqendiste, e drobiste dhe zbaviste deri në velje , sa kur largoheju prej saj, për një muaj i  fashiteshin demonët e erosit dhe s’i shkonte më ndërmend për femër.

2

Pa orën. Ishte nëntë. Hyri në studjo dhe hapi kompjuterin per te kontrolluar postën e per të lundruar një copë herë në internet,sa për të shtyrë kohën. Ishin disa imeile pa rëndësi, por midis tyre I tërhoqi vemendjen nje ftesë për shoqëri. Emër disi I çuditshem dhe I panjohur: Rina Katerina. Kërkoi në kohështrirjen e saj. Në vend të fotografisë ishte një tufë me trëndafila. Jetonte në Rodos, nuk gjeti të dhëna të tjera. Përse kjo Rina Katerina misterioze donte shoqërinë e tij? Me siguri, mendoi ai, duhet të kishte lexuar shkrimet e tij për të drejtat civile  në shoqërinë bashkëkohore në epokën e globalizmit.

E konfirmoi kërkesën.

E mbylli kompjuterin.

Po tani? Përjashta shiu kishte pushuar, mjegulla ishte davaritur dhe retë ishin përçarë. Veshi rrobat e gjuetisë, mori armën dhe thirri Peritën. Në ullishte binin tufat e gargujve dhe mëllenjave. Ishte rast I are, jo vetëm për të shkrifur trupin por edhe per të siguruar ca shpend të shijshëm.

Gjuetia shkoi mbarë. Ai u kthye në shtëpi me areen mbushur plot. Aspasia I zbrazi ne nje sini dhe shkoi ti pastronte.

-Drekën e hëngra përjashta, -tha ai-Për darkë mëllenjat kavurdisi me gjalpe.

Vonë,pasdite, hyri në internet për të are gazetat e ditës.Te “Kathemirini” dhe “To vima” Nuk gjeti gjë interesante, gjithandej shkruhej për krizën. Pa që kishte një mesazh. E hapi. Ishte nga Rina Katerina: një buqetë me trëndafila të kuq allë dhe një tekst fare I shkurtër ”Mirëmbrëma ,Atikë e bukur! Rodosi I trëndafilave të përshëndet!” Kosta buzëqeshi. Goxha fantazi kjo femër, që fshihej pas atij emëri dhe në vend të fotografisë së saj, një tufe me trëndafila. Mos vallë që të fshihte pabukurinë e saj? Ai nuk shkroi ndonjë përgjigje. Priste puna.

Kosta përditë i hidhte një sy mesazheve. Rina Katerina vijonte te ishte këmnbëngulëse. Mesazhet ishin të shkurtëra, përshëndetëse:

Rina:  ”Mirëmbrëma”

Rina:  “Mirmëngjes”

Rina:  “Mirmëngjes vëlla i dashur”- ky ishte mesazhi i tretë. Kosta mendoj se ajo priste një përgjigje dhe i shkroi:

Kosta: “Rina Katerina, me qen se më quan vëlla, edhe unë pot ë quaj motër. Kalofsh një mëngjes dhe ditë të bukura. Pse kërkove të bëhemi shokë në fb., ke lexuar gjë nga esetë e mia?”

Përgjigja nuk vonoi:

Rina:”Përshëndetje. Kurt ë njihemi me mirë, mund ta ndryshoj. Kur të quaj vëlla,nuk besoj se bëj ndonjë të keqe. Unë thjesht të përshëndes. Nëse ja vlen, rrimë shokë, prapë respekte. Që të njihemi më mirë, Jam Katerina, që shkurt më thërresin  Rina, dyzet e tetë vjeçe, me të dy fëmijët jetoj në Rodosin e bukur.Faleminderit për mirkuptimin.”

Mesazhi ishte nisur nga celulari dhe kishte gabime ortografike. Kosta nuk u ngut ti dërgonte përgjigje, porky këmbnim mesazhesh  ju duk se po e zbaviste. Ajo nuk vonoi t’i shkruante:

Rina:”Mirëmbrëma o Zoti Kosta, Si e kalove këtë ditë?”

Ai i nisi përgjigjen:

Kosta: “Faleminderit që më kujton. Ishte nje ditë e zymtë. E kalova me të lexuar. Pastaj, bashkë me time motër, që është një plakë e rrëgjuar, bëra detyrat e shtëpisë, sepse zonja ime ka vite që ka ikur te Zoti.Si I thonë fjalës, më duhet të jem vetë burrë e vetë grua.”

Përgjigja nuk vonoi:

Rina:” Më vjen keq që po ma thua, por mos u dëshpëro, Zoti e din vetë se çfarë bën. Me shumë keqardhje,Rina. Më shkruaj.”

Kaluan kohë dhe ai nuk i shkroi, po ajo ngulmuese, s’la ditë pa I përcjellë një ,mesazh, fare të shkurtër, përshëndetës: si “Mirdita, “Mirëmbrëma” “Natën e mirë”, “Mirmëngjes”, aq sa ai e pa të udhës t’i përgjigjej, sa për mirësjellje:

Kosta:”Zonja Rina,përshëndetje dhe faleminderit për urimet e përditshme. Shpresoj dhe besoj që edhe ju të jeni mirë.”

Rina:”Mirdita. Jo ashtu si më the ti. Mua më ka ndodhur ndryshe, ai imi, jeton pa mua në jetën e vet.Kjo më shkakton dhimbje, dhe besoj nuk bëj keq që ta ndaj me ty, s’është keq respekti. Fëmijët janë të rritur. Vajza merret me modeling,jeton me mua. Djali punon në një kantin vere, por jeton me të atin.

Ve re se mi vonon përgjigjet, nëse s’ke mundësi, po iki nga fb. dhe gjithëçka, këtë e them me keqardhje, merr fund!”

Pa shih ç’na qënka! Ç’farë dreqin kërkon kjo femër e panjohur me këtë paralajmërim? Si e ka hallin, ku do që të arrijë? Kostës iu duk se loja po bëhej zbavitëse  dhe nuk vonoi t’i përgjigjej:

Kosta: “Z.Rina, përshëndetje. S’kam pse të mos e them: komunikimi me ty është kënaqësi.Është mirë kur njeriu ka me cilin të ndajë qoftë dhimbjen, qoftë gëzimet, është ky njëfarë lehtësimi nga brengat e jetës që nuk janë të pakta. Edhe unë kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, port ë tri të martuar dhe më kanë bërë gjysh. Jetojnë në Athinë, Kallamata dhe Patra,  andaj jetoj vetëm me motrën fatpadalë, Aspasinë. Fëmijët janë si zogjtë, kur u rriten krahët fluturojnë nga çerdhja. Po ti, a I ke të rritur fëmijët? Sa për atë “Tëndin”, që jeton në jetën e vet, ka bërë zgjedhjen e tij. Gjëra që ndodhin. Nuk je as e para as e fundit. Ndarjet edhe pse të dhimbshme, ne juristët i quajmë si mundësi për të  rivendosur lumturinë familjare dhe për këtë asnjëherë nuk është von! Ti je ende e re. Sa për mua as që bëhet fjalë. Vapa ikën me gushtin, jeta ime ka hyrë në stinën e dimrit! Miqësisht Kosta.”

Përgjigja nuk vonoi të vinte, por këtë herë disi më e afërt, më miqësore.

Rina: Mirë, Kosta, por dëgjoje motrën: Unë nuk të shkruajta me asi nënkuptim si e ke marrë ti. Të shkrova për problemet e mia se më vjen mirë ti ndaj me një shok, qoftë ky edhe i largët por që fb. ma bën të afërt. Për asgjë tjetër, i dashur. Me respekt, Rina”

P.s. Jemi shokë në fb., asgjë më shumë, i dashur rri i qetë!

Dhe në vijim ditët e tjera:

Rina:”Mirëmbrëma, vetëm përshëndetje”

Kosta”Përshëndetje edhe nga ana ime, qofsh mirë”

Rina: “Efkaristo poli[2]. Për mua je një shok i mirë. Për asgjë tjetër. Respekte, respekti nuk ka qëllim të keq, apo jo ?”

Kosta:”Mirmëngjes Rina, uroj të kalosh një ditë të këndshme me gjith të mirat që të do zemra”

Pas disa ditësh, kumtet nisën të bëheshin disi më të zymta e disi mistike dhe fjalitë si të pavend e të pakuptimta. Kosta nisi të vrasë mendjen se ku donte të dilte mikja e tij me ato që shkruante.

Rina:”Mirëmbrëma. Si je, a je mirë? Më fal për këto dit që s’të kam shkruajtur.Si ndjehesh? I nderuar, nuk ka të bëjë mosha, njeriun duhet ta respektojmë, sido me qenë, i vjetër apo i ri!”

Kosta:”Kisha dit pa e hapur fb.prandaj edhe nuk jam përgjegjur. Të njejtin respekt edhe për juve. Shpresoj të jeni mirë dhe t’I kaloni ditët gëzueshëm.

Rina: ”Faleminderit. Të ruajtë Zoti dhe pleqëri të mirë. Dje isha ne kishë. Papaj na tha se kur të vijë koha, të gjithë do të marrim atë rrugë të gjatë e pakthim. Na kujtoi që jeta është e shkurtër. Të përshëndes dhe respekt pa fund. Rina. “

Posht mesazhit ishte një buqetë me trandafila dhe një fotografi e saj. Në atë mesazh, ndihej tingëllimi i përmortshëm i kambanave, por dhe aroma e trandafilave, midis një fotografi e një gruaje të qeshur, që s’mund ta quaje as e bukur por as e pahijshme, me kokën të vaisur pak prapa. “ Eh,mendoi Kosta, në pak rreshta edhe jeta edhe vdekja edhe pikëllimi edhe gëzimi! Pa shih ku i shkon mendja.” Ja edhe pergjigja:

Kosta:” Z.Rina, mirmëngjes. Ajo rruga pa kthim duhet menduar nga një herë, por ne të jetojmë të tashmen, se sido qoftë, jeta që na është dhënë ka bukuritë e saj, të cilat duhet ti kërkojmë e ti gjejmë, edhe atje ku s’na e do mendja. Emëri Rina më pëlqen më shumë se Katerina. Tingëllon më bukur. Sa mirë që ma dërgove fotografinë, tani e di si je, pa e vënë në punë imagjinatën dhe përfytyrimin sesi ishte Rina me të cilën këmbej mesazhe. Fotot e mia besoj i ke parë në faqen time të fb.

Të paça dhe qofsh mirë.”

Rina:” Mirëmbrëma, agapimu[3], në kuptimin e mirë të kësaj fjale. Kam menduar gjatë për ty dhe besoj të jemi shokë të mirë dhe të sinqertë. Fotografitë i kam parë, dukesh burrë i hijshëm dhe me personalitet. Besoj se i tillë edhe je”

Kosta, i zënë me punët e përditshme e mënoi përgjigjen dhe nuk vonoi të vinte ankesa:

Rina:” Vllai, ke dëshirë të rrimë shokë në fb.? Se ti s’më bën asnjë përshëndetje! Të paktën një mirmëngjes, mirëmbrëma apo natën e mirë, thjesht si shok. Po s’deshe, po e mbyllim, si ti si unë!”

Kosta:”E dashur Rina (gjithashtu në kuptimin e mirë) më bëre të mendohem. Pse je mërzitur me mua? Sa herë më ke nisur mesazhe, të jam përgjigjur, gjitnjë me dashamirësi dhe respekt dhe të kam nisur urime. Por kuptoje, kjo s’mund të bëhet përditë, por me raste. Jam ndjerë mirë që të kam shoqe në fb., që mendon për mua dhe më dëshiron të mirën. Ky për mua është si një bekim. Kështu dëshiroj dhe unë për ty.Tashti që ne gjetëm njëri-tjetrin dhe u miqësuam, ngaqë mendojmë se kemi për të ndarë gjëra të përbashkët, nuk ka pse ta mbyllim dhe të ndahemi. Le të vazhdojmë shoqërinë duke dëshiruar më të mirën për shoshoqin!

Kur të pish kafen e mëngjesit, kujtohu që ke një shok,sido që larg, sepse edhe ai mendon për ty!”

Rina: ”Po, do të mbaj shok, edhe pse nuk jam e re, po u afrohem të pesëdhjetave. Prushin e zemrës ka filluar ta mbulojë hiri. E pres me padurim atë erë, që do të fryjë për ta rindezur atë prush të zemrës!

Eh, sa mirë do të ishte që atë kafen ta pinim bashkë!”

Kosta:”Rina, ç’janë këto që thua! Njeriu është aq vjeç sa ndjehet. Në rastin tonë, s’ka rëndësi mosha, por e rëndësishme është se mirkuptohemi dhe thuajse ndjejmë të njëjtat gjëra.”

Pas disa ditësh.

Rina:”Ku je tani, çfarë bën. A flasim pak që të heqim mërzinë?”

Kosta:”Flasim, por përse do të flasim, cila do të jetë tema. Çështë ai shqetësim’ apo ajo gjësendi që të duket interesante, diçka që të na pëlqejë të dyve.Zgjidhe ti dhe unë do të përgjigjem.”

Rina:” Kjo e jona këtu, nuk është vdekje, por as jetë nuk mund ta quash. Jetoj me njerëz të mërzitshëm, gjitherë po ato çere të zymta, të vrerosura, po ato fjalë bajate. E kam të nevojshme të dëgjoj diçka ndryshe që të gjej ngushëllim.Më je dukur inteligjent , prandaj të zgjodha për shok.Por s’ka gjë, jemi shokë.”

Kosta:”Ashtu është, edhe pse larg, jemi shokë. Moj Rina Katerina, ç’farë ke dëshirë të dëgjosh. Cilat janë ato fjalë që do të bënin të ndjeheshe mirë?”

Rina:”Flasim pak për zemrën e dikujt?”

Kosta:”Ke dëshirë të flasim për punë zemre, për ndjenjat, por pse të dikujt?”

Rina:”Nuk desha ta thosha, por më shpëtoi vetiu, kuptomë se njerëz jemi! Kaq.”

Kaluan ditë. Kosta e ndjeu se këmbimi i imeleve kishte arritur një pikë ndjeshmërie delikate dhe gjërat po merrnin një kthesë të çuditshme. E kaploi padurimi i vijimit dhe dëshira për të parë se ç’farë lule do të çelte kjo pemë e mbjellë si rastësisht e që po e ushqenin për ta rritur me fjalë të zakonshme në dukje, posht të cilave regëtinin ca ndjenja të vagullta. Nuk i shkroi. Priste. Dhe ja ku erdhi vijimi. Ishte një fjalë e vetme:

Nora:”Mirëmbrëma”

Kosta:” Vetëm mirëmbrëma, po tjetër? Apo me atë fjalë janë thënë të gjitha?”

Nora:”Kardhjamu[4]! Po hapin e parë e hedh mashkulli, të flasë diçka më shumë!”

Kosta u ndje ligsht. Rina kishte folur hapur. Ajo ishte në pritje, e kishte hapur zemrën dhe e kishte sfiduar. Epo, në dreq të shkonte maturia dhe etika! Le të vijonte loja:

Kosta:”Rina, mirmëngjes. Sapo e piva kafen duke parë mesazhet në fb. Do të ishte mirë ta pinim bashkë, duke këmbyer dy fjalë e duke u parë në sy, porse me qen se jemi larg, duhet të kënaqemi me përfytyrimin dhe mendimin  për njëri-tjetrin. A dole për vrap sot? Këtu tek ne është gdhirë ditë e bukur e plot diell.”

Rina:”Zemra ma thotë se je njeri i mirë dhe ti duhet ta dish se zemra egruas nuk gënjehet.Dita ishte pa diell. Jo shumë ditë e mirë, zemër. Natën e mirë.

Kosta:” Rina, natën e mirë zemër. Bëfsh gjumë të qetë e të paqtë. Më shkrove pardje për hapin e parë që duhet ta marrë mashkulli, për të thënë diçka më shumë. Po të dëgjoj dhe bindem. Kur të ulësh kryet në nënkrejcë, kujtohu se ke një shok, që sado larg, mendon për ty, hijeshinë tënde, për hiret e tua femërore, ngrohtësinë e trupit, butësinë e lëkurës dhe gjithçka tjetër që do ta bënte atë të lumtur. Më thirr me mendje, më bëj vend në shtratin tënd dhe unë do të jem aty pranë teje dhe ti do të jesh pranë meje, të përqafuar ëmbëlsisht. A nuk është kjo ajo që dëshirojmë, ti jepemi njëri-tjetit butësisht, me ngazëllim  e ndjenjë, por pa hove, për ti shijuar çastet pikë e nga një pikë siç shijohet një kupë me verë dehëse. Është kjo një pjesë e gëzimeve të jetës, që na bën të lumtur, por që fizikisht nuk e arrijmë dot, le ta arrijmë mëndërisht, me imagjinatë, duke u silloisur. Ke për të parë se do të jetë një gjë e bukur që do të ngazëllejë, do të bëjë që të gurgullojë shpirti dhe do të emocionojë.

Të njëjtën do të bëj edhe unë, dua ta shijoj magjinë e asaj mrekullie, qoftë edhe si nje vegim. Sonte do të jesh me mua. Hipja pegasit të fantazisë apo qilimit fluturues dhe eja! Se perimeno. Të pres.

Edhe njëherë, me gjithë shpirt, të uroj natën e mirë. Shpresoj që e tillë do të jetë. Po e ke të mundur më dërgo një fotografi  tjetër. Nëse e kam tepruar, me këto që të shkruaj,  ma thuaj.”

Miqësisht e me dashuri. Kosta.”

Kosta ju kthye kqyrjes së këtij dyzimi të vetes. Ç’ishte kjo marrëzi që po bënte.Mos ishte budallallepsur e lehtësuar nga mendja? Brenda vetes, çuditërisht ishte zgjuar ai djaloshi i dikurshëm, romantik, ëndërrimtar dëshirëzjarrtë, zemra regëtinte nga ca dëshira e hove  të harruara, që ishin ringjallur. Përfytyrimi blatonte ca vegime të ëndërrta që silleshin si një gjeratore në qendër të së cilës ishte një femër e largët, që s’ishte ajo e bukura e dheut të përrallave, por po aq këndellëse. Në atë ishull të largët ishte sirena e dalë nga shkuma e detit, zëri i së cilës, si jehonë e largët e thërriste. Shpesh qortonte veten: si mund të binte në atë kurth ndjesish një burrë si ai, i mençur,i nderuar e respektuar në shoqëri, që i kishte kaluar të gjashtdhjetat, që ishte bërë tri herë gjysh? Pas këtij arsyetimi, vendoste ta ndërpriste këtë epistolar internetik. Forca e arsyes dhe dielli i realitetit i shkrinte këto iluzione si vesën e mëngjesit. Por(ah ky por) kur ulesh para ekranit dhe tastjerës së kompjuterit, ai tjetërsohesh, gjërat çbëheshin, fjalët i merrte era, vetiu e përfshinte ajo magjia e pashpjegueshme që i ngjallte atë zjarrmi të brendshme dhe fjalët rridhnin vetiu e gati në mënyrë të pavullnetshme. Ai mendoi se kjo ishte si një sëmundje, shërimi i së cilës ishin dashuria dhe shprehja e ndjenjave. E si mund të vepronte ndryshe pas mesazhit të mëposhtëm?

Rina:”Uau, shum bukur më pëlqen, shumë poetike. E bëra dhe mbeta pa fjalë. Mu duk vetja si një çupëlinë ëndërrimtare, e kapluar nga fantazitë dashurore në një botë sa reale dhe ireale, si midis ëndërrës dhe çgjendrrës, e pushtuar nga drithërima dhe regëtime të shpirtit.Kur më iku dalldia, ti s’ishe më aty dhe më kapi dëshpërimi, pa ato ndjesi mu duk vetja bosh dhe e shkretë. Eh, o Zot! Përse na e ndërlikon jetën kaqë shumë?

Ç’je duke bërë, u ktheve nga shëtitja e mëngjesit? Unë sapo u ktheva nga vrapimi  në bregdet dhe bëra dushin. Për pyetjen që më bën: asnjë teprim. Zemër, qeshë unë që ta kërkova”

Kishte dërguar edhe fotografinë: e buzëqeshur, me sy ëndërrimtarë, koka e hepuar pak prapa linte ti dukej qafa e gjatë, që e zbukuronte kryqi i artë, teksa flokët e gjata, të plota e të rënda ngjyrë lajthie i vareshin anash.Posht fotografisë ishte vënë ky shënim:

Hajde pimë një kafe bashkë, ndaj e kam ngritur dhe anuar pak kokën, vere dhe ti aty dhe rrimë  dhjetë minuta bashkë nën ndjesinë e përqafimit, sa të pi kafen.Të përshëndes dhe të pres!” Rina.

Kosta:” Rina, dukesh bukur, e buzëqeshur dhe në pritje të diçkaje, që ti e mendon dhe unë e di se çfarë është. Po vij që ta gëzoj atë dhjetë minutshin që ma ke dhuruar. Kësaj kafeje ja shton shijen dhe ëmbëlsinë buzëqeshja jote. Po e ul kokën time te qafa dhe gusha jote, për të ndjerë ngrohtësinë, butësinë dhe aromën tënde femërore….. Oh sa shpejt mbaruan ato dhjetë minuta që ishin si një bekim! Po iki, mirëmbetsh dhe mirulexofshim!

Rina:” Rrofsh zemër. Të përshëndes vërtet me shpirt! Bëre që brenda meje të buisin ndjenjat dhe  të mos ndjehem e vetmuar”

Kosta:”E dashur Rina! Besomë, i shkrova me ndrojtje fjalët e mësipërme, por është ajo që dëshiroj dhe që më mungon dhe që mu duk se e gjeta në fotografinë tende, që duket sikur diçka pret dhe ti ma kërkoje, që ta vija kokën aty dhe unë e vura që të ndjenim afërsinë të dy. Ndjeva sesi edhe ti u drithërove dhe fërgëllove nën përqafimin tim. Kur u largova(se mbaruan shpejt ato dhjetë minuta të uruara), mora me vete ngrohtësinë, butësinë dhe aromën tënde të veçantë që më shoqëroi gjithë ditën. A më beson?!

Kam pyetur veten, përse  përgjigjet e tua janë të shkurtëra e të kursyera në shprehjen e mendimeve? Megjithatë ato janë ashtu si i kam pritur të jenë. Me zemër, nga ajo zemër, që është e mbushur me mirësi dhe dashuri dhe, e di se zemra e femrës nuk gabon…”

Koha rridhte ngadalë, ditët rrokulliseshin, Kosta sido që ishte i zënë me punët e stinës dhe harrohej pas tyre, ditët mezi i shtynte. Mesazhet sido që u rralluan, ishin plot mall, ndjenjë e brengë, për atë që e dëshiron, por që të mungon. Një ditë nga ditët, Rina i shkroi:

I dashur, zjarrin  që ke ndezur në Rodos, nuk mund ta shuash me shiun që bie në Atikë. Në kohën tonë, bota është bërë e vogël, largësitë janë shkurtuar. Pas një ore me aeroplan nga Athina do të jesh në Rodos, mysafiri im. Eja. Të pres!”

Kërkesat e saj u përsëritën, ishte vërtet këmbëngulëse në atë që kërkonte,”Se perimeno[5]! Të pres, të pres….”, aq sa Kostës iu desh të merrte një vendim.

3

Pamja nga aeroplani ishte mahnitëse. Dita ishte e kthiellët e plot dritë, tek-tuk ca re të rralla. Hapsira blu e detit Egje, ku si të mbjellë pa rregull kishin mbirë ishujt e panumurt. Anijet dhe tragetet dukeshin si ca lodra që i kishte vënë përpara rryma e ujit. Piloti lajmëroi mbrritjen. Aeroplani bëri ulje të butë në pistën e aeroportit”Diagoras”. Pasagjerët duartrokitën pilotin.

Kostës nuk iu desh shumë që të priste bagazhin. Kaloi pa pengesë veprimet rutinë të recepsionit e doganës dhe u ndodh përjashta në një ditë të mbytur nga  shtjella e dritës që i vrau sytë. U ndal dhe nisi të kërkojë me sy mikpritsen e tij. E pa. Shtatmeatare, elegante, fustani i shkurtër me dekolte të hapur, linte ti dukeshin këmbët e bukura dhe fillesat e gjinjve, mbante një buqetë trëndafila në dorë.E kërkonte me sy. U nis për tek ajo. Kur ajo e shqoi, nxitoi hapat, gati vrapoi, u ndal një hap para tij dhe me një vështrim pyetës, të lumtur e rrëzellitës.

-Në mos gaboj, z.Kosta Moraitis?

-Nuk gaboni, zonjë. Para jush është personi që ju prisnit.

- Ah, i dashur- ajo u mbështet mbi gjoksin e tij të gjerë, pastaj e përqafoj fort dhe e uli  kokën mbi supin e tij. Ai ndjente si i rrihte zemra dhe e shtrëngoi pas vetes, teksa ajo pëshpëriste: ”Oh, një zot e di  sa e kam pritur këtë çast”. U shkëput, i kapi të dy duart, e pa në sy dhe pastaj s’u përmbajt dot dhe i dhuroi një të puthur të gjatë e fërgëlluese në buzë, sa Kosta u trondit dhe ndjeu t’i kalojë një drithërimë nëpër trup.

-Mirë se erdhe ,i dashur, në Rodosin e bukur!

Thirrën taksinë. U ulën në ndenjësen e prasme,puq me njerjatërin, duart të bashkuara,  duke u parë në sy.

-Në gjirin e shën Pavlit, në Lindos[6], te vila “Triandafilos” – I tha shoferit, që i vërente tinëzisht dhe me kërshëri nga pasqyra.

Vila ishte e vogël dhe e mënjanuar, ndonja njëqind metra larg buzëdetit. Dhoma e tyre ishte e mobiluar thjesht, por me gjithëçka të nevojshme.

Në gjirin e “Shen Pavlit”kishte ca xhepa ujorë si pishina,uji ishte i kaltër-blu, kurse brigjeve, plazhe të vegjël me rërë të bardhë, mbushur me shezlongë dhe çadra. U xhveshën dhe të zënë për dore hynë në ujin e vakët. Kosta I hodhi Rinës ujë me grushte dhe ajo klithi hareshëm duke u sulur përpara. Notuan krah njëri-tjetrit. Ajo notonte si peshk, por kur Kosta donte që ta kapte për beli ajo i rrëshqiste si ngjalë, por pastaj bëri sikur u lodh.Kosta e kapi për beli dhe i puthi supet dhe gjokset, u eksitua dhe kur ajo I hodhi krahët në supe dhe u kap pas qafës së tij, me dorën e majtë i uli bikinet, dhe teksa vijonte ta puthte në gushë i përkëdheli nënbarkun, pastaj me të dy duart në gjunjët e saj, këmbët e hapura i ngriti në lartësinë e belit. Ajo ndjeu organin e tij të fortë që donte të penetronte dhe duke u argalisur i rrëshqiti nga duart.

-Psikimu[7], mos u ngut, kemi kohë.

-Pse jo? Është bukur, si peshqit!

U shtrinë në rërën e ngrohtë. Rina qëndroi ndenjur. Kosta u shtri dhe vuri kokën mbi kofshët e saj dhe nisi t’i puthte.Kishin aromën dhe shijen e kripur të ujit të detit.

Më vonë, kur po afronte medita, Kosta vuri re një person që kaloi disa herë para tyre dhe i vërente me shumë vemendje.

-Ç’është ky tip? Nuk më pëlqe sesi na sheh.

-Nuk e njoh, ndonjë pushues kureshtar.

Drekën e hëngrën aty afër: shampanja ishte në akull, stridhet dhe frutat e detit me aromë jodi ishin të freskëta e të mrekullueshme. Ngritën dolli, për dashurinë e përjetshme. E shihnin njëri-tjetrin në dritë të syrit dhe s’u ndahej buzëqeshja e cila e bënte edhe më të shijshme atë drekë.

Kur shkuan në dhomë, Rina u xhvesh ngadalë, duke u zbuluar pak e nga pak deri sa  mbeti vetëm me bikini. Kostës i mbetën sytë. Trupi i saj ishte si i një vajze. Ajo u shtri në shtrat. Trupi i saj e grishte, sytë e qeshur e ftonin që të shijonte atë që ai kishte muaj që e ëndërronte. Dhe ai s’mundi të përmbante vrullin e ndiesive që i zienin përbrenda. U shtri brinjë saj e pushtoi fort dhe nisi si përçart t’i fliste ëmbëlsisht fjalë dashurie. Sido që i eksituar, kur po e bënte të tijën, atij nuk i shpëtoi një far stepje dhe ftohtësie, një farë ngurrimi e ndrojtje, pa atë lirshmëri që do ti bënte më magjike ato çaste……..

Dera u hap me tërsëllimë. Ai që hyri ishte i maskuar dhe i veshur me të zeza, në dorë mbante një revolver.” Mos luani vendit,-tha ashp[ër dhe u hoqi me vërtik mbulesën. Ata mbetën të tronditur, sit ë ngrirë, të zhveshur dhe bënë si të mbulonin lakuriqësinë e tyre. Rina klithi mbyturazi, me njërën dorë mbuloi gjinjët, dhe me tjetrën nënbarkun,  duke thënë ”Obobo, ç’na gjeti” dhe zgjati dorën të merrte telefonin, por ishte e kotë. Banditi i dha një shuplakë dhe iu germush:

-Mbylle, ti bushtër, që i tund bishtin çdo qeni që të vardiset!

-Ule atë dreq arme. Kush je ti, ç’kërkon nga ne?

Kosta, para kësaj të papriture, u përpoq të ruante gjakftohtësinë, por zëri që i dridhej e tradhëtonte.

-Mos u ngut,  tani do ta marrësh vesh.

Banditi bëri disa shkrepje të aparatit fotografik, pastaj u flaku një tufë fotografi të bëra në plazh, ku ata ishin fotografuar në çaste shumë intime.

-Dëgjo plakush: me çelsin tend të ndryshkur ti deshe të hapje një bravë te re që të shpinte në parajsë. Por kjo ka një çmim. Duhet të paguash. Ne e dimë që t’i mundesh.

-Gabohesh! Nga mua s’ke për të marrë asnjë qindarkë!

Këtë do ta shohim. Si thua,ti avokati Kosta Moraitis, pronar i pasur, prind dhe gjysh, i njohur dhe i respektuar në botën juridike ,ç’farë do të thonë fëmijët e tu, njerëzit të njohur e të panjohur, kur të shohin këto fotografi skandaloze në tabloidet dhe gazetat e Athinës? Ku do gjesh vrimë që të futesh?

Pastaj,njeriu me maskë, nën kërcënimin e armës kontrolloi portofolin çantën dhe valixhen.Kishte pak euro, një kartë krediti dhe blloku i çeqeve. Ja zgjati Kostës bllokun e çeqeve.

-Shkruaj: një qind mijë euro, asnjë më pak! Në këmbim ke fotot që të dhashë dhe prishjen e nudove të fotoaparatit. Zgjidh e merr! Ka edhe më. Mund të të marr peng dhe shpengimi do të kostojë shumë më tepër, prandaj le ta mbyllim këtu këtë biznes.

Kosta u step dhe hezitoi. Shuma që i kërkohej ishte e madhe, gati rrënuese. Duart i dridheshin. E kishte thyer djersa. Përballë kishte grykën kërcënuese të armës dhe skandalin që po të shpërthente do ta bënte qesharak , do ta  çnderonte e  njolloste përjetë. Hodhi sytë nga Rina. Dukej sikur edhe ajo ishte pushtuar nga ankthi, S’bzante, veç dihaste. Vështrimit të tij pyetës iu përgjeg me një të ngritur të supave.

Më në fund Kosta plotësoi çekun, e shqiti me nervozizëm nga blloku dhe ja zgjati njeriut me maskë.

-Mos guxo të shkosh në astonomi[8], se përveç kopjeve të fotove që i kam, pasi të takosh ca djem të mbarë, mund të përfundosh me kembë dhe duar të thyera. Ti e di që eshtrat e pleqve nuk para ngiten pasi të thyhen!- tha dhe u hodhi teshat- Vishuni dhe ejani pas meje,- urdhëroi ai dhe e hoqi maskën. Kosta njohu njeriun që i kishte vëzhguar te plazhi.

Rina e ndihmoi Kostën që të ormiste valixhen dhe dolën duke e ndjekur pas keqbërësin.

Dolën në oborr.Dielli ishte pjerrësuar mbi perëndim dhe dita po thyhej.

-Gjuetia mbaroi- tha njeriu me maskë- grepi këtë herë zuri goxha peshk dhe i zgjati Rinës kaskën,-Ella tora kardhjamu[9]! Është koha t’a lemë avokatin që të shijojë bukuritë e Rodosit tonë.

Kostës,që tashmë ishte qenësuar për ç’ka i kishte ndodhur, sa si ra pika  dhe klithi zëçjerrë:

-O Zot! Edhe ti moj Rina?!Pse ma punove  kete rreng?

Ajo vuri kaskën në kokë dhe e vonoi pak përgjigjen.

-Epo, që të përfitosh nga burrat e pasur, të marrësh atë që ata s’ta japin, duhet të bësh sikur u dhuron ca dashuri! Kjo është e vjetër sa bota, vetëm ti s’e ditke!-

Fliste prapa kaskës dhe veç syve ai nuk mundi ti shihte shprehjen e fytyrës, që në atë çast e urrente më shumë se çdo gjë në botë!.

Ajo  hipi me një të kërcyer prapa motorrit, që u nis me shpejtësi duke lënë pas një shtjellë rëre. Kur u larguan ajo ktheu kokën dhe ngriti dorën në shenjë përshëndetje. Oh,ç’ironi e hidhur! Kosta mbeti si hu gardhi. I poshtëruar i përqeshur dhe i grabitur. “S’e deshi më veten. Trupi i dridhej dhe gjunjët i ishin prerë.Fyti i ishte tharë, pështyma i ishte mpiksur dhe në gojë kishte një hidhësirë të helmët.

“E qirje Kosta Moraitis, - i tha vetes- more jaran plak i rrjedhur e idiot, që more rrugët në kërkim të dashurisë, mirë tu bë. Rri tani  si i dhier!

I thirri taksisë dhe u nis për në aeroport.


[1] O. Elitis, 1911-1996,G.Seferis 1900-1971,poetë grekë, të lauruar me çmimin Nobel

[2] Shumëfaleminderit

[3] I dashuri im.

[4] Zemëra ime

[5] .Të pres.

[6] Emra vendesh në ishullin e Rodosit.

[7] Shpirti im.

[8] Policia greke.

[9] Eja zemëra ime.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora