E shtune, 27.07.2024, 02:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Bazamenti i atdheut

E merkure, 20.01.2016, 08:11 PM


BAZAMENTI I ATDHEUT DHE PIEDESTALI I LIRISË NË VARGJE

Fazli Greiçevci: “KLITHJA NË VARGOJT E DËSHIRËS”, poezi, botoi Art Club “Rifat Kukaj”-Drenas, 2015

Nga Xheladin MJEKU

Tashmë kemi edhe librin e katërt me poezi të Fazli Greiçevcit, i cili vjen pas një  pune të gjatë dhe me përkushtim nga Sinan Gashi. Vlen të theksohet angazhimi i tij i  palodhshëm në mbledhjen e shkrimeve dhe redaktimin e këtij libri, që  e bën të kompletuar krijimtarinë poetike, që prej kohësh qëndronte e shkapërderdhur nëpër faqe revistash e gazetash, në sirtarë personal të të afërmëve të autorit, deri në botimin e tyre në një përmbledhje voluminoze dhe teknikisht të realizuar. Botimi i kësaj vepre poetike e çon në katër vëllime krijimtarinë e lënë dorëshkrim, të botuar në shtypin e kohës dhe të shkapërderdhur tek të afërm dhe bashkëveprimtar të tij, të cilët e ruajtën me fanatizëm deri në çastet kur po shihte dritën e botimit.

Përmbledhjet poetike: “Kanga e maleve” (1994), “Gjethet e përgjakuna”, (1995), “Dallgë mallëngjimi” (2004) dhe “Klithja në vargojt e dëshirës” (2015) i prezantojnë lexuesit gjithë krijimtarinë artistike dhe letrare të Fazliut, i cili për të gjallë nuk arriti t’i botoi, përveç disa prej poezive, nëpër faqet e gazetave dhe revistave të kohës, si: “Zani I rinisë”, “Jeta e re”, etj.

Fal angazhimit të bashkëvendasëve dhe krijuesve të merituar Sinan Gashit dhe Adem Gashit, kjo krijimtari po rrumbullaksohet dhe tashmë konsiderohet e kompletuar gjithë krijimtaria letrare e Fazli Greiçevcit.

Fryma e atdheut, ia hap petalet luleve të lirisë

Ciklet poetike: “Krahët e mallit”, “Parandjenjë kange”, “Ngjyrat e zanit”, “Refren për njeri”, “Tinguj rrëfyes”, “Shkëndijat e mija”, “Lundrimi nëpër syt e saj”, “Lutje” dhe “Proza poetike” e ndërtojnë kështjellën e frymëzimeve poetike të Fazli Greiçevcit, e cila i qëndron ballë stuhive të kohës, duke sjellur frymën e atdhedashurisë dhe fuqinë e qëndresës shekullore të popullit tonë në vargje. Kjo kështjellë, sa vjen e përforcohet me mesazhet e saja që gjithmonë mbesin aktuale, pavarësisht ndryshimeve politike, lëvizjeve e veprimeve të ndryshme

Parathënja “Martiri Fazli Greiçevci (1935-1964 ) amanet na i la poezitë”, fusnotat që i përcjellin poezitë, sqarojnë mirë fatin, publikimin dhe rrugëtimin e tyre deri në ditët e sotme. Pastaj disa Fotodorëshkrime të Fazli Greiçevcit, që si faksimile të vlefshme pasqyrojnë gjithë veprimtarinë e tij, si produkt i hulumtimeve të  shumta të hartuesit të kësaj përmbledhje të vlefshme dhe një “Shënim i përgatitësit të veprës” i vijnë si aparaturë përcjellëse, që e krijojnë mundësinë e mirë për lexuesin që sa më lehtë ta njoh dhe kuptoj veprimtarinë poetike të Fazli Greiçevcit.

Në poezinë paksa më të gjatë “Prej së largu”, e cila i prin hapjes së poezive tjera të ciklit “Krahët e mallit”, autori sjell dashurinë dhe mallin për atdheun, për shokët e vet dhe gjithë njerëzit e tij, prej një qëndrimi të përkohshëm larg vendlindjes, në spitalin e Sarajevës. Një bisedim poetik me vendlindjen sjell dëshminë se Fazli Greiçevci, pavarësisht ku gjendej, mendjen e kishte në atdheun e tij, plot vuajtje, sakrifica e ëndrra jete, ku shprehet fuqishëm:.

“…Shifni, o vllazën, për të gjithë kam:

Kangë e dëshira të pashterruna”

(Po aty, fq. 19)

Poezia “Urimi” na rikujton vargun migjenian, ku frymëzimet poetike rrjedhimisht përshkruajnë kohën e vuajtjeve të një epoke të dhimbshme: “Ju uroj Motin e Ri, me dëshira t’plotsueme,/ madhështore/ Që n’buzë të gufoj fjala e ARTË, si kallijtë e flokëve të votrës,/ O të dëshiroj agime të lumtuna, vlla, n’këto ditë të randa dimnore!”, (fq. 28). Të ngjashme janë edhe poezi tjera, ndër të cilat shquhen: “Malli për vendlindje”, “Rrëfimi i bareshës”, “Krahët e mallit”, “Nëpër rrëmuja të jetës”, “Kanga e butsis”, “Jehona”. “Refreni i gjetheve të vjeshtës”, “Kangë pranverore”, “Për ty këndoj vendlindje”, “Malsori drenicas”, etj.

Ndërkaq poezia “Gëzimi i fundit” shquhet për tematikën dhe trajtimin e lindjes së djalit të vetëm. Lindjen e trashëgimtarit të tij, e skalit me një frymë imagjinare, duke shprehur në vargje gjithë rrugëtimin e tij: “Sot për Ty, o e vetmja lule e zemrës/ Po e ndiej në vedi gëzimin e zanit të sharkis/ Dhe, po më duket se në gurin e votrës/ Kam lind për së dyti, në jehun e dashnis”, (po aty, fq. 121).

Edhe poezi tjera nga ciklet: “Parandjenjë kange” dhe “Ngjyra e zanit”, pasqyrojnë  peisazhin e vendlindjes, pastaj i këndojnë gjyshit, babait, trollit, punës, gjakut, bilbilit, skyfterit, shqiponjës, dallëndyshes, etj. që bashkëjetojnë me përpëlitjet ditore për jetë, me leckat e hedhura mënjanë, me dashurinë e zjarrtë për lulëzimin e të resë, si frymëzim, si motiv dhe fuqi shprehëse e mallit, dhimbjes, dëshirave dhe mbi të  gjitha sakrificave shekullore të këtij populli të vuajtur. Të këtilla janë edhe poezitë: “Grimca malli nëpër rrugët e jetës”, “Flaka e kujtimeve”, “Klithja në vargojt e dëshirës”, “Elegjia e dhimbshme”, “Kangët e përshëndetjes së përgjakun” e shumë poezi tjera, sidomos nga cikli poetik “Shkëndijat e mija”.

Një përkufizim më bindës rreth kësaj që u tha për shprehjen e mallit dhe dashurisë për atdheun mund të ilustrohet me vargjet: “Në pranverën e qeshun i mjekoj- / plagët helmuese të moteve…”, (fq. 30), duke ndier thellë në shpirtin e tij atë helm shekullor që i kanoset vendit dhe lirisë, për të cilën u sakrifikuan gjenerata. I këtilë ishte edhe Fazli Greiçevci, figura e të cilit shkëlqen në shumë dimensione të aktiviteteve të tij të pashkëputura. Atdhedashuria, edukimi i brezave dhe krijimtaria artistike ishin hallkë e pashkëputur e veprimtarisë së tij jetësore deri në sakrificën heroike.

Kjo frymë patriotike, kulturore dhe arsimore shkëlqeu si rrezet e agimeve pranverore duke hapur petalet e luleve të lirisë, si një mesazh i fuqishëm për brezat që e pasojnë.

“Te kroni i shpresës” gurgullon dashuria

Fazli Greiçevci, paralelisht me përballjen jetike të shqetësimeve për situatën e krijuar në vendlindjen e tij, nuk i shpëton dot etheve të dashurisë, që gurgullojnë nga shpirti djaloshar, duke prekur ndjeshëm atë kaptinë të jetës, si një shkëndi shprese për ditë të lumtura, që herë i vijnë si dëshirë dhe çasje e bukur, herë si shqetësim nga pamundësia e arritjes së qëllimeve të tij. Cikli poetik “Refreni për njeri” e paraqet ndjeshmërinë tematike për dashurinë, për të bukurën dhe të dhimbshmen, paralelisht. Poezitë: “Dhurata”, “Njeni tjetrin gjithmonë e duem”, “Refrene t’dhimbshme”, “Rreze dashnije”, pasqyrojnë realitetet poetike të motivuara nga kjo ndiesi për dashurinë dhe intimitetin e tij djaloshar.

“Te kroni i shpresës sa herë kot kam pritë-

Ndoj lajm të shkurtë me ndëgjue për Ty- për vehte

O pritja e gjatë n’zemër m’ka goditë

E ti s’pate mëshirë aq shum që më trete”.

(“Mbas ngadhnjimit”, fq. 81)

Autori nuk ngurron ta paraqes edhe portretin e malësores, ashtu të vuajtur, të  heshtur, por plot vrull për jetë, duke e lartësuar në vendin meritor, ku: “Në krahët e sukëzave bleroshe/ pushon syni yt, kokërr rrushi magjik/ e lundron kanga nëpër brigje bleroshe,/ kur vallja ngordhë n’t’jetës piknik…“ (“Vetëm ty malsore”, fq. 108). Edhe motra është trajtuar në vargun e Fazli Greiçevcit, i cili si duket nuk ndihej i qetë derisa i  takonte të gjithë njerëzit e tij edhe në vargje. Motra në poezinë “Dashni e padëshirueme” vjen e portretizuar kujdesshëm dhe plot dashuri, pa mos e lënduar parafytyrimin e saj nëpër  ecejaket e jetës plot dhimbje dhe shpresa, duke e ndier thellë në gjakun e tij gjithë preokupimin dhe vuajtjet e saj.

Edhe në poezitë: “Lundrimi nëpër syt e saj”, “Bjeshkatarja”, “Vetëm Ty”, “Mallëngjimi” e poezi të tjera, autori shpreh fuqishëm botën intime me vargun e tij prej krijuesi të dëshmuar dhe të vlerësuar edhe nga botimet e mëparshme. .

Proza poetike - edhe një sprovë në krijimtarinë letrare në vazhdim

Katër prozat poetike: “Shpresat e trojeve të zgjueme”, “Ndamja”, “Rruga e panjoftun” dhe  Shtigjeve të jetës”, për më shumë sjellin edhe dëshminë se Fazli Greiçevci kishte synim lërimin e prozës, duke trajtuar tema e ngjarje të rëndësisë së kohës që e jetonte dhe mbijetonte bashkë me popullin e përvuajtur, duke gjurmuar shtigjet e reja të jetës, jashtë kornizave të vuajtjes, në një kohë ku liria ishte ëndrra dhe synimi jetik i tij. Ky preokupim e mbante të tensionuar gjithmonë penën e tij krijuese, për të gjetur e trajtuar tema të këtilla, sepse i këtillë ishte edhe vetë Fazliu, që nuk ndahej në asnjë moment nga jeta e përbashkët e bashkëvendasve të tij. Sjellja e këtyre prozave poetike në këtë libër dëshmon se përveç krijimit të poezisë, ai i është çasur edhe shtjellimit të kësaj fushe të krijimtarisë letrare. Gjetja edhe e formave të tjera të ndërtimit të botës së tij krijuese, duke u sprovuar edhe në prozën e shkurtër, Fazli Greiçevci radhitet në mesin  e krijuesve të vlerave dhe sukseseve në letrat tona.

Kaptina e jetës, apo epoka që vazhdon me kujtesën

Në mbyllje të këtyre pak mbresave nga leximi i përmbledhjes poetike “Klithja në vargojt e dëshirës” nuk mund të mos përmendim edhe disa prej karakteristikave që i  takojmë në poezinë e Fazli Greiçevcit, të prezantuar këtu. Vargu i tij poetik shquhet ndjeshëm për frymën lirike dhe vlerat e kohës, që shikuar me kujdes na kujtojnë një përafrim me emra të njohur të letërsisë sonë, si: Migjeni, Esad Mekuli, Trifon Xhaxhika, Frederik Rreshpja e Azem Shkreli, që shquhen për ngritjen e vlerave letrare me krijimet e tyre, duke prekur ndieshëm motive e ngjarje plot vuajtje, mjerim, tortura, pastaj shprehje revolte përmes heshtjes, etj. që argumenton bindshëm se edhe Fazli Greiçevci mund t’i qëndroj besnik asaj krijimtarie  të zhvilluar në kohën kur jetoi. Krijimtaria e tij letrare shquhet  edhe me rrjedhshmërinë e gjuhës, me paisje figurash, tropesh e metaforash të fuqishme, që e begatojnë në masë gjithë krijimtarinë e tij poetike.

Fazli Greiçevci asnjëherë nuk mund të kujtohet i vetëm, si veprimtar i çështjes kombëtare, pa mos e njohur edhe veprimtarinë e tij prej arsimdashësi dhe krijuesi letrar. Në këto rrafshe duhet gjithmonë t’i afrohet lexuesit kjo figurë emblematike prej liridashësi, mësuesi e krijuesi letrar, meqë shumanshmëria e aktiviteteve e bëjnë të pa harruarr në brezni. Kujtimi për të vjen i freskët sa herë ta kujtojmë historinë e lavdishme të të gjithë veprimtarëve të kauzës sonë kombëtare, sa herë e kujtojmë ngritjen dhe zhvillimin e arsimt, që aq shumë e deshi, deri në fjalët dhe mendimet e tij plot mesazhe dhe amanet, të ngritura në shtizën e lartë të flamurit kombëtar, për të cilin u sakrifikua, që valvitja e tij të jetë e lirë gjithandej në trojet tona.

Me besimin e pathyeshëm se vetëm me fitoren e lirisë mund të jetojmë të lumtur dhe të ndërtojmë ardhmërinë tonë, ai do të shprehet fuqishëm edhe në vargjet - testament: “Nuk ka ma ambël se në qëllim me vdek/ Kah gjurmave ke lanë shkëndija…/ Atëherë blerohet vorri, kurr s’ke m’u zbé-mekë/ Në zemra rinore ke breznia!”, në poezinë “Nuk ka ma ambël…”, (fq. 72).

Veprimtaria e tij e devotshme krijoi epokën e tij të veçuar, duke i dhënë dimension të  shumanshëm. Kaptina e jetës dhe veprës së tij shtrinë krahët fuqishëm në brezni, për të përshkuar frymën dhe mesazhin prej atdhetari të pashuar.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora