E hene, 29.04.2024, 05:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Shpirti i fjalës dhe forca e mendimit

E diele, 24.01.2016, 12:07 PM


SHPIRTI I FJALËS DHE FORCA E MENDIMIT

(Luan Maloku, Ëndrra, shpresa dhe iluzione, Amanda Edit, Bukuresht 2016)

Nga Baki Ymeri

“Bota më së miri lexohet në shpirtin e poetëve.”, ka thënë Mhill Velaj, njëri nga poetët tanë më të talentuar të Amerikës mike. Po këtë mendim e shpreh edhe Visar Zhiti i famshëm kur shkruan për domethënien e antologjive: “Teksa shpërndahemi, vendtakim kemi poezinë.” Cilat janë kriteriumet e kësaj vepre? Falë poetit Luan Maloku, autor i 20 librave (poezi, monografi, antologji), para nesh kemi 15 poetë shqiptarë nga Zvicra e 200 mijë shqiptarëve të atjeshëm. Janë apo s’janë poetët tanë më të njohur të kësaj zone europiane, për këtë le të dalin në pah eseistët tanë! Seleksionimin e kemi bërë në bazë të moshës, vlerave dhe respektit që kemi ndaj tyre. Po qe se dikush e ndjen veten të anashkaluar, le të mos brengoset sepse veten do ta gjejë në vëllimin e dytë! Po shkojmë me rradhë: Shaip Beqiri, Miradie Maliqi, Ajet Shala, Elvira Dones, Shefqet Dibrani, Dedë Preqi, Zarije Bajrami, Gëzim Algeraj, Elida Buçpapaj, Brahim Avdyli, Luan Maloku, Fatime Hoti, Isuf Sherifi, Fahrije Kllokoqi dhe Musa Osmani janë përfaqësuesit e vëllimit të parë.

Shqipërinë e dua sepse jam shqipëtar, Kosovën e dua sepse jam kosovar, shprehet njëra nga këngëtaret tona të famshme. Ky është edhe misioni elementar i këtij vëllimi antologjik. Luan Maloku është njëri nga poetët më të angazhuar të disporës sonë në Zvicër, ndaj edhe po ia japim pronësinë e kësaj vepre. Në vëllimin e dytë, vend qëndror gjejnë Agim Shehu, Bujar Salihu, Sabit Geci, Fehmi Kelmendi, Shukrije Ramadani, Besnik Camaj, Peso Emza, Hava Kurti-Krasniqi e do tjerë. Poezia është porsi shpirti që nuk ka nevojë për pengesa apo bariera, për shenja pikësimi apo rima klasike. Njeriu që nga krijimi i botës ka lindur poet, duke i thënë gruas apo dashnores: Ku je shpirti im! Shpirti është një vlerë e shenjtë, shkenca e shkencave. Të jesh poet don të thotë të jesh engjëll, engjëll vetëm gjatë kohës kur të prek frymëzimi, pastaj, pasi të kalojë frymëzimi kalon në kategorinë e njerëzve të rëndomtë.

Shpirti dhe fjalët janë pasuria më e shtrenjtë të cilën poetët ia dhurojnë lexuesit. Kujtimet e shpirtit, Shija e shikimit, Shpirti i fjalëve,  tensione sentimentale, Trup e shpirt, janë disa nga titujt e antologjive të deritanishme. Në këtë kontekst regjistrohet edhe antologjia e Luan Malokut, Ëndrra, shpresa dhe iluzione. Duke shkruar për Miradie Maliqin, poeti Daniel Marian thekson: Jemi përballë një vëllimi të ri vargjesh që e pasuron spektrin e relacioneve kulturore ndërmjet botës shqiptare dhe asaj rumune. Një rezervat perlash lirike përballë furtunës ekzistenciale që nxjerr në pah një dimension të ri të guximit për të qenë qenja që prodhon efekte fizike dhe shpirtërore në shtjellën e ndjeshmërisë me objektivizimin faktik të ektistencës. Mbi një platformë perlash lirike të denja për admirim.

Lasgush Poradeci, njëri nga klasikët tanë më të talentuar që u formua si poet në Rumani, ka thënë në kohën e tij se “Qëllimi i artit është që të na japë gëzim estetik, por këtë gëzim e ndien ai që është i përgatitur për ta ndierë. Prandaj duhet kulturë e madhe. Jeta është e shkurtër, po sa e shkurtër është po aq edhe e rëndë. Lindim me të qarë, rritemi duke qarë, humbin nënën, babanë, të afërmin, shokun, shoqërinë, humbim të dashurin, dashurinë, humbim rininë, jetën, shpresën.” Një mendim identik për poetin dhe poezinë e ka thënë edhe Murat Isaku i pavdekshëm i Tetovës poetike: “Poezia intime, erotikë dhe elegji modelojnë për mrekulli marginat e jetës dhe të shpirtit të shkrimtarit. Ajo është pasqyra më e kthjellët e vlimeve indiskrete njerëzore.”

Fatime Hoti ka emigruar në Zvicër, ndërsa brengën e mërgimit dhe mallin për Kosovën i ka shkrirë në vargun e saj poetik. Lirikat e saj janë përjetime artistike të cilat japin mesazhin e së bukurës, në jetë dhe në art. Për aktivitetet kulturore dhe publicistike, Shaip Beqiri është dënuar dy herë me burg nga regjimi serb. Fillimisht ka bashkëpunuar me disa gazeta e revista shqipe të diasporës, pastaj ka mbajtur kurse në vitin 1995 ka ardhur në Zvicër ku ka kërkuar azil politik, gjithmonë duke i dhënë prioritet gjuhës shqipe për gjermanofonët. Ka botuar një varg librash dhe u ka dhënë mësim fëmijëve të refugjatëve shqiptarë.

Luan Maloku në kuadrin e kësaj vepre e ndërlidh truallin me qiellin dhe fatin e krijuesit tonë në diasporë. Agim Shehu thekson se “Fjala për poezinë, aq më tepër për atë tënden, është e vështirë, pasi askush nuk flet dot më saktë sesa ajo për veten e saj. Ajo vetë nuk gënjen, ngaqë, e mirë, e keqe, është aq e çiltër sa s’di të gënjejë.” Poezia sipas tij ka jetë të përjetshme: “Duke patur zërin e kohës, ajo kalon në të ardhmen tek vjen nga e kaluara. Ka një firmë që është e autorit, ka një hapsirë që është e njerëzimit.”  Ka nevojë të flasim për vlerat e secilit autor në kuadrin e kësaj antologjie? Ato i gjeni vetë dhe Ju dëshirojmë lexim të ëndshëm dhe të këndshëm!



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora