E shtune, 27.04.2024, 10:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Bubulinoja

E shtune, 26.09.2015, 04:55 PM


Bubulinoja

shkon të blejë një kokërr lakër

Nga Viron Kona

- Bubulino, merr lekët te komodina dhe shko e bli një kokërr lakër, - i tha gjyshja.

- Sa të madhe ta blej kokrrën e lakrës? - e pyeti ai.

- Sa koka jote, - i tha gjyshja me shaka.

Bubulinoja shkoi në treg dhe u ndal përpara një tezge të mbushur plot me lakra të llojeve dhe madhësive të ndryshme.

- Çfarë do, o vogëlush? - e pyeti tregtarja.

- Dua një kokërr lakër.

- Sa të madhe e do kokrrën e lakrës?

- Sa koka ime.

Tregtarja bëri pakëz buzën në gaz. Pastaj, duke parë herë kokën e Bubulinos dhe herë kokrrat e lakrave, zgjodhi njërën prej tyre dhe e vuri në peshore. Ishte një kokërr lakër shumë e madhe. Bubulinoja u habit: “Pse, kaq të madhe e kam kokën unë?!” - pyeti veten dhe kushedi pse i erdhi turp. Pastaj, si do ta çonte në shtëpi atë kokërr lakër aq të madhe?!

Nuk guxoi që ta kundërshtonte tregtaren. Druante se mos ajo e tallte. Mori lakrën dhe, me shumë vështirësi e shpuri në shtëpi. E la në mes të tavolinës dhe duke fshirë djersët, pyeti gjyshen:

- O gjyshe, pse, kaq të madhe e kam kokën unë?!

Gjyshja u habit: “E paska mashtruar ajo tregtarja! Hajt pa ia rregulloj unë qejfin asaj!” - tha me vete. U vesh shpejt e shpejt, mori Bubulinon për dore dhe shkoi drejt e tek tregtarja. Iu ankua se kishte përfituar nga një fëmijë për të shitur mallin...

Tregtarja e dëgjoi me vëmendje dhe pa u shqetësuar aspak. Kur gjyshja mbaroi, tregtarja nisi të shpjegojë:

- Moj zonjë e dashur, ky vogëlushi faqekuq erdhi dhe më tha: “-E dua kokrrën e lakrës sa koka ime!” Dhe unë ia plotësova dëshirën.

- Po ti e shikon, sytë në ballë i ke! - u nxeh gjyshja, - kjo kokërr lakër është shumë më e madhe sesa koka e vogëlushit tim!

- E ke gabim moj zonjë e dashur, - iu kthye tregtarja qetësisht. - Koka e këtij vogëlushi nuk është e vogël, por është e madhe sepse ka shumë mend. Madhësia e kokës së njeriut varet nga mençuria. Nuk ke dëgjuar ti kur thonë: “Ai njeri është kokë e madhe!” Kështu që unë, s’mund të pranoj që ky vogëlush topolak dhe kaq simpatik, na e paska kokën të vogël. Prandaj zgjodha këtë kokërr lakër dhe jo një tjetër.”.

Gjyshja e Bubulinos dëgjonte arsyetimin e tregtares dhe s’fliste. Mbase po i vinte mirë nga fjalët e saj për mençurinë e vogëlushit.

Ndërkaq, tregtarja që po e vëzhgonte gjyshen me bisht të syrit, i tha:

- Ti moj zonjë e dashur, bëj si të duash, unë s’e kam problem shitjen e mallit, se e kam më të mirin në treg. Po deshe, ma kthe atë kokërr lakër, të  peshojë një tjetër, - dhe duke thënë këto fjalë ajo gjoja zgjati dorën, por gjyshja e tërhoqi lakrën prapa dhe iu përgjigj:

- Këtë do të mbaj, sepse është fati i Bubulinos!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora